Intervista e plotë/ Manjani: Debatet e mia me Ramën në WhatsApp, jo në mbledhje qeverie

28 Shkurt 2017, 20:12Politika TEMA

Ylli Manjaji doli për herë të parë, pas shkarkimit si Ministër i Drejtësisë, në #DritaremeRudinën, Vizion Plus.

Një rrëfim i gjatë për veten, nga OSBE te Fatos Nano, që kohë pas ndarjes, Manjani e quan “shkollë politike”. Nga ajo kohë Ylli Manjani ruan teserën e PS-së, Partisë nga iku, “se nuk e mori më në telefon Kiçua i Ramës”.

Tani, pak kohë pas shkarkimit, të dy udhëheqësve, “që nuk qenë dakord me këtë standard ministri”, Manjani nuk e pranon se ka ikur nga LSI. Por as po rri në pritje të një telefonate nga “Kiçua” i Metës. Është kthyer në profesion, nga e para, aty ku e la, kur hyri në një rrugë që është e gjatë dhe me shumë dritëhije, kur s’ke ku kthehesh.

Më poshtë intervista e plotë e një tij.

Rudina Xhunga: Ju keni nisur të punoni si avokat?

Ylli Manjani: Unë avokat kam qenë që herët, që prej vitit 2004, kur u licencova në Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Nuk kam hequr dorë nga të qenit avokat profesionist, pavarësisht detyrave publike apo angazhimit politik. I kam bërë të dyja, sigurisht të dyja aq sa i lejon statusi ligjor, sepse profili im i 17 viteve të fundit ka qenë sigurisht ligji, e drejta publike që përfshin Kushtetutën, E drejta Administrative, ligje dhe rregulla që normohen në administrata publike. Me këta jam marrë, pavarësisht se në funksione të ndryshme.

R. Xh: Ju tregojnë një avokat të zotin…

Y. M: Jo, nuk jam avokat i zoti, ka shumë më të zotë se unë. Patjetër që ka sepse kanë vite që e ushtrojnë vetëm në mënyrë ekskluzive këtë punë.

R. Xh: Profesionalisht unë kam dëgjuar fjalë të mira për ju, sikundër personalisht gjithmonë ka qenë ideja që ju demonstroni një lloj arrogance. Perceptim i gabuar ky i njerëzve?

Y. M: Nuk e kundërshtoj si perceptim, por qëllimi kurrë nuk ka qenë arroganca, asnjëherë. Ndoshta, në nervozitet e sipër, në përpjekje për të shpjeguar disa argumente që ne mjedise të caktuara provokojnë një farë reagimi, kjo duket si arrogancë. Mua më ka shoqëruar pasioni gjithmonë, pasionin e kam timin në argument. Jam njeri pasionant dhe ndoshta kjo jep pak më shumë një dozë arrogance hera herës.

R. Xh: Mund të pranojmë që pasioni ju mori në qafë, duke ju shkarkuar nga ministër i drejtësisë?

Y. M: Jo, nuk besoj që është pasioni ai që ka çuar në atë vendim e para dhe e dyta nuk është se më ka marrë në qafë. Më ka nderuar, sepse misioni dhe mandati im në krye të Ministrisë së Drejtësisë ishte një dhe vetëm një, të vendos standardin e sjelljes publike të një ministri. Pra, si duhet të sillet një ministër. Këtë mandat kisha, këtë mandat më dhanë dhe këtë mandat u përpoqa të bëj.

R. Xh: Perceptimi ishte që ju u vendosët nga Meta që t’i ngrinit nervat Edi Ramës. Është një perceptim, banal le të themi, por është perceptim. Nuk ju ka ardhur në vesh juve?

Y. M: Po patjetër që më ka ardhur në vesh. Ka shumë perceptime, por unë nuk ndoqa strategjinë që t’i përgjigjem perceptimeve. Ndoqa strategjinë që të kryej mandatin dhe detyrën për të cilin u ngarkova. Pra, të vendos standardin e sjelljes së një zyrtari të rëndësishëm siç është ministri dhe për mua ministri është një zyrtar shumë i rëndësishëm.

Jo vetëm në aspektin vendimmarrës dhe administrativ por për mua ministri është një autoritet publik dhe politik gjithashtu. Ministri nuk është një zyrtar që nënshtrohet . Ministri është një qendër debati gjithashtu, një zyrtar që propozon, kundërshton, por edhe pranon e debaton.

R. Xh: Një ministër i qeverisë Rama si është?

Y. M: I të gjitha standardeve, si të doni ju merreni por unë mendoj që pavarësisht emrit të Kryeministrit, sjellje ime si Ministri i Drejtësisë, përveç vlerësimit personal që unë e kam bërë dhe i qëndroj mirënjohës zotit Meta dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim sepse realisht më dhanë mundësinë të tregoj atë që unë di të bëj për këtë çështje. Sigurisht për një jurist në politikë, Ministri i Drejtësisë është një detyrë shumë e rëndësishme. Kjo ka qenë motoja ime, ky ka qenë e gjithë sjellja ime dhe merakun që kisha ishte të përpiqem të vendos një stekë në sjelljen publike të Ministrit të Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht emrit të Kryeministrit, Parlamentit apo njerëzve dhe institucioneve që e rrethojnë apo e detyrojnë të bashkëpunojë Ministrin e Drejtësisë.

R. Xh: Ditën e diel, kur flitej kaq shumë për dorëheqjen tuaj, ju lajmëruat që nuk do të kishte dorëheqje nga ju. Ndërkohë ju kishin lajmëruar për shkarkimin, çfarë ndodhi atë të diel?

Y. M: Besoj se këto janë tema pa shumë interes.

R. Xh: Ju telefonoi z. Meta. Ai iu largoi, apo z. Rama?

Y. M: Nuk ka qenë qëllimi im të bëhem ministër. Z. Meta më ka ofruar edhe para kësaj qeverie që të isha Ministër dhe ai ishte një projekt që nuk eci edhe për arsye që unë vetë nuk isha i bindur. Ia kam refuzuar edhe Fatos Nanos detyrën e Ministrit. Nano nuk më propozoi Ministër Drejtësie, por Ministër të Punëve Publike dhe më pas pasi unë refuzova ,doli z. Dervishi në atë kohë. Pra, unë jam nga ata që e kam refuzuar detyrën e Ministrit, sepse unë kam këtë bindje që nëse nuk ke një ide për të sjellë në sektorin që drejton, është më mirë të mos e bësh këtë gjë. Sigurisht, Ministër i Drejtësisë nuk mund ta refuzoja, pasi është diçka që çdo jurist do ta kishte në fokusin e tij apo të saj. Dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme që mua mu dha kjo mundësi, thashë për të vënë këtë standard. Kur vjen puna që duhet ta dorëzosh këtë, duhet të dorëzosh me të njëjtën mënyrë. Sepse në fund Ministri është një figurë politike, është pjesë e një grupimi politik. Ky grupim politik që të propozon, njëkohësisht mund edhe të të zëvendësojë, nuk është fundi i botës. Nga kjo pikëpamje, unë nuk po ju tregoj, po ishte Meta që ma bëri të ditur situatën e vështirë që kishte krijuar standardi si Ministër Drejtësie në raport me Kryeministrin. Më tregoi që mund të zëvendësohesha dhe unë thashë patjetër.  Ky ka qenë reagimi im fillestar. Ky është një pozicion që i takon LSI-së, LSI-ja gjykon më mirë sesa unë, ka më shumë informacione sesa unë. Ajo e di më mirë se ku i pikon çatia dhe sigurisht Ilir Metës dhe LSI-së në çdo çast unë do t’i jepja dorëheqjen, pa të voglin dyshim.

R. Xh: Ilir Metës, jo Edi Ramës?

Y. M: Sigurisht që jo Kryeministrit, sepse unë nuk kisha bërë ndonjë krim. Standardi i Kryeministrit për të larguar Ministrat, e ka thënë vet ai, është që duhet të jesh në një skandal, të kesh kryer ndonjë krim apo të kishe bërë ndonjë hata të madhe. Unë nuk kisha bërë asnjë nga këto, as nuk isha i paaftë mendërisht apo fizikisht që të kryeja detyrën. Nuk kisha asnjë nga arsyet që unë të jepja dorëheqjen dhe dhënia e dorëheqjes Kryeministrit, i cili në thelb atakonte qenien time në qeveri, ishte një ulje koke që unë nuk e pranova. Këtë i kam thënë edhe Ilir Metës që nëse Kryeministri ka vështirësi në faktin pse unë flas dhe ai e ka të vështirë të pranojë që një Ministër flet, mendon dhe propozon, duhet të dalë para opinionit publik e ta argumentojë këtë gjë. Të dal edhe unë para opinionit publik e të them edhe unë pikëpamjet e mia, sepse ne jemi në një skenë politike e duhet të themi se çfarë mendojmë. Nuk është hajt se po iki unë, pasi nuk jam dakord.

Unë e kuptoj kur shumë njerëz thonë “po mirë ,kur ti nuk ishte me këtë qeveri përse ndenje’. Sigurisht isha pjesë e një ekipi politik, isha Ministër dhe unë prapë nuk jam kundër kësaj qeverie në thelbin e saj.

R. Xh: Sepse po ju trajtojnë si opozitarin e munguar të çadrës…

Y. M: Gjithë historia është se varet sesi e komentojnë komentuesit sjelljen time. Po të vini re me vëmendje të gjitha deklarimet e mia publike nuk atakojnë askënd, as ministra konkret, as Kryeministrin, askënd. Thjesht vendos një qëndrim parimor mbi një fenomen të caktuar. Për shembull, kam marr qëndrim që nuk komentoj mbi vendimin e Gjykatave, se po u fut edhe Ministri i Drejtësisë tek loja e komentimit që ky vendim është i drejtë apo i padrejtë, që ky vendim bën apo nuk bën, që ky Gjyqtar është apo jo kriminel, atëherë ka marr fund roli i Ministrit të Drejtësisë. Deri dje me ligj, Ministri i Drejtësisë kishte ekskluzivitetin e procedimit disiplinor. Kjo do të thotë që Ministri i Drejtësisë ishte e vetmi autoritet që çonte çdo gjyqtar në KLD për procedim disiplinor. Dhe nëse Ministri i Drejtësisë do të fliste publikisht për çdo vendim të Gjykatës, nuk do të kishte kuptim më procedimi.

Dua të sjell në vëmendje që asnjë nga deklarimet e mija nuk ka qenë personale për askënd. Natyrisht ka pasur kolegë të mijë që ndjeheshin të atakuar, por nuk ishte qëllimi im atakimi i qeverisë. As të bëja opozitën në qeveri. Qëllimi im ishte të vendosja një standard sjellje zyrtare, administrative, publike dhe politike i rolit të Ministrit. Me kalimin e viteve, roli i Ministrit është shuar, Ministri gati ka humbur si figurë. Duket si një njeri që ose do të marrë përgjegjësi për të bërë ca tendera dhe për tu përfolur nesër në shtyp, ose si një zëdhënës i zyrës së shtypit të Kryeministrit. Kjo nuk është normale, në një shoqëri demokratike, në një shoqëri ku qeveria duhet të ketë diversifikim mendimesh ,siç është një ekip menaxherësh, i cili ka një mendim e në fund fare gjykohet me argumente e me vendim. Por unë kur kam hyrë në qeveri e kisha të ndaluar të flisja.

R. Xh: Në çfarë kuptimi nuk flitej?

M: Kryeministri kishte dhënë urdhër që në qeveri nuk ka komente e nuk flitet. Vetëm lexohej titulli i vendimit, fjalë koti, dhe mirupafshim e miratohej, nuk kishte as votim e asgjë. Në këtë rast sigurisht që unë do reagoja. Në bazë të ligjit e jo në bazë të qejfit, Ministri i Drejtësisë do të reagojë. Dhe kam gjetur mirëkuptim me Kryeministrin në atë kohë.

Y. Xh: Ju keni pasur marrëdhënie të mira me Ramën gjatë kohës që ishit Ministër?

M: Unë nuk kam pasur asgjë personale më Ramën e as Rama me mua. Kjo është një tezë tjetër që prej vitesh është futur e përflitet se Manjani e ka personale me Ramën dhe anasjelltas. Ne nuk kemi asgjë personale, as nuk kemi punuar ndonjëherë bashkë, nuk kemi ndarë tendera bashkë, as leje ndërtimi e as baballarët tanë nuk janë njohur ndonjëherë.

R. Xh: Keni qenë njeri i afërt me Ramën në një kohë tjetër politike.

Y. M: Jo i afërt, por kemi bashkëpunuar në kohën kur ai ishte Kryetar i Bashkisë, për një projekt politik të përbashkët. Unë kam pasur shumë dëshirë edhe shpresë te Rama, sepse ai realisht simbolizonte një brez të ri politikanësh me shume pasion, vullnet, me shumë qytetari brenda, por me kalimin e kohës m’u qartësuan disa ide që Rama i mbarte, dukeshin si fëmijërore në fillim, por me kalimin e kohës u zhvilluan shumë, që janë të rrezikshme.

R. Xh: Të tipit?

Y. M: Të tipit, lodhesh për të bërë një ligj dhe e zhvlerëson atë ligj me lehtësinë më të madhe, sikur nuk ekziston fare.

R. Xh: Ngaqë urren burokracinë?

Y. M: E vërtetë, e urren burokracinë.

R. Xh: Është gjë e keqe kjo?

Y. M: Sigurisht që është gjë e keqe për një njeri që flet për shtetformim. Burokracia është thelbi i shtetit, sepse burokracia është memoria, vendimi që sapo folëm pak më parë, në lidhje me draft vendimin për dëmshpërblim të Zharrëzës. Më thoni kush burokrat mund ta prodhojë atë, është bërë thjesht sa për të thënë që hajde të bëjmë një negociatë që t’i heqim qafe, këta banorët. Nuk është gjithçka politikë, burokracia ka rolin e vet, ligji ka rolin e vet.

R. Xh: Meta është burokrat prandaj shkuat tek ai?

Y. M: Para se të vijmë tek Meta, ne kemi historinë e 2009-ës. Gjatë atij viti në PS, një grup njerëzish ku ndër ta isha dhe unë, bashkë me Ben Blushin, Kastriot Islamin, Andis Harasanin, Marko Bellon. Në atë kohë them që ishte pa frikë një e treta e Kongresit e firmosur me firmë për të kërkuar largimin e Ramës, sepse Rama praktikisht kishte vënë bast që po humba zgjedhjet iki nga partia. Unë nuk kam qenë në fillim që Rama të ikte nga partia, por ai artikuloi vërtetë disa teori të rrezikshme, në kuptimin e jetës demokratike në parti dhe sigurisht që u bashkova me grupin që në atë kohë u krijua me emrin LMN (Lëvizja për Mendim Ndryshe). Kemi bërë kritika por dhe në atë kohë nuk ka qenë kurrë personale.

R. Xh: Po personale është se të duash të heqësh Ramën …

Y. M: Unë jam përkrahës i idesë që çdo gjë në jetë është personale dhe pastaj e gjen edhe parimin se ku futet. Por realisht që nuk kishim asnjë interes për ta pasur personale, se çfarë do na ofronte Rama ne apo mua si person. Çfarë do më ofronte, punë në opozitë, nuk të ofronte. Pra ishte e gjitha parimore.

R. Xh: Mund t’ju ofronte punë në Bashki?

Y. M: Unë nuk kam pranuar të shkoj në Bashki atëherë, mendoja se do isha më mirë avokat dhe ashtu kam punuar e jetuar në atë kohë. Më mire sesa të angazhohesha me një punë të rëndomë e administrative dhe që nuk më jepte lirinë për të menduar. Sepse puna në administratë, burokrati nuk të jep lirinë për të menduar dhe kjo është një gjë që të vë në vështirësi. Kjo ka ndodhur pak a shumë dhe me sfumimin e LMN-së, unë u bashkova me z. Meta. u bashkova me të për të vazhduar projektin e kontributin politik. Nuk u bashkova me një parti të djathtë, unë nuk shkova te PD. Sigurisht i lënë edhe jashtë forumeve të Partisë Socialiste dhe jam lënë me një telefon, jashtë. Thjesht morën në telefon Kiçon, njeriu që organizonte dhe i thanë mos e thërrisni  më në takime,  atë. Kjo ishte e gjithë historia.

R. Xh: Pate ndonjëherë kartë anëtarësimi?

Y. M: Po sigurisht, i kam ruajtur edhe sot e kësaj dite, kam edhe të Fatos Nanos edhe të Musa Ulqinit, të Edi Ramës jo asnjëherë në fakt.

Ky ka qenë largimi nga PS, nuk e zgjodha unë ishte thjesht ‘mos e thërrisni më në forum’, unë nuk u thirra më dhe vazhdova punën time. Dhe vazhdova me LSI-në, e cila është një parti që vjen nga PS-ja, qëlloi që ishte në koalicion me PD-në. Unë nuk kam kërkuar që të hyja në punë, realisht nuk kam kërkuar punë, Meta insistoi që të merrja një detyrë dhe u bëra Zv. Ministër me qeverinë e shkuar. Kisha ca hezitime për çështje stature sepse pozicioni i Zv. Ministrit në atë qeveri dhe në këtë qeveri është realisht i pazgjidhur, është diçka thuajse kot, në kuptimin administrativ.

R. Xh: Po na dëgjojnë edhe gjithë ata Zv. Ministra dhe mbase është fyese t’i thuash jeni kot .

Y. M: Po e dinë ata, e dinë vetë. Kështu që nuk po them ndonjë gjë të re, unë e kam bërë detyrën e Zv. Ministrit shumë më shumë se ata që janë sot, 2 vjet me atë qeveri dhe 2 vjet me këtë qeveri.

R. Xh: Në njëfarë mënyre ju i keni provuar të gjitha qeveritë, që nga z. Nano, z. Berisha, z. Rama. kë mund të veçoni tani që i shikoni gjërat nga larg?

Y. M: Unë besoj që z.Nano ishte shkollë politike. Unë kam mësuar nga Fatos Nano, ai ishte njeriu që insistoi. Në atë kohë unë punoja në OSBE, kisha një rrogë të mirë e nuk kisha ndonjë detyrim që t’i bashkohesha shtetit. U njohëm nga OSBE-ja dhe Nano insistoi që unë të afrohesha pranë tij, ishte viti 2002 kur ai u emërua Kryeministër, pas historive të katarsisit, që kanë qenë një spektakël në vetvete dhe një shkollë politike ndonëse shumë veta e kritikojnë atë për mënyrën sesi u bë. Por, sidoqoftë një model transparence ajo ka qenë. Për herë të parë në politikën shqiptare, literalisht nuk pipëtinte ,njeri po ta kujtojmë ato kohë. Por një model transparence brenda forumeve të partisë e dha Fatos Nano. E dyta, ka shumë njerëz që thonë që Fatos Nano , për shkak të dembelizmit apo arsyeve të tjera, ishte një njeri tolerant. Por ai ishte një njeri që njihte shtetin, administratën. Vlerësonte në mënyrë të jashtëzakonshme letrën, firmën, procesin, kjo është e vërteta e Fatos Nanos.

Kur mendoj debatin që ka qenë me Fatos Nanon, të paktën unë dhe e krahasoj me debatet e sotme është kot fare.

R. Xh: Për çfarë debatohej atëherë e për çfarë debatohet sot?

Y. M: Debatonim për çështje ose skemash politike ose skema për mënyrën sesi do të merrej një vendim i caktuar, gjithmonë me respekt. Sot këto gjëra nuk ekzistojnë, pra mënyra sesi merret një vendim, është krejtësisht jo e paligjshme sepse nuk lidhje fare me ligjin, nuk ka asnjë sens, e asnjë logjikë. E përsëris, në mbledhjet e qeverisë Rama, lexohej titulli dhe direkt miratohej, nuk merrej vesh kush e miratoi, si e miratoi, nuk merret vesh kush është pro e kush është kundër. Është një histori që nuk mund të jetë kështu dhe nuk është kështu. Lexoni ligjin e Këshillit të Ministrave dhe nuk është kështu. Në çdo forum që është kolegjial, patjetër që ka një vendim. Rama është i bindur që në një qeveri nuk votohet dhe unë mendoj që e ka të paligjshme. Në qeveri dhe në çdo forum kolegjial, patjetër që votohet. Është tjetër gjë që ekspozohet në publik ose jo vota, kjo është temë tjetër.

Në mbledhjet e qeverisë vota nuk ekspozohet sepse sipas Kushtetutës mbledhjet janë të mbyllura dhe askush nuk mund të dal ne media dhe të thotë që unë votova kundër ose nuk isha dakord. Nëse nuk ishe dakord dhe votove kundër atëherë largohesh, sepse është shkelje etike. Dhe kjo është etika, nuk është etika e Endri Fugës që thotë të mos flasësh pa leje. Ajo nuk është etikë, por diktaturë.

R. Xh: Jo pa leje, por ndoshta të mos thuash atë gjë që kësaj qeverie nuk i intereson. Për shembull, momenti që ju keni folur për ushtrinë që duhet futur për hashashin. Po të rikthehemi pas, mund të ketë një tërheqje nga ana juaj?

Y. M: Jo, asnjëherë. Nëse një Kryeministër nuk pranon faktin dhe nuk tregon përgjegjshmëri sesi ta zgjidhësh këtë punë, kur do ta bësh ti këtë gjë, kur nuk do të jesh Kryeministër e do të jesh asgjë?!

R. Xh: Ju e diskutuat në një mbledhje të LSI-së atë vendim, ishte një qëndrim i LSI-së?

Y. M: Nuk ishte vendim i askujt, ishte një qëndrim i përgjegjshëm i Ministrit të Drejtësisë, jo personal. Po të ishte personal, ka zgjedhje të tjera personale.

R. Xh: Epo ishte si bombë ajo. Ju hodhët një bombë.

Y. M: Nuk hedh bombën Ministri i Drejtësisë, bomba kishte ndodhur në territor dhe kjo është një nga tezat e tjera të rrezikshme që ka Kryeministri, që fajin e ka ai që flet. Nuk sheh problemin që e kemi në territor por ti që e thua pse e thua. Çfarë domethënë kjo dhe kjo është një tezë tjetër për të cilën unë e Kryeministri nuk ishin në dakordësi.

R. Xh: Iu kërkoi llogari Kryeministri përse folët për këtë gjë?

Y. M: Mbaj mend që kemi bërë një debat me mesazhe në WhatsApp. dhe jo mbledhje qeverie. Ça mbledhje qeverie, ku flitet aty.

Çështja e hashashit është një fakt, ka ndodhur në Shqipërinë e dy viteve e gjysmë të fundit, pra deri në momentin që unë dhashë atë deklaratë. Dhe nuk e dhashë për të fyer askënd dhe nuk thashë në deklarimin tim që fajin e ka Ministri i Brendshëm. Tjetër gjë që Ministri i Brendshëm u ndje fajtor dhe doli menjëherë të reagonte. Unë nuk thashë që Ministrja e Mbrojtjes ka faj për këtë punë e cila doli menjëherë. Nuk thashë asgjë nga këto. Unë thashë që ky fenomen ekziston dhe duhet ta pranojmë, ky fenomen duhet ta luftojmë, ta shkulim nga toka dhe nga koka e çdo shqiptari sepse nuk na nderon. Këtë duhet ta bëjmë me çdo mjet, duke përfshirë edhe ushtrinë. Unë nuk thash të dali ushtria. Thash ekzakt këtë gjë, fenomeni ekziston dhe duhet ta luftojmë. Fenomeni ekziston edhe sot e kësaj dite, ja pasojat e të cilave po i vuajmë edhe sot. Sepse 8 ton drogë që kalojnë nga dogana e askush nuk mban përgjegjësi dhe kjo është e papranueshme. E lëmë sasinë e parave dhe të drogës por imazhi që përçohet tek shtete fqinje, që në Shqipëri ka vetëm drogë dhe asgjë tjetër, sigurisht që nuk e nderon as Ministrin e Drejtësisë, as Kryeministrin, as Parlamentin.

R. Xh: Pra, nuk i ndryshoni asgjë asaj deklarate, ushtria do ju dukej zgjidhje.

Y. M: Jo se do më dukej zgjidhje, por e theksoj ka qenë një deklaratë e përgjegjshme e Ministrit të Drejtësisë. Një Ministër i përgjegjshëm ngre çështje dhe ofron e zgjidhje.

R. Xh: E dinit që pas asaj deklarate do mbyllej pak a shumë marrëdhënia juaj si Ministër me qeverinë Rama?

Y. M: Nuk më ka shqetësuar asnjëherë kjo pjesa, sepse unë që ditën e parë të punës si Ministër, puna ime ka filluar e paragjykuar. Ka qenë e çuditshme. Më vonë u sqaruan disa elementë që kishte një fryrje të Kryeministrit dhe njerëzve të tij tek ambasadat e huaja që po na vjen një Ministër i vështirë që na e kanë sjellë me qëllim për të na prishur reformën. Ishte krejt pa lidhje, sepse Ministri i Drejtësisë nuk kishte rol në reformën në drejtësi.

R. Xh: Ju është thënë ambasadorëve?

Y. M: Po, Ambasadori Amerikan kishte lëshuar një ultimatum sipas Kryeministrit ditën e parë të punës, që unë do hyja në ministri dhe po atje do bëhej një konsultë, një debat publik për reformën në drejtësi. Ultimatumi ishte që Ministri i Drejtësisë të mos marrë pjesë edhe pse godina ku bëhej kjo ishte vet Ministria e Drejtësisë.

R. Xh: Kush e kishte kërkuar këtë gjë?

Y. M: Sipas Kryeministrit ishte Ambasadori Amerikan. Atë ditë qëlloi që nuk u arrit të bëhej betimi dhe unë po atë ditë jam takuar me të dy ambasadorët e ka qenë një takim shumë miqësor, ishte takimi im i parë me ta dhe besoj janë sqaruar të gjitha ato elementë. Fakti është që Ministri i Drejtësisë nuk kishte rol tek reforma e drejtësisë, pasi ishte transferuar nga qeveria, kishte vajtur në Parlament.

R. Xh: Por pas shkarkimit tuaj, është thënë se ju keni ndikuar, ju prekët reformën në drejtësi?

Y. M: Cilën reformë preka unë? Unë kam thënë, kam ndarë në Parlament, në Qeveri dhe në publik pikëpamjet e mija për reformën në drejtësi, pikëpamjet e Ministrit të Drejtësisë për reformën në drejtësi. Sepse vërtetë ishte transferuar reforma në Parlament por kjo nuk do të thotë që Ministri i Drejtësisë nuk ka mendime për të dhënë.

R. Xh: Pavarësisht se për ju ka firmosur Edi Rama në shkarkimin tuaj, nuk mund të mos pranoni që juve iu ka shkarkuar gjithashtu Ilir Meta, shefi juaj i LSI-së

Y. M: Komunikimin ma ka dhënë Ilir Meta, mua Edi Rama nuk më ka thënë asnjë fjalë, as për dorëheqje e as që je shkarkuar. Unë këtë e di nga Ilir Meta. Patjetër që ka qenë dakodësia e Ilir Metës gjithashtu, patjetër që po. Dhe këtë e mirëkuptoj, nuk e diskutoj fare. Ministri është pjesë e konjukture politike. Në një moment të caktuar mendohet që shërben e në një moment të caktuar mendohet që nuk shërben. Kështu është loja në politikë, të lëvizin, nuk je i përjetshëm. Por ajo që unë nuk kam pranuar, është që realisht të tërhiqem me kokë ulur, sepse nuk bëra diçka mirë. Nuk e mendoj këtë gjë, përkundrazi bëra sa munda. Patjetër duhet të kisha bërë më shumë, pata dhe nisma ligjvënëse të cilat u refuzuan në mënyrë sistematike nga Kryeministri. Jo direkt ai , sepse ai mund të thotë që nuk jam marr me atë punë, se merrej sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i cili është mbi Ministra, mbi Kryeministrin, mbi qeverinë, mbi gjithçka.

R. Xh: Të njëjtin mendim keni dhe ju, si zoti Vasili tani?

Y. M: Unë i kam dhënë me shkrim këto gjëra. Janë të thëna e stërthëna në qeveri që rol të përgjithshëm në gjithë qenien e tij zyrtare, nuk kam asnjë personale me të, përkundrazi e kam mik.

Por me sjelljen e tij zyrtare nuk ka lidhje fare me ligjin e Kushtetutën. Fare Fare. Është diçka që nuk ia vlen ta çoj më tej, sepse do duket personale por nuk kam asgjë të tillë. Është vetëm parimore, Sekretari i përgjithshëm në raport me një ministër është thjesht një nëpunës. Tendenca për të anashkaluar vendimmarrjen e qeverisë, për të anashkaluar ministrat dhe për t’i bërë gjërat fakt të kryer se kështu e ka thënë Kryeministri, këtë unë nuk e kam pranuar asnjë sekondë të qenies time Ministër.

R. Xh: Por, tani ju jeni në dispozicion të Ilir Metës nëse ai ka një vend tjetër për t’ju punësuar? Cili është raporti juaj me partinë që vendosi t’iu shkarkojë?

Y. M: Unë jam anëtar i Kryesisë së LSI-së,edhe pse mua nuk më ka munguar ndonjëherë nevoja për ofiqe që të tregoj se çfarë mendoj e çfarë di të bëj. Kështu që, unë nuk jam shkëputur nga jeta organizative e LSI-së, por unë kam qenë e jam avokat, se ndërkohë dua edhe të jetoj, prandaj riaktivizova licencën e avokatit dhe Dhoma e Tiranës më zgjodhi anëtar i Këshillit Drejtues të saj. Unë avokat kam qenë dhe do jem, cilado qoftë skena politike. Unë nuk pres asgjë, nga askush.

Unë i kam ikur babait tim herët dhe nuk kam pranuar që babai im të mendojë për mua dhe nuk ka asnjë arsye që të mendoj që dikush tjetër do të mendojë për mua. Më falni për egoizmin, nëse kjo quhet arrogancë ,ndjesë! Por jam përpjekur të jem gjithmonë me këmbë në tokë , të mendoj vetë, të orientohem vetë, për veten dhe familjen time.

R. Xh: Keni vajtur nga LSI-ja së fundmi që mbas shkarkimit?

Y. M: Ne kishim një mbledhje kryesie javën që shkoi dhe madje kemi bërë edhe debat. Unë nuk përtoj të bëj detyrat e mia, ashtu siç jam qytetar aktiv në rrjetet sociale.

R. Xh: Jeni shumë aktiv e në Twitter. Është Ylli Manjani tani, jo më ministri i LSI?

Y. M: Unë Ylli Manjani ka qenë gjithmonë, duhet ta bëjmë këtë dallim. Shumë njerëz që kanë menduar, se më ka vënë Meta për të bërë këtë gjë apo për të bërë atë tjetrën, e kanë pasur gabim.

Realisht nuk jam unë një njeri i tillë dhe ndoshta kjo mund të ketë provokuar e ndonjë dëshirë edhe për të më larguar. Sepse unë nuk jam një njeri  që përçoj mesazhe në emër të tjerëve.

Unë mendoj para se të flas, mund të bëj gabime, është normale por ky jam unë. Në cilësinë e Ministrit dje, sot Ylli Manjani qytetar i lirë. Sigurisht i angazhuar, sepse në 17 vitet e fundit, unë jam marrë me jetën publike, politike dhe drejtën publike.

R. Xh: 17 vjet dhe ju jeni tani kurbani i një marrëdhënie të re Rama-Meta?

Y. M: Nuk e di këtë, kjo mbetet për tu parë.

R. Xh: A do të keni një marrëdhënie të re?

Y. M: Mbetet për tu parë. Unë nuk jam i interesuar tek kjo pjesë. Nëse ka një marrëdhënie të re, një marrëdhënie, është diçka që i intereson kryetarit të LSI-së. Ai e di më mirë se çfarë është më e mira për partinë.

R. Xh: Besoj nuk ishte e mirë për Metën, që u folët pas shkarkimit?

Y. M: Nuk e di këtë. Unë sigurisht që do bëja një ndarje në mënyrën zyrtare. Po ikte Ministri i Drejtësisë, nuk po ikte drejtor i burgut të Vaqarrit dhe ishte Ministri i dytë i Drejtësisë brenda këtij mandati. Kjo duhet ta shqetësonte opinionin publik. Nuk jemi ndarë se kishim disa mosmarrëveshje, jemi ndarë për arsye parimore. Në thelb, unë jam shkarkuar, sepse mendova dhe fola.

R. Xh: Z. Naço as mendoi e as foli. Po ai përse u shkarkua?

Y. M: As atij nuk iu dha një hapësirë bashkëpunimi brenda ekipit qeverisës si Ministër Drejtësie. Unë e fitova këtë hapësirë, por nuk ishte sjellja e duhur. Kjo mendoj unë është një shqetësim shumë i madh për publikun. Po hape gojën ke një pasojë. Çfarë duhet të ndodhi tjetër pas 27-28 viteve demokraci pluraliste, kur sot ndalohet e drejta e fjalës.

R. Xh: “Ishit ministër, jo një opinionist, një opinionbërës, një opinion tjetërsues,”- ka thënë z. Rama.

Y. M: Ato janë batutat e Ramës për të kaluar radhën. Por Rama ka një borxh publik, t’u sqarojë shqiptarëve përse është kundër lirisë së fjalës. Nuk bëhet opinioni ashtu siç mendon Rama, e di shumë mirë ai këtë punë. Pavarësisht paktit që ata kanë pasur me veten e tyre që mos të flasin për këtë temë.

R. Xh: Në Twitter keni qenë shumë aktiv.

Y. M: Po, kam qenë sepse temat janë të tilla dhe dinamika e ngjarjeve aktuale është e fortë, veçanërisht pas protestës së opozitës dhe ngatërresa që bëhet me procesin e Vettingut është pak irrituese.

R. Xh: Çfarë do të thotë ngatërresa? Fakti që ajo protestë po bllokon Vettingun?

Y. M: Këtë thotë z. Rama. Dua t’ju jap një informacion ligjor. Ta zëmë se nuk do ishte protesta, opozita do ishte në parlament, gjërat do shkonin normalisht. Ende nuk ka filluar afati ligjor që parlamenti të ketë një vendim për të marrë. Ky afat fillon diku nga data 3 mars, pra nga fillimi i verës së ardhshme. Pra ende parlamentit nuk i ka ardhur dita që të flasë për këtë punë. Atëherë ku e bllokon opozita Vettingun?

R. Xh: Se nuk do jetë me 3 mars në parlament.

Y. M: Ku e dimë ç’do të ndodhë. Sot për sot pse artikulohet kjo tezë?

R. Xh: Është një tezë që artikulohet në parantezë.

Y. M: Jo nuk është në parantezë, por është e qëllimshme sepse tashmë partitë kanë filluar fushatën zgjedhore dhe nuk u intereson fare Vettingu. As reforma.

R. Xh: As Ramës dhe as Bashës?

Y. M: Sigurisht që as Ramës. Rama do një alibi dhe e ka gjetur këtë alibi që është çadra e opozitës për t’u bërë i besueshëm, që është kjo çadra pavarësisht se ne i kemi bërë të gjitha punët, kemi gjetur 300 mijë vende pune, i kemi mbajtur të gjitha premtimet, por na kanë mbetur disa gjëra të vogla, që janë kriminelë andej nga gjykata dhe disa kriminelë të opozitës që po na pengojnë Vettingun.

R. Xh: Po disa kriminelë andej nga gjykata janë. Tani nuk jeni më Ministër i Drejtësisë, nuk keni pse i merrni në mbrojtje.

Y. M: E kam thënë edhe këtë tezë, janë disa kriminelë, por unë nuk kam qenë dhe nuk kam për të qenë kurrë me logjikën që fajin për gjithçka e ka gjykata dhe opozita. Kurrë. Korrupsioni lind në tryezën e një qeverie sepse aty ndahen lekët. Korrupsioni lind aty ku ka lekë, aty kunadhen fondet.

R. Xh: Ishit ju ndonjëherë prezent kur ndaheshin lekë?

Y. M: Ndaheshin diku tjetër ato lekë, por në parim faji ose problemi për një sistem të korruptuar duhet kërkuar tek qeveria sepse sa më i madh të jetë zullumi qeveritar në fondet që ndahen, aq më i madh është bakshishi që ndahet në gjykatë. Në gjykatë ndahet një bakshish, kjo është e thënë fare thjesht. Opozita jo e jo që nuk ka lidhje fare me këtë histori sepse këtu vihet re se kush është teza politike e z. Rama. Teza politike e tij është që opozita është fajtore dhe duhet ndëshkuar, gjykata është fajtore për vendimet që jep, në fakt gjykata vendime do japë se çfarë do bëjë tjetër?!

R. Xh: Por nuk i ka gjithmonë të drejta.

Y. M: Drejtësia e vendimeve nuk parashihet në ndonjë republikë parlamentare që ta çmojë Kryeministri. Këtu fillon rreziku. Në qoftë se Kryeministri merr përsipër të thotë që ky vendim është i drejtë dhe ky i padrejtë, këtu ka mbaruar republika, ka rënë shteti. Kryeministri nuk ka punë fare me drejtësinë e vendimeve. Kryeministri dhe qeveria thjesht mbyllin gojën dhe i zbatojnë. Dhe nuk mund të ndodhë, siç ndodhi në Durrës, ku gjykata jep vendim pezullimi dhe kryetari i Bashkisë as nuk e çan kokën fare për gjykatën. Çfarë është kjo? Çfarë quhet kjo? Frymëzim politik për një interes elektoral. Nuk e ka fajin parlamenti, se këtu nuk është problemi vetëm te pushtetet e tjera, por këtu edhe parlamenti është nën qeverinë, që duhet të jetë e kundërta. Parlamenti duhet të jetë mbi çdo institucion tjetër. Më thoni ju çfarë nisme ka rrëzuar parlamenti deri më sot, nismë ligjvënëse të qeverisë. Vetëm ka bërë gam-gam aty sa ka mundur, ndonjë grup parlamentar aty-këtu ndonjëherë LSI ndonjëherë ndonjë tjetër, por në fund fare ka bërë çfarë ka dashur qeveria. Kjo nuk është demokraci dhe këto janë teza të rrezikshme të cilat z. Rama i përfaqëson. Kjo nuk është personale. Ai ka filluar ta bëjë këtë gjë me sukses, për hir të së vërtetës, që kur ka qenë në opozitë, që kur ndryshoi sistemi zgjedhor në marrëdhënie me z. Berisha. Dhe e bëri ekzakt këtë gjë për të krijuar idenë e një qeverie super të fortë, të një kryeministri super të fortë nga pikëpamja kushtetuese dhe ia ka arritur këtij qëllimi e po e shijon sot. Dhe kjo është arsyeja pse gjithë dynjaja është fajtore.

R. Xh: Partia ku ju jeni anëtar kryesie është në koalicion, është në qeveri, është në drejtim me z. Rama. Nuk ia njeh këtë rrezikshmëri?

Y. M: Ka përgjegjësitë e veta LSI-ja, patjetër. Pa diskutim që ia njeh këtë rrezikshmëri dhe ka përgjegjësitë e veta për aq sa e ka lejuar z. Rama të sillet në këtë mënyrë.

R. Xh: Domethënë vetëm sa e ka lejuar, jo se ka bërë diçka, përgjegjësia e LSI-së është se ka mbyllur sytë domethënë.

Y. M: Ose ka mbyllur sytë, ose nuk ka mundur ta ndalojë, por kjo është një histori tjetër. Besoj se nuk mund të gjykohet me të njëjtën përgjegjshmëri LSI-ja me atë që e bën. Le të flasim një herë për personin që e bën dhe Rama e ka këtë problem. Vini re sesi masakrohet në opinionin publik nga qeveria figura e deputetit. E mbani mend leksionin e parë të Edi Ramës në politikë për Ylli Vejsiun, ndjesë pastë dhe Limoz Dizdarin? Degjenerim. Po megafoni në parlament? Degjenerim sepse ai e ka në koncept, e ka mënyrë të menduari dhe këtu, sipas Ramës, parlamenti është fajtor, deputetët shiten si njerëz super të korruptuar. Po ku u korruptuan ata kur nuk kanë asgjë në dorë? Parlamenti nuk ka asgjë në dorë, deputeti nuk ka absolutisht asnjë lloj fondi në dorë, vetëm dietat që merr kur del jashtë shtetit apo ato orët jashtë orarit që ka tek komisioni. Kur u korruptuan deputetet përveç se i korrupton kryeministri partia e të cilit propozon deputetë me probleme kriminale dhe nuk thotë asnjë fjalë, absolutisht asnjë fjalë, i mbron deri në sekondën e fundit. Shan gjithë dynjanë, flet për kriminelë, flet për maskarenj dhe për kriminelët e partisë së vet, që i ka në parlament, që kanë shkatërruar në thelb parlamentarizmin sepse nuk është problemi thjesht figura e deputetit, dhe për këtë është përgjegjës Edi Rama dhe askush nuk po merret me këtë. Përgjegjës qenka gjykatësi të cilit i shkon një kërkesë padi.

R. Xh: Problemi është se ju vazhdoni të jeni pjesë e kësaj mazhorance, ju jeni anëtar i kryesisë së LSI-së. Duket sikur po thoni kjo gjysma e shtëpisë pikon, kjo gjysma ime jo.

Y. M: Këtu po flasim për përgjegjshmëri dhe unë thashë dhe jam i bindur për këtë, që në qoftë se nga kjo sjellje politike vendit i ka ardhur dëm, sigurisht që LSI është bashkëpërgjegjëse. Patjetër që po. Çfarë të themi, që ne jemi më të mirët? Jo pra, jemi bashkëpërgjegjës. Në qoftë se nga kjo qeveri e mbrapsht kanë ardhur vendime të gabuara sigurisht që LSI-ja për 5 ministrat e saj është përgjegjëse, edhe në rastet kur ka ndodhur, siç më ka ndodhur mua, që kam shprehur rezerva dhe kundërshti. Pavarësisht kësaj, unë prapë nuk i bëj publike ato, prapë them që jam përgjegjës, jam solidarisht përgjegjës për sa kemi marrë.

R. Xh: Keni më për të bërë publike?

Y. M: Jo, nuk i hyj atij muhabeti, nuk kam ndër mend të bëj rolin e dëshmitarit të Jehovait dhe as dëshmitarin mbrojtës, se këto janë terma që i kanë shpikur këta shkencëtarët e rinj të reformës në drejtësi, por çështja është që në vetvete ne duhet të kuptojmë kush është rreziku publik që po emetojmë dhe në të gjithë këtë histori duhet të kuptojmë disa gjëra, ose kryesorja është që në këtë moment situata është politike, është elektorale dhe nuk ka lidhje fare me Vettingun.

R. Xh: Pra kjo që po ndodh është elektorale, çadra është elektorale.

Y. M: Të kthehemi te Vettingu, edhe sikur të ishte opozita pa protesta dhe pa gjëra të tjera, të gjitha afatet ligjore të çojnë të besosh dhe të mendosh se Vettingu do të bëhej edhe pas zgjedhjeve.

R. Xh: Do ndodhte pas zgjedhjeve?

Y. M: Patjetër, nuk bëhet dot tani. Kështu që teoria se opozita po na pengon Vettingun është false, është e gabuar, është e rreme dhe përdoret për qëllime elektorale.

R. Xh: Kështu që le të rrinë në çadër protestuesit se nuk prishin punë tjetër, përveç trafikut.

Y. M: Ky është një vendim i Partisë Demokratike të rrinë në çadër apo të hynë në parlament, ky është problem i tyre. Po ju them vetëm që, në çdo skenar, Vettingu do të duhej të bëhej pas zgjedhjeve. Por ajo që do duhej të interesohemi ne sot është që nga ajo lista me 29 persona që ka selektuar Avokati i Popullit, mua më dalin 14 të papranueshëm sepse ose janë në një konflikt interesi permanent, ose janë të nxitur për të marrë hak ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që i kanë dënuar vetë ata ose i kanë akuzuar, sepse ka persona të akuzuar aty si për shpërdorim detyre. Një çështje është e një zonje që ka qenë me çështjen e Zydi Dajtit, e akuzuar. Sigurisht që ka marrë pafajësinë, por ama e akuzuar. Çfarë motivi do ketë ajo? Do vijë aty të marrë hak ndaj prokurorit që e çoi në gjyq sepse për atë punë ka hyrë ajo atje. Tani si ta besoj unë këtë? Ose ka njerëz që qartësisht kanë probleme me CV-të e tyre, me profesionin e tyre dhe të motivuar politikisht. Janë shtyrë për të futur sa më shumë konkurrencë që dikush që vlen, të mbetet jashtë gare.

R. Xh: Të gjitha Rama i ka bërë këto?

Y. M: Me thënë të drejtën shumicën i ka bërë ai. Kanë bërë edhe këta të tjerët, por ai ka bërë shumicën.

Ajo që është më absurdja është se lihen jashtë kësaj listës me 29 persona juristë me përvojë të spikatur, me formim dhe përvojë jashtë shtetit dhe vendosin këta që janë në konflikte si për shembull gra prokurorësh ose gjykatësish. Për çfarë hyn gruaja e prokurorit për të bërë Vettingun? E para për të shpëtuar burrin e vet dhe e dyta për të ndihmuar shokët e burrit. Çfarë roli tjetër ka ajo.

R. Xh: Tani kanë edhe mendjen e tyre ato gra, nuk janë patjetër vetëm gratë e atyre burrave.

Y. M: Mirë pra, unë nuk e di këtë a i kanë dashnore apo çfarë. Çështja është se unë po them cila është mënyra për ta kuptuar këtë gjë. Vettingu në vetvete kërkon njerëz shumë të pastër, kristal, jo njerëz që vijnë nga cektësirat e sistemit tonë sepse ndryshe nuk arrihet dot qëllimi. Në qoftë se ne Vettingun e shndërrojmë në një instrument hakmarrje dhe këtë kam thënë këto kohë, por edhe kur kam qenë Ministër, që ligjërimi publik që me Vetting do të zgjidhë problemin është hakmarrje sepse Vettingu nuk është instrument politik, prandaj u fut në Kushtetutë, prandaj e thirrëm edhe OMN-në. Për çfarë i thirrëm ata të OMN-së? I thirrëm pikërisht që të mos na lejonin të ndodhnin këto gjëra. Tani OMN-ja përjashton, në qoftë se është OMN-ja se nuk e dimë, këta që janë shkolluar jashtë, që nuk ia kanë lidhje fare me vendin, që mund të ishin figura shumë të mira për të bërë Vetting dhe fusin ekzakt në skenë njerëz të cilët në një mënyrë ose në tjetrën ose kanë lidhje me sistemin, ose kanë qenë të dënuar nga ky sistem ose akuzuar nga ky sistem, ose janë me njohje ose lidhje farefisnore dhe familjare me njerëz të cilët do votohen. Kjo është diçka që është e papranueshme dhe vetëm me këtë nuk po merret njeri. Shikoni sesi shmanget vëmendja. Pra shmanget komplet fokusi, thuhet se ka dalë opozita që na pengon Vettingun dhe po bëjnë këtë budallallëkun e mbledhjes së firmave, se për çfarë e bëjnë nuk e di. U afrova sot për kuriozitet tek një çadër dhe i pyeta çfarë është kjo, ta firmos edhe unë. Ja të bëjmë këtë ligjin e Vettingut, mu përgjigj një vajzë. I thashë, po mirë moj, nuk ta kanë thënë që ligji i Vettingut është bërë? Epo nuk e di unë, tha. Tani, e kuptoni se çfarë spekulimi është i gjithë ky? Dhe kjo është e gjitha për të treguar se unë kam 1 milion firma, përkundrejt juve leckamanëve të opozitës të cilët jeni të mundur e do t’ju mund. Pra e gjitha kjo është një lojë elektorale, nuk ka lidhje fare me logjikën e kësaj gjëje. Këto duhen thënë sepse kështu është e vërteta, sepse mua më dhemb sistemi.

R. Xh: Tek kjo loja elektorale, ku është partia juaj?

Y. M: Unë e lë partitë në sekondë, unë nuk bëj kompromise me partitë.

R. Xh: A ju e lini partinë për sistemin?

Y. M: Absolutisht po. Mua më dhemb sistemi, sepse sistemi i drejtësisë është e ardhmja e shtetit, gjykata e shtetit. Partitë bëjnë pushtet sa të duash, në Shqipëri ka pasur pushtet pafund dhe ka prapë. Puna është çfarë do bëjmë me shtetin. Pa diskutim që ka elementë brenda gjyqësorit dhe prokurorisë që duhen larguar, por nuk justifikohet kurrsesi, asnjë kryeministër i një shoqërie demokratike, se të një shoqërie diktatoriale po, që të thotë se atje ka disa kriminelë , që ata janë palë me krimin dhe ky që i ka kriminelët në parlament ky është burrë i mirë. Më fal, po ku është standardi këtu?

R. Xh: E di çfarë është problem nga gjithë kjo intervistë që ju bëtë, përmendët një moment dashnorët e grave të prokurorëve dhe me to do të merret media, siç u mor në rastin e Klement Balilit.

Y. M: Media ka nevojë për skupe dhe le t’i bëjë ato. Ato që kam thënë për videot te hoteli Balilit, janë të vërteta, meqë ra fjala, por nuk po i hyj atij diskutimi sepse janë shumë konfidenciale.

R. Xh: Të vërteta janë edhe ato?

Y. M: Patjetër që po. Janë konfidenciale. Më është dhënë mundësia t’i shoh në një çast dhe kaq, pikë.

R. Xh: Shërbimet e huaja i kishin?

Y. M: Po.

R. Xh: Nuk e ndihmuat ju Klement Balilin të shpëtonte.

Y. M: Po çfarë ta shpëtoja unë Klement Balilin. Është provuar shumë herë me dokumentacion, edhe në këshillin e sigurimit u konfirmua, që historia e Klement Balilit ka një datë, 17 maj 2016, dita kur në Interpol është lëshuar urdhri i arrestit dhe Interpol Albania, që administrohet nga Policia e Shtetit, ka pasur dhe ka detyrë ta arrestojë këtë njeri, që nga data 17 maj e vitit të kaluar. Ai njeri nuk është arrestuar. A i shpëtoi survejimit të policisë, a e liroi policia e të tjera si këto, faktet tregojnë që ai ka qenë i lirë, ka shëtitur lirisht dhe policia nuk e ka arrestuar. Policia të mos i vijë fare anash kësaj pune, jo doli urdhri i prokurorit dhe këto të gjitha janë alibi të cilat nuk justifikohen. Me 17 maj, unë Ministër i Drejtësisë kam marrë dijeni nga Interpol Albania që ky person është në kërkim dhe kam informuar Prokurorin e Përgjithshëm, pasi këtë bën ligji dhe në bazë të këtij ligji, këtë bën edhe Ministri i Drejtësisë. Po të doni merrni dhe verifikoni të gjitha qëndrimet e mia publike, jam i vetmi zyrtar brenda qeverisë që kam kërkuar sistematikisht arrestimin e Klement Balilit.

R. Xh: Saimir Tahiri nuk e arrestoi?

Y. M: Saimir Tahiri është ministër. Unë nuk merrem me të, pasi prapë më është marrë personale edhe kjo. Ministrat nuk arrestojnë, arrestimet i bën policia. Shkresa që i ka ardhur Ministrit të Drejtësisë, i ka ardhur nga z. Ardian Çipa, që është edhe drejtues i Interpolit dhe jo nga Saimir Tahiri. Kjo është diçka që më është atashuar si personale, që sa herë mbaja një sentencë publike, thoshin, ja i ra Saimirit. Po pse, ç’punë kisha unë me Saimirin, çfarë më ka bërë Saimiri mua?!

R. Xh: Po me Çipën e kishit?

Y. M: Me Policinë e Shtetit po, sepse siç na arreston neve policia greke të kërkuarit tanë, apo policia italiane të kërkuarit tanë, ashtu duhet të arrestojmë edhe neve për llogari të tyre. Sepse ky është Interpoli, ky është qëllimi i Interpolit dhe kjo gjë sigurisht është kompromentuar rëndë. Fakti që pastaj, policia e kapur në faj, tentoi t’ia hedhë fajin prokurorisë, që nuk na ka dalë një urdhër arresti, jo nuk funksionon kështu, nuk del urdhër arresti. Kape një herë personin dhe pastaj del urdhër arresti, ky është rregulli. Urdhër arresti del kur ka një akuzë dhe akuza ka ardhur vonë, kur ka ardhur dosja nga Greqia dhe u formulua një akuzë. Aty u lëshua edhe urdhri i prokurorisë për arrest.

R. Xh: Z. Manjani, në qoftë se do ju kërkonin këshillë në mbledhjen e kryesisë së LSI-së për vazhdim të koalicionit me partinë e z. Rama, cili do të ishte mendimi juaj, po flas për 2017-ën?

Y. M: E majta në Shqipëri duhet të jetë e bashkuar. Sigurisht që edhe brenda Partisë Socialiste ka kritika të rrepta për drejtimin e saj, për atë që quhet Rilindje, e cila nuk përfaqëson partinë socialiste. Jam i bindur që po të pyesni edhe z. Ruçi, kështu mendon për Rilindjen, pavarësisht se mund të mos e thotë.

Kështu që kritika ka, patjetër që ka, por e majta duhet të jetë e bashkuar, pavarësisht nga pikëpamja se çfarë mendoj unë për z. Rama, edhe pse nuk i heq asnjë pikë e presje rrezikshmërisë së tezave politike që ka z. Rama në raport me demokracinë, në raport me partinë, në raport me shtetin.

Por ne nuk kemi luks, mendoj, që të marrim koston e përçarjes të së majtës. Veçse ka një problem. Edi Rama nuk është serioz dhe kjo ka qenë një pjesë e debatit politik të prodhuar në lidhje me deklaratat e mia. Edi Rama nuk mund t’i thotë partnerit strategjik: Me kë do martohesh?  Kemi edhe këtë tjetrin, por ti ndaje mendjen se çfarë do të bësh.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë as më pas e as më shumë që është minimalisht jo serioz dhe maksimalisht dashakeqës. I bie që Rama nuk e do LSI-në në koalicion, po të duash ta analizosh këtë gjë. Pastaj u zbut qëndrimi, pastaj filloi një leksion për të gjatin, për të shkurtrin, për viganin e shkurtabiqin, pra asnjë projekt serioz. Çfarë do të bëjmë me të majtën? Si ta bëjmë vazhdimësinë e marrëveshjes së Shkodrës? Këtë kam thënë unë dhe kjo nuk do të thotë që unë jam kundër koalicionit.

R. Xh: Keni thënë mjaft koalicionit të hashashit.

Y. M: Unë kam thënë që koalicioni me hashashin është mbyllur në përgjigje të një projekti katastrofik, mendoj unë, që jam i bindur se nuk do të ndodhë, por sidoqoftë si ide dhe kjo ndodh përgjithësisht tek ata liderë që janë në fazën e degjenerimit. Kur u vjen faza e fundit, fillojnë e shpikin kështu idesh, si projekti 1 miliard e histori të kësaj natyre. Sigurisht që ai nuk është një projekt serioz, është një projekt i cili duhet refuzuar me përbuzje, sepse rasti më i mirë është se është një projekt për pastrimin e parave dhe rasti më i keq është që t’i nxisë njerëzit të tërheqin lekët nga bankat për të bërë shoqëri investuese, modeli grek ky, dhe për t’i futur në investime publike që nuk i merr dot kurrë dhe kjo është e ngjashme pastaj me piramidat. Këtë kam kundërshtuar unë dhe kur kam folur për hashashin sigurisht vazhdoj të mbetem kritik për pjesën e hashashit sepse hashashi nuk është vetëm çështje e degjenerimit të shoqërisë, që është shumë e rëndësishme, por në afat të shkurtër hashashi rrezikon seriozisht zgjedhjet e ardhshme, sepse efekti i hashashizimit është kapilar, varfëria sot blihet me tym hashashi dhe me para të ofruara në këmbim.

8 komente në “Intervista e plotë/ Manjani: Debatet e mia me Ramën në WhatsApp, jo në mbledhje qeverie”

  1. Dritani USA says:

    Un mendoj se ky eshte skizofren.llapaqen i rrezikshem,dhe inatci i pakorigjueshem.

  2. vajto says:

    Kush mor lexon qfar thot ky ,mjerim, soji i tij meqen minister

    1. Alvin says:

      Ti pra je meqë e paske lexuar.

  3. Bardhi Tolabi says:

    Cfare lidhje ka nje minister drejtesie,me sherbimet e huaja?Perse keto sherbime,nuk i percjellin informacionet e tyre ne rruge zyrtare,tek kryeministri,sepse edhe sic deklaron Manjani,nuk behet fjale per personin e tij,ne keto “kuplarat” e Balilit?Dhe ne se e ka marre kete informacion konfidencial,cila eshte “perpjekja” e tij per te “shpetuar” “nderin” e koalicionit,ku ben pejse dhe ai?E ka njoftuar Ilir Meten,apo Edi Ramen per kete informacion?Ne se jo,perse ha mut sot,qe nuk eshte pjese e kesaj qeverie?
    Kaq kredi kishte ky Ylli Manjani tek Klement Balili,qe shihte kamerat e sigurise te “Santa Quaranta-s”?Ky vinte ne kete hotel me pune,me pushime apo per hetime?Le te shpjegoje se ne cilin funksion vinte atje.Apo mos vinte si manjak seksi?
    Vetem nje shpjegim ka kjo e dhene e tij:Klement Balili ishte nje kuader “besnik” i LSI-se dhe e perdornin drejtuesit e LSI-se,te siguronte material “kompromentues” per “vizitoret e ndryshem” tek hoteli i tij.Edhe femrat besoj se ne sherbim te hotelit duhet te kene qene,prandaj dhe nuk i ekspozon Manjani.Kete material “kompromentues” ishte ngarkuar ta “mblidhte” ky Manjani…
    Nuk ka justifikim LSI-ja,nuk ka se si te laje duart nga miqesia e thelle me kete “Eskobarin” e Ballkanit…

  4. saliu says:

    Mendja me e dritur e drejtesise shqiptare hahahhahahahah.
    Ky eshte vetem nje deshtak i perdorur nga te gjithe pervec Rames qe e ka perzene si thote Jozefina duke e kapur per zhelesh e jashte. Eshte i madh Rama i njeh mire njerezit qe e rrethojne, nuk i duron ai plehrat qe mbajne ere dhe vepron shpejt per ti pastruar, packa se ky inatciu i “vackel” kerkon te rrise karatin me intervista “budallaqe”.

  5. REZI says:

    Fix e ke shkruar Dritan. Asnjë koment më shumë s’meriton ky fshatar mëndjemadh.

  6. Drejtësia says:

    E megjithatë Ti ish ministër mbetesh një njeri i vockël.
    Yyyyyyyyy bajgë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje