“Blerje luksi” nga Nesta, rrëmben Robert Baggion te Miami

22 Shkurt 2017, 18:24Sport TEMA

Robert Baggio do të aktivizohet me skuadrën e Alessandro Nestës, Miami FC. Ju duket e çuditshme, apo një shaka? Ju sigurojmë që nuk është kështu. Është plotësisht e vërtetë.

Në skuadrën amerikane të futbollit Miami FC, që militon në kampionatin NASL (i dyti pas MLS-së së famshme) dhe që drejtohet nga trajneri Alessandro Nesta, ish-mbrojtës i Lacios dhe Milanit, do të luajë edhe Robert Baggio.

Sigurisht nuk bëhet fjalë për “bishtalecin hyjnor” që kemi parë vite më parë të luajë për skuadrat më të mira të Italisë, e që vetëm një ditë më parë ka mbushur 50 vjeç teksa ka varur prej kohësh këpucët në gozhdë, por bëhet fjalë për një adash të ish-fantazistit italian: Robert Baggio Kcira.

Futbollisti 23-vjeçar me një zanore më pak nga Robby Baggio ka shkelur tokën amerikane vitin e kaluar, i larguar nga vendlindja e tij, Shqipëria. Kcira ka luajtur në Austri, me Wiener Neustadt, përpara se të transferohej në Miami. Pas një sezoni të gjatë bisedimesh, Nesta ka vendosur t’i japë besim të riut shqiptar, i cili siç mund të kuptohet nga emri, mban mbi shpatulla një histori të veçantë.

Por pse ky emër? Babai i Robertit, ish-portier në Shqipëri që më pas u bë trajner, Frank Kcira ka qenë një tifoz i zjarrtë i Roberto Baggios, sigurisht atij të vërtetit, aq shumë saqë vendosi t’i vinte emrin e tij të birit pa u menduar gjatë. Sigurisht që mbiemri mbetet Kcira, por emrin ai e ka Robert Baggio. Frank, si një baba krenar, e përshkruan të birin si një “gjysmëfenomen”. Bëhet fjalë për një mesfushor me tipare sulmuese, me një teknikë të spikatur dhe mëngjerash, ndërsa idhulli i babait të tij i përdorte shumë mirë të dyja këmbët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje