HISTORIA/ Ish-burri i vdes ne aksident, gruaja tenton të rimartohet për t’i marrë pasurinë….

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Një 52-­vjeçare po gjykohet për akuzën e “mashtrimit” në Gjykatën e Durrësit, në lidhje me një histori në kufijtë e të pazakontës.

Procedimi penal ndaj Shegush Ballhysës ka nisur pas një kallëzimi të prindërve të ish­-bashkëshortit të saj, me të cilin është divorcuar në vitin 2003, i cili ka vdekur në një aksident në punë në Francë, pesë vite më vonë.

Sipas prindërve të Artan Lipos, ish­gruaja e djalit të tyre ka falsifikuar dokumente gjatë përpjekjeve për t’u rimartuar me djalin e vdekur.

“Strumbullari” i përplasjes mes tyre është bërë një shumë parash e konsiderueshme që përfitojnë trashëgimtarët e të ndjerit, si siguracion i jetës së tij dhe detyrimet që rrjedhin nga aksidentimi në punë.

Ndonëse disa vite pas divorcit, Ballhysa është angazhuar në rrugë gjyqësore që të bëhej pjesë e kësaj trashëgimie.

Për këtë shkak, ajo i është drejtuar Gjykatës së Durrësit me një kërkesë për “rivendosje në afat të së drejtës për të ankimuar vendimin e divorcit”, me argumentin se ajo nuk ishte në dijeni të gjyqit për divorcin.

Kjo kërkesë u pranua dhe pas ankimit të saj, në qershor 2009, Apeli i Durrësit ka vendosur të prishë vendimin e divorcit të saj dhe pushimin e çështjes, me argumentimin se një çështje për zgjidhje martese nuk mund të vazhdojë kur njëri prej bashkëshortëve ka vdekur.

Referuar këtij vendimi, Zyra e Gjendjes Civile, Bashkia Durrës, ka kthyer në gjendjen e mëparshme gjendjen e bashkëshortëve Artan Lipo dhe Shegush Ballhysa, ku statusi i kësaj të fundit ka ndryshuar nga “e divorcuar” në “e ve”.

Pasi është rikthyer në trungun familjar, Ballhysa ka paditur vjehrrin dhe vjehrrën me pretendimin se ata e kishin përjashtuar nga përfitimi i trashëgimisë.

Pasi ka fituar në Shkallën e Parë dhe Apelin e Durrësit, në janar 2016, Gjykata e Lartë e ka kthyer dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë.

Paralelisht, në procesin penal të drejtuar nga gjyqtarja Eda Kaja, përmes mbrojtësit të saj Ballhysa ka kërkuar deklarim të pavlefshëm të akteve të dosjes, me pretendimin se janë shkelur afatet e hetimit.

Nga ana tjetër, prokurorja ka pretenduar se hetimi është bërë brenda afateve të përcaktuara në ligj.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “HISTORIA/ Ish-burri i vdes ne aksident, gruaja tenton të rimartohet për t’i marrë pasurinë….”

  1. loni says:

    Keto gjera ndodhin vetem ne Shqiperi ,nuk jemi kot vendi me i varfer ne Europe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *