Brokaj: Berisha po tenton t’i shpëtojë reformës, akuzat ndaj ndërkombëtarëve nga paniku i Vettingut. Partnerët e dinë mirë se kush është

Protesta e opozitës dhe bojkoti i Kuvendit ka përplasur këto ditë ish-kryeministrin Sali Berisha me ambasadorët e shteteve më të rëndësishme, SHBA dhe BE.

Partnerët ndërkombëtarë bëjnë thirrje për kthimin e opozitës në Kuvend dhe miratimin e anëtarëve për komisionet e vetingut. Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, komenton sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ambasadorëve të SHBA dhe BE.

Sabit Brokaj per “Sot” deklaron se Sali Berisha ka frikë nga vetingu dhe ndëshkimi nga drejtësia. Sipas tij, qëllimi i vetëm i “çadrave të opozitës” është bllokimi i vetingut. Ish-ministri i Mbrojtjes shprehet se ndërkombëtarët e njohin mirë Berishën se kush është, dhe e dinë mjaft mirë se cili është qëllimi i protestës së opozitës.

“Berisha po i sulmon ambasadorët që të shpëtojë nga reforma. Fakti që ai arrin t’i drejtojë sulmet nga PS te ndërkombëtarët, merre me mend se sa frikë e ka ai vetingun!

Ai është e gjitha ose asgjëja! Ndërkombëtarët mendojnë se, për hir të faktit që është opozitë, duhet të lëshojë në diçka në veting apo të lëshojë në diçka që të krijojë klimë tjetër nëpërmjet përfaqësuesve, por në fakt opozita bën të kundërtën. Edhe duke u nisur nga përvoja, Berisha ka luajtur deri absurdin me ambasadorët amerikanë; ata që e përkëdhelnin në mëngjes dhe kur iknin e kuptonin se kush ishte Saliu”, u shpreh Brokaj.

Sipas tij, sado të përpiqet Berisha të bllokojë vetingun, ndërkombëtarët e njohin qartë qëllimin e tij dhe të opozitës bashkë. “Mënyra se si tha Fleckenstain ishte që e “njoh mirë Saliun” dhe ironinë që nuk është “i dobët”. Duket se ata e kanë njohur Saliun po aq mirë sa dhe ne.

Kjo është strategjia e Saliut me ndërkombëtarët që të ndryshojnë ndonjë gjë te vetingu ose të ndryshojnë në përbërjen e tyre. E thënë shqip “të shpëtojë nga vetingu””, tha Brokaj.

Sabit Brokaj shprehet se Partia Demokratike ka dy vjet që po e bllokon reformën në drejtësi. Ai thotë se kanë përdorur mënyra nga më të ndryshme për ta bllokuar reformën, dhe bojkoti i Kuvendit është një nga mënyrat, pasi u duhet të vijnë të votojnë ngritjen e komisioneve të vetingut.

“Ka gati dy vjet që po luftojnë me të gjitha forcat, me të gjitha mënyrat, kanë përdorur të gjitha mënyrat, që ta shmangin vetingun ose ta deformojnë. Kështu që, ky është një veprim tjetër i tyre kundër Vetingut, natyrisht shumë i sforcuar, por nuk kanë ç’të bëjnë sepse po e ndjejnë litarin që po u ngushtohet”, u shpreh Brokaj.

Ai thotë se opozita nuk e ka mendjen as te qeveria teknike, është një mënyrë për t’iu shmangur vetingut. “Pikësëpari, opozita nuk besoj se e ka mendjen tek qeveria teknike, por e ka mendjen tek vetingu.

Pra, ajo, çfarëdolloj operacioni që të bëjë, krijimin e një situate jo të stabilizuar, qeveri teknike ose çfarëdolloj zallamahie, synimin primar e ka që të mos bëhet vetingu apo të shtyhet, në një kohë kur raportet politike të mund të ishin ndryshe. Pra, edhe qeveria teknike, edhe kërkesat e tjera, janë në funksion të vetingut”, tha ai.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Brokaj: Berisha po tenton t’i shpëtojë reformës, akuzat ndaj ndërkombëtarëve nga paniku i Vettingut. Partnerët e dinë mirë se kush është”

  1. Andreas says:

    Patjeter “partneret” e dine mire se kush eshte Sali Berisha, po mos harro se “partneret” dine mire edhe kush je ti Zabit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *