Luiza Gega shpërthen edhe në Çeki, fiton medaljen e argjendtë

15 Shkurt 2017, 14:56Sport TEMA

Atletja shqiptare, Luiza Gega, ka korrur një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare në këtë fillim 2017-e.

Pas medaljes së bronztë të pak ditëve më parë në turneun e sallave të mbyllura në Paris, në garën e 3000 metrave, nënkampionia e Europës mori dje një tjetër medalje.

Në turneun e sallave të mbyllura në Ostrava të Çekisë, atletja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave u ngjit një shkallë më lart në podium, duke rrëmbyer të argjendtën në 1500 metra. Koha e shënuar nga shqiptarja ishte 4:08.26 mes 16 konkurrenteve, një numër ky krejt i pazakontë, ku zakonisht vihen në start deri në 12 atlete. Për trajnerin Taulant Stërmasi, kjo ishte një nga garat e saj më të mira të mundshme.

“Në 300 metrat e fundit Luiza ka bërë një superfinish. Si kohë kjo ishte e dyta në nivel botëror. Duhet të përmend faktin se dje Gega la pas atleten etiopiane Vorku Taye Fantu, e cila zuri vendin e parë në Mitingun e Parisit. Fillimi i garës ka qenë disi i rrëmujshëm, për shkak se edhe pjesëmarrja ishte e ekzagjeruar, plot 16 atlete.

Grupi ka shkuar shumë ngadalë dhe për pak sa nuk e theu rekordin kombëtar. Deri në 1000 metra është vrapuar superngadalë. Gjithsesi Luiza është optimiste për vazhdimësinë. Të mos harrojmë që mposhti finalisten e Lojërave Olimpike të Rios në 1500 metra, marokenen Rababe Arafi. Ne do të synojmë të marrim pjesë në një tjetër test në 1500 metra”, deklaroi për gazetën “Panorama Sport”, trajneri i suksesshëm i “Mbretëreshës së Sporteve”, Taulant Stërmasi.

Kohën më të shpejtë e realizoi dje në Ostrava atletja etiopiane Aksumavit Embaje, 4:06.68, ndërsa e bronzta shkoi për bashkëkombësen e saj Fantu me kohën 4:08.56. Ndërkohë Stërmasi bëri me dije se me pak gjasa Gega do të marrë pjesë në kampionatin ballkanik në Beograd, pasi fokusi i saj është Europiani, ku edhe atje pritshmëritë janë të mëdha. “Në kampionatin ballkanik nuk kemi kundërshtar prej 2013-ës dhe akoma nuk e kemi vendosur nëse do të marrim pjesë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje