Protestë për frikën nga drejtësia!

Nga Artan Xh. Duka

 

Në parim, bllokimi i bulevardit nga PD sot, mota-mo si PS dje, mbetet primitivizëm politik. Por ndërsa PS e kishte një preteks post-fakt siç ishte meseleja e votës së 2009 që sipas saj e bënte qeverinë de-legjitime, kishte edhe gojë sepse nuk manipuloi votë sa kohë në pushtet, lidershipi i PD sot nuk ka as kauzë e as gojë kur vjen puna për votën e lirë.

Sot protestohet për një gjë që mendohet se do të ndodhë! Protestë jo për votën e vjedhur por për votën që mund të vidhet! Një aksion opozitar që bazohet në parandjenjë! I bëhet thirrje një qeverie që ka marrë mbi 1 milion vota në zgjedhje të pranuara botërisht të ikë sepse po ulem në shesh! Të rroftë vota, monitorimi ndërkombëtar, standarti demokratik, Kushtetuta etj, u ula në shesh, lër pushtetin sa më parë! Pra pushteti që do b… u marrka edhe me b… (!)

Perëndimi e di se lidershipi i PD vetëm dashnor i votës së lirë nuk është. E ka abuzuar deri në përgjakje edhe ditën me diell, duke mos patur hiç galje edhe kur tjetri shpërvishte mëngët përballë. Hallin e ka gjetkë. Tek reforma në drejtësi dhe paniku mos e kap “kosa” e saj. Është instikti i mbijetesës që i shtyn në absurd me shpresë se mund t’a sabotojnë atë. Nuk kanë ç’humbasin, për ironi, veçse prangat apo gjënë e vjedhur!

Por përtej dilemës se si do i vejë filli kësaj qeverie apo lidershipit opozitar, kjo protestë është karshillëk ndaj interesave madhore shqiptare siç është avancimi i integrimit në BE që do të pasojë këtë reformë dhe partneriteti strategjik me SHBA si sponsor i reformës në drejtësi.  E nëse kështu, destabiliteti që ajo provokon, tentativa për të ndotur imazhin e vëndit artificialisht e marrë peng integrimin e vëndit në dëm edhe të qytetarëve që PD fton në shesh, shkon në favor vetëm të gjeopolitikës antishqiptare në rajon.

Ky takëm PD-ist që sot i digjet barku për votën e lirë, nëse vërtet ka reflektuar ndaj abuzimit të dikurshëm me të, le të lypë më së pari ndjesë publike për të djeshmen, pa të spekulojë për të nesërmen e saj. Pa ndjesë nuk ka moral dhe pa moral, nuk ka shpresë.

Lidhja e shkurtër që PD bën mes parave të pista në vënd dhe manipulimit të pritshëm zgjedhor(!) nuk është veçse shprehje e “mizës nën kësulë” sa kohë ka qënë vetë në pushtet, vet-kompleksim ky tipik i atij që me gjasa e ka bërë vetë dikur (të flasësh kundër drogës kur farën e saj e prure vetë, për parcela pafund kur dikur ishin bastione elektorale blu etj).

Në fakt, për gjithë këtë hall të madh që e ka zënë lidershipin blu nga zbatimi i reformës në drejtësi, Rama, sikurse edhe Meta, realisht kanë vetëm çelsat e kashtës në dorë. Çadra më kot u ngrit nën ballkonin e tyre. Reforma në drejtësi është “Made in SHBA-BE” dhe s’do mënd që “kampistat” pd-ist nuk kanë kurajo të ulen tek rruga e Elbasanit se aty të qep “era” keq. Nuk mund të ketë mbështetje perëndimore për një protestë në thelb anti-perëndimore(!) për më tepër kur “numërimi mbrapsht” i reformës në drejtësi ka dalë nga duart e politikës në vënd, qofshin këta ulur në tendë, në zyrat e Qeverisë apo Kuvëndit përballë.

Ka plot arsye që bulevardi të mbushet në protestë. Por jo kundër reformës në drejtësi, jo kundër partneritetit me SHBA e BE e sigurisht jo nën hyqmin e një takëmi që sa kohë në pushtet, abuzoi gjatë me të. Ajo çfarë duhet përshëndetur deri tani nga kjo protestë, është karakteri paqësor i saj. PD e di që nuk ka më “dorën e lirë” si dikur kur perëndimi “mbyllte sytë” nga protestat e dhunshme të saj. Në një protestë që i bën karshillëk perëndimit, dhuna do të ishte boomerang për të ndonse duhet theksuar se gjuha ultimative në rritje e saj bie ndesh me qytetarinë e demostruar deri tani.

Por përtej karshillëkut ndaj SHBA e BE, PD po i bën karshillëk vetë kauzës së demokracisë shqiptare dhe integrimit në BE si fokus i investimit perëndimor tek ne. Një karshillëk ky ndaj çdo qytetari shqiptar, përfshirë edhe ata që gjënden sot në shesh por që nuk ka asnjë shans përballë “vulës” së BE e SHBA. Tenda e PD nuk mund t’a mbrojë dot atë nga “shiu” i vettingut dhe vetë retorika e “dekriminalizimit” degradon më tej sa kohë brënda në tendë gëlojnë të përfolur për vjedhje, vrasje, dhurim deti, prodhim e tregtim droge etj.

Një komentues në internet ftonte së fundi Ramën të projektonte në mur zullumet e PD në pushtet, nga Gërdeci e 21 janari etj. 24 orë-7 ditë në javë. Ti shikojnë autorët dhe ata që u venë pas sot se ashtu i do mushka drutë! Teprim sigurisht por jo pa shtysë sepse ajo nuk është çadra e shpresës por çadra e ironisë, jo e moralit por e zullumit që nuk ka çadër që e mbulon, me të cilën lidershipi PD-ist i ka zënë “derën” si pijaneci reformës në drejtësi dhe integrimit në BE. Veçse zgjat agoninë sepse drejtësia po troket. Perëndimi e ka vendosur, kush ka vjedhur, do e vjellë!

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Protestë për frikën nga drejtësia!”

  1. kici says:

    BRAVO DUKA!
    Ke lidhje me DUKA-KOKAT ti?
    Po ke, do të të bëjnë lanet!???‍♂️

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *