Aleatët i kërkojnë Bashës të heqë dorë nga pakti me Metën, Shehi: Jam kundër protestave në rrugë me sytë nga LSI

Aleatët e Partisë Demokratike i kërkojnë kryedemokratit Basha që të mos mbajë shpresat vetëm te LSI për krijimin e qeverisë teknike.

Aleati parlamentar, Dashamir Shehi dhe aleatët jo parlamentar, Sulejman Gjana dhe Adriatik Alimadhi, thonë se boshti kryesor i protestës së nisur duhet të jenë zgjedhjet e lira.

Aleati i Bashës, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi thotë se nëse Basha ka varur shpresat vetëm te Meta, protesta bëhet e pavlerë.

Ai thotë se nëse LSI merr një vendim të tillë, për t’u larguar nga Rama për qeverinë teknike, ky do të ishte një avantazh por nuk duhet të jetë shpresa e vetme e PD.

“PD duhet t’i qëndrojë kësaj që ka filluar, të kërkojë ose votim elektronik ose qeveri teknike. Kësaj duhet t’i qëndrojë. Nëse kësaj qeverie i bashkëngjiten edhe të tjerë, nuk shoh ndonjë gjë të keqe sepse para zgjedhjeve ndoshta të gjithë janë të interesuar, që t’i kenë votat e veta më të sigurta, e më të qeta.

Pas zgjedhjeve mund të marrë gjithsekush rrugën e vetë. Kjo gjykoj se duhet bërë. Por këtu që shpresa e vetme është LSI, atëherë është e kotë që ka dalë në rrugë PD. Mendoj se PD duhet të vazhdojë atë që ka nisur, nëse LSI do i bashkohet, këtë do e konsideroj si avantazh, por me LSI pa LSI, PD duhet të rezistojë”, u shpreh Shehi per ‘Sot’.

Në vijim, kreu i LZHK thotë se Basha duhet të ketë linjën e vetë dhe t’i shkohet deri në fund.

Kështu i bie, që ne e zhvlerësojmë protestën, por sikur LSI të mos shkëputet?! Prandaj, mendoj se PD duhet të ecë me linjën e vetë. Kemi hyrë këtu për të krijuar alternativën tonë për zgjedhjet. Nga kjo pikëpamje, me LSI, pa LSI do të shkojmë të bëjmë tonën deri në fund. Po iu bashkuan këtij qëndrimin ne nuk jemi kundër. Edhe PS nëse vjen, nuk jemi kundër”, theksoi Shehi, në një prononcim për gazetën.

Edhe aleatët jo parlamentarë janë për vijim të protestës deri në momentin që do të realizohet kërkesa e opozitës për zgjedhje me standarde.

Kreu i Lëvizjes së Legalitetit, Sulejman Gjana, u shpreh se aksioni i opozitës duhet të vijojë, duke shtuar se qeveria teknike nuk është e vetmja alternativë.

Gjana thotë se shtyrja e zgjedhjeve është një alternativë tjetër.

“Unë besoj se opozita ka aksionin e vetë. Aksioni i opozitës në tërësi është për të garantuar një qeverisje më të mirë, për të garantuar zgjedhje mbi bazën e standardeve demokratike, ku vullneti i qytetarëve do të respektohet, të mos dhunohet, të mos intimidohet.

Ky është aksioni i opozitës. Sigurisht që ka edhe aktorë të tjerë të politikës shqiptare dhe një aktor është edhe LSI, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm qoftë për stabilitetin e vendit në disa momente, në 2009, në 2016 për reformën në drejtësi dhe mund të luaj sërish një rol të rëndësishëm në kushtet aktuale, ku pakënaqësia qytetare është në kulm.

Opozita ka aksionin e vetë, besoj se qytetarët do të vazhdojnë protestat deri në realizimin e kërkesave”, u shpreh Gjana.

Ndërsa kryetari i Partisë Balli Kombëtar Shqiptar, Adriatik Alimadhi, thotë se ka ardhur koha që të ndryshohet faqja e zgjedhjeve të cenuara.

“Kjo është një protestë qytetare për shkak të situatës që ka sjellë mazhoranca; krimi, korrupsioni, droga.

Boshti kryesor i kësaj proteste është zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kur ishte Rama vetë në opozitë, thoshte “Hap kutitë dhe largohu”.

Tani ka ardhur koha që kryeministri duhet të pranojë që për shkak të vjedhjes së votës, që është bërë gangrenë për shoqërinë, që është bërë gangrenë edhe për ndërkombëtarët, duhet të kuptojë një herë e mirë që shoqëria të mos vuajë më nga këto mbeturina, nga këto veprime që dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë”, theksoi Alimadhi.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...