Tiranë, urgjenca në shërbim 24 ­orë, Beqaj: Jemi më pranë qytetarëve

12 Shkurt 2017, 16:30Sociale TEMA

Në disa pika të qarkut të Tiranës tashmë pas një riorganizimi të plotë, është prezent edhe shërbimi i urgjencës mjekësore.

Bëhet me dije se në disa zona janë stacionuar autoambulanca, stafi mjekësor, i përbërë nga dhënësi i ndihmës së parë (drejtuesi i automjetit), si dhe një infermier.

Këto investoi i inspektoi vetë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ata  ishin në Qendrën Shëndetësore numër 6 në kryeqytet, në zonën e Kombinatit, ku vëzhguan së afërmi mënyrën e re të ofrimit të këtij shërbimi.

Ministri Beqaj dha detaje lidhur me këtë investim duke thënë se tashmë ndihma e parë do jetë shumë më pranë qytetarit.
 “Qytetarët të jenë të informuar që në rast nevoje, autoambulanca nuk është më e vendosur në një pikë të Tiranës siç ishte deri javën e kaluar, por tashmë, rri këtu, është gjithmonë e stacionuar këtu. Nevojat që do të kenë, koha e vajtjes së autoambulancës deri tek vendi i thirrjes, tek pacienti apo qytetari i sëmurë do të jetë shumë më e shkurtër”, nënvizoi Beqaj.

Më tej kreu i Shëndetësisë u shpreh se rrugët për të shkuar në spital janë shkurtuar ndjeshëm duke vendosur theksin tek flota e autoambulancave që do të jenë më të shpejta.

“Ne besojmë se kalimi nga një pikë për Tiranën në disa pika, ­ një është në Kombinat, një është tek “21 Dhjetori”, një është në QSUT, një është tek spitali i Traumës, një do të vazhdojë të rrijë aty ku është edhe sot, tek stadiumi “Dinamo”, apo edhe në pika të tjera, ­ do të bëjnë që koha e vajtjes të jetë më e shkurtër, që ne të përpiqemi që brenda qyteteve të arrijmë në një standard të pranueshëm rreth 12 minuta. Brenda Prillit do të kemi dhe një rinovim të flotës së autoambulancave, por do të vazhdojmë të përqendrohemi shumë edhe në edukimin e vazhdueshëm të personelit në autoambulancë, që duhet të jenë ata që japin ndihmën e parë” tha Beqaj.

Ndërkohë nga ana tjetër  Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, përshëndeti këtë investim duke  falënderuar  Ministrin Beqaj për  shërbimet.
“Dua të falënderoj edhe Ministrin Beqaj që bashkë me ju, duke filluar nga sot, kemi një shërbim emergjence 24­orë në Kombinat, që ekzaktësisht nuk do jetë vetëm për Kombinatin po i vjen shumë më shpejtë në ndihmë edhe banorëve të Tiranës së Re tashmë, pra Prushit, Vaqarrit, deri në Ndroq. Kjo është shumë e rëndësishme, në qoftë se deri dje të shkonte qytetari tek urgjenca dhe kjo ishte diku në qendër të Tiranës, sot shërbimi i emergjencës është këtu dhe i shërben qytetarëve të Kombinatit në kohë rekord”, u shpreh Ministri Tahiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje