Shuarja e KLD/ Zbardhen debatet pa media, ministri i Metës vë alarmin dhe thumbon Xhafajn. Nishani e ka me ligjin...

23 Shkurt 2017, 09:09Politika TEMA

Afrimi i datës 11 prill 2017, kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë pushon së ekzistuari, ka vendosur në pozita të vështira këtë organ të sistemit gjyqësor. Në mbledhjen e datës 20 shkurt, anëtarët janë përfshirë në debate të forta, për shkak të kohës së shkurtër të mbetur në dispozicion për të përfunduar vlerësimet profesionale të gjyqtarëve për vitet 2007­ 2009 dhe 2010­2012, raporton “Panorama”.

Situata është konsideruar serioze, për shkak se ligji i ri “Për statusin e gjyqtarit…” kërkon që një gjyqtar kandidat për organe të caktuara në sistem duhet të ketë të paktën dy vlerësime.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht kryetari i KLD-­së, i ka cilësuar si jorealiste afatet e parashikuara në ligj. Në vijim, zbardhen pjesë nga debatet në KLD, referuar procesverbalit të seancës”.

Debati në KLD

Bujar Nishani: Afatet e parashikuara në ligj janë tërësisht jorealiste, janë afate të vendosura nga një gjykim i gabuar gjatë hartimit dhe draftimit të legjislacionit përkatës. Kjo vjen për rrjedhojë në radhë të parë, sepse legjislacioni është bërë kundër të gjitha standardeve që duhet të hartohet një legjislacion, jo në konsultë me institucionet e linjës dhe me institucionet përgjegjëse që ligji duhet të ngarkojë. …

Kemi parë dhe po shohim që legjislacioni i ri po tejkalon shumë afate të parashikuara, për shkaqe si duket të paparashikueshmërisë saktë gjatë procesit të ligjbërjes dhe të hartimit të tyre dhe dizenjimit të tyre. Natyrisht që ndiej keqardhje edhe unë si të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, besoj edhe të gjithë njerëzit e përgjegjshëm të këtij vendi që, tejkalohen afatet për shkaqe që, sipas gjykimit tim, janë ato që unë referova.

Gjithsesi, unë jam i angazhuar ashtu si të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të inicioj disa mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sa më parë që të jetë e mundur, për t’i përmbyllur të gjitha këto që janë të mundshme, deri më 20 shkurt a 22 shkurt, kur është.

Petrit Vasili: E vërteta është që këtu ka vërtet paqartësi të mëdha, por unë kam një droje që dua ta ndaj me ju. I tërë interpretimi që bëhet është interpretim logjik, pa asnjë diskutim, por ne duhet të shikojmë edhe mënyrën se si ky legjislacion do ketë një interpretim të unifikuar. E them këtë gjë, ia kam thënë publikisht edhe në takimin që sapo erdhëm (ishte edhe kryetari i Gjykatës së Lartë) me EURALIUS­ in, pasi pjesët interpretative që krijojnë konfuzion dhe që lënë hapësira dhe që bashkëjetojnë me kritere strikte është një problem, i cili vazhdimisht do të ngjalli debat dhe diskutim.

Ata që do duan të abuzojnë me vendimmarrjet apo me dashamirësinë, do ta përdorin në një mënyrë, ca të tjerë do të luajnë me kriteret strikte dhe unë them që, Këshilli, krahas opinioneve që ka, duhet që të përcjellë këto opinione edhe në nivele të tjera, për të parë se ç’do të ndodhë me këtë legjislacion. …

Dhe siç ndodhi me Këshillin e Emërimeve, gjithçka ishte pozitive, gjithçka ishte në frymën për të ngritur institucionet, sikurse zoti Broci e thotë me të drejtë, por ndërkohë, ka po nga bota e juristëve edhe nga njerëz me pozicione të rëndësishme (edhe në Kuvendin e Shqipërisë) që bëjnë kontestime o të drejtpërdrejta, o të tërthorta, o të nëndheshme, duke goditur procesin.

Kështu që, në këtë moment, kemi edhe misionin të shëndoshim procesin. Bashkëjetesa me këtë lloj gjëje nuk është çështje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në rregull me punët e tij. Por problemi është të mendojmë pak më tutje se kaq, pasi unë druaj, qofsha i gabuar, që do jetë një konfuzion që mund të shkojë deri në nivelet e kaosit që do të na shoqërojë dhe nuk do t’i ngremë dot apo do t’i ngremë me kaq mënyrë të diskutueshme, që ato me t’u ngritur, do të kenë një kredibilitet shumë të ulët.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje