Ekspozitë për Musine Kokalarin, Rama: “Dosjet e Sigurimit”?! Institucionet do njohin lidhjet e personelit me të shkuarën. Dhe ata që janë shfaqur me dy gishtat lart…!

Në Bibliotekën Kombëtare është zhvilluar një ekspozitë “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”, ekspozitë e cila zhvillohet me rastin e 100 vjetorit të lindjes së shkrimtares që ndërroi jetë në burgjet komuniste.

Kryeministri Edi Rama tha se ndihej krenar se me historinë e Musine Kokalarit, fillon një kapitull i ri në raport me të shkuarën komuniste të vendit. Rama tha se ligji i ri i miratuar nga Parlamenti u jep mundësi institucioneve shtetërore që të njohin marrëdhënien e personelit të tyre me të shkuarën komuniste.

Kryeministri tha se në 25 vite, kjo e shkuar është përdorur si makth dhe hipokrizi nga ata që pretendonin se përfaqësonin ish-të dënuarit.

“Jam shumë krenar që në cilësinë e kryetarit të qeverisë shqiptare mund të flas për faktin se me historinë e Musine Kokalarin fillon një kapitull i ri në raport me historinë, historinë e shumë e shumë të tjerëve që janë përdorur si ushqim për të helmuar turmat, për të nxitur urrejtje mes njerëzish në këtë vend dhe jo për të ndriçuar të ardhmen që e kaluara të mos përsëritet më, jo si fakt i së shkuarës, por si sjellje dhe qasje ndaj së ardhmes.

Më vjen mirë që ne u bëmë nismëtarët dhe realizuesit e një ideje që erdhi vërdallë për një kohë të gjatë në mjedisin e zhurmshëm politik dhe asnjëherë nuk u materializua hapja e dosjeve të së shkuarës dhe nxjerrja në dritë e fakteve reale pa paragjykime apo gjykime prej palësh të një historie që nuk mund të jetë një arsye për të na mbajtur të ndarë apo për të thelluar një përçarje.

Por, si një motiv i fortë që gjithë së bashku të ndahemi nga e shkuara. Sot, Autoriteti i Informimit të Dosjeve do të përbëjë një histori suksesi në këtë betejë që prej 25 vjetësh përdoret si makth, ku qartësisht e shkuara përdoret për të ardhmen, duke e parë si një plaçkë për të ndarë sot mes palëve që kacafyten për të shkuarën.

Kanë treguar në 25 vjet hipokrizi dhe mungesë respekti për të shkuarën që përfaqësojnë, apo më keq akoma që thonë se e respektojnë. Kush kontroll të shkuarën, kontrollon të tashmen-vlen më shumë për këtë vend. Projekti për hapjen e dosjeve që ne e kemi filluar qysh në ditët e para të punës, tanimë kulmon me fillimin e zbatimit të tij dhe ligji që ne kaluam në Parlament që duhet të kishte kaluar qysh në ditët e para të Parlamentit të parë pluralist dhe që u mbajt peng për 25 vjet, i jep mundësi institucioneve duke filluar nga Kuvendi, Presidenti, Qeveria, administrata e drejtësisë dhe të gjitha institucionet që të njohin përmes fakteve marrëdhëniet e gjithë personelit të tyre me të shkuarën”, deklaroi Rama ne kete pervjetor.

Kryeministri deklaroi se “Dosja e Musinesë do të jetë e para që do hapë një rrugë të re, shqyrtimin e gjithë dokumenteve dhe njohjen me gjithë personazhet që I kanë ikur dritës së të shkuarës dhe na janë shfaqur me dy gishtat lart përballë prozhektorëve të të sotmes”.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *