Kolici: Kryesues me meritë, vështirë të na arrijnë!

7 Shkurt 2017, 15:54Sport TEMA

Kukësi kryeson me meritë tabelën e klasifikimit në Superiore dhe me të drejtë etiketohet si pretendent kryesor për t’u shpallur kampion i Shqipërisë në përfundimit të sezonit të pestë në elitën e futbollit shqiptar.

Eksperienca e fituar në menaxhimin e skuadrës nga presidemti Gjici, impakti që ka patur trajneri Gjoka, apo prania elementëve të tillë si Pejic apo Emini në fazën sulmuese janë faktorë të rëndësishëm për këtë ecuri pozitive të Kukësit, por ndoshta nuk duhet është anashkaluar ose nënvlerësuar një detaj interesant: forma e jashtëzakonshme që po kalon portieri Enea Kolici.

30-vjecari, i cili është pjesë e Kukësit që nga vera e 2015-ës, këtë sezon ka luajtur titullar në të gjitha ndeshjet e kampionatit, madje me Hoxhën e Partizanit janë portierët që kanë pësuar më pak gola, vetëm 8. Ish-portieri i Shpresës e pranon se po kalon një formë mjaft të mirë, falë ambientit pozitiv te verlindorët, por pa harruar profesionalizimin e trajnerit të portierëve, Gud Tafaj.

“Më vjen mirë që skuadra po kalon një periudhë mjaft pozitive dhe kryeson kampionatin, dhe sigurisht edhe në aspektin personal ecuria ka qenë mjaft pozitive. Këtu jemi si familje falë punës që po bëjmë me trajnerin Tafaj, jemi shpërblyer me paraqitje mjaft të mira.”

Konkurrencë, por edhe harmoni në stërvitjen e përbashkët me kolegun e tij Ervis Koci. Numri një i portës së Kukësit siguron se përtej rivalitetit për vendin e titullarit, që në një skuadër futbolli është e domosdoshme, marrëdhëniet me Kocin janë të shkëlqyera.

“Kur erdha te Kukësi, Koci ishte titullar dhe unë sigurisht duhej ta pranoja vendimin e trajnerit, ndërsa sot luaj unë titullar, në futboll duhet të punosh fort për të qenë pjesë e formacionit.”

Kolici më tej paralajmëron rivalët e titullit, Partizanin dhe Skënderbeun, se do ta kenë shumë të vështirë ta arrijnë formacionin e Gjokës.

“Është e vështirë të marrësh kryesimin dhe ta ruash atë, por edhe më të vështirë do ta kenë skuadrat rivale që të na barazojnë me pikë.”

Në fundjavë, Kukësi do të luajë në transfertë me Tiranën, kundërshtare që sipas Kolicit, pavarësisht rezultateve të fundit, mbetet shumë e fortë dhe nuk mund të futet në grupin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë.

“Nuk dua ta mendoj apo ta besoj që Tirana rrezikon rënien. Është një emër i madh dhe me shumë traditë, ndaj parashikoj një ndeshje të vështirë. Luajtëm kundër tyre edhe në Kupë dhe na mundën, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm përballë Tiranës.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje