INTERVISTA/ Rrëfehet De Biasi: Nga paga, te Armando Duka dhe marrëdhëniet me Edi Ramën

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Intervistoi: Mentor Nazarko

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Giani De Biasi, mbetet pa dyshim një nga figurat më të dashura për shqiptarët, sidomos për dashamirësit e futbollit në veçanti. Kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga Kampionati Europian, ku Shqipëria debutoi denjësisht. Po çfarë mendon tani De Biasi, është e mundur të arrihet sërish në një kompeticion madhor? Po për grupin, për lojtarët e veçantë, çfarë mendimi ka? Si janë raportet me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e FSHF-së, Duka? Përgjigjet e të gjitha këtyre, De Biasi i rrëfen në një intervistë ekskluzive për “Konica.al”, i intervistuar nga Mentor Nazarko.

 Mentor Nazarko: Pas ceremonisë së nderimit të bërë nga Italia për karrierën tuaj në Itali…Çfarë përfaqëson ky nderim për karrierën tuaj si trajner dhe si njeri?

De Biasi: Besoj se ajo që vlen më shumë se çdo gjë është njohja që ka bërë Italia, përkundrejt një qytetari që ka shkuar të punojë në një vend të huaj, që ka krijuar marrëdhënie të mira me vendin që e ka mirëpritur në punën e tij, që ka arritur të bëjë dhe gjëra të rëndësishme dhe që ka afruar dhe më shumë këto dy kombe, të cilat kanë marrëdhënie të mira, por mendoj se kjo ka ndikuar në dhënien e një imazhi te ndryshëm dhe për të qenit shqiptar.

M.N: Këto nderime që po ju bëhen vazhdimisht, nga Italia si dhe nga Shqipëria, janë pasojë e suksesit që Shqipëria pati në Kampionatin Europian të diçkaje që tashmë ka kaluar. A ka ndonjë sukses të së ardhmes që po projektohet për Shqipërinë?

D.B: Le të themi që për një lloj konceptimi tim të brendshëm unë jam gjithnjë i projektuar drejt së ardhmes, drejt atyre gjërave që mund të përmirësohen. Është e qartë që tani objektivi kryesor është të përpiqemi të bëjmë një figurë pozitive në këto kualifikime të Kampionatit Botëror edhe pse, pa pasur dëshirë të fshihemi apo të kërkojmë alibi, kemi në grup dy skuadra shumë të forta, si Italia e Spanja, ndaj duhet të tentojmë të bëjmë më të mirën për të arritur këtë synim. Gjërat e thjeshta nuk ekzistojnë, ndaj duhet të heqim dorë nga ky mendim dhe duhet të përballemi me këtë sfidë së bashku, të ndërgjegjshëm për faktin që dhe sfida e Kampionatit Europian ishte e vështirë, por arritëm ta bëjmë tonën, sepse besuam fort që ky sukses ishte i mundur.

M.N: Puna juaj zhvillohet edhe në nivelin psikologjik…Gjatë një vizite në një fushë-stërvitje në Itali jeni shprehur se rezultati i arritur nga Shqipëria në Europian ishte maksimumi që një kombëtare si e jona mund të arrinte. Në të ardhmen nuk duhet pritur përsëritje të një suksesi të tillë?

D.B: Në të vërtetë, thashë saktësisht diçka tjetër. Ajo që u arrit në Europian ishte një pikë kulmore dhe të gjithë kampionët e mëdhenj, të gjithë talentet e mëdha në sport kanë një mentalitet të tillë, në bazë të të cilit sapo kanë arritur një target, projektohen menjëherë drejt targetit të ardhshëm. Ndaj ne nuk duhet të kënaqemi me atë çka kemi arritur, do të ishte një mendësi prej humbësish, një mendësi prej personash që nuk kanë asnjë fije vetëvlerësimi. Besoj se duhet të rikarikojmë bateritë e të besojmë se jemi në gjendje të ecim në rrugën tonë, pavarësisht vështirësive që i krijuam vetes me ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Izraelit, por që mund të luajmë deri në fund një rol prej protagonistësh. Varet nga ne, problemi kryesor fillon veçanërisht nga ajo që kemi në kokë nga ato që janë ambiciet tona.

M.N: Pak për të bërë shaka…Trajneri që do të keni përballë nuk është një kavalier i Urdhërit Italian të Punës, ndaj një kavalier mund ta mundë, apo jo?

D.B: Një kavalier po, megjithëse më mungon kali. Problemi është se në fushë të lojës nuk do të zbresim unë e Ventura, por Shqipëria kundër Italisë, në Itali! Nga vetë tradita, Italia është një skuadër e fortë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë, por kemi së paku avantazhin që njohim më mirë Italinë sesa Izraelin, ndaj mund të zgjedhim kundërpërgjigjet dhe të përgatitemi më së miri për këtë ndeshje. Djemtë kanë një interes të veçantë për këtë ndeshje, ndaj do të na duhet të bëjmë një përballje shumë të veçantë e shumë të kujdesshme.

M.N: Nëse do të kishit qenë kavalier para se të merrej vendimi për të caktuar trajnerin, ju mund të ishit bërë dhe trajner i Italisë?

D.B: Po, mund të isha bërë dhe trajneri i Italisë, por kisha një kontratë me Shqipërinë dhe mendova të vazhdoja me punën e nisur, aq më tepër që puna e mbetur është një punë shumë e rëndësishme dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Këtu ka djem që më kanë dhënë shumë dhe nuk doja t’i braktisja në një moment kaq të vështirë. Pas aventurës në Europian mund të përballeshim më një harxhim të energjive tona, por unë mendoj se jam ende në gjendje të përqendroj ato që janë cilësitë dhe energjitë e këtij ekipi.

M.N: Por a po luhet më mirë, d.m.th., në ndeshjet e luajtura pas Europianit, po luhet më mirë sesa në Europian? Si e gjykoni ju?

D.B: Dy të parat ishin, sigurisht, shumë të mira, sepse fituam. Dy të tjerat më pak, sepse i humbëm të dyja. Mbeten gjithsesi 6 ndeshje, nuk jemi ende as në mes të rrugëtimit tonë. Kemi një sfidë, sigurisht, të vështirë, por pikërisht për këtë arsye jam shumë më i vendosur, shumë i ndërgjegjshëm, sepse sfidat e vështira më tërheqin shumë. Besoj se djemtë tanë në ndeshjet e mbetura do të arrijnë të japin më të mirën e tyre.

M.N: Le të hyjmë pak në politikë…Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama. Presidenti i Federatës tha se ai kupton shumë mirë politikën pasi merret çdo ditë me të. Pse atëherë Kryeministri është gjithnjë atje ku jeni ju, në këto ceremonira?

D.B: Mësa duket, nga kjo pikëpamje, ka simpati për mua…

M.N: Është edhe tifoz i Italisë…?

D.B: Po, është dhe tifoz i Italisë, por në atë ndeshje do të jetë tifoz kuqezi, jo i Milanit, por i Shqipërisë. Besoj se ai i qëndron shumë pranë Kombëtares sonë, është një nga tifozët që mezi pret që ne t’i vëmë stërkëmbëshin Italisë dhe që të vazhdojmë deri në fund me këtë ëndërr.

M.N: Ka bërë ndonjë gjë të veçantë si qeveri për futbollin?

D.B: Sipas meje, po, përtej sportit ka bërë shumë si politikan, ka dhënë një prerje shumë serioze të qenit kryeministër i një vendi jo të lehtë si Shqipëria. Ka bërë një punë të madhe me mendjegjerësinë e tij dhe ka dhënë një impuls shumë të rëndësishëm. Jashtë vendit perceptohet si një person shumë i hapur dhe i zoti.

M.N: Po presidenti i Federatës, ju është gjendur në krah në punën tuaj?

D.B: Unë besoj se presidenti Duka ka punuar mirë. Deri tani ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është se me ka lënë të punoj në autonomi të plotë vendimmarrjeje, pa u përzier dhe ka punuar gjithnjë për t’i dhënë një dorë punës sonë. Ajo për të cilën me vjen keq është që një pjesë e madhe e tifozërisë sonë nuk e ka kuptuar këtë gjë.

Patjetër që këtë e bën në mënyrë manaxheriale, duke dhënë një gjurmë të saktë aspektit në të cilin llogaritë duhet të jenë të sakta dhe nuk mund të shpenzohet pa kriter. Dhe pastaj, thënë mes nesh, paguan shumë pak…Mua!

M.N: Por duke u paguar pak ju keni arritur dhe suksese, sepse nëse do ju paguante shumë, mund ta ndjenit veten të llastuar e të mos arrinit asnjë rezultat…?

D.B: Ma kthyet bukur batutën! Në të vërtetë, unë e di se ku kam ardhur të punoj, e di se federata shqiptare nuk është nga më të pasurat në botë. Falë Europianit, kemi realizuar të ardhuara që na kanë lejuar të bëjmë një hop përpara. Ka pasur investime dhe do të ketë dhe të tjera, sidomos për sa i përket impianteve e fushave të lojës. Mendoj se ajo që mundon kryesisht, janë infrastrukturat që mund të ndihmojnë fëmijët të largohen nga rruga dhe të formohen profesionalisht, duke u shndërruar në lojtarët e së ardhmes.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *