Gashi u rrëfen pushimet amerikanëve: Nuk kisha synim të bëja bujë

Pasi kaloi rreth 2 muaj pushime si në përralla me udhëtimin e tij në Dubai dhe kohën e kaluar në Zvicër pranë familjes, sulmuesi i Kolorado Rapidsit, Shkëlzen Gashi, është kthyer në SHBA ku ka filluar fazën përgatitore me skuadrën e tij në kuadër të sezonit të ri.

Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare në internet të Kolorado Rapidsit, Gashi ka rrëfyer pushimet e tij si dhe ka folur për sezonin e ri.

Të kemi ndjekur në mediat sociale gjatë pushimeve. Na fol pak për to. Ke qënë në Dubai dhe duket si një stil jetese “playboy”.

(Qesh) Jo, jo. Kam qënë me familjen dhe me shoqërinë. Është e rëndësishme që pushimet të mund t’i shijosh dhe kanë qënë pushime të këndshme. Dhe ishte hera e parë që kam publikuar foto të pushimeve të mia private.

Dukeshin shumë të bujshme. Të kemi parë me motor uji dhe jaht. Sa e rëndësishme është për futbollistët që të shkëputen nga bota e sportit dhe thjesht të pushojnë?

Për mua është e rëndësishme që të mund t’i shijoj pushimet e mia. Është me rëndësi të argëtohem dhe të bëj aventura, por nuk bëj gjë për bujë. Nëse ke pranë njerëzit e duhur dhe të gjithë janë të lumtur, atëherë mund të bësh çfarë të duash.

Kanë kaluar 2 muaj që nga ndeshja e fundit ndaj Siatëllit. A keni patur mjaftueshëm kohë për të rigjeneruar forcat?

Ka qënë një periudhë e ngjeshur për mua sepse isha në Zvicër për të takuar familjen dhe miqtë. Në dy muaj ka patur shumë dreka, darka, kafe, dhe më pas pushime vetëm për veten. Gjithashtu ishte periudhë e ngjeshur sepse ishte hera e parë që kisha 2 muaj pushime dhe në këto dy muaj u përpoqa të bëja gjithçka para se të kthehesha për sezonin e ri.

Viti 2016 për ju ishte një vit i madh. Skuadër e re, shtet i ri, Kampionat Europian me kombëtaren shqiptare. Çfarë mendoni kur ktheheni prapa dhe bëni një vlerësim…

Ishte vit i pabesueshëm, vit shumë i bukur. Pata dy javë pushime në dhjetorin e 2015-s dhe më pas në janar bëra fazën përgatitore me ekipin e vjetër. Më pas kalova te Rapids dhe pata një vit plot me lëvizje, udhëtime, fluturime dhe ndeshje. Jam shumë i lumtur që munda të ndihmoj shokët e skuadrës të realizonim një vit të madh.

Çfarë mund të veçoni nga 2016-a?

Nuk mund të veçoj diçka specifike. Ka patur shumë momente të bukura si për shembull të vija në Denver për të luajtur me Rapidsin, të merrja pjesë në Kampionatin Europian, të përfundonim sezonin më të mirë në historinë e klubit.

Çfarë të presim nga Gashi në 2017-n?

Viti i parë ishte i mirë. Tani në vitin e dytë gjërat ndryshojnë. Kemi lojtarë të rinj dhe duhet t’i ndihmojmë ata. Nëse arrijmë rezultate më të mira se vjet do të ishim shumë të lumtur, por synimi kryesor është të marrim sërish pjesë në “play-off”. Vitin e kaluar ne konsideroheshim si surprizë, ndërsa këtë vit duhet të japim më shumë nga vetja pasi të gjithë na njohin tashmë dhe e dinë se ç’mund të bëjmë. Shpresoj t’i ndihmoj shokët e mi të skuadrës për ta bërë 2017-n një vit të madh.

A mendoni se duhet të ndryshoni në lojë sepse tashmë kundërshtarët ju njohin dhe i dinë pikat tuaja të forta dhe të dobëta?

Loja do të ndryshojë pak, kjo është e sigurt sepse kemi lojtarë të tjerë në skuadër. Por nëse e ke cilësinë, atëherë duhet vetëm që të jesh i përqëndruar dhe i motivuar për të dhënë më të mirën.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *