Tryezë e rrumbullakët me shoqërinë civile mbi transparencën dhe llogaridhënien në industrinë nxjerrëse në Shqipëri

28 Shkurt 2017, 15:00Sociale TEMA

Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) në bashkëpunim me Sekretariatin Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI Albania) organizuan më datë 27 Shkurt një tryezë të rrumbullakët mbi “Transparencën dhe llogaridhënien në industrinë nxjerrëse në Shqipëri”. Kjo tryezë,  e zhvilluar  për herë të parë, ofroi mundësi për të rritur dialogun me shoqërinë civile mbi transparencën dhe për të forcuar bashkëpunimin mbi këto çështje.

Aktorët e shoqërisë civile të cilët ishin pjesëmarrës në këtë takim evidentuan nevojën për rritje të mëtejshme të transparencës në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare si dhe theksuan nevojën për të përmirësuar kuadrin ligjor sa i përket dhënies së informacionit për mënyrën se si shfrytëzohen pasuritë natyrore nga kompanitë që operojnë në këtë sektor.

Në këtë takim, u diskutua për mënyrat se si mund të nxitet angazhimi aktiv i organizatave të shoqërisë civile në konceptimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e procesit të rritjes së transparencës në industrinë nxjerrëse. Gjithashtu diskutimi u përqendrua mbi faktorët ligjorë apo rregullatorë të cilët paraqesin pengesa dhe vështirësojnë pjesëmarrjen e lirë dhe aktive të shoqërisë civile në zbatimin e misionit të EITI.  Më tej, përfaqësues të OJF-ve diskutuan edhe mbi mënyrat se si mund të sigurohet struktura e duhur mbështetëse ligjore, procedurale si dhe praktike që do të ndihmonte organizatat e shoqërisë civile në  nxitjen e dialogut për zbatimin e principeve të EITI.

Andi Kananaj, drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile theksoi se ndihet i surprizuar nga një nismë e tillë të cilën e vlerësoi maksimalisht për kontributin në rritjen e transparencës në këtë sektor. “Jam  ndier i surprizuar me nismën, pasi kur protestoja në 2004-n, ne kërkonim pikërisht llogari për këtë çështje dhe nuk arrinim të gjenim informacion. Është një platformë që të lejon të informohesh dhe të kërkosh llogari më pas”, tha Kananaj.

Ndërsa përfaqësuese e MSG, Grupi Shqiptar i Punës, Anila Hajnaj, theksoi rëndësinë e transparencës edhe në pjesën e kontratave për të gjitha kompanitë që përfitojnë nga burimet vendase.  “Një  nga çështjet kryesore është pronësia, hapja e dokumentacionit për të marrë vesh se kush është pronari i vërtetë. Qëllimi ynë është t’i shkojmë në thellësi çdo gjëje. Të gjitha kontratat duhet të jenë të hapura për të marrë vesh se deri ku shkon detyrimi për komunitetin. Në çdo kontratë ka përqindje që kompania duhet të japë si fonde për investime për komunitetin, por është e vështirë të kuptohet sepse kontratat hidrokarbure janë të mbyllura”, tha Hajnaj.

Na javët në vazhdim EITI Albania do të publikojë dhe raportin vjetor për këtë industri nëShqipëri. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje