Ultimatumi i Tahirit për kompanitë security: Rrisni rrogat e policëve ose u heqim licencat

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Siguria publike është përpjekje e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe policive  private. Ky ishte mesazhi i dhënë sot nga ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, gjatë një bashkëbisedimi me Shoqatat Private të Sigurisë Publike (SHPSF) në Lushnje.

“Policitë Private në Republikën e Shqipërisë janë bërë objekt diskutimesh sa herë ka pasur ngjarje kriminale, të cilat kanë përfshirë në dinamikat e tyre edhe policitë private, siç ishte vjedhje e fundit e një banke. Policia Private, diku me të drejtë diku pa të drejtë, është vënë në shënjestrën e vëmendjes së opinionit publik për disa arsye sipas meje. E para, sepse shërbimi i një Policie Private bën një punë që jo në të gjitha rastet është e dukshme”, tha Tahiri.

Ndër arsyet kryesore ministri renditi braktisjen qeveritare në të kaluarën, për të cilën ai kërkoi ndjesë edhe pse pa përgjegjësi direkte. “Të 9 mijë policët privatë në Shqipëri (që janë më shumë se policët e Shtetit) janë trajtuar si një armatë jetimësh apo të braktisur nga çdo qeveri e së kaluarës ndërsa janë lënë në fatin e tyre në kontratat e bëra me punëdhënësin. Shpesh edhe punëdhënësit, pra pronarët e Policive Private, kanë qenë të fokusuar tek fitimi duke shfrytëzuar kapitalin e madh njerëzor – që jeni ju praktikisht. Dhe nëse një pronar i një kompanie private të Policisë private është i interesuar të fitojë më shumë para, këtë kurrë nuk mund ta bëjë dhe kurrë nuk do ta lejojmë ta bëjë në kurrizin tuaj, pra të njerëzve që punojnë në policitë private.”

Tahiri vuri gishtin tek mungesa e bashkëpunimit historike mes policive private me Policinë e Shtetit, ndryshe nga praktika e çdo vendi në botë në çështje të sigurisë publike. “Ju të gjithë këtu jeni të vetëdijshëm që shumë pak keni pasur mundësi deri më sot të kontribuoni bashkë me Policinë e Shtetit në sigurinë publike. Dhe kjo ka një arsye madhore që fillon me mënyrën si trajtoheni ju”, tha ministri, duke theksuar se janë pagat e ulëta dhe nën ato të përcaktuara me ligj shkak i mungesës së kontributit të vërtetë të punonjësve të policive private në sigurinë publike.

“Policitë Private nuk mund të jenë foletë ku strehohen njerëz që shfrytëzohen si skllevër. Policitë Private duhet të jenë pa asnjë diskutim qendra reale të punës, me njerëz që e meritojnë ta bëjnë atë punë, që paguhen siç duhet, që respektohen dhe kanë dinjitet me punën që bëjnë, me njerëz që e kanë të ndarë punën nga pushimi, që gëzojnë të drejtën të kenë pushim, me njerëz që mund të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit për ta bërë Shqipërinë më të sigurt”, tha mes të tjerash ministri.

Sipas Tahirit zgjidhja e problemit është investimi në formim dhe trajnime të policisë private njësoj si Policia e Shtetit. “Pavarësisht gjithçkaje, përkundër sulmit, vrerit dhe baltës së përditshme mbi Policinë e Shtetit, kemi dhënë prova të vazhdueshme se Policia e Shtetit është në detyrë dhe bën detyrën. Por na duhet të ndreqim në themel gjërat që nuk kanë funksionuar prej dekadash në Shqipëri, në mënyrë që ngjarje si ato që kanë ndodhur të mos ndodhin më”, përfundoi Tahiri.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Ultimatumi i Tahirit për kompanitë security: Rrisni rrogat e policëve ose u heqim licencat”

  1. Ariu says:

    Rrogat nuk rriten me “thirrje” per ndergjegjesim.
    Ne kapitalizem ka vetem dy rruge, nese shteti kerkon te rriten rrogat ne keto kompani – me insentiva fiskale ose me detyrime ligjore!

    TUNG!

  2. Ledion Bardhi Tirane says:

    Saimir Tahiri e ka shume mire qe diskuton dhe jep ultimatumin per pagat e punonjesve.Por cudi eshte se nuk diskuton ne teresi gjithe problemin,qe do te thote se: per tu realizuar nje e gje e tille duhet qe subjektet qe kerkojne sherbimin e sigurise duhet ta paguajne ate ne baze te legjislacionit Shqiptar,pra ne baze te nje kostoje per njesi.Po a paguajne keshtu subjektet private apo shteterore? Jo,psh sistermi bankar eshte me arroganti dhe me shperfillesi per te paguar sherbimin e kerkuar duke shkelur haptasi Ligjin. Perse z. Tahiri dhe Guvernatori z. Sejko e lejojne nje gje te tille?Perse nuk i detyrojne qe ata ta paguajne sherbimin ne baze te nje kostoje ligjore? Krerdit me perqindje te larta i lejojne apo depozitat me fitim te pa perfillshem nda qytetareve. Ketu qendron problemi,pra ne menyre selektive dhe te njeaneshme ne favore te tyre.
    Z. Tahiri, per te dhene pagat sa thoni ( me te drejte ) dhe per te shlyer gjithe detyrimet ndaj shtetit dhe per te krijuar nje fitim per te investuar duhet qe kostua per 1 roje ( njesi ) te jete jo me pak se 65 000 leke. Ndryshe kjy sherbim do te jete i dobet,me mosha te larta te punonjesve,pa investime etje.Po keshtu edhe ne tenderat e subjekteve shteterore te mos lejohen qe firmat private te sigurise te japin oferta me o ose 1 leke fitim sic ndodh rendom.Atehere c`fare behet? Ku s`te vete mendja?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *