SONDAZHI: Gjyqësori, institucioni më i korruptuar. Vetëm 46% e shqiptarëve besojnë se reforma në drejtësi do zbatohet

Shqiptarët nuk kanë besim tek institucionet e tyre publike, e perceptojnë gjyqësorin si më të korruptuarin dhe më të ndikuarin nga politika.

Këto janë disa nga gjetjet e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) të sondazhit “Besimi në Qeverisje” për vitin 2016, i kryer gjatë periudhës 12-24 dhjetor 2016 në të 61 bashkitë e Shqipërisë.

Gjetjet e sondazhit tregojnë nivel relativisht të ulët të besimit ndaj institucioneve publike, ku vetëm pesë në trembëdhjetë (5/13) institucione kombëtare gëzojnë më shumë se 50% të besimit të publikut. Në nivel të përgjithshëm, qytetarët e anketuar kanë më shumë besim te policia (61%), sistemi arsimor (59%), institucionet fetare (58%), media (58%) dhe Forcat e Armatosura (55%). Edhe pse institucionet administrative gëzojnë më shumë besim se ato përfaqësuese, përgjatë 4 viteve të fundit vihet re një trend besueshmërie në rritje ndaj institucioneve publike.

74% e qytetarëve të anketuar përdorin televizionin si mediumin e tyre kryesor, edhe pse 35% e tyre nuk besojnë se informacioni i transmetuar është i saktë dhe i vërtetë.

Qytetarët vlerësojnë sistemin gjyqësor si institucionin më të korruptuar për vitin 2016, ndjekur nga Qeveria qendrore dhe Parlamenti. 72% e qytetarëve të anketuar shohin gjyqësorin si më të prekshëm ndaj ndikimit politik, ndjekur nga Policia 46% dhe Media 45%.

Në lidhje me Reformën në Drejtësi, publiku është shprehur optimist për potencialin e saj, por mbetet i dyzuar mbi zbatimin korrekt të Reformës. Edhe pse 71% e qytetarëve besojnë se nëse zbatohet siç duhet Reforma në Drejtësi do të ketë një ndikim pozitiv, vetëm 46% besojnë në zbatimin adekuat të saj.

Ekspertë të ndryshëm, të ftuar në panel komentuan mbi gjetjet e sondazhit duke ofruar një panoramë më të detajuar të zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale në vend, duke ofruar kornizat e nevojshme për të kuptuar gjetjet e sondazhit. Një fokus i veçantë iu kushtua luhatjeve të besueshmërisë në vitet e fundit, mekanizmave të domosdoshëm për forcimin e marrëdhënieve qeveri – qytetar si dhe nevojës për kuptueshmëri dhe adresim të çështjes së korrupsionit në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Gjetjet e sondazhit

Besimi në institucionet publike

Institucionet fetare gëzojnë vlerësimin më të lartë të besimit tek institucionet publike kombëtare në kategorinë “Kam shumë besim”. 22% e qytetarëve të anketuar shprehen se kanë shumë besim në institucionet fetare. Megjithatë, nëse merren së bashku këto kategori (“Kam shumë besim” ose “Kam besim”), qytetarët e anketuar besojnë më shumë policinë (61%), sistemin arsimor (59%), institucionet fetare (58%), median (58%) dhe Forcat e Armatosura (55%).

44% e shqiptarëve të anketuar kanë besim te qeveria qendrore, në krahasim me 49% që kanë besim tek qeverisja e tyre vendore

Sistemi gjyqësor (74%) është institucioni më pak i besuar në Shqipëri, i ndjekur me një diferencë të përafërt nga partitë politike (72%). Parlamenti renditet si institucioni i tretë më pak i besuar, me 71% të publikut të anketuar që nuk kanë besim.

Edhe pse 71% e qytetarëve të anketuar besojnë se Reforma në Drejtësi do të ketë ndikim pozitiv nëse zbatohet siç duhet, vetëm 46% e tyre besojnë se Reforma në Drejtësi do të zbatohet siç duhet në krahasim me 42% që nuk ndajnë të njëjtin mendim.

35% e qytetarëve të anketuar mendojnë se informacioni i dhënë nga mediat nuk është i saktë dhe i vërtetë. 74% e qytetarëve të anketuar kanë televizionin si mediumin e tyre mediatik më të përdorur.

Institucionet/organizatat ndërkombëtare si BE (80%), NATO (79%) dhe OKB (79%) vazhdojnë të renditen si institucionet më të besuara në Shqipëri, duke gëzuar besimin e rreth 4 në 5 shqiptarëve të anketuar. Këto institucione gëzojnë gjithashtu përqindjen më të madhe të qytetarëve që shprehin besim të madh (në një interval prej 34-36%)

Transparenca dhe llogaridhënia

Pikëpamja se qeveria qendrore është transparente mbahet nga 39% e qytetarëve të anketuar në krahasim me 61% të atyre që nuk pajtohen me këtë pohim. Në nivelin e qeverisjes vendore, 43% e të anketuarve besojnë se bashkia e tyre është transparente.

36% e qytetarëve të anketuar e perceptojnë qeverinë të jetë e përgjegjshme në veprimet e saj, përkundrejt 64% të të anketuarve që nuk janë dakord. Në nivelin e qeverisjes vendore, 33% e të anketuarve besojnë se bashkia e tyre është e përgjegjshme.

36% e qytetarëve të anketuar e perceptojnë qeverinë të jetë e përgjegjshme në veprimet e saj, përkundrejt 64% të të anketuarve që nuk janë dakord. Në nivelin e qeverisjes vendore, 33% e të anketuarve besojnë se bashkia e tyre është e përgjegjshme.

63% e qytetarëve të anketuar besojnë se Kontrolli i Lartë i Shtetit mban përgjegjës qeverisë.

Korrupsioni dhe institucionet publike

Sistemi gjyqësor renditet nga ana e qytetarëve të anketuar (34%), si institucioni më i korruptuar për vitin 2016. Qeveria qendrore zë vendin e dytë (28%), e ndjekur nga Parlamenti (15%).

Për vitin 2016, 26% e qytetarëve të anketuar deklaruan se u kanë paguar ryshfet zyrtarëve publikë në nivel qendror në krahasim me 29% e qytetarëve në njësitë e qeverisjes vendore. Të pyetur për arsyet, 58% e tyre kanë deklaruar se u është kërkuar hapur nga autoritetet qeveritare, 20% ka dhënë ryshfet si mirënjohje për shërbimin e marrë, ndërsa 22% si nxitje për të marrë shërbime më të mira në të ardhmen.

Angazhimi qytetar

79% e qytetarëve të anketuar kanë perceptimin se nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të marrë pjesë në proceset vendim-marrëse/konsultimet me institucionet në nivel qendror, në krahasim me 67% në nivel vendor.

7% e qytetarëve të anketuar në nivel qendror dhe 19% në nivel vendor janë ftuar të marrin pjesë në procese konsultuese gjatë vitit 2016.

Për vitin 2016, 22% e qytetarëve të anketuar kanë marrë pjesë në demonstratë/tubim ose kanë nënshkruar një peticion.

77% e të anketuarve shprehen të gatshëm për t’u angazhuar në punë vullnetare për të mirën e komunitetit.

Kënaqshmëria lidhur me ofrimin e shërbimeve publike dhe TIK:

Qytetarët janë kryesisht të kënaqur me furnizimin me ujë të pijshëm (72%), shërbimet e policisë (66%) dhe shërbimet e pastrimit (të ofruara në nivel lokal) (61%).

Në anën tjetër, më shumë se gjysma e qytetarëve nuk janë të kënaqur me shërbimet e punësimit (78%), me shërbimet gjyqësore (66%), si dhe me shërbimet e mirëqenies sociale (60%).

Vetëm 28% e qytetarëve të anketuar besojnë se institucionet që ofrojnë shërbime publike i dëgjojnë dhe trajtojnë si duhet ankesat që vijnë nga qytetarët, në krahasim me 46% të cilët nuk kanë besim.

42% e qytetarëve të anketuar janë në dijeni për ekzistencën e një faqe interneti në bashkitë e tyre përkatëse. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre ose 59% nuk ​​e përdorin faqen e internetit dhe vetëm 34% e tyre janë të informuar në lidhje me shërbimet elektronike të ofruara nga bashkitë e tyre.

Gjinia dhe përfshirja sociale

48% e qytetarëve të anketuar besojnë se ka barazi mes burrave dhe grave në shoqërinë shqiptare. Ky besim ndahet nga vetëm 37% e grave, në krahasim me 55% të burrave.

59% e qytetarëve të anketuar mendojnë se burrat dhe gratë kanë akses të njëjtë në shërbimet publike. Ky besim ndahet nga vetëm 55% e grave, në krahasim me 63% e burrave.

Sa u përket grave në vendimmarrjen vendore, vetëm 24% e qytetarëve të anketuar kanë dijeni se ka më shumë gra në këshillat e tyre përkatëse bashkiake, në krahasim me 57%, të cilët nuk janë në dijeni të përbërjes gjinore në këshillat e tyre bashkiake.

Ky është viti i katërt radhazi (2013-2016) që ky Sondazh i Opinionit kryhet, bazuar në metodologji, instrument dhe mbulim kombëtar të ngjashëm. Qëllim i tij është të masë nivelin e besimit të publikut tek institucionet qeveritare si dhe qëndrimin e qytetarëve ndaj punës së institucioneve publike dhe ofrimit të shërbimeve në Shqipëri. Ky sondazh është kryer me mbështetjen financiare të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) në Shqipëri.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *