Eutanazia, ose vdekja e asistuar e opozitës

Nga Ilir Yzeiri

Çadra e opozitës e ngritur prej disa ditësh në Bulevardin e Madh, gjithnjë e më shumë po i ngjet një pavijoni spitalor të ndonjë regjimenti fushor që mban në gjendje kome një të plagosur rëndë. Opozita në Shqipëri është e sëmurë rëndë, pa frymëmarrje, pa shpresë. E shtrirë në çadrën e Bulevardit të Madh ajo duket sikur u lutet atyre që i rrinë te koka që t’ia heqin tubin e jetës dhe të japë shpirt, të kryejë kështu eutanazinë ose vdekjen e asistuar.

Pse mungon populli

Protesta e 18 shkurtit u lajmërua si fillimi i përmbysjes së madhe. Rreth PD-së u mblodhën të gjithë të mërziturit me Edi Ramën që për fat të mirë janë shumë dhe që të gjithë, pa përjashtim, po i numëronin ditët dhe orët qeverisë së Edi Ramës. Megjithëse në historinë e këtyre njëzet e ca vjetëve tranzicion në Shqipëri, nuk ka asnjë rast që qeveritë të jenë ndërruar apo riformatuar për shkak të protestave, (me përjashtim të qeverisë së stabilitetit kur PD u tërhoq nga qeveria dhe vitit 1997), që të gjithë ata që i rrinin pranë dhe i shkruanin fjalimet Lulëzim Bashës, kishin bërë gati edhe postet që do të ndanin pasi të rrëzohej qeveria e Edi Ramës. Të dehur nga konspiracionet me diversantin Ilir Meta, të gjithë e kishin gati nga një skenar, vetëm se të gjithë nuk kishin llogaritur një gjë – mungesën e popullit. Duke vendosur çadrën – spital dhe duke shtrirë në të trupin pa jetë të opozitës, frymëzuesit e konspiracionit të madh me diversantin Ilir Meta që do të binte me parashutë mbi çadër, kishin menduar se populli do të mbushte Bulevardin e Madh dhe Rumania do të dukej si një lodër përpara asaj që do të ndodhte në Tiranë. Mirëpo, nuk ndodhi kështu. Në çadër pamë vetëm fytyrat e personazheve të zemëruar që e urrejnë Edi Ramën deri në palcë, por nuk pamë popull. Pse? Mund të ketë shumë shpjegime, por unë mendoj se opozita e sotme dhe elita e lodhur e PD-së nuk e njohin këtë vend në rastin më të mirë dhe, në rastin më të keq, luajnë teatër me ndjenjat e publikut duke intepretuar keq një komedi të shkruar gjithashtu keq. Po le t’i marrim gjërat me radhë:

E para: opozita doli në shesh që të protestonte kundër qeverisë dhe e shndërroi manifestimin në një gjyq të egër. Ajo e vizatoi Edi Ramën si një kryebandit që është i lidhur me krimin, me korrupsionin, pra me gjithçka të errët. Opozita u shndërrua kështu në një kryeprokuror dhe i paraqiti publikut si alternativë zëvendësimin e këtij kryebanditi të korruptuar me një kastë banditësh. Shpresa e këtij shpëtimi do të ishte Ilir Meta. Pra, do të largohej Edi Rama dhe qeveria e ardhshme do të krijohej me Lulëzim Bashën dhe Ilir Metën. Për këtë “revolucion të pashoq”, Lulëzim Basha i bëri thirrje popullit që të vinte në çadër dhe të niste luftën me Edi Ramën. Në qoftë se ka njeri që nuk e merr të qarët nga kjo derexhe ku është katandisur opozita, besoj janë të shumtë ata që i merr gazi.

E dyta: në Shqipëri nuk ka ende asnjë kauzë që të bashkojë popullin si një entitet të vetëm dhe ta bëjë atë të ndjeshëm që të dalë të ngrihet kundër qeverisë. Në këta njëzet e ca vjet tranzicion, populli shqiptar u ngrit në protesa të mëdha dy herë. në fillim nën nxitjen e studentëve për të protestuar kundër diktaturës dhe në vitin 1997 për të protestuar kundër qeverisë që, sipas popullit të asaj kohe, ishte përgjegjëse për vjedhjen e parave prej firmave piramidale. Pas kësaj kohe, populli është i ndarë në parapëlqime politike të caktuara. Më tej akoma, sot militantët e të dyja krahëve politike po përcaktojnë fatin e demokracisë në Shqipëri dhe ne të gjithë ngjajmë me aksionerët e firmave të mëdha. Militantët e PD-së që mbushin sheshin dhe që vijnë sot nga rrethet për t’u regjistruar në çadër se përgjuan opozitën që po jep shpirt në Bulevardin e Madh, nuk janë populli që do opozita. Ai popull nuk ekziston më.

Ligjërimi i opozitës si puritanizëm komunist

Po të vëresh ligjërimin e opozitës në këta vjet, do të gjesh shumë gjëra të përbashkëta me retorikën e komunistëve kundër kapitalizmit. Edi Rama dhe qeveria e tij janë pjesë e lojës demokratike dhe e sistemit kapitalist. Opinioni publik, media dhe opozita kanë denoncuar afera të dyshimta korruptive të qeverisë si në çdo vend të botës. Më gjeni një vend demokratik në të cilin nuk akuzohen shtetarët e tij për afera korruptive të kryera ose të dyshimta. Çfarë do të duhej të bënin demokratët e SHBA-së përballë Tumpit? Po në Itali, në Francë apo në Greqi?. Vetëm diktaturat i zhdukin këto plagë sepse ato e ngrenë ligjin mbi eleminimin fizik dhe mbi dyshimin. Vendet demokratike ngrenë institucionet e rendit, të drejtësisë dhe investigimit dhe nuk lejojnë qeveritë apo opozitën që të bëhet prokurore. Mirëpo opozita jonë ka zgjedhur si kundërshtarë dy nga personalitetet më të çmuara të huaja, Donald Lu dhe Romana Vllahutin. Këta dy ambasadorë po kryejnë procesin më të vështirë në Shqipëri dhe opozita në vend që të ishte aleatja kryesore e tyre, është shpallur armikja e tyre.

Shqipëria në fund

Këto ditë më tërhoqi vëmendjen ish-kryeministri i Maqedonisë Gruevski. Ai nuk e pranonte sfidën e shqiptarëve dhe i kërkoi armikut të tij të madh, Zaevit, që të futen bashkë në koalicion, vetëm që të përjashtohen shqiptarët nga qeverisja dhe të mos realizohet platforma e tyre. Unë pranoj edhe të më dërgosh në burg – tha Gruevski – vetëm platforma e shqiptarëve të mos realizohet, vetëm Maqedonia të mos dëmtohet. Në këtë rast cilido shqiptar pyet veten, po kjo opozita jonë gjithë këtë protestë dhe çadrën në Bulevard e ka ndërtuar për Shqipërinë, që të shpëtojë Shqipërinë? Në qoftë kështu, Bulevardi duhet të mbushej plot. Unë mendoj se për Shqipërinë më shumë po mendon Donlad Lu dhe Romana Vllahutin. Gjithë të tjerët më duket se e kanë barrë Shqipërinë, barrë ose çiflik për ta mjelë.

REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “Eutanazia, ose vdekja e asistuar e opozitës”

  1. koha jone says:

    BASHA DUHET TE PERBALLET ME WETINGUN DHE JO TE GJYKOJ KUNDERSHTARET E TIJ , KA TE NGJARE QE AI VET MUND TE DALE NGA KY SPASTRIM ,SI ME I KORRUPTUARI I KOHES . Zv

  2. Dajti USA says:

    Ilir e ke thare,po puna eshte se ata qe nuk e duan vetingun,natyrisht dhe ambasadoret Lu-Vlahutin,jane Berisha-Meta,dhe kete per fate te mire populli e ka kuptuar,prandaj dhe opozita eshte e vetmuar.

  3. O.Pamuk: muslimonet shqipfoles jane vazhdimi i identitetit turk ne Evrope..... says:

    o Zeqir artikull shkrues,ku e gjete[ne c’gjuhe te botes] kete fjale ”eutanazia”….!!!!!
    dihet qe ne gjuhen e memes, ate greke thuhet : ”evthanasia” [vetvrasie ose autovdekie] por ne made in albanistan u tjetersoka ne ”eutanazia” nga Tanzania!!!!!

  4. LORA says:

    Eutanazia e kesaj mender-opozite vjen vetem nga pergjegjshmeria civile dhe civike e Popullit Shqiptar,i cili po i ndeshkon me nje elegance te admirueshme,,,,kusaro-banditet 26-vjecare shqup-sa, qe rreken me veten se mund te pengojne rrugen europianizuese te shtetit te shqiptareve.
    Ne thelb ,eshte kjo fryme e shendetshme civile qe po e mbron Shqiperine dhe po e garanton mbeshtetjen e nevojshme dhe mjaftueshme per reformimin qilizme ne drejtesi dhe pershpejtimin e ritmeve te implementimit te VETTING-ut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *