Rivalja del me doping, Luiza Gega merr medaljen e argjendtë

14 Shkurt 2017, 16:20Sport TEMA

Skandali i dopingut në sportin botëror nga dita në ditë po sjell përmbysje të madhe të rezultateve të medalistëve. Kështu ka ndodhur në atletikë në Universiadën e 27-të Botërore në Kazan të Rusisë, që u zhvillua nga 6-17 korriku i 2013-ës.

Dhe përfituese e saj ka qenë atletja e Kombëtares shqiptare, Luiza Gega, e cila asokohe do të fitonte medaljen e bronztë në garën e 1500 metrave me kohën e përgjithshme 4:08.71 pas dy ruseve Ekaterina Sharmina dhe Elena Korobkina.

Por, nga një kontroll antidopingu të kryer, medalistja e artë e Universiadës do të dilte pozitive. Në nëntor të 2016-ës, analiza e pasaportës biologjike (ABP) zbuloi për prezencë të substancave të ndaluara në gjak. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi t’i shpallë të pavlefshme rezultatet e Sharminës mes 17 qershorit të 2011-ës dhe 5 gushtit të 2015, duke e dënuar njëherësh me tri vite.

Dënimi i ruses ka nisur nga 7 dhjetori 2015. Si rezultat i precedentit me doping, ajo do të zhvishet nga titulli i saj në Universiadën e 1500 metrave në Kazan. Kësisoj shqiptarja, nënkampionia e Europës, katapultohet e dyta në këtë event të rëndësishëm botëror, ndërsa vendin e tretë e merr atletja italiane Margerita Manjani.

Në finalen e 16 korrikut të 1500 metrave do të merrnin pjesë 11 atlete, ndërsa vetëm një sportiste, cekja Tereza Capkova nuk arriti ta përfundonte finalen. Pak ditë më parë, Gega do të debutonte për 2017-ën me një vend të tretë në edicionin e 6-të të Mitingut Ndërkombëtar në Paris, shkruan Panorama Sport.

Në garën e 3000 metrave në sallat e mbyllura, koha e realizuar nga atletja e Tiranës ishte 8.52.53. Sot Gega u rikthehet garave ndërkombëtare në Ostrava të Çekisë në 1500 m në një tjetër test përpara kampionatit ballkanik dhe Europianit për të rritura në sallat e mbyllura që mbahen në Beograd më 25 shkurt dhe 3 mars.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje