Kur ika për t’i shpëtuar dhunës së majit të ’96-s (një kujtesë për ‘dashnorin’ e votës së lirë, Sali Berisha)

23 Shkurt 2017, 19:26Dossier TEMA

26 maji1996, vjedhja masive e votës, dhuna me përgjakje si të kishin përballë serbin e jo vëllain, motrën, komshiun, do të shtronin rrugën e një diktature të panjohur në Shqipëri, diktaturën e komunistëve dhe bijve të tyre të kthyer në demokratë. Sot u hodha një sy faqeve të ditarit, shënimeve shkurt, disa prej ë cilëve asokohe i kisha përcjellë si lajme publike… Kanë kaluar 20 vjet që atëherë, njëzet vjet ende larg, fizikisht dhe shpirtërisht. Më dhemb shumë. Nuk ka ilaç që e pushon…

E premte, 24 maj 1996

Një grup njerëzish me Azem Hajdarin në krye kanë goditur për vdekje Muharrem Kolën (kryetar i Partisë Socialiste të rrethit të Bulqizës) dhe e kanë hedhur në një përrua në Ostren. E kanë gjetur fshatarët dhe e kanë dërguar në shtëpi nga ora 12.30 e natës. Në orën 2 ka ardhur policia të hyjë në shtëpi. Në orën 7 e kanë marrë me forcë dhe e kanë futur në burg. Ferit Dukën, kryetar i konfederatës së minatorëve, e kanë rrahur barbarisht në mes të Bulqizës.

E diele, 26 maj 1996

Votova i dyti pas Abas Kacës. Votova për Partinë Socialiste kundër diktaturës berishiane, për demokracinë, për popullin, për të ardhmen e fëmijëve, për buzëqeshjen e njerëzve, për gjithçka të mirë e të bukur që hap demokracia e vërtetë, demokracia e njohur e grekëve të lashtë, ëndrra e tyre. Qendra e votimit nr. 3 pa çati, e shkatërruar. Terror masiv. Në Bllice votime hapur. B. Krrashi arrestohet. M. K. me trimat ka bllokuar hyrjen e Q.V 3. Një trim i tij (shih foton) më kërcënon e më shanë. Në Brezhdan terror. PD-ja në sulm për votë terrori. Terrorit, Partia Socialiste dhe partitë e tjera i përgjigjen me bojkotim zgjedhjesh 4 orë para hapjes së kutive të votimit. Opozita nuk pranon diktaturën e PD-së.

E hënë, 27 maj 1996

Ditë e egër, eufori e egërsuar, atavike. Partia Socialiste po grumbullon faktet e dhunës me shpejtësi breshke. Xhelil Cibaku e Kadri Rapi kanë shkuar në Tiranë. Mësohet se 6 parti opozitare nuk pranojnë votimet. PR nuk i pranon në disa zona. Pasdite, nën krisma revolesh e automatikësh, PD feston fitoren në sheshin “Nazmi Rushiti”. Zhulali bën thirrje për krisma armësh !!! S. H. paska ardhur i shqetësuar tek e mbesa, bashkëshortja ime Natasha. Tek pinte kafe me një soj rrugaçësh njeri paska qesh me mua dhe më paska kërcënuar duke thirre “gazetari…”. Nuk ia kam borxh këto lloj shqetësimesh në familje, Natasha ishte alarmuar.

E martë, 28 maj 1996

Sot është paralajmëruar demonstrata masive e opozitës në sheshin “Skënderbej”. Policia ka paralajmëruar dhunë. Dhunë dhe gjak në sheshin “Skënderbej”. PD-ja e maskon. BBC- e zbulon. Edhe të huajt. Ditë shiu e ngarkuar me tensione të forta. Një kafe shoqëruar me konjak me disa shokë të vjetër. Në mbrëmje një kafe me Xhavit Kalecin, 76 vjeç, i freskët, vazhdimisht në këmbë. I kanë arrestuar djalin. E kanë torturuar dhe e nxorën edhe në televizor. Partia Socialiste me veprimin e saj shpëtoi popullin nga gjakderdhja. Ato 79 plumba në ajër në mitingun e djeshëm (dhe qindra e mijëra të tjerë) ishin përgatitur për të shpuar mish njeriu. Ndoshta edhe unë do e kisha me siguri një plumb në kokë.

E mërkurë, 29 maj 1996

Shtypi i sotëm pasqyron me shkrime e fotografi dhunën e egër në sheshin “Skënderbej”. Mësova se sulmuesi me gurë ndaj meje në ditën e 26 majit është jurist në gjykatë, G. K. nga Dohoshishti. E enjte, 30 maj 1996

Lajmi i hapur se Muharrem Kola ka vdekur nuk është i vërtetë. Është vrarë djali i Maksut Kullollit, i biri i Dashe Stojkut, 24 vjeç, Eduard Kullolli, eurosocialist. Është varrosur në Petrelë.

E premte, 31 maj 1996 N. D. nga Pollozhani, më del përpara klubit nën shtëpinë e Sul Hoxhës dhe më kërcënon se po pashë nga klubi do të të thyejmë kokën. Tha se ai është klubi “26 maji”. Në tavolinë qeshnin me të madhe një grup ”hitlerjugenësh”… Fola me Vladimir Demën. Muharrem Kola ende nuk është kthyer në shtëpi. E shoqja qenka në Tiranë.

E shtunë 1 qershor 1996

N.D. i Pollozhanit bën një veprim tjetër publik. U rrëmben shitësve gazetat “Zëri i popullit” dhe ”Koha jonë” dhe nën vëzhgimin qesëndisës të policëve i djeg publikisht. Këtë njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me huliganizmin, dikush e nxit, e shtyn në aventura, në krim. Muharrem Kola, kryetar i Partisë Socialiste të Bulqizës, ka lënë qelitë e burgut dhe është kthyer në shtëpi. E mora në telefon Shupenzën por nuk doli njeri. Mbase është në Strikcan.

E martë, 4 qershor 1996

Xh. C. doli nga “zgafella”. Për sot PS nuk mendon të bëjë gjë në orën 18.00. Baza pret udhëheqës. Liderët janë në gjumë, në tërheqje drejt zgafellave. Bulevardi i Peshkopisë është i pushtuar nga policia. Makina të shumta policore me “uniforma kafe”, policë me shkopinj gome, civilë me “gunga metalike” në duar, policë me shkopinj gome, SHIK-as, SHUK-as, militantë të PD-së. Peshkopia përjeton dhunë të egër psikologjike. Pasdite me Agron Nelin shëtitëm mes bulevardit nën kornizën policore dhe pimë një kafe. Televizioni shqiptar e cilëson Peshkopinë si “qytet me kulturë” pse nuk dolën në demonstratë ! E mërkurë 5 qershor 1996

Ditë e ngarkuar me tensione nervore. E shqetësuar, e lodhshme, vetmi. Partia Socialiste në Dibër në kufirin e shuarjes. Krerët janë zhdukur, janë futur “nën dhe”, heshtin…. Dy policë kanë vënë bast me një SHIK-as në se do ta hiqte apo jo portretin e Fatos Nanos tek dera e zyrave të Partisë Socialiste. O Zot! Deri ku arrin poshtërsia e këtyre kriminelëve? “Zëri i Popullit” boton shkrimin mbi kërcënimin tim…

E premte 7 qershor 1996

Në Tiranë tek gazeta “Zëri i Popullit”, punonjës i së cilës jam. Turrë shkrimesh mbi tavolinën e Albertit. Edhe redaktorëve të “Zëri të popullit” u ka hy frika në palcë. Ne shkruajmë ata dridhen… Në gazetën “Dita informacion” në faqen 6 nën titullin “Kërcënohet gazetari i “Zërit të popullit” pasi flitet për Luan Shmilin thuhet: “Ndërsa në Peshkopi, për të disatën herë rresht, korrespondenti i “Zërit” është kërcënuar madje edhe rrahur. Atij i është ndaluar të futet edhe në një ndër kafenetë e këtij qyteti, vetëm se është korrespondent i “Zërit”. Madje në sytë e tij janë djegur një numër gazetash “Zëri i popullit”. Nënshkrimi është O. Bog (Bogdani). Një ditë më parë është arrestuar Bektash Zeneli. Është liruar pas pesë orësh.

E shtunë, 15 qershor 1996

Sot Natasha mbushi 48 vjet jetë. Nga këto, 28 vjet, që nga gushti 1968 janë jetë së bashku. Shoqe jete. Besnike, e urtë, e dashur me njerëzit, nënë e përkryer, mësuese si ajo. Shoqe më të mirë për jetën vështirë se mund të gjesh. Blemë birrë dhe e uruam “Gëzuar !” bashkë me Ditin. Në mbrëmje folëm në telefon me Blinën… Me Altinin në Greqi nuk u lidhëm dot…

E enjte, 18 korrik 1996

Përgatitje për ikje, për kthesë të fortë në jetë. Kur përgatisja plaçkat, Natasha me kujdesin që të prekë gjithçka me dorë iu përgjigj me ikje në ballkon nën një dush lotësh. reagimit tim nervor. E ndjej se ajo vuan më shumë nga të gjithë. Vuan se i ikën djali i vogël, burri, mbetet vetëm. Sa e dhimbshme vetmia. Natën erdhi dhe u mbështet në gjoksin tim, deri në nisje. I ngjante një qengji….

Sa më dhemb kjo ikje. Ikje e detyruar, e dhunshme… E premte, 19 korrik 1996

Në orën tre të mëngjesit u nisa për në Tiranë. Ika natën…

E diele, 21 korrik 1996

Në orën gjashtë të mëngjesit së bashku me Indritin, djalin 14 vjeç. Lamë Tiranën. Në mbrëmje lamë Kakavinë dhe morëm tatëpjetave të rrugës drejt Athinës. Na priste djali, Altini. Na priste një tjetër jetë. E vështirë por e sigurt për jetën. Në Shqipëri lamë shpirtin e familjes, Natashën dhe Erblinën…

Abdurahim Ashiku

Fletë nga ditari

7 komente në “Kur ika për t’i shpëtuar dhunës së majit të ’96-s (një kujtesë për ‘dashnorin’ e votës së lirë, Sali Berisha)”

  1. Saliu Komunist i pabese dhe serb.. says:

    ….. dhe sot e kesaj dite Sali Krimineli eshte i pa gjykuar dhe i pa denuar, ai tall bythen me SHQIPTARET dhe me Nderkombetaret Gay.
    Po nuk u shpua koka e Serbit Sali nga ndonje plumb “qorr” ne Shqiperi asnjehere mos prisni demokraci.

  2. MAJAKOVSKI says:

    Po Duro ti i ke mbajtur shenim ato qe ne I kujtojme si dite te verteta te terrorit blu. Ike bere shume mire. Te tjere me mijera iken. Vendin e zaptoi krimi. Kudo shantazh, dhune. Vetem drejtesi nuk pati me dhe ashtu vazhdojme te vuajme. Nuk e di me se sa.

  3. lavdosh says:

    Po per keto krime a do paguaje njeri ? Azem Hajdari dhe te tijet ishin ekzekutuesit, urdheruesi eshte akoma gjalle, dashnorii zgjedhjeve te lira

  4. Mashtrimi qe Vazhdon says:

    O Abdu rrahim Ashik ore!
    Po ce nuk i dergove keto shenime asokohe tek TEMA ti,
    t’i botoje menjehere aty, e?!

    Na e thua dot kete?
    Pse nuk i boton tek Zeri i Popullit sot, na e thua dot, kete te fundit?!

    Pse nuk ia dergon Errjone Braches
    apo Ben Blushit, t’i botojne ata si LIBRA,

    se ata jane ne Parlament sot, bejne gallate me dhimbjen tende…
    lkurse ti je merguar, pa atdhe, pa ideal te tradhetuar, te lembyer per fitimet qe ata nxjerrin duke kembyer rolet, o Durr Ashik!

    1. Abdurahim Ashiku says:

      Z.Mashtrim ! Unë ua dërgova të gjitha gazetave. E botuan Tema dhe Dita. Të tjerat nuk e botuan sepse janë nën sqetullat e atyre që shkruani, atyre që u fshehën atëherë, ikën jashtë për tu kthyer në 97-tën e për tu bërë ministra e deputetë. Unë jam i qetë me ndërgjegjen time. Jam 76 vjec dhe punoj kopshtet e grekut në vend që të punoja kopshtet e vendit tim. Nuk ka ushqim më të shijshëm se sa ushqimi që vjen nga duart tua.
      Zëri i popullit vdiq i nderuar, e mbytën. Partia Socialiste është partia e vetme në botë pa gazetë të saj. Lajmet, prononcimet, replikat i hedh në gazeta të tjera, i hedh si qyqja vezët pa menduar se hilja e qyqes tashmë e njohin të gjithë.
      Pas kësaj do të kesh të tjera.

      1. Mashtrimi qe Vazhdon says:

        Faleminderit,
        qe mu pergjigje, edhe pse une perdora nje anon-nim, koleg.
        Tere poilitikanet e Tiranes, pothuajse, jane te njellojte: organi i tyre duhej te mbetej Zeri i Popullit si organ i KQ te PPSH-se se vjeter.
        Me sa di une, ti mund te jesh i majte, por je i ndershem, je di drejte, je memedhetar.
        Ata qe e kane lene Shqiperine te varfer e te njere, sa ti dhe une kerkuam rruge te tjera, edhe me te veshtira fizikisht, por qe sjellin kenaqesine e punes se ndershme, lame memedheun kur ai ishte edhe yni.
        Si ka mundesi ta quash ende, mik i panjohur direct, si ka mundesi te pretendosh ti se “Zeri i Popullit” vdiq i Nderuar?!
        Po te ishte keshtu,. pse e mbyllen ata qe jane kamur tashme? Pse iku Erjon i Kopshtit te Deputeteve me Dreke? Pse Bashkim Trenova e Mitro Cela kaluan nE ANEN TJETER?! Pse Thoma Glleci u kthye nga Amerika per te TVSH dhe jo te ZP, te cilen vertete e hapi kur doli ne krye te saj?!
        Te mbrosh Nderin e ZP-se kam frike ta them per tere gazetaret e saj se duhet te kesh mbetur pa nderin e duhur te njeriut te ndershem…,
        Ti natyrisht nuk je i tille, por a me thua dot, cfare e mban lidhur Njeriun me ate skote korbash qe e lane Shqiperine aq te varfer sa iken prej andej tere te ndershmit, nga syte kembet, sic shprehet nje kolegu im e yti qe eshte edhe ai diku aty rrotull teje?
        Sidosi, me vjen mire qe me kuptove ne verejtjen time deshiremire, ose edhe nese te preka diku diku, ti e mbylle njerin sy dhe fole per gjera te pergjithshme, qe na interesojne te gjitheve.

        I nderuar qosh, pavarsisht kahjes politike, por le te largohemi sa me shume nga ata qe kujtohen per ne vetem kur afrohet stina e genjeshtrave elektorale…A nuk erdhen ne Athine keta mengjeroshet e tu dhe premtuan se do votonit heren tjeter?! Tani ngrihen ata te pales se “djathet” dhe perdorin premtimin e rivaleve, me gjasa u digjet barku per emigrantet!!!
        Te dy jane njelloj: jane te kenaqur nese tere shqiptaret mergojne dhe u mbetet Atdheu yne si Karrike e Tyre!

  5. Bexheti says:

    Këtë kriminel dhe bandën e tij, të lyer me gjak, kokë e këmbë, që sot bëjnë gallatë dhe tallen me viktimat fatkeqe (një popull i tërë), kush i mbron…???!!! Janë “miqtë tanë të mëdhenj” dhe injoranca jonë…!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje