Hallaci beson te Kukësi: Fitojmë ndaj Partizanit

25 Shkurt 2017, 19:45Sport TEMA

Titulli  i parë kampion në historinë e klubit për Kukësin, kalon nga sfida e Zeqir Ymerit ndaj Partizanit. Java e 23-të e Kategorisë Superiore ndizet me një superpërballje që vendos kundër njëra-tjetrës dy nga 3 skuadrat që luftojnë për të fituar kampionatin.

Përqëndrimi përpara kësaj ndeshjeje është maksimal në kampin kukësian me kapitenin Rrahman Hallaci që nga hoteli ku ndodhet e grumbulluar skuadra e Ernest Gjokës, përcolli besim për një sukses të mundshëm në sfidën ndaj Partizanit.

“Sigurisht që është një ndeshje shumë e rëndësishme sepse Partizani është një rival direkt në garën për titullin kampion. Ne do të bëjmë maksimumin dhe do të synojmë të marrim tre pikët dhe nëse ia arrimë qëllimit do të krijonim një avantazh të lehtë ndaj Partizanit, por kampionati nuk mbaron pas kësaj sfide”.

Pas Kupës së Shqipërisë të fituar vitin e kaluar, Kukësi kërkon triumfin e parë edhe në kampionat dhe  për Hallacin ky është viti i duhur.

“Është viti i 5-t që jemi në Superiore dhe kemi bërë mirë gjatë kësaj periudhe duke luftuar gjithmonë për të fituar kampionatin. Mendoj se ky është viti i duhur pasi kemi një skuadër të mirë. Kjo është ndeshje e rëndësishme, shpresoj të kemi mbështetjen e tifozëve tanë madje u bëj thirrje atyre të na ndihmojnë sepse na duhet kjo fitore”.

Nëse ia del ta fitojë ky i këtij sezoni do të ishte edhe titulli i parë në karrierë për Hallacin i cili iu afrua fitimit të trofeut kur mbante veshur fanellën e Partizanit në vitin 2007,por për fare pak nuk ia arriti qëllimit. Si një ish, Hallaci i respekton të Kuqtë por nuk nguron të nënvizojë se ai tashmë lufton vetëm për Kukësin.

“E kujtoj ndeshjen ndaj Dinamos të vitit 2007, na duhej një gol për 30 minuta për të fituar titullin por ai gol nuk erdhi kurrë. Kam luajtur për 7 vite e gjysmë te Partizani dhe kam respekt për atë skuadër, por tashmë unë mbroj ngjyrat e ekipit të vendlindjes time, Kukësit dhe dua të fitoj ndaj të Kuqëve”.

Në fund kapiteni zbuloi edhe dy objektivat sezonale të Kukësit ndërkohë që foli edhe raportin që ka skuadra me presidentin Gjici, si dhe për rivalin më të fortë në garën për titull.

“Dy objektivat tonë në këtë sezon janë të mos humbasim asnjë ndeshje dhe të fitojmë titullin kampion. Presidenti nuk na ka vendosur asnjëherë nën presion. Rivali më i fortë mes Partizanit, dhe Skënderbeut? Fillimisht shifja të Kuqtë por tashmë u trembem më shumë korcarëve, edhe pse bëhet fjalë për dy rivalë shumë të fortë”./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje