Si ndërhynte Dritëroi për të shpëtuar shkrimtarët e dënuar dhe biseda me Pali Miskën: Ndërgjegjen e kam të pastër…

14 Shkurt 2017, 11:19Kulturë TEMA

Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, ka reaguar në lidhje me debatin mbi veprën dhe rolin e shkrimtarit gjatë viteve të komunizmit.

Ajo ka publikuar një pjesë nga vepra e Dritëroit, “Teshtimat e lirisë”, ku ai shkruan për keqtrajtimin e poetëve e shkrimtarëve në vitet e diktaturës.

Fragment nga libri i Dritëro Agollit “Teshtimat e lirisë”, fq 861, 862:

“Në hetuesi poetin Visar Zhiti e kanë pyetur: ç’lidhje dhe ç’ke të bësh me Dritëro Agollin dhe ç’ke biseduar me të?”, pasi unë ndërhyra në prokurori për të dhe nuk e ndihmova dot.

Në komitetin e partisë së Lushnjës kam ndërhyrë për Faslli Halitin e Bujar Xhaferrin.

Në komitetin e partisë të Tiranës, Ersekës, Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës, Librazhdit, Kukësit dhe në KQ të Partisë dhe në atë të Rinisë, unë kam protestuar për sjelljen e keqe ndaj Bujar Lakos, Sadik Bejkos, Bujar Kapexhiut, Dhori Qiriazit, Valter Files, Skënder Rusit, Preç Zogajt, Rudolf Markut, Dodë Kaçajt, Koçi Petritit, Lazër Stanit, Jorgo Bllacit e të tjerëve, pa numëruar ata letrarë të shumtë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë të ndihmuar për të ndjekur studimet e larta, me mesatare dhe pa mesatare, me biografi të mirë apo me cene në biografi.

Në një darkë të gjerë në Fier, me zë të lartë i kam thënë Pali Miskës, atëherë sekretar i parë i komitetit të partisë së rrethit dhe anëtar i Byrosë Politike:

“Ju e përdorni shkrimtarin e talentuar Pëllumb Kulla si argat dhe ne do të bëjmë çmos për t’ua marrë nga Fieri!”.

Atje ishte prezent e gjithë trupa e teatrit të qytetit.

Për ndalimin e veprave të Xh. Spahiut, K. Kostës, M. Ahmetit kam shkuar ne KQ të Partisë për t’u ankuar.

Po kështu dhe për keqtrajtimin e Mehmet Myftiut dhe Vehbi Skënderit.

E kam mbrojtur dhe e kam nxitur për ta botuar romanin “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë, që ishte bllokuar për disa vjet, para Foto Çamit, sekretar i KQ, duke i kundërshtuar ata që ishin kundër botimit në prezencë të autorit.

Ndërgjegjen e kam të pastër…”.

1 komente në “Si ndërhynte Dritëroi për të shpëtuar shkrimtarët e dënuar dhe biseda me Pali Miskën: Ndërgjegjen e kam të pastër…”

  1. mirela shkumbini says:

    Bravo, Elona!!!Babi paska qene disident dhe nuk e dinim!!! Tani pres me padurim dhe Pranvera Hoxhen te publikoje listen e emrave qe Enveri ndihmoi ne kohen e Hoxhes!!! D.m.th. paskemi patur udheheqes demokrat dhe mendjehapur te cilet i paska marre ne qafe populli idiot!!! Pra, faji nuk eshte me jetim!!! Fajin e ka populli PASI NE EMER TE TIJ NUK DENOHESHIN TE GJITHE!!!??? Po tani si do ja bejme? Une them, t’i fusim ne burg te gjithe, pervec pinjolleve te rinj!!! Gjysma ja kane mbath (i shpetuan pergjegjesise!) , kurse te tjeret t’i rrehatojme te burgjet qe zbrazi Rama!!! Me se fundi JUSTICE IS DONE!!! Rrofsh moj cupe, se kemi 26 vjet, qe s’dime, kush e ka fajin!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje