Telash i paparashikuar për Berishën, Atalanta nuk do të paguajë kartonin

15 Shkurt 2017, 17:52Sport TEMA

Gjithçka dukej se po shkonte në rrugën e duhur për Etrit Berishën. Portieri i përfaqësueses shqiptare po luan rregullisht, në një klub ku e shohin si të pazëvendësueshëm dhe as që kanë në mend të vënë në diskutim postin e tij si titullar në këtë sezon.

Huazimi nga Lacio funksionoi dhe Berisha po shkëlqen me fanellën zikaltër të skuadrës së qytetit të Bergamos.

Por situata mund të ndryshojë shumë shpejt, ashtu siç ndodh shpesh kur bëhet fjalë për transferime futbollistësh nga një klub në tjetrin.

Gjithçka ka lidhje me kushtet e kontratës së huazimit të tij nga Lacio. Atalanta ka mundësinë që në fund të sezonit të blejë kartonin e portierit shqiptar për 6,5 milionë euro, sa është caktuar nga Lacio në momentin kur i dha mundësinë ta transferonte lojtarin.

Por bergamaskët nuk duan të shpenzojnë aq shumë për një portier dhe kjo vë në pozita shumë të vështira 27-vjeçarin. Kthimi te Lacio është gjëja e fundit që dëshiron Berisha, duke pasur parasysh se thuajse ka shkëputur lidhjet me këtë klub për të cilin ai ka deklaruar shpesh se nuk e ka vlerësuar kurrë siç duhej.

Ndaj në këtë pikë të sezonit, e ardhmja e Berishës bëhet shumë e komplikuar. Ai duhet të shqetësohet edhe nga fakti se Atalanta ka marrë masat, duke afruar të riun Golini nga Uest Hem dhe sipas mediave italiane, është gati t’i besojë atij portën në të ardhmen nëse nuk arrin të ulë çmimin e kartonit të Berishës në bisedime me Lacion, shkruan Panorama Sport.

Një rreze shprese për zgjidhjen e situatës do të vinte nëse skuadra do të siguronte praninë në Kupat e Europës, që do t’i sillte edhe disa miliona euro përfitime klubit. Në këtë mënyrë, Atalanta do të kishte buxhetin e duhur për investime në përmirësimin e skuadrës, ndërsa çmimi i kartonit të Berishës, si dhe nënshkrimi i një kontrate afatgjatë me të, do të bëhej më se i përballueshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje