Kodheli, në përurimin e Zyrës së Punës e nënshkrimin e Paktit të Mirëqenies Sociale në Bulqizë: FA ofrojnë mundësi punësimi për të rinjtë

21 Shkurt 2017, 17:21Sociale TEMA

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli bashkë me ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi ishin të pranishëm në përfundimin e punimeve të Zyrës së re të Punës në qytetin e Bulqizës.

Dy ministrat, të shoqëruar nga përfaqësues të pushtetit vendor, panë nga afër mjediset e reja të kësaj qendre dhe u njohën me kërkesat e punëdhënësve dhe punëkërkuesve aty.

Nga ana e saj ministrja Kodheli i njohu të rinjtë e pranishëm me mundësinë që ofrojnë Forcat e Armatosura për ta, si dhe i ftoi të aplikojnë për ushtarë/detarë profesionistë në FA.

Gjithashtu ministrja Kodheli ishte edhe në Qendrën e Formimit dhe Arsimit Profesional, ku mori pjesë në nënshkrimin e Paktit të Mirëqenies Sociale mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe bashkive të qarkut të Dibrës: Bulqizë, Mat, Klos dhe Peshkopi.

Frekuentuesve të kësaj qendre ministrja Kodheli i siguroi për vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë, por edhe për angazhimin e saj personal për të mbështetur ata që i përkushtohen një profesioni. “Jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, me ministrin Klosi dhe me një strukturë bamirësie kuvajtiane, dhe do të mundësojmë shumë shpejt, ndoshta brenda këtij muaji, disa makineri qepëse, të cilat do t’i ndahen atyre që kanë mbaruar me rezultate më të mira kursin. Ky është një premtim që nga ana ime do të mbahet deri në fund.”- u shpreh ministrja Kodheli.

Nënshkrimin e Paktit të Mirëqenies Sociale, ministrja Kodheli e konsideroi si një tregues më shumë, të kthimit të vëmendjes së qeverisë shqiptare ndaj kësaj zone. “Kemi ardhur për të treguar mbështetjen, seriozitetin me të cilin punojmë, shpresën që duhet t’u japim ju dhe kujtdo që në këtë vend është i ndershëm dhe punëtor, për një të ardhme më të mirë për veten dhe për fëmijët tanë.

Falënderoj shumë ministrin Klosi për gjithçka ka bërë, falënderoj pa as më të voglin dyshim qeverinë, jo vetëm për çka ka bërë, që është shumë pak krahasuar me atë që do të bëjë, duke filluar me rrugën e Arbrit që do të jetë një ndihmesë e madhe për këtë zonë dhe me çdo investim tjetër që shpresoj shumë që do ta mirëprisni, ashtu siç ne besojmë që do ta realizojmë me sukses brenda mandatit tonë të dytë.”- u shpreh ministrja Kodheli.

Nga ana e tij, ministri Klosi foli për impaktin që nënshkrimi i këtij pakti do të ketë në mirëqenien e shtresës në nevojë të kësaj zone. “Unë jam i nderuar që sot së bashku me ministren Kodheli dhe profesor Shkëlqimin (Cani) jemi këtu dhe së bashku ndajmë këtë shqetësim me të katërt kryetarët e bashkive të këtij qarku, duke kuptuar qartë se mirëqenia sociale, debati për më shumë luftë kundër varfërisë, debati për më shumë mundësi për të dalë nga varfëria, është një debat që na bashkon të tërëve.

Është një përpjekje e përbashkët, e cila nuk mund të realizohet në qoftë se nuk kemi një bashkëpunim të plotë dhe të sinqertë ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, ndërmjet komunitetit të biznesit që po ashtu është pjesë e pandarë kësaj përpjekjeje dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët japin çdo ditë kontributin e tyre për të afruar më shumë shërbime te qytetarët.”- u shpreh ai.

Pakti i Mirëqenies Sociale ka në thelb kalimin e kompetencave nga pushteti qendror tek ai vendor për shërbimet. Nga negocimi i zyrave të punës janë punësuar 350 familje në ndihmë ekonomike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje