Akuzat për dënimet pas Festivalit të 11-të, rrëfimi i Kapexhiut: Roli i Dritëro Agollit…!

Ai nuk dëshiron të errësojë kujtimet e tij me mendime të këqija.

Rri pak, mendohet, pastaj tund kokën si të dojë t’i largojë ato prej vetes. Ai ruan kujtime shumë të bukura nga njohja me Dritëro Agollin dhe nuk do të donte ta prishte atë me hamendësime për dënime, firma…

Bujar Kapexhiu e ka njohur Dritëroin kur ishte ende student. Si njerëz që e donin humorin, patën menjëherë një lidhje të veçantë, një “kod të fshehtë”, që u falte vazhdimisht buzëqeshje.

Regjisori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu rrëfen njohjen me shkrimtarin e poetin, i ndarë nga jeta një javë më parë, që nga revista “Hosteni”, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve e më pas kur Dritëroi u bë objekt i karikaturave të tij.

Sa u takon akuzave që i bëhen Dritëroit, se ka qenë pjesë e dënimit të Festivalit të 11-të të Këngës në RTSH, nga i cili nuk doli pa u prekur edhe vetë Kapexhiu si skenarist e konferencier, apo të tjera dënime poetësh e shkrimtarësh, ai thotë se asnjëherë, në asnjë moment, nuk e lidh figurën e Dritëroit me vendime që merreshin nga instancat më të larta. Për shkak të shfaqjeve “liberale” në Festivalin e 11-të, Kapexhiu u largua për 2 vjet nga Tirana.

Po ashtu regjisori tregon në një intervistë për Panorama edhe për rivalitetin Dritëro-Kadare.

Si jeni njohur me Dritëro Agollin?

Dritëronë e kam njohur që në moshë të re. Atëherë kam qenë student në Akademinë e Arteve, ku studioja për aktor, por njëkohësisht merresha edhe me karikaturë dhe duke u marrë me të, herë pas here botoja në revistën “Hosteni”, që ka qenë revista e vetme humoristike në atë kohë. Dritëroi ishte gazetar në gazetën “Zëri i Popullit” dhe krahas shkrimeve e krijimtarisë letrare, sillte edhe shkrime humoristike në revistën “Hosteni”. Takimet e para, unë si student dhe ai si gazetar, i kemi pasur si bashkëpunëtorë të revistës “Hosteni”.

Aty takoheshim për mbledhjet që bënte redaksia, kolegjiumi i redaksisë, për probleme të humorit. Kjo ka qenë njohja fillestare, ndërsa më tej ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe unë u pranova anëtar i Lidhjes. Por duket se mes humoristësh ka një marrëdhënie të veçantë. Sa herë që takoheshim, ishte e pamundur të mos i tregonim njëri-tjetrit ndonjë barcoletë, ndonjë ndodhi humoristike. Dhe më kujtohet që në çdo takim tonin ne qeshnim, kishim ç’të tregonim. Kanë qenë takime të këndshme, sepse Dritëroi ka qenë një burrë i mençur, me shumë humor, ndaj dhe i ruaj si ditë shumë të bukura.

Si ishte komunikimi i tij me artistët e tjerë?

Ne na lidhte humori dhe takimet tona kishin shumë buzëqeshje. Ndoshta është një kod i njerëzve të humorit, më tepër se e autorëve dramatikë. Si i ri ruaj kujtimet më të mira, kur shihje se si kryetari fliste me ty thjesht. Këtë mund ta them edhe për takimet në Kinostudio, gjatë kohës kur ai bënte edhe skenarë. Kishim shumë gjëra për të diskutuar, për letërsinë, humorin, filmin.

Ndihej dashamirësia e tij për të rinjtë, inkurajimi, që ne të vazhdonim në këtë drejtim. Sigurisht, me fraza të asaj kohe, me pak pompozitet, me pak “partishmëri”, por duhet të kemi parasysh që çdo frazë, çdo fjalim i takon një kohe të caktuar, një konteksti të caktuar. Dhe batutat, fjalët e tij, ishin të mbështjella me atmosferën e kohës. Aq më tepër, në takimet e fundit, të gjitha palët ishin më të çliruara, më të çlirët edhe në humor e batutat që bënim. Por dashamirësia e tij me artistët më të rinj ka qenë e përhershme.

Ruaj kujtimet më të bukura dhe jam i kënaqur që e kam vizatuar. Ai vetë ishte i apasionuar pas kësaj gjëje dhe kur mori në duar albumin, shprehu një kënaqësi shumë të madhe. E vlerësonte shumë karikaturën, sepse, sipas tij, ishte një koncentrat, një sintezë, sidomos në artin e humorit. Me pak detaje, me pak linja, thuhen shumë gjëra.

Kur nisi të bëhej ai objekt i karikaturave tuaja?

Po, kur Dritëroi filloi të merrej me politikë apo të ndiqte politikën, batutat e tij, thëniet, duke qenë letrare, ishin shumë figurative e të këndshme dhe ofronte material mjaft tërheqës për një karikaturist. Si një nga figurat kryesore në PS, duke qenë edhe deputet, ai nuk linte rast, me humorin e tij, pa thumbuar, sjellje, shprehi, anë negative të politikës. Duke qenë i pakursyer për të thënë fjalën e tij, në shkrimet e tij unë gjeja frymëzim, informacion për të bërë karikatura politike. Duke e vënë herë pas here në qendër të punëve të mia, u krijua një seri karikaturash, që mendova t’i përmblidhja si krijimtari më vete.

Kur e keni realizuar karikaturën e parë?

Karikaturën e parë për Dritëro Agollin e kam bërë në vitin 1970, kur unë isha regjisor në Estradën e Tiranës dhe vazhdoja të merresha me karikaturë. Ishte koha kur ai botoi poemën e tij dhe më kujtohen vargjet, që atë kohë na bënin shumë përshtypje, ku thoshte që “mora një trastë me baltë nga Devolli dhe po e sjell në Lidhjen e Shkrimtarëve”. Këto vargje më tingëllonin shumë bukur dhe për ta konkretizuar këtë si figurë, vizatova Dritëronë me një veshje fshatare, me opinga, me një shkop në sup, ku varet një trastë me baltë, teksa ngjit shkallët në klubin e Lidhjes. Më pas, në botime të ndryshme që kanë në qendër artistët, në mbledhje të ndryshme, është vizatuar edhe Dritëroi.

Thumbues apo miratues me ato që thoshte Dritëroi?

Në karikaturat e mia unë mbështetem në thëniet e personazhit dhe nuk i deformoj, por i abstragoj pak, që t’i fus në linjën e humorit. Por Dritëroi i kishte direkte batutat e tij. Unë e kam vizatuar kryesisht në aspektin politik, në qëndrimin e tij, ku shquaja një qëndrim shumë të drejtë, me të cilin unë isha dakord. Sepse në karikaturë ndodh që jo detyrimisht je dakord me atë që po trajton dhe e vendos personazhin në një situatë humoristike, duke e “goditur”, duke qeshur me të. Në rastin e Dritëroit, dukej sikur isha unë bashkë me të, duke mbajtur një qëndrim të caktuar. Gjithnjë kam qenë në krahun e tij, sidomos në kohën kur hyri në politikë, që ka thënë gjëra shumë interesante dhe me shumë vlerë për politikën e vërtetë dhe zhvillimin e shoqërisë sonë.

Duam apo nuk duam, emri juaj është i lidhur edhe me një aktivitet shumë të rëndësishëm që u godit rëndë gjatë diktaturës, madje edhe me pasoja. E kam fjalën për Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH. A ka pasur edhe Dritëro Agolli gisht në dënimin e tij?

Në atë kohë unë nuk e kam ndjerë që Dritëro Agolli po mbante këtë qëndrim. Ajo erdhi nga lart fare, nga instancat më të larta. Asnjëherë në mendimet e mia, gjatë jetës sime, nuk e kam ndjerë dhe nuk e kam futur në mënyrë absolute Dritëronë me dënimet e asaj kohe. Ndoshta mund të ketë qenë në vende të tjera, që mund të ketë thënë ndonjë fjalë, mund të ketë dhënë ndonjë opinion për atë festival, pasi ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe me siguri do të jepte një mendim për atë aktivitet, por me sinqeritet, nuk kam asnjë informacion dhe nuk e përziej fare Dritëro Agollin me kundërshtinë për atë festival. Goditja erdhi nga instancat më të larta dhe në ato rrethana ai mund të ketë qenë i detyruar të pranonte. Por thellë-thellë, me mendimin dhe shpirtin e tij poetik, jam i sigurt që nuk ka qenë dakord që ai festival të dënohej. Edhe në qoftë se ka thënë ndonjë fjalë, ka qenë e sforcuar se e ka kërkuar momenti, eprorët e tij, nga nomenklatura e asaj kohe.

Besoni se Dritëroi mund të firmoste dënimin me vdekje të një poeti?

Jo, nuk e besoj. Ndoshta dikush mund të thotë që ky është fakt, ja ku është firma, por… nuk e di. Njeriu vendoset ndonjëherë në disa situata, që është i detyruar të ndërmarrë veprime të caktuara. Sot flitet shumë për ish-punonjës të Sigurimit, që kanë dënuar njërin, që kanë kallëzuar tjetrin, por ne që jemi të papërzier në këtë histori, madje dhe jemi dënuar prej tyre, si do të vepronim? Them që nuk bëj trimin sepse nuk u gjenda unë në atë pozitë dhe nuk e di se si do të kisha vepruar. Janë momente të frikshme, të trishtueshme, që e vënë njeriun në pozita të tilla, për të cilat shumë vonë edhe ai mund të bëhet pishman. Nuk mendoj që një poet të firmosë dënimin me vdekje të një poeti tjetër. Nuk do ta besoja kurrë. Mund të ekzistojë smira profesionale, mund të ketë fjalë, batuta, por deri këtu. Nuk e besoj dhe nuk dua ta besoj.

Këto ditë është folur shumë për një lloj rivaliteti, madje deri në moskomunikim të Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. E ndienit ju këtë rivalitet në kohën e Lidhjes?

Kishte fjalë. Në atë moment Dritëroi ka qenë në pozitë të vështirë, pasi ka qenë në një post drejtues, administrativ, politik. Sot kanë dalë edhe dokumente se si është kritikuar në atë kohë Ismail Kadare. Dhe me siguri ka qenë edhe fjala e Dritëroit si një lloj kritike. Mbaj mend në atë kohë, kur ishte kulmi i Ismailit në poezi, ne e përpinim krijimtarinë e tij. Kur lexonim atë, ndienim të renë, ndienim Perëndimin, në stil, metaforë, guxim. Tek ai ndieja Perëndimin, formën e re, formën liberale, moderne. Ndoshta kjo ka qenë ndesh me politikën e kohës, me ata poetë e shkrimtarë që nuk e kapnin dot Ismailin. Dritëroi është më popullor, më tokësor, më i natyrshëm, më i traditës si vazhdimësi, ndoshta mund të ketë pasur debate profesionale në drejtim të letërsisë, çështje vargu, rime… Dhe këto diskutime profesionale të tjerët i marrin dhe i amplifikojnë, duke u dhënë dhe nuanca politike, qëndrime ndaj njëri-tjetrit. Por ka qenë një kohë që ata nuk flisnin me njëri-tjetrin. Pati një shkëputje. Se si erdhi kjo shkëputje, këtë e dinë vetëm ata të dy, sepse vetëm ata të dy më vonë e kuptuan se duhet të takoheshin. Por të dy janë poetë të mëdhenj dhe bashkimi i këtyre dy kolosëve ishte kënaqësi për ta dhe për ne të tjerët.

Prof. Xhevat Lloshi në një intervistë për “Panoramën” do të shprehej se ky lloj rivaliteti ndikohej edhe nga politika e kohës…

Ndoshta mund të kenë qenë edhe grupime të ndryshme që e kanë nxitur këtë gjë dhe Ismaili nuk është gjendur jashtë kësaj vorbulle. Sot po bëhen edhe shkrime kundër Dritëroit, por ka ikur ajo kohë kur një të pëlqehet njëlloj nga të gjithë. Secili ka mendimin e vet dhe kjo i jep vlerë personit, duke pasur njerëz që ia kundërshtojnë artin, qëndrimet. Por edhe kur lexojmë për shkrimtarë të mëdhenj në botë, shohim ato kundërshtitë e tyre. Arti është subjektiv dhe kjo është e bukur. Nuk thonë kot se nëse diçka pëlqehet nga të gjithë, ka diçka që nuk shkon.

Ka pasur zili mes tyre?

Ka qenë zili profesionale dhe jo për pozicione, sepse jam i bindur që Ismail Kadareja nuk ka pretenduar dhe nuk ka menduar kurrë se përse ky që ishte miku i tij ishte kryetar i Lidhjes dhe nuk ishte ai. Nuk ka pasur dëshirë për pozicione politike, administrative, udhëheqëse. E kanë propozuar edhe për president dhe nuk ka pranuar. Dhe ka bërë mirë, se kush e di se çfarë do të hiqte nga penat ogurzeza, të mbrapshta, vulgare.

Ç’do t’ju mungojë më shumë prej tij?

Bashkë me Çapajev Gjokutajn kemi qenë iniciatorë që Dritëro Agolli të marrë në UET titullin “Honoris Causa”. Më duhej të mbaja një fjalim se përse e propozoja për titullin. Isha në dilemë se si ta nisja fjalën me “zoti Dritëro”, “I nderuar zoti Dritëro”, por më erdhi nga shpirti “miku im, Dritëro”. Dhe kjo është më e sakta, sepse ai ishte mik i të gjithëve dhe i atyre që nuk e njihnin personalisht. Ishte mik me letërsinë e tij. Vjen një moment që kur e kujton Dritëronë, sidomos tani që nuk jeton më, të vjen keq që njerëz të tillë kaq të shquar, kaq të mirë, ikin nga kjo jetë. E rëndësishme është që kanë lënë një bagazh tepër të madh në letërsi, por edhe si njeri. Kujtoj ato momentet kur kam qenë i ri dhe kam ndier përkrahjen e tij në krijimtarinë e tij, fjalët e mira. Krijuam një lidhje të afërt, të cilën e ruajtëm në vite, duke u takuar vazhdimisht, familjarisht. Tani ndiej se do të kem një personazh më pak në karikaturën time të ditës, me batutat dhe fjalën e tij. Por pa dyshim, nuk do të mungojë në përvjetorë, jubile, me atë portretin e tij interesant, tepër të bukur. (Panorama)

 

REMOTE_ADDR:[{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/02\/kapexhi-1-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/02\/kapexhi-1.jpg","attachment_id":632203},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/02\/kapexhiu-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/02\/kapexhiu.jpg","attachment_id":632201},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/02\/kapewxhi-2-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/02\/kapewxhi-2.jpg","attachment_id":632205}]

3 komente në “Akuzat për dënimet pas Festivalit të 11-të, rrëfimi i Kapexhiut: Roli i Dritëro Agollit…!”

  1. Gregor Lato says:

    Te lumte Bujar, teper realist.
    Te pergezoj.

  2. puc puc says:

    Pirdh pirdh se lirohesh 😛

  3. pokeristi says:

    Z.Kapexhiu!
    Bujar, kemi vite pa u takuar.Jemi miq te kahershem qysh prej vitit 1961 m.gj.s. me difernce moshe.
    Intervista jote me ngacmoi dhe kalova ne skanerin e kujteses mjaft ngjarje e ndodhi.
    Te pergezoj se tepermi per kete interviste mjaft te sinqerte objektive dhe te cveshur nudo,nga petkat partiake.
    Njeriu ne cdo sekonde qe kalon,heq nje vije,ben nje pike,ploteson,korekton autoportretin e vet.
    Me mall e respekt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *