Partizani kthen vëmendjen nga Kukësi, Hoxha i diferencuar

Derbi tashmë është histori, Partizani nuk ka luksin të vazhdojë festën e suksesit 2-1 të së Hënës. “Të Kuqtë” e drejtuar nga Sulejman Starova zbritën të Enjten në fushën e “kompleksit” Internacional në Pezë Helmës.

Lojtarët e skuadrës kryeqytetase u shfaqën të përqëndruar te ushtrimet fizike duke u fokusuar tërësisht në ushtrimet e përgatitësit atletik Cristiano Janotti, i cili kërkoi më shumë shpejtësi dhe saktësi në veprime, ndërsa dy drejtuesit e lartë të klubit, Genc Tomorri dhe Edmond Haxhiu ndoqën nga afër seancën.

Trajneri Sulejman Starova qëndroi pranë grupit gjatë gjithë kohës duke ndjekur ecurinë e fazës së parë të stërvitjes me dilema të mëdha në kokë për transfertën e Kukësit ku sezoni i Partizanit do të marrë një përgjigje të madhe.

Grupi i plotë ishte i pranishëm në fushën stërvitore por ajo që ra në sy ishte stërvitja e diferencuar e kapitenit Alban Hoxha dhe e mbrojtësit Renato Malota.

Kapiteni vazhdon të vuajë nga një problem i lehtë në gju pas dëmtimit të pësuar në derbi. Stafi mjekësor konfirmon se analizat e bëra nuk evidentuan asgjë serioze dhe stërvitja e diferencuar e numrit 1 është thjesht një masë parandaluese për gardianin e portës së kuqe i cili nuk vihet në pikëpyetje për sfidën e së Dielës.

E njëjta situatë paraqitet edhe për autorin e golit të parë të derbit, Renato Malota, i cili nuk kërkon të rrezikojë sfidën përballë ish skuadrës së tij. E vetmja pikëpyetje qëndron në balotazhin mes Malotës dhe mbrojtësit tjetër Atanda, i cili nuk u aktivizua në derbi dhe tashmë rrezikon sërish të mbetet në stol edhe për shkak të paraqitjes pozitive të mbrojtësit shqiptar.

Seancat stërvitore me ritëm të plotë në kampin e kuq do të vazhdojnë deri të shtunën kur Partizani do të niset drejt Kukësit për ndeshjen e javës së 23-të ndaj kryesuesve të kampionatit.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *