Bashës s’do i ofrojnë as një darkë me mish keci në Strasburg…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Sokol Balla*

Ka një entuziasëm në rritje nga armiqtë e Edi Ramës ditët e fundit. Duhet ta pranojmë: Kryeministri ka shumë armiq dhe armiqësitë e tij mes vetë deputetëve të PS, LSI, PD, analistëve, gazetarëve, prokurorëve, ambasadorëve, nuk i ka sepse është kryeministër i mirë apo i keq, po sepse kryesisht ia var apo jo këtyre kategorive, në komunikimin e tij të përditshëm.

Kjo ka bërë që shumica prej këtyre kategorive, mos t’i shohë me objektivitet atë që po ndodh, ose më saktë, nuk po ndodh këto ditë në Tiranën politike.

Sot në qendër të kryeqytetit protestues të opozitës kanë ngritur një çadër, që më shumë sesa shenjë e shqetësimeve për reformën e munguar zgjedhore, është shenjë e varfërisë së mendimit politik të liderit të opozitës. Lulzim Basha ka kopjuar keq një situatë të 2010, kur gjashtë shtatë muaj pas një përpjekjeje të rregullt kushtetuese të opozitës pas një rezultati thuajse të barabartë elektoral në zgjedhjet e qershorit 2009, për të ngritur një komision hetimor, ajo nisi një grevë urie për hapjen e kutive. Greva u ndërpre, pas një telefonate dhjetë minutëshe të ambasadorit amerikan të kohës, i cili premtoi një negociatë ndërkombëtare. E cila përfundoi me një darkë qesharake në Strasburg, paguar nga taksapaguesit europianë.

Shtatë vjet me vonë Lulzim Basha, i cili nuk ka asnjë skenar më kreativ se i Edi Ramës për të ardhur në pushtet, ngre një tendë të ngjashme, katër muaj para zgjedhjeve, duke paragjykuar një rezultat, që nuk ka ndodhur akoma, pavarësisht se e kanë të qartë të gjithë. I vetmi sukses që ka prodhuar, ngjashëm me çadrën e Ramës në 2010, është i diskutueshëm: Ashtu si atëherë, zyrtarët europianë po i kalojnë anash tendës dhe po i thonë atij, siç i thonin dhe Ramës, të kthehet në parlament. Ndryshimi është se për këtë, nuk po i ofrojnë Bashës, as edhe një darkë me mish keci në Strasburg.

Luli, ama, ndryshe nga Rama, nuk kthehet dot në parlament. Ndonëse ai do të donte, vendimi nuk është i tij. Sali Berisha, lideri i padiskutueshëm i të djathtës, ka vendosur t’i japë atij shansin e fundit: Një protestë bojkot, që synon të bëjë presion mbi të vetmin faktor që mund të ndikojë në një rezultat tjetër në 18 qershor: Ilir Metën.

Duke i ushqyer atij përmes delfinëve jo të paktë blu në radhët e LSI (kryesisht armiq personalë të arrogancës së pasjellshme të Ramës sesa kundërshtarë të politikave të qeverisë), idenë se kryeministri përmes Vettingut kërkon t’ia fusë Metës, ata po tentojnë, së bashku me Doktorin, ta vënë ish-kryeministrin më energjik të tranzicionit përballë zgjedhjes mes mosmirënjohësit par exellence Edi Rama, dhe bamirësit që kërkon të sjellë në pushtet “jetimin” e birësuar. Në shkëmbim, i thonë Metës delfinët e Doktorit, ata do ta shpëtojnë nga të qenit objektiv i vettingut, duke e sabotuar, shtyrë në kohë e maksimalisht dështuar atë, pas kalimit të afatit 100 ditor të skadimit të ngritjes së komisioneve përkatëse në parlament. Oferta maksimale e PD është në fakt një shenjë dëshpëruese edhe më e rëndë se e Ramës në 2013, kur në prill të atij viti, ai u detyrua të lëpinte gjithë çka kishte pështyrë mbi Ilir Metën dhe të vinte në pushtet, jo me frymë, por me arithmetikë.

Sepse lëvizja me kopje e Lulit, çalon, edhe në frymë, edhe në arithmetikë.

Pikë së pari, oferta e ashtuquajtur e bllokimit të vettingut, është qesharake. Edhe nëse Luli e bllokon vettingun për një vit, oferta presidenciale e Ramës për Metën është pesë deri në dhjetë vjet më e gjatë. Por dështimi i vettingut fut në izolim ndërkombëtar partinë më europianiste të vendit, që lindi si mision për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Dhe sa për të qenë i qartë: më të rrezikuar nga Vettingu janë ish-pushtetarët e PD plus familjarë, dhe disa ministra aktualë dhe jo Meta dhe të tijtë.

PD për shembull mund të tentojë të ushqejë paranojën te LSI, por afera si CEZ  nuk rëndojnë në kurrizin e tij dhe palët e interesuara e dinë shumë mirë këtë. Çadra e ngritur poshtë ballkonit të Metës është më tepër një lëvizje taktike e Berishës që kërkon ta vërë kreun e Kuvendit në pozitat nga king makerdeal maker. Pra të relativizojnë vlerat e Metës, nga një person, që ka vendosur në 12 vitet e fundit balancën e pushteteve në vend, në një pazarxhi minimalist për të siguruar të ardhmen e tij personale. Kjo, vështirë të realizohet.

E para sepse PD nuk i garanton dot, jo 71 votat për të rrëzuar qeverinë Rama, por as 71 votat për kabinetin e ri, që do të fuste vendin në zgjedhje. PD nuk jep dot garanci as për listën e përfolur të 14 deputetëve, të cilët që një vit më parë, e jo më sot, nuk do votonin për arsyet që ata i dinë vetë, një kabinet të ri PD-LSI.

E dyta, PD nuk jep asnjë garanci, që as më vete e as bashkë, as para e as pas zgjedhjeve, të bëjë me LSI dhe mandatet e saj dyshifrore, mazhorancën e nevojshme, frymën e nevojshme dhe vizionin e nevojshëm për të qeverisur vendin drejt nje mandati që më gjasë është i fundit, para integrimit të plotë në Bashkimin Europian.

E treta dhe më e rëndësishmja kjo do ishte një fyerje e inteligjencës për Ilir Metën, të cilit në garën e tij psikologjike me Edi Ramën, karshillëku që tenton t’i bëjë Lulzim Basha i shkakton vetëm gudulisje në fund të barkut. Ilir Meta ndoshta meriton të jetë kryeministër, por rruga e tij e gjatë e mbijetesës e ka mësuar se kjo sindromë që i mveshin kundërshtarët, mund të përdoret për të arritur qëllime shumë më ambicioze, nga administrimi i pushtetit në mënyrë të pakufizuar, pavarësisht kush është kryeministër, deri tek arritja e ofiqeve më të larta në vend, si kryetar kuvendi apo president, që politikanë në letër shumë herë më të fuqishëm as nuk i kanë ëndërruar.

Sigurisht protesta e stacionuar poshtë ballkonit të tij, është një shenjë presioni final, të dëshpëruar të opozitës, që ai ta mendojë edhe njëherë. Që ai të kujtojë në psikën e tij të thellë prillin e vitit 2010, kulmin e shijimit të pushtetit të përbashkët të dikurshëm e ndoshta në mënyrë tinzare, t’i kujtojë atij edhe mëkatet e dikurshme. Por siç tha Krishti: “Kush nuk ka bërë mëkat, të ngrejë dorën”.

Dhe meqë Zotin nuk e dimë ku është por Kryeprokurorin po, atëherë e kemi të qartë të gjithë, se kjo protestë, sa kohë kalojnë ditët, e orët e minutat, veç nëse Meta vendos ta përmbysë kovën e ta derdhë qumështin në bulevard, për sfidë sesa për logjikë, do hyjë në histori, si etapa e radhës e kopjuar nga Basha për të ardhur në pushtet, më një libër të shkruar nga Edi Rama. A vjen nga përtacia, a vjen nga mungesa e fantazisë, këtë ai duhet t’ia thotë përkrahësve të shumtë të opozitës, që ashtu si të gjithë ne, presim të na shpjegojë, sesi do arrijë te qeveria teknike, pa vullnetin e PS, pa vullnetin e LSI, pa vullnetin e ndërkombëtarëve, me një protestë që thotë që do jetë paqësore dhe pa mbështetjen e qartë të gjithë deputetëve të tij.

Dashuria është sigurisht një formulë metafizike, por qetësia është thjesht arithmetikë.

Dhe nëse nuk ka Metën me vete, qetësia arithmetike që Basha ka, shkakton në rastin më të mirë, një buzëqeshje.

Dakort, në këtë pikë ai ka gjithmonë sukses. Bile pa pasur nevojë për numërim elektronik.

*Posaçërisht për JavaNews.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

7 komente në “Bashës s’do i ofrojnë as një darkë me mish keci në Strasburg…”

  1. koha jone says:

    Shahisti me i mire eshte Meta . Kjo eshte loja e Metes
    Wetingun duhet me cdo kusht ta bllokojne derisa pazaret e Metes te plotesohen . Meta mendon vetem per veten e tij . Rama eshte i zgjuar ,por Meta eshte me hile . Te presim si do te perfundoje dueli .

  2. Dorina says:

    Sokol, je cmendur?! Mendon se Ilir Meta e meriton te jete kryeminister?! Sic duket nuk e ke pare me bllok ne dore. As floririn q eu zhduk ne kohe te tij e ke harruar.
    Keq! Sa keq! je dhe gazetar….
    Kjo eshte fyrrje per inteligjencen e shqiptareve.
    Hajde te harrojme edhe Gerdecin, te vraret e bulevardit, vjedhjen e rruges se kombit, detin……dhe te sjellim ne pushtet prape keta ndyresisra…

  3. andi says:

    Ne fakt, protesten ne bulevard e drejton Eminenca Gri e koqes Lulzim Basha, qe eshte Ilir Floriri.

  4. Soni says:

    Meta nuk do te bllokoje Vettingun jo,por te nxjerri jashte loje arrogantin Edi Rama. Dhe kete ka per ta realizuar Ilir Meta. Edi tama ka 4 vjet qe i qendron me thike mbas shpine Ilir Metes. Rama do qeveri numrash jo bashkim te se majtes. Rama do Idrizin byth dredhur njehere majtas njehere djathtas nuk do LSI. Keshti qe i dashur Kol rama e ka tepruar me arrigancen e tij dhe do shperblehet per kete.

  5. Tiburon says:

    Meta, eshte vec nje lojtar i rendomte, ate e kane mbajtur numrat deri me sot, por keto numra do ta groposin shume shpejt,i ashtuquajturi “kingmaker” eshte mikluar fort nga te gjithe me idene se pa ate nuk behet qeveria, mirpo ngjarjet e koheve te fundit dhe me gjase edhe ajo e mbremshmja “darka e famshme” e treguan qarte se LSI sot de fakto nuk ka ndonje vlere ne stabilitetin politik, duket sheshit qe PS i ka numrat, per te qeverisur edhe pa LSI, flakja per zhelesh e Manjanit tregoi se RAMA, i ka instrumentat numerike per tiu imponuar Metes,ky i fundit duket se nuk e ka per gje ta haje turpin me buke, duke i shitur mbeshtetesit e tij , me deklarata te tipit “AI(manjani) e kishte personale ate qe tha), ky moment i forte politik per RAMEN, qe ishte pro reformes ne drejtesi qysh ne krye te heres duke gjeneruar simpati nderkombetare, dhe shperfillja totale ndaj pellgut te bretkosave LSI and Co, e ka nervozuar Meten, kjo i heq atij edhe argumentin tipik prej politikani provincial qe duke i ber presion Rames, ti kerkoj me shume hapesira ne zgjedhjet e ardhshme,,por duket qe LSI do ta mase mire bythen kesaj rradhe dhe me shume gjase, garimi vetem ne zgjedhje dhe jo me koalicion, do ta shfryje tollumbacen e LSI, dhe do te shenoje perfundimisht, renien e Metes ne arene politike, nderkohe qe reforma ne drejtesi do te godase Fenomenin LSI qe lindi dhe u rrit duke u ushqyer nga pazari politik dhe jo nga ideali politik per nje force te re ,moderne dhe qe lufton vertet per integrimin e vendit

  6. Ska me pare ashiqare says:

    Oho ho ho !
    Shahist Meta ……….?
    Ore S. Balla, nese e ke seriozisht qe Meta “ndoshta e meriton te jete Kryeminister”, na trego or burre qe te ikim nga ky vend. D.m.th. hiqe ate fjalen hile “ndoshta” e ne vrap ikim nga ky vend.
    Nje gje ke te drejte : PD i kujton Metes “kulmin e shijimit te perbashket te pushtetit te dikurshem”. Por mvaret kush flet i pari per ate shijim.

  7. pro says:

    ..Sokol mos e prish me politiken,por ne shkrimet t’uaja hiqi spinen krimit dhe krimineleve…mos i ledhato..!!

Comments are closed.