Putin, politikani i preferuar i qyteteve serbe për titullin ‘qytetar nderi’

23 Shkurt 2017, 21:27Rajoni TEMA

Ndërsa popullariteti i presidentit rus Vladimir Putin duket se po rritet në shumë vende, në Serbi ai ka qenë prej kohësh një hero – ku dhjetëra qytete e kanë shpallur atë qytetar nderi.

Nga Maja Zivanovic

Sipas një sondazhi të fundit të Gallup, rreth 22 për qind e amerikanëve thonë se kanë një mendim pozitiv për presidentin rus Vladimir Putin.

Megjithëse vlerësimet jo të favorshme për të janë ende të larta, në 72 për qind, numri i amerikanëve që e shohin Putin pozitivisht është më i larti që nga 2003.

Në Serbi megjithatë, Putin ka shijuar mbështetje të madhe prej shumë kohësh – dhe shpesh është në krye të listës së politikanëve të huaj më të pëlqyer dhe më të besueshëm.

Një pasojë e kësaj është që një mori qytetesh në Serbi po i japin atij titullin “qytetar nderi”, megjithëse ai nuk i ka vizituar ato as edhe një herë të vetme.

Qytetet e parë në Serbi që i dhanë presidentit rus këtë titull ishin Vrbas, Rashka dhe Mladenovaçi.

Iniciativa për të caktuar Putin një qytetar nderi i Komunës Vrbas u lançua në 2007 nga deputetët vendas të Partisë Radikale Serbe, Partia Socialiste Serbe dhe Partia Demokrate Serbe.

Deputeti i Partisë Radikale Dusan Kilibarda i tha medias se iniciatorët kishin në mendje veprimet e mëparshme të Putin dhe popullit rus në “zgjidhjen e statusit të Kosovës”, si dhe kontributin e tij për zhvillimin e bashkëpunimit mes Serbisë dhe “popullit miqësor të Rusisë”.

Rusia dhe Serbia historikisht kanë pasur marrëdhënie të ngrohta bazuar në lidhjet etnike sllave dhe besimi te Kisha Ortodokse.

Shumica e serbëve e shohin Moskën si një nga aleatët e tyre më të mëdha, sidomos në betejën për të parandaluar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së ish-krahinës, Kosovës.

Politikanët nga të dyja vendet kanë mbajtur marrëdhënie të ngushta miqësore prej dekadash.

Rusia ishte ndër të parat që dënoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, dhe që votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, duke shkuar kështu në përputhje me politikat e Beogradit.

Nga ana tjetër, Serbia nuk pranoi t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për rolin e saj në konfliktin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve të shumta nga Brukseli që deklaroi se Serbia – si një vend kandidat në BE – duhet të harmonizojë politikën e vet të jashtme me atë të Unionit.

Një vit pasi Kosova shpalli pavarësinë, qyteti Loznicë e shpalli Putinin qytetar nderi, “për të shprehur mirënjohje për kontributin e tij personal dhe atë të Rusisë në ruajtjen e integritetit të Serbisë”.

Autoritetet vendore në qytetin jugor të Rashkës, në afërsi të Kosovës, i dhanë Putinit titullin e nderit në vitin 2007 dhe në vitin 2016 shkuan një hap më larg duke regjistruar një video për ditëlindjen e Putinit.

“Ju [rusët] keni një vend madhështor, një popull heroik dhe presidentin më të mirë. Sot është ditëlindja e Vladimir Putinit. Ne duam ta përgëzojmë atë dhe t’i urojmë shëndet, forcë dhe durim me ndihmën e Zotit,” thuhej në video.

Ajo përfundonte: “Ne [serbët] dhe rusët, jemi 200 milionë [njerëz]. Dyqind milionë përshëndetje për Vladimir Vladimiroviçin”.

Qyteti i dytë më i madh në Serbi, Novi Sadi gjithashtu e shpalli Putinin qytetar nderi në vitin 2008 dhe letra që e vërtetonte këtë iu dorëzua atij nga kryetari i Novi Sad Millosh Vuceviç në Beograd në vitin 2014.

Sipas raportimeve të medias serbe, Putin është qytetar nderi edhe në qytetet Vrnjacka Banja, Apatin, Ljubovija, Odzaci, Pozharevc, Vlladicin Han dhe Svilajnac.

Presidenti rus është edhe qytetar nderi i disa qytete serbe në veri të Kosovës.

Në Zveçan, Putin e ndan këtë titull, ndër të tjera, me yllin e tenisit Novak Djokoviç dhe me drejtorin e Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Djuriç.

Në vitin 2011, Zubin Potok i dha Putinit të njëjtin çmim për “merita në ruajtjen e integritetit të Serbisë”.

“Federata Ruse dhe Vladimir Putin ndonjëherë kanë bërë më shumë për popullin serb këtu sesa qeveria në Beograd”, tha për agjencinë e lajmeve SRNA një përfaqësues i serbëve në veri të Kosovës, Kërstimir Pantiç, në atë kohë.

Megjithatë, jo të gjitha qytetet në Serbi duan ta nderojnë udhëheqësin rus. Në disa, nisma ka dështuar apo është refuzuar nga këshilli i qytetit.

Në Sombor, për shembull, deputeti i Partisë Radikale e propozoi një ide të tillë me arsyetimin se Putin dhe politika e jashtme ruse në përgjithësi kanë ruajtur dinjitetin dhe integritetin e Serbisë. Por propozimi u hodh poshtë nga këshilli lokal.

Kryetari i komunës së Nishit, e propozoi Putinin si qytetar nderi në vitin 2007, por propozimi nuk hyri kurrë në axhendën e këshillit të qytetit.

1 komente në “Putin, politikani i preferuar i qyteteve serbe për titullin ‘qytetar nderi’”

  1. iqfksh says:

    Vladi i Madh Putin edhe per ne ortodoksit shqiptar edhe qytetar nderi dhe nuk ka asnje arsye perse mos te jete.Lavdi Vladit te Madh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje