Skandali ‘CEZ’/ Shkëlzen Berisha sërish në Komision, ndaj tij bëhen gati dy dosje penale

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, me vullnet të lirë apo me forcën e policisë, do të paraqitet për herë të tretë para komisionit parlamentar hetimor, për të dëshmuar rreth rolit të tij (nëse ka) në procesin korruptiv të privatizimit të OSSH, në sagën e favorizimeve të CEZ si dhe për raportet e pretenduara me sekserin Nuel Kalaj.

Pas dy seancave të dështuara, ku Shkëlzen Berisha refuzoi të betohej se do të thoshte të vërtetën për çështjen ‘CEZ’, me argumentin se kryetari ishte në konflikt interesi, komisioni hetimor ka vendosur ta thërrasë sërish. Anëtarë të këtij komisioni thanë për Shqiptarja.com se, në shkresën e tretë, Shkëlzen Berisha paralajmërohet për detyrimin ligjor për t’u paraqitur para komisionit si dhe për mundësinë e vënies në lëvizje të organeve të policisë në rast refuzimi. Në seancën e radhët pritet të ezaurohet edhe pretendimi i djalit të ish-kryeministrit, i cili për të shmangur dëshminë, paraqiti një kërkesë për përjashtmin e kryetarit të komisionit Taulant Balla nga kryesimi i seancës dhe nga pyetja e dëshmitarit. Referuar praktikës dhe precedentëve, komisioni e ka hedhur poshtë kërkesën.

Dy dosje për Shkëlzenin  
Burime pranë komisionit thanë për Shqiptarja.com se, nëse Shkëlzen Berisha do të refuzojë të betohet edhe pas rrëzimit të kërkesës për përjashtimin e Taulant Ballës, komisioni hetimor do ta kallëzojë penalisht atë në Prokurori, për refuzim për të dëshmuar. Pra, seanca e radhës, e cila do të mbahet gjatë javës që vjen, do të jetë përcaktuese për vendimmarrjen e komisionit në raport me përgjegjësinë penale të dëshmitarit Berisha. Ndërkaq, pavarësisht vullnetit për të dëshmuar apo refuzuar, Shkëlzen Berisha, do të jetë pjesë e dosjes me konkluzionet e hetimit, e cila do të referohet në Prokurori, mbështetur në e-mailin e ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, drejtuar nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, ku implikon djalin e ish-kryeministrit në privatizimin e OSSH.

Strategjia e komisionit
Anëtari i komisionit hetimor, Ervin Koçi, tha dje për Shqiptarja.com se pavarësisht kallëzimit të penal për refuzim për të dëshmuar, komisioni do të vijojë të thërrasë Shkëlzen Berishën dhe Nuel Kalajn për të dëshmuar. Në varësi të zhvillimeve në seancën e ardhshme, Shkëlzen Berisha pritet të kallëzohet penalisht në prokurori për refuzim për të dëshmuar, parashikuar në 307 të Kodit Penal, ndërsa Nuel Kalaj për refuzim të dëshmitarit për t’u paraqitur, parashikuar në nenin 310 të Kodit Penal. Në të njëjtën kohë, komisioni hetimor, në bazë të planit të hetimeve, po përgatit raportin me gjetjet dhe provat e deritanishme, raport i cili do t’i paraqitet Kuvendit për miratim, në përfundim të hetimeve. Në raport do të përfshihen edhe të dhënat për ekzistencën e veprave penale si dhe personat e implikuar, për t’u referua më pas në organin e akuzës.

Prova kryesore  
Komisioni hetimor ka administruar një e-mail të ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i cili i shkruante nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, rreth një takimi të planifikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe të birin e tij, Shkëlzen Berishën, me ndërmjetësimin e Nuel Kalajt. Kjo është një ndër provat kryesore që implikon Shkëlzen Berishën në këtë histori. Publikisht, Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ky takim nuk është zhvilluar kurrë. Po ashtu, Shkëlzeni ka hedhur dyshime se ky e-mail mund të jetë manipuluar. Por, juristi i OSSH, Romeo Kara ka hedhur poshtë çdo dyshim, duke deklaruar se mban përgjegjësi për vërtetësinë e e-mailit. Për të konfirmuar e-mailin, komisioni, me anë të Ministrisë së Drejtësisë, ka nisur procedurat për të marrë dëshminë e ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek.

 

Kërkesa e Shkëlzen Berishës
-Kërkues: Shkëlzen Berisha, i biri i Saliut dhe i Lirisë, i datëlindjes 27.02.1979, lindur dhe banues në Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, banues në Vila B9 Lundër Tiranë.
-Objekti i kërkesës: 1. Përjashtimi i z. Taulant Balla nga kryesimi dhe pjesëmarrja në seancën e pyetjes së kërkuesit në Komisionin e Hetimit Parlamentar në lidhje me hetimin e kompanisë CEZ. Pezullimin e tij deri në shqyrtimin e kërkesës për përjashtim.

Kryetari i Komisionit të Hetimit Parlamentar ku unë jam thirrur për të dëshmuar ka qenë i paditur nga unë në një çështje civile me objekt shpërblimin e dëmit jopasuror të shkaktuar nga ai ndaj meje si dhe detyrimin e tij që të përgënjeshtrojë deklaratat e rreme publike. Kjo padi është pranuar nga gjykatat e të gjitha shkallëve dhe ka marrë formë të prerë me vendimin nr. 1419, date 09.06.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky fakt dëshmon se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie nga ana e Kryetarit të Komisionit. Po kështu Z. Taulant Balla ka paragjykuar përfundimin e hetimeve të komisionit duke përdorur terma ofendues dhe shpifje ndaj personit tim.

Legjislacioni, detyrimet për të dëshmuar dhe pasojat
Neni 16, ligji për komisionet hetimore
Thirrja për të dëshmuar
1. Komisioni thërret dëshmitarë për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Neni 360, Kodi i Procedurës Penale
Sekretari lexon deklaratën e betimit të dëshmitarit: “Betohem se do të them të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe të mos them asgjë që nuk është e vërtetë”. Pas kësaj dëshmitari deklaron: ‘Betohem’ dhe tregon gjeneralitetet e tij.
Mosrespektimi i dispozitave të paragrafëve 2 dhe 3 sjell pavlefshmërinë e veprimit të kryer.

Neni 306 i Kodit Penal
Dëshmia e rreme
Dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Neni 307, Kodi Penal
Refuzimi për të dëshmuar
-Refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth dijenisë për kryerjen e një vepre penale apo të autorit të saj, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
-Kur refuzimi për të dëshmuar bëhet me qëllim fitimi apo çdo interes tjetër të dhënë apo të premtuar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
-Dispozitat e këtij neni nuk janë të zbatueshme në rast se akti është kryer në çdo fazë të procedimit penal nga një person i dyshuar ose i pandehur për veprën penale ose nga dikush, që duhej të ishte përjashtuar nga kërkesa për informacion apo për të dëshmuar, për çdo arsye të ligjshme, ose që nuk ishte paralajmëruar për të drejtën për të mos dëshmuar apo për t’iu përgjigjur pyetjeve.

Neni 310, Kodi Penal
Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit
Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit, pa shkaqe të arsyeshme ose mospranimi prej tyre për të kryer detyrat e caktuara nga organi i ndjekjes penale ose gjykata, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Skandali ‘CEZ’/ Shkëlzen Berisha sërish në Komision, ndaj tij bëhen gati dy dosje penale”

  1. Aureli says:

    Karmina, ripe zen sytopin edhe pak seme vone ti rruash lesht, e rjepin burgaxhinjte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *