Mos e quani më “Mister”, tani është “Cavaliere” De Biazi

7 Shkurt 2017, 19:05Sport TEMA

Xhani De Biazi është nderuar sot me titullin “Cavaliere”, duke marrë medaljen e “Ordine Della Stella D’Italia”.

Në një ceremoni të organizuar në Ambasadën Italianë në Tiranë, ka qenë vetë ambasadori italian në Tiranë, Alberto Kutilo, ai që i ka dorëzuar trajnerit kuqezi titullin e akorduar nga presidenti i Republikës së Italisë.

“Është një kënaqësi e madhe për mua të jap këtë çmim të veçantë për trajnerin Xhani De Biazi, për meritat jo vetëm sportive, por mbi të gjitha njerëzore. Nuk ka nevojë që të mbaj fjalim se De Biazi është personazh i njohur por do të doja të lexoja motivimin:

‘Për kontributin e tij për marrëdhëniet mes Italisë e Shqipërisë, duke treguar interes për zhvillimin e sportit në Shqipëri, duke kontribuar me përvojën e tij në rritjen e sportit shqiptar. Duke reflektuar nëpërmjet futbollit edhe impenjimin politik të Italisë në Shqipëri’.

Italia dhe Shqipëria, në një moment të vështirë të Bashkimit Europian, ku ka vende të cilat mendojnë se edhe mund të dalin, këto dy vende mendojnë se mund të jenë bashkë aty. Sigurisht, nuk është meritë vetëm e trajnerit, është edhe e lojtarëve, por ai arriti para nesh, para politikës, të bëjë Shqipërinë pjesë të hartës së Europës. Do të mjaftonte vetëm kjo e fundit për të justifikuar plotësisht çmimin që i jepet De Biazit”, u shpreh ambasadori italian para se t’i vendoste De Biazit stemën dalluese të këtij titulli.

Më pas e kishte radhën vetë De Biazi që të fliste para të ftuarve të shumtë, të cilët ndoqën këtë ceremoni.

“Pikësëpari kam një listë të gjatë personash që duhet të falënderoj, nga Ambasadori që më propozoi për këtë titull, te Presidenti i Republikës së Italisë, Kryeministrin e Shqipërisë apo presidentin e FSHF-së, Armand Duka, që ishte fillestar i këtyre mirënjohjeve në Shqipëri, nga ‘Honoris Causa’, te ‘Stoli i Artë’ në Itali dhe këtë mbrëmje te titulli ‘Cavaliere’, i cili është ndër më të lakmuarit nga personazhe të ndryshëm në Itali.

Jam shumë i kënaqur dhe i emocionuar se nuk është e thjeshtë të arrihet dhe fakti që ka të bëjë me rang të lartë, më shqetëson edhe më shumë. Por jam krenar, se ashtu siç u tha nëpërmjet motivimit, besoj se kemi krijuar një urë mes dy vendeve. Një det që na ndan, por na bashkon një mendësi.

Uroj që marrëdhëniet të jenë gjithnjë e më të ngushta e reciproke. Pastaj procesi i afrimit në Europë është diçka për të cilën po punon politika. Unë uroj ta shoh Shqipërinë sa më shpejt të rritet edhe në shumë aspekte të tjera, se mendoj se është në rrugën e duhur me mikun tim Edi Rama që ka një art orator që unë nuk e kam”, ishin fjalët e De Biazit pas këtij nderimi.

Në këtë ceremoni, para të ftuarve foli edhe kryeministri shqiptuar, Edi Rama, i cili pranoi se kishte menduar se trajneri do të përfundonte në stolin e Italisë.

“Ky është nder i madh për Shqipërinë, siç është një nder i madh për të gjithë ne të jetojmë këtë periudhë historike për kombëtaren shqiptare. Për mua është një nder shumë i madh, ashtu si edhe për të gjithë ata që kanë pasur mundësinë dhe fatin të njihen nga afër me trajnerin, të konsiderohen miq të këtij njeriu, “Cavaliere” të madh.

Pastaj kur fitohen trofe apo medalje sportive, është gjithmonë një motivim i madh për të vazhduar përpara, edhe pse kur merret një titull, ekziston dyshimi se mosha është paksa e thyer.

Por unë gjithsesi nuk mund të them asgjë tjetër veçse faleminderit dhe mund të shtoj gjithashtu se jemi të gjithë të nderuar për këtë titull, sepse nuk harrojmë kurrë faktin që De Biazi është edhe një shtetas shqiptar dhe Presidenti i Republikës së Italisë nderon gjithashtu edhe një bashkështetas tonë. Ky është një motiv krenarie.

E pranoj se kur Konte la stolin e Italisë, unë kisha shumë frikë, edhe pse si tifoz i Italisë do të doja që të vendosej në vend të tij dikush në të njëjtin nivel me Konten. Por kisha frikë se ai dikush mund të ishte pikërisht De Biazi. Por gjërat shkuan siç shkuan”, deklaroi kryeministri shqiptar në këtë ceremoni./Panorama Sport/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje