18 shkurti, kur shkon thellë me not duhet të dish si të kthehesh!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Skënder Minxhozi

“Shqipëria do të njohë protestën më të madhe në historinë e saj”. Deklarata e hedhur të dielën nga kreu i grupit parlamentar të PD Edi Paloka, natyrisht që nuk mund të “kritikohet” për modesti të tepruar. Përkundrazi. Siç shihet nga kjo frazë, por edhe nga deklarata të shumta të kreut demokrat Basha dhe zyrtarëve të tjerë të opozitës, PD dhe aleatët e saj po e ngrenë mjaft lart nivelin e pritshmërive për protestën e 18 shkurtit. E djathta nuk po kujdeset aspak përsa i përket parashikimeve, rreth përmasave dhe peshës që do të ketë ky akt force ndaj qeverisë. Qëndrimet zyrtare të opozitarëve e shohin këtë datë, si një pikë kthese të madhe në raportet politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Deri këtu gjithçka duket e kuptueshme dhe konform lojës taktike që luhet në të tilla raste. Mund të motivosh më shumë përkrahës, kur i ngre pritshmëritë e aksionit politik që ndërmerr. Mund të përdorësh gjithashtu daljen në rrugë, për t’i dhënë një kuptim të ri, më agresiv dhe më të gjallë, rutinës opozitare që është krijuar në thuajse katër vjet të vështira dhe të kaluara përgjithësisht në mbrojtje.

Opozita po kërkon të hyjë në fushatën elektorale, duke u përpjekur që të ngrejë tonet dhe të heqë ndryshkun nga supet e përkrahësve të saj në të katër anët e vendit. Dhe ka më shumë se një arsye që të sillet kështu siç e shohim të sillet. Me retorikë të ashpër, kërcënime verbale dhe deklarime ekstreme. Qysh nga zgjedhjet e fundit lokale, ku e majta mori 45 nga 61 bashkitë në garë, në opinionin publik ka ardhur duke u forcuar idea se zgjedhjet e vitit 2017 do të ishin tërësisht formale, nëse do të kishte një marrëveshje paraprake PS-LSI. Krahas kësaj rryme mendimi, janë bërë gjithnjë e më insistues edhe zërat se Edi Rama mund t’i fitojë, qoftë edhe ngushtë zgjedhjet, edhe nëse ruan aleancën me PDIU, me LSI jashtë koalicionit.

Të gjitha këto variante merret lehtë me mend që nënkuptojnë një opozitë tejet të dobët, që nuk shihet si fituese në asnjërin nga kombinacionet e mundshme. Duhet të jetë frustruese të dëgjosh për katër vjet rresht sesi çeshtja e pushtetit politik në Shqipëri është tashmë një aferë e brendshme e Ramës dhe Metës, me të djathtën që nuk ka asnjë mjet apo mundësi për t’u faktorizuar në garën politike.

Në këtë ambjent pesimizmi të thellë për të ardhmen e afërt, opozita nuk mund të rrijë duarkryq. Dhe mbi të gjitha, nuk mund të shmangë tundimin për të rënë në deklarata si kjo e Palokës, apo kërcënime si ai i Bashës, i cili deklaron në mënyrë të përsëritur se tashmë opozita ka hyrë në një rrugë pa kthim.

Por, dhe ka një “por” të madhe në këtë mes, kur shkon thellë me not, duhet të mendosh si të kthehesh. Sepse ndodh që të të lënë fuqitë në mes të rrugës. Angazhimi madhor që elita zyrtare e opozitës ka ndërmarrë ndaj datës 18 shkurt, është një thikë me dy presa. Dhe historia e afërt politike na tregon se risqet e një ndërmarrjeje të tillë politike, kanë qenë dhe mbeten të larta. Pak muaj pas ardhjes në pushtet të të majtës, PD e Bashës provoi të kryejë një akt force poshtë zyrave të kryeministrit të ri Edi Rama. Prej atij demarshi të parë e shumë herë të tjera më pas, rezultatet për opozitën kanë qenë aspak entuziaste. Pjesëmarrje e dobët, mitingje të plogështa dhe si për të plotësuar kontekstin gri, një vokal i prishur i kreut të partisë që shoqëronte fjalimet e rastit.

Duke marrë përsipër që t’i hyjë rrugës së presioneve permanente ndaj qeverisë, opozita duhet të jetë e përgatitur që ta garantojë këtë presion. Një trysni të vërtetë, e jo karikaturën e saj. Sepse një miting që deklarohet se do të jetë i vazhdueshëm, me ngritje çadrash dhe rrethim të kryeministrisë “deri në dorëheqjen e Edi Ramës”, e më pas përfundon në një shi vere që zgjat gjysëm ore, është thjesht një bumerang. Dhe bumerangje të tilla në prag të zgjedhjeve, më mirë të evitohen. Më së pari, për të mirën e vetë opozitës…(Javanews)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “18 shkurti, kur shkon thellë me not duhet të dish si të kthehesh!”

  1. Shkodrani says:

    I kujtoj protestuesve te 18 shkurtit, se te shtunen do te mbaje nje mot i vranet me shira lokale, sidomos para Kryeministrise. Era do te fryje e lehte me drejtim nga Dajti drejt Adriatikut, pra ere lindje. Si rrjedhim merrni me vehte cadra, cadra pistolete, thika me helm, bajoneta, pushkaliqe me tym, thika peshku e zgara berxolle, tavoline e stola per tavell e domino…se nuk i dihet, nga njeri sulm ne tjetrin pak peshk e berxolle i duhet sumes. Per keto te fundit doren ne xhep e fut Lulushi me Pallushin!!!

    1. Beni says:

      Hahaha, shume i forte komenti juaj ,i nderuar Shkodrani, kam qeshur me lot. Eshte ashtu sic thua, nje kujtese shume e vyer per budallenjte qe do te vene pasLulusheve e Pallusheve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *