Nji analizë antropologjike e çadrizmit: Zëvendësojeni atë çadër me nji akuarium ma mirë

24 Shkurt 2017, 15:15Blog TEMA

Nga Ardian Ndreca

Çadra si mjet lind për mbrojtje dhe si e tillë nuk ka të bajnë me lirinë por me kufizimin e saj në favor të sigurisë. Prandaj, metafora “çadra e lirisë”, shihet se asht pjellë e ndonji mendjes së ndritun që lirinë e sheh të kufizueme të paktën në drejtimin e saj vertikal, që asht ma i randsishmi. Qielli me yje apo nji diell që shkëlqen janë ma afër idesë së lirisë, sesa nji çadër që pengon shikimin, msheh dhe izolon.

Dy gjana, thonte filozofi Immanuel Kant, më kanë përçansue thellësisht: qielli me yje sipër meje dhe ligji moral mbrenda meje.

Mund të supozojmë se ajo çadër që i privon banorët e saj të përkohshëm prej qiellit me yje, të ketë mbrendë njerëz që janë tepër të ndieshëm ndaj ligjit moral! Mundet, edhe pse s’dallohet gja.

Çadra ka shoqnue ndër shekuj popujt nomad dhe pretar që dyndeshin prej stepave të Azisë deri në Europë tue vra, djegë dhe grabit e tue lanë mbas vetes veç rrënoja. Karakteri i saj i përkohshëm dhe lehtësisht i transportueshëm ban që çdo projekt i lidhun me çadrën të jetë jetëshkurtë dhe pa vizion. Në fakt nuk ka arkeologji çadrash, ma së shumti hulumtohen site të banueme që njerzit e çadrave kanë rrënue, por ata vetë s’kanë qenë të zotët me ndërtue gja.

Nga pikëpamja antropologjike shqiptarët nuk e kanë njohtë çadrën por kanë preferue ndërtesat në gur si kullat, dhe tue u ulë në hierarkinë ndërtimtare kanë pasë shtëpia o kasolle me qerpiç, kashtë ose me bokla karabushit, kurse çadrat janë njohtë si streha e pakicave rom apo sinti.

Kë mbron ajo çadra tiranase e lirisë? Edhe nji fëmijë e kupton se ajo mbron ata që rrezikohen drejtpërdrejt apo indirekt prej vettingut. Mbron ata që hodhën në erë 26 persona në Gërdec, ata që vodhën Rrugën e Kombit, që e kthyen shtetin në nji entitet feudal shtypës dhe denigrues për qytetarët shqiptarë, mbron atë hajdutin me bllok që deri tashti ka mbajt kambën në kapërcyell, atë ish-ministrin e brendshëm lepe-peqe të familjes dhe sidomos mbron kryekriminelin plak që pushkatoi 4 vetë në mes të Tiranës. Mbron edhe disa qindra gjykatës që janë aq të korruptuem saqë për ta do të duhej ndërtue nji burg i ri, pse ka rrezik t’u prishin moralin edhe kriminelave ma të regjun që ruejnë burgjet tona.

Edhe sikur çdo katund i Shqipnisë të mbushej me çadra e me asqerë, si Sali Berisha, si Meta e Llalla e si gjykatësit e tyne, nuk kanë ma asnji të ardhme politike. Çadra në kuptimin e saj ma të brishtë mbrojtës asht vetëm nji tentativë negocimi i paprekshërisë së tyne personale.

Shakllabanat e shakllabanet e Sali Berishës i janë sulë me vrull të papamë qenëror ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, me shpifje e trillime që vetëm mendje me tarë morale dhe psikike si ajo e kreut të tyne mund të përfytyrojnë. Iu sulën së fundi edhe gazetarës Arbana Xharra pse tha se Berisha ka ba kontrabandë me Millosheviqin, në nji kohë që asnji sish nuk ka as spesorin moral dhe as atë intelektual të Xharrës.

Çka mund të pritet prej shqiptarëve, si çadranëve si atyne që bajnë sehir prej ndërtesës përballë? Asgja. Kah ana tjetër po të ishin të aftë shqiptarët me ba reforma në drejtësi s’do të kishin nevojë absolute as për zotin Lu dhe as për zonjën Vlahutin e do ta kishin ba me kohë.

Kaq për çadranët.

A e meritojnë shqiptarët ende si kryeministër Edi Ramën? Në vetvete them pa asnji pikë dyshimit “jo”, por derisa Berisha, Llalla, Meta dhe zhgani korruptiv të rrezikojnë me na fundosë ma shumë se kaq e meritojnë plotsisht si nji të keqe ma të vogël.

Por them nuk e meritojnë mbasi Rama ka dështue në luftën kundër krimit të organizuem, kundër vorfnisë, kundër korrupsionit që e gjeti dhe e la siç ishte. Ai, ma së shumti, si vanitoz autoritar, ka estetizue në mënyrë tejet subjektive rrethin e ngushtë e sipërfaqsor të veprimeve të tija. Rama ka dështue pse s’ka dashtë me kuptue se nji seri ministrash si Tahirin i ka si gjyle në kambë.

Ka dështue pse kryegaranti publik i së keqes A. Llalla vijon të jetë aty ku ishte, se Sali Berisha dhe çeta e tij jo vetëm nuk përfunduen mbas vitit 2013 në hekura por po japin spektakël dhe mburren për vrasjet që kanë krye faqe botës.

Por tue qenë se Edi Rama ka fitue me vota, ka të drejtën me u largue vetëm me vota.

Nga ana tjetër a mund t’i besohet gja Lulzim Xhelal Bashës, ish kamerierit të Rinasit në kohën e komunizmit, e ma vonë mosmirënjohësit të bamirësit të tij hollandez? A i besohet gja në dorë Bashës, atij që me sa duket kontribuoj kur ishte në UNMIK, së bashku me do mrruta të ardhuna prej Europet, me fundos nderin e luftës në Kosovë! A i besohet atij që i shpëtoi me procedurë procesit për 230 milionë euro të zhdukuna nga Rruga e Kombit, atij që fronëzonte randë e randë si Ministër i Brendshëm kur u vranë katër vetë gjatë nji proteste në Tiranë?

Të ishte puna me mbështetë J. Topallin, e cila asht konsumue deri në fund për të djathtën apo të ishte me nxjerrë përpara nji Ristan që i vetëm, si kalorës i fytyrës së vrerosur mori nji bashki dhe ia fali PD-së për me e ba kurban të Bashës, të ishte me nxjerrë përpara nji kafkë dialektike si demokratin e thekun Islami, edhe do të hahej puna, po të nxjerrish për me rrëzue nji qeveri nji aktor që lot vetëm me sufler dhe i merret zani sa hapë gojën, kjo nuk hahet me asgja.

Sali Berisha e ka dënue të djathtën me ndejt në opozitë, na ka dënue me pasë qeveri me Tahira e Ahmetaj, me Meta e me Vasila.

Jemi në dorë të Lu-së dhe Vlahutin-it, të vetmit garantë të nji ndryshimi që i shërben gjithë shqiptarëve, të vetmit që kanë ilaçin e duhun kundër sindromës endemike të sypeshkaqenizmit shqiptar. Zëvendësojeni atë çadër me nji akuarium ma mirë, se vettingu rrezikon me i nxjerr peshkaqenët në zall, e peshkaqenët s’kanë parti, ata janë grabitçarë të pangimë si djathtas si majtas.

11 komente në “Nji analizë antropologjike e çadrizmit: Zëvendësojeni atë çadër me nji akuarium ma mirë”

  1. Lenci says:

    O Ardian Ndreca, o Gege me mend! Mos vdeksh se me sakte se ty vetem Fishta do mind t’a perifrazonte Cadrizmin si fenomen. Bravo

  2. Vizioner says:

    Per pjesen e dyte te shkrimit, te them me koshience: Idiot!

    Pervecse nuk je Analist e jo ma Gazetar, por, edhe, Tastiera kur e ke shkruajtur pjesen e dyte ka ndjere (duhet te kete) neveri nga gishtat e tu.

    Edi Rama, eshte shanci i shqiptarve, eshte i VETMI njeri me Potencial njerzor dhe vizion per te ardhmen.

  3. kastriot says:

    Pse more djale thua se ka deshtuar.Qe punet nuk jane bere deri ne fund ke te drejte.Une nuk shoh ndonje tjeter te luftoje per vetingun,policine etj.Vetem vetingun ta coje deri ne fund po e lane ca si ty mendoj se eshte bere sa nuk eshte bere qe kur u formua shqiperia.Dhe ne mund te themi se ti nuk duhet te shkruash se nuk je gazetar i madh etj.Pastaj duhet thene se si ishte gjendja,se si ishte sistemi i drejtesise etj.Sa pengesa i vihen punes se qeverise .Keto nuk behen menjehere.Ti me ke e krahason.Dhe na propozo nje kryeminister tjeter.Ke mendon ti.Por nuk shoh as per drejtues pallati ndonje.Pastaj baza a bisedes ka baze te gabuar.Tere juve u pelqen ta filloni diskutimin sikur pd dhe shume parti te tjera duhet te futen ne gare per qeverisje nderkohe qe ato nuk duhet te ekzistojne fare.Arsyet i di dhe ti shume mire.Dhe menjehere filloni kritiken me edin.Kur kerkesat e cadraxhinjve duhet ti kishin zgjidhur ata vete para shume e shume viteve.Njeriu duhet te fale por jo te harroje.Krahasoni nje lul kriminel dhe procedure ,me edin.Ne qofte se nuk e di mundohu ta mesosh,ne se e fsheh je me i keq se ata.Para shume vitesh kur vija ne shqiperi dhe permendja lazaratin njerzit qeshnin dhe me thoshin se lazarati seshte gje para gjithe shqiperise.vetem se per keto nuk flitej.Tani natyrisht qe flitet.

  4. miri shkodra says:

    Ardian, te kishim fatin me te pase ty kryeminister, tashti do te mateshim me Gjermanine.

  5. Jorgo says:

    a ke ndonje emer konkret zoteri, meqe te gjithe qenkan bokla karabushi?

  6. stil says:

    O Ndrece! Ke probleme te medha fonetike, gramatike dhe logjike, o burre. Mjaftoi te lexoja titullin dhe fjale e pare per te kuptuar sa lemsh je bere. Ndaj mendjen si do ta shkruash nje artikull, ne gjuhen zyrtare ne fuqi, dialektin geg, tosk apo variantin e Shqiperise se Mesme. Me tej nuk shkova.

  7. .... says:

    … shikoni BUNKERI mbushur me ‘bodyguard-et” e Cetes PD qe ruajne te madhin e koherave legjendarin e “Gafave” Basheeeeeeeeeeeeeeeee … ha,ha,ha

  8. VETINGU says:

    Ardian, ke dhene nje metafore te bukur per cadren por pervec ketij elementi shkrimi juaj ka deshtuar. Gjykimi juaj bazohet ne premisa te dyshimta. Kryeministri i nje vendi nuk gjykohet prej perkatesise krahinore, fetare, ideologjike, kulturore etj etj ashtu sikurse duket qarte se ti gjykon Ramen. Absurditeti tend qendron ne “pritshemria’ tende per te “burgosur” te korruptuarit. Po si mund te luftoje nje qeveri korrupsionin pa nje sistem gjyqesor?… sepse ky i sotmi nuk gjykon por ben te kunderten, pak a shume si shkrimi juaj.

    Cdo gje fillon nga Vetingu. Dhe perderisa Rama duket i vetmi qe e mbeshtet ate pa kufizime, ky eshte edhe misioni i tij si kryeminister. KAQ! Mandatin tjeter, me kusht qe Vetingu te jete zbatuar deri ne fund, i perket shtetit ligjor te luftoje korrupsionin dhe qeveria eshte nje pjese e shtetit ligjor.

    Ti ben sikur i ‘harron’ keto arsyetime dhe lufton Ramen pasi gjoja u ke ‘rene kokes’ berishisteve ne cader. Ti nuk je me i mire se ata, edhe ti je i korruptuar ne gjykim. Lexo edhe njehere c’fare ke hedhur ne leter sepse ke deshtuar. Provo te shkruash perseri por me me sinqeritet. Nuk shkojne keto mashtrime sepse qytetarit nuk i intereson politika, krahinizmi, feja etj etj por i intereson SHTETI LIGJOR. Provo te shkruash perseri.

  9. Treviso says:

    Jam plotesisht dakort me zotin Ardian Ndreca. Ka nxjerur ne pasqyre politikanet shqiptare. Kush kerkon nje te ardhme te mire nuk ka se si ta kundershtoje zotin Ardian Ndreca.

  10. Jimi says:

    Ardian, pa justifikuar Ramen per shum nga ato qe ti permend si mosrealizime mbase per shum nga ato qe ti permend do te isha dakord! Vetem se do te desha te kujtoj se pa e marre pushtetin, Rama munde qe te konsiderohet nje lloj idealisti fanolist i cili me vizionin dhe energjite qe kishte dhe qe sot nuk i mungojne, do te munde ti realizonte ne teresi gjithcka premtoj ner fushate. Mire po me ardhjen ne pushtet Rama pesoj nje zhgenjim total nga ajo qe pa dhe preku! Ai kuptoj qe shum nga premtimet qe beri jo vetem nuk do te realizoheshin , por se do te kishte nje lufte te eger ndermjet nje shtetit ligjor qe donte te ndertonte ne njeren ane dhe ne anen tjeter nje mafje shteterore te mireorganizuar e instaluar fort me njemijenje fije te dukeshme te padukeshme!
    Per mendimin timi I vetmi gabim i Rames dhe qe solli ato pasoja qe ti permend, eshte nenvleftesimi I kesaj organizate kriminale e mireorganizuar dhe mirefinancuar e lidhur me fije te brendeshme e te jashteme !
    E qe te cmontohet kjo organizate kriminale nuk eshte e lehte! Shikoje agresivitetin e saj! Pa filluar ende implementimi i vetingut te cilin e votuan edhe vete dalin “tellalle” te kalibrave te ndryshem dhe bejne thirrje luftenxitese!? Po nese vetingu do te filloj te operoj e te ndeshkoj apo te sekuestroj pasurite maramendese te tyre c’duhet te ndodhe valle?
    Ne rastin konkret une do te thosha se nuk mjafton vetem deshira dhe konseguenca e nje kryeministri apo qeverie por mua me duket se do te ishte shume domethenes nje solidaritet qytetar e mbare kombetar per ta shkulur nga rrenjet kete te keqe te madhe qe po e mban peng kete vend per gati 30 vjete.

  11. ortopedi says:

    Edhe pse nuk pajtohem ne arsyetimin e Ndreces persa i takon Rames, them se nuk
    duhet paragjykuar ne ato qe shkruan.Une jam nga jugu por e kuptova mjaft mire ne
    ato cka ai shpreh. Jo se Rama shkelqen,madje edhe nota mire per te do ishte shume,
    por gjithsesi ne keto kohe te trazuara asnje tjeter nuk na eshte shfaqur. Po te
    jete per mua Tahiri,Beqja e do ministra te tjere nuk duhet te ishin ne ekipin
    qeverises,por eshte zgjedhje e Rames e prandaj ai merr kosto me dhe pa te drejte.
    Tahiri bene parada suksesesh dhe shpesh perpiqet te marre merita te profesionisteve
    te policise,por ai me shume e trajton policine si nje qenie,nuk po them instituticion, te forte
    ne kuptimin ushtarak te fjales.Nderkohe lipset ta shoh e trajtoi si nje sherbim te karakterit
    inteligjent. Mbase i mungon kultura per thelbin e policise,porse fakti qe ne krye vendos
    nga ata polica qe shkollen e kane kryer naten apo me korrespondence dhe qe karieren e
    kane nga nivele te ulta si psh shoqerues qeni, rezultatet jane gjysmake. Rendet pas shifrave kryesisht,
    te arrestimeve dhe keto shpesh te stisura etj,etj,E keshtu ne sektorin e tij ben edhe Beqja,,,por sidoqofte jane e keqja me e
    vogel ne raport me paradhesit…Te presim se cka na rezervon e ardhmja…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje