Korabi mendon bojkotin, Mziu: E parandjeva gabimin e arbitrit

Fehmi Mziu del hapur kundër gjykimit. Penalltia e dhënë në favor të Skënderbeut i ka vendosur “vulën”. Te Korabi janë të irrituar me vendimet e dhëna, ndërsa paralajmërojnë se do të dalin me peticion kundër arbitrave.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, administratori deklaron se e pat parandier atë që do të ndodhte në “Elbasan Arena”, ndërsa thekson se kjo gjendje është bërë e padurueshme.

“Nuk mund të them asgjë për momentin, për atë që ndodhi në ‘Elbasan Arena’. Pa diskutuar me stafin teknik dhe me vetë lojtarët, nuk mund të japim qëndrimin tonë ndaj këtyre gjykimeve makabre. Jo më kot, por 24 orë para ndeshjes me Skënderbeun, kam dhënë një intervistë duke folur edhe për gjyqtarët. Duke u nisur edhe nga gjykimet e mëparshme kur skuadra jonë dënohej prej gjykimit dhe jo prej lojës.

Dhe, sikur ta ndieja, pasi e njëjta gjë ndodhi pikërisht në ndeshjen e djeshme (të hënën) me Skënderbeun. Ne u ndëshkuam nga një lajthitje e gjyqtarit Kola. Por lajthitje të tilla ne kemi pasur në disa javë. Në të paktën 10 ndeshje, fati i ndeshjes përcaktohej vetëm nga gjykimet. Nuk durohet më. Jemi duke përgatitur një material ku do të dalim me një peticion ndaj këtyre gjykimeve”, u shpreh administratori.

Ndërkohë, dje në mbrëmje në një prononcim për “News 24”, trajneri Gerd Haxhiu theksoi se klubi po mendon edhe bojkotimin e kampionatit.

 

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *