FOTOT/ Terminali i ri i Tiranës

12 Shkurt 2017, 11:40Sociale TEMA
FOTOT/ Terminali i ri i Tiranës

Autobusët që vijnë nga juglindja e Tiranës mund t’i zbresin udhëtarët në terminalin e ri që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion, në hapësirën pranë Qytetit Studenti. Gjithashtu, ky terminal do të funksionojë edhe si shesh parkimi për qytetarët dhe do të administrohet nga “Tirana Parking”. Pas përfundimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se falë këtij investimi i jepet zgjidhje shqetësimit të qytetarëve për parkim dhe njëkohësisht ul edhe koston e këtij shërbimi.

“I kemi dhënë përgjigje shqetësimit të shumë qytetarëve që jetojnë në ‘Qytetin Studenti’, atyre që vizitojnë fëmijët e tyre këtu, që frekuentojnë fakultetet në këtë zonë apo që vijnë për vrap nga Liqeni, duke aplikuar tarifën më të ulët sot në Tiranë: tre orë/50 lekë. Çka do të thotë se kemi një tarifë shumë më ekonomike se sa privatët, të cilët e kishin zaptuar edhe këtë shesh apo që kishin improvizuar zaptime tek hyrja e liqenit dhe jo vetëm”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se ky projekt do të ofrojë kushte shumë më komode për qytetarët, por njëkohësisht do të rrisë edhe sigurinë, si për ata që përdorin parkimin, ashtu edhe për udhëtarët që nisen drejt juglindjes nga ky terminal. “Ambienti është shumë më i pastër dhe ka një rol të dyfishtë: Gjysma ka 100 vende parkimi për qytetarët, profesoratin, vizitorët në “Qytetin Studenti”, për vrapuesit nga liqeni, kurse gjysma tjetër është një terminal i përkohshëm për linjat e Pogradecit, Librazhdit apo Korçës. Ky është një ambient shumë më komod, ku secili autobus ka korsinë e vet, ka orarin që do të duhet të respektojë, hyn e del në mënyrë të kontrolluar nga terminali, ka siguri për pasagjerët, ndriçim, tualet. Besoj se kjo është mënyra për të ecur përpara. Të tjerat janë llafe pa bereqet”, tha Veliaj.

Duke theksuar ndryshimin që ka pësuar zona e liqenit, e cila më parë ishte e uzurpuar nga parkingje pa leje, Veliaj i bëri thirrje qytetarëve që tashmë të përdorin parkingun e ri me kapacitet prej 100 automjetesh. “Ky shesh ka qenë shumë i ndotur, ishte pamja e parë në hyrje të vendit ku jeton e ardhmja e Shqipërisë; një shesh me mbeturina, me papastërti dhe inerte, çka binte në kontrast me çfarë po përpiqemi të kultivojmë me studentët që jetojnë këtu. Por, dua të ftoj të gjithë qytetarët që të mos parkojnë më te liqeni! Le të përdorin sa më shumë këtë ambient, ta lënë makinën këtu. U bën mirë për shëndetin, por edhe ulin trafikun e panevojshëm”, tha ai.

Administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza tha se të gjithë po e shohin se si po ndryshon Tirana dita pas dite. “Bashkia e Tiranës nuk i kufizon investimet vetëm në shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, ndriçim dhe pastërti, por ka vënë gishtin në plagë te një problem që është shumë i rëndësishëm për gjithë Tiranën, zgjidhjen e problemit të parkingjeve. Ka qenë një zonë shumë e ngarkuar, ku vetë “Qyteti Studenti”, vetë studentët nuk kalonin dot nga mjetet. Unë dua ta uroj Bashkinë e Tiranës për këtë investim, që është absolutisht i veçantë nga lloji dhe i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit”, tha Gjoza.

Ky shesh i ri do të ofrojë 100 vende parkimi, vende të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara, si dhe një sistem elektronik tarifimi. Gjithashtu, e gjithë kjo hapësirë do të jetë e monitoruar me kamera 24 orë, duke rritur sigurinë e qytetarëve, ndërsa tarifat do të jenë  preferenciale. Kurse në terminalin e autobusëve ndërqytetas për zonën e juglindjes,  provizorisht janë pozicionuar edhe autobusët e linjave rrethqytetase. Për linjat ndërqytetase janë të përcaktuar 19 stacione, ku ato kryejnë shërbimin e tyre, sipas orareve të përcaktuara në licencat përkatëse, gjë që pritet të përmirësojë shërbimin.

7 komente në “FOTOT/ Terminali i ri i Tiranës”

  1. eda says:

    O Z. Veliaj. Shume mire qe po i beni, por kaq e veshtire eshte qe aty te kete pastruese permanente pasi kafsheria qe vijne i hedhin te gjitha ne toke. Nuk i njohin kazanet. Beheni kaq gje se po qelbet dynjaja. Dhe ky terminal besoj se nuk do jete jetegjate aty se nuk shkon fare edhe stdente edhe autobuze edhe plehra. Ajo duhet trajtuar si zone elitare studentore.

  2. GK says:

    E para fjale miresie eshte : Ju lumte te gjithe atyre qe moren pjese dhe atyre qe derdhen djersen dhe mundin e tyre per te ndertuar kete mjedis me shume kujdes,bukuri ,rregull per te lehtesuar dhe disiplinuar transportin PUBLIK ne sherbim te cdo qytetari SHQIPTAR apo te HUAJ.Tani shkoj tek kryetari i bashkise Zoti Erjon Veliaj dhe gjithe ajo brigade e projektuesve,gjelberimit,ndertimit etje. etjeper deshiren me te mire duke dhene te gjithe potencialin e tyre me ato FONDE te limituara qe bashkia e Tiranes disponon.U R I M E dhe gezuar gjithe qytetareve Shqiptare per kete veper te sistemuar me rregull dhe qytetari bashkekohore.

  3. Studenti tirons... says:

    Me Turin e Bales?? Vertete qe je nga Gogolasi ,katundar i kompleksuar…Ska faj se ata ka njoft per zot do e kene rrah ne shpulla kur ka qene i vogel dhe shiste fiq.

  4. Arber says:

    E pashe rastesisht, ishte nje mrekulli!

  5. Aqif Dangëllia says:

    Lyej me bojë e shtro acfaltë o shoku erjon. Ky mund të jetë parking dhe jo Terminal o shoqu fiqu. Nëse bie shi, të vijmë tek bashkia për të futur kokën apo të shkojmë për një orë leksion në fakultet të ekonomiksit. Harxho para dhe nuk bëni një gjë të saktë

  6. studenti says:

    Toka ne te cilen eshte ngritur ky terminal eshte e hipotekuar ne emer te Universitetit te Tiranes. Pra, eshte prone e ketij Universiteti! Me cte drejte Bashkia ja rrembeu kete prone Universitetit, kur aty eshte planifikuar te ngrihet kampusi i ketij Unversiteti?! A nuk eshte kjo nje vjedhje e hapur?! A nuk eshte ky nje perdhunim i Universitetit?! Pse nuk reagoi Rektori i Universitetit? Ceshte kjo pergjumje kur i vjedhin Universitetit territoret?!
    A e dini sa eshte rritur ndotja e ambjentit nga perqendrimi i autobuzave ne kete zone?! Po semurin femijet qe studjojne ne Fakultetin e Ekonomise dhe askush nuk proteston!!! Po ndotja akustike nga zhurma e autobuseve dhe e norive te tyre???!!!! Si mund te behet mesim ne keto kushte?! Si mund te jene te sigurt prinderit per jeten e femijeve te tyre studente ne ate trafik te rrezikshem e makaber?!
    Studente mos prisni nga drejtuesit e fakulteteve dhe Universitetit! Ata jane te shitur! Ngrihuni vete dhe largoheni ate ciban nga territori qe ju takon juve dhe vetem juve! Banoret e Tiranes do ti keni me vete!

  7. Freee says:

    Po veni i tabele elektronike bre se late nam me kto teneqe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje