Mërzia elektorale e Ilir Metës

8 Shkurt 2017, 09:28Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Ilir Meta krijoi mjaft pritshmëri tek opinioni publik, me daljen e tij të fundit në studion e Sokol Ballës . U besua për një moment se aty do të sqaroheshin shumë paqartësi në lidhje me koalicionin, ndërkombëtarët, reformën në drejtësi, opozitën, pozicionin ndaj Ramës apo bilancin e qeverisjes katërvjeçare, në  stilin e intervistës së ish-ministrit të tij Manjani, në të njëjtin emision televiziv. Por ajo që pamë të hënën në darkë ishte një tjetër seri e të folurit “politikisht”, me fraza të tipit “integrimi më i rëndësishëm se koalicioni”, ose “është ende herët për të bërë bilance” (katër muaj para zgjedhjeve), nga ato që Meta ka konsumuar prej vitesh në studiot televizive! Të vetmet fraza të qarta, ai i përdori kur foli për vetingun dhe prokurorin e përgjithshëm. Për Metën nuk ka veting ambasadash, por vetëm zbatim të reformës nga institucionet e shtetit shqiptar. Një mesazh ky që i drejtohej personalisht Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Dhe si për ta shvlerësuar indirekt “vetingun diplomatik”, ai u shpreh formalisht se u bë mirë që iu hoq viza amerikane kryeprokurorit Llalla.

Tema madhore e qëndrimit të LSI ndaj çeshtjes së aleancave elektorale, vazhdoi të mbetet pa përgjigje. Ndërkohë që nuk pati asnjë vështirësi për t’u shprehur javë më parë se nuk do të bënte koalicion me PD (Meta justifikohet se kjo ishte replikë ndaj qëndrimit negativ të Bashës ndaj LSI), kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shfaq i ftohtë dhe hermetik kur u pyet me insistim se cili do të jetë fati i koalicionit të majtë në 18 qershor. Formalisht ai u shpreh se është ende herët për këtë temë dhe se kjo do të vendoset në momentin e duhur.

Ilir Meta nuk është në humor këto kohë. Shumëkush e mban mend sesi ai gati sa nuk shpërtheu në 21 korrik kur u përplas me aleatët e tij socialistë. Që prej asaj kohe, ai ka nisur një fushatë të pandërprerë sulmesh ndaj Ramës, qeverisë, ministrave të saj, me akuza për hashashin, korrupsionin etj, ku ka përfshirë “në rresht për një” thuajse të gjithë deputetët dhe zyrtarët e partisë së tij. Arsyet e kësaj pakënaqësie janë të shumta. Ato burojnë jo vetëm nga produkti i 21 korrikut të shkuar, por edhe nga afrimi i PDIU në tryezën e koalicionit, qëndrimi i vendosur i Ramës në muajt e fundit (e kundërta e squllljes së dikurshme), si dhe goditja më e fundit që mori me largimin e dhunshëm të Manjanit, që u pa si një fitore e qartë politike e Edi Ramës. Si të mos mjaftonin këto, njoftimi i njëanshëm i kryeministrit se tashmë Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë tre bashkëkryetarë dhe jo më vetëm dy, është diçka krejt e pakënaqshme për njeriun që ishte mësuar ta konsideronin prej një dhjetëvjeçari si faktorin që bënte dhe shbënte qeveritë në këtë vend. Pamundësia numerike për të kushtëzuar qeverinë Rama, pas afrimit të Idrizit, e acaron dukshëm Metën, pasi i heq atij mundësinë e të qenit i pazëvendësueshëm. Prej nga burojnë edhe deklaratat e mbrëmshme, se LSI s’mund të jetë shtojcë e askujt, se ajo del në opozitë nëse nuk është e nevojshme për të mbajtur në këmbë qeverinë etj.

Me këto mendime të zymta në kokë, ai vijon të insistojë për të mbajtur ende pezull formulën e aleancës së ardhshme të 18 qershorit. Një formulë e cila, nëse i besojmë deklatarës së tij se nuk do të ketë koalicion me PD, ka vetëm dy variante të mundshme: ose të dalë i vetëm në zgjedhje, ose t’i bashkohet edhe një herë trenit të së majtës. Pa harruar që ndërkohë palët në lojë do të duhet të zgjedhin presidentin e ri. Një andrallë më shumë në këtë lëmsh elektoral, ku pritet të luhet gjithashtu fort nga të gjitha anët.

Megjithatë kjo fushatë po afron me një mërzi të lëxueshme në sfond, të partisë së tretë politike të vendit. Një element që mund të provokojë në javët e ardhshme cilindo prej dy skenareve të mësipërme. Për të mos thënë që mund të rihapë teorikisht edhe të tretin, atë të një bashkimi me Bashën, të cilin sot Ilir Meta e konsideron me nota thuajse tallëse.

Katër vjet pas marrëveshjes së 1 prillit, LSI paraqitet në takimin me zgjedhjet me shumë nyje për të zgjidhur. Kur Meta nënshkruante me Ramën paktin e zgjedhjeve në Shkodër në vitin 2013, vinte në tryezë me vetëm katër mandate deputetësh, por ndjehej më i fortë sesa sot, kur ka 18 të tillë. Ky paradoks shifrash mbart brenda vetes shkakun e mërzisë elektorale të një partie që dikur ishte e përkedhelura e të gjithëve, por që sot duhet të zgjidhë një ekuacion jo të lehtë për të ardhmen e saj në spektrin politik shqiptar. (Javanews)

8 komente në “Mërzia elektorale e Ilir Metës”

  1. Liri says:

    Nje koment jo politik.Degjojme tere kohen prononcime dhe opinione per “heqjen e vizes amerikane Prokurorit te Pergjithshem” dhe te gjithe nga “lart-poshte” e kane banalizuar thjesht si heqje vize dhe kaq.E çuditshme si nuk kuptohet se,nga momenti i heqjes se vizes,kryeprokurori i Shqiperise nuk konsiderohet me si “Partner i besueshem” i SHBA-se ! Besoj te gjithe e kuptojme se çfare kjo do te thote dhe se sa minus i madh eshte per vendin tone !! Liri

  2. Spartaku says:

    Per PDIU-n qe eshte ne koalicion me te majtet,nuk duhet t’i vije zore Ilir Metes,pasi ajo parti eshte si gjithe partite e tjera,qe kerkojne te bashkepuojne me te majtet.Keshtu eshte dhe FRD-ja,po keshtu edhe neser do jene parti te tjera.Ketu e ka gabim Metas dhe partia e tij.Sa me i gjere te jete koalicioni,aq me mire do jete.

  3. Bena says:

    Shkrim I sakte Ilir meta dridhej dhe perdridhej si k…. asgje sakte nuk tha Ilir meta kanceri I shqiperis.

  4. Revokimi i vizes eshte baras me ata terroristat myslyman qe u ndalohet hyrja ne usa,por likefloriri po perpiqet qe me dhallen e thartuar te prish ligjin e vetingut.

  5. shigjetari says:

    Iliri, qe kur ishte afro 26÷27 vjeç, ka deklaruar duke turfulluar ne nje interviste dhënë ne lidhje direkte për TVSh gjate punimeve te kongresit te PS te nentorit 1996 (Meta ishte nje nga kater nenkryetaret e PS) se: -“Kam lindur për të udhëhequr”. Intervista duhet te jete diku ne arkivin e televizionit publik.
    Kjo nuk shkon me perrallen se do te dilte ne opozite nese PS apo PD do te kishin 71 deputete.

  6. Devolliu says:

    Sheiku Like Floriri me Sali Krimineln kanë vjedhur gjysmën e Shqipërisë

  7. shelegura says:

    lesinete shumten e votuseve jane nga skrapari dhe eshte fare e dukshme si parti tarafesh ilir meta kete fukarallek ne mendesi e ne ekonomi e ka shfrytezuar me sukses ndersa partia e cameve mbron nje cshtje kombetare shum te rende per kombin tone

  8. populli says:

    Llalla duhet te shkarkohet ,.Po nga kush presim te shkarkohet?nga ata qe e emeruan ne kete post?.Ai Saliut e Metes i sherbeu,si mund ta shkarkoj NIshani e Meta??…Dhe presim te beje vetingun META,NISHANI,Basha e Sali-stani!!!!!
    Vetem Amerika e BE do mundin ta bejne vetingun.Shqiptaret vetem tek keta te fundit besojne dhe shpresojne .FORCA LU! ke me vehte gjithe shqiptaret

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje