Alfred Serreqi: Unë e Berisha jemi inde që nuk pajtohen imunologjikisht

Ish-ministri i Jashtëm reagon pas një interviste të botuar në “Gazeta Shqiptare”. Ai pretendon se ajo intervistë nuk është dhënë asnjëherë prej tij.

Nga Alfred Serreqi*

Më datë 20 shkurt “Gazeta Shqiptare” boton në faqen 6 një intervistë të lajmëruar në faqen e parë të saj, me titull “Alfred Serreqi: Shkëputja nga PD–ja në ‘97, ja çfarë ndodhi”.

Së pari, dua të sqaroj të gjithë lexuesit dhe opinionin publik se unë, Alfred Serreqi, nuk kam dhënë asnjëherë asnjë intervistë, as intervistën në fjalë, për asnjë organ të shtypit shqiptar, në respekt të një vendimi që e kam marrë që në vitin 1997. Kam komunikuar me drejtuesit e “Gazetës Shqiptare” dhe kam kërkuar prej tyre që të bëjnë përgënjeshtrimin, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Në këto rrethana detyrohem të drejtohem në gjykatë për të gjetur një zgjidhje ligjore, gjë që do ta bëj, por më së pari, detyrohem të shprehem publikisht për të korrigjuar disa opinione të shprehura kinse nga unë, që cenojnë figurën time e bien ndesh me mendimet e mia.

Një mik i imi shume i mirë e shumë i ditur, prof. Repishti ne New York më dërgonte një përshëndetje por jo një miratim të plotë të pseudo-intervistës. Unë i kujtoj me mall takimet e bisedat e paharruara me profesorin, por mesazhi i tij më shkaktoi njëkohësisht një keqardhje të vogël: profesori s’e kishte dyshuar për asnjë çast autorësinë e shkrimit. Një tjetër person shumë i afërt më bëri këtë pohim: “cilido që e lexon dhe e beson si tënden, ka gjasa të zhgënjehet në mos për tjetër, për gjuhën e përdorur”. Edhe për këta miq e dashamirë të mi, shumica e të cilëve nuk ndajnë me mua plotësisht të njëjtat mendime, jam i detyruar të shprehem publikisht.

Pseudo-intervista merr shkak nga 20-vjetori i asaj lëvizjeje politike, që njihet me emrin “Promemoria”. Nuk ishte qasja e përshtatshme për të reflektuar mbi atë ngjarje politike të PD-së. Njëzet vite më parë, një grup deputetësh dhe anëtarësh të Këshillit Kombëtar të PD-së paraqitën një dokument që ofronte një zgjidhje politike për krizën e thellë që kërcënonte Shqipërinë. Zgjidhja e propozuar ishte brenda PD-së, e cila fatkeqësisht ishte vetëm pjesërisht e ndërgjegjshme për përgjegjësitë e saj. Promemoria është pjese e historisë së Partisë Demokratike, e injoruar plotësisht prej udhëheqjes së saj, dhe e trajtuar në mënyrë të sipërfaqshme nga studiues të tranzicionit shqiptar.

Zgjidhja e krizës ishte plotësisht e mundur, ndërkaq kundërshtimi dhe reagimi ndaj saj jo vetëm në Këshillin kombëtar, por edhe në vazhdim, ishte komunist dhe shpërfillte interesa mbarëkombëtare. Me armiqësi ndaj promemories u sollën ata që nuk donin zgjidhjen politike, por të mbanin me çdo kusht pushtetin, si dhe ata që donin ta merrnin pushtetin menjëherë dhe me dhunë.

Pseudo-intervista që më atribuohet thotë se ata burra dhe gra që firmosën Promemorien e donin PD-në më shumë se sa e duan anëtarët e saj sot; ky është një pohim banal e irracional, sikur bëhet fjalë për garë dashurie mes gjërash krejt të ndryshme. Së pari, e vërteta është që shumica e atyre që firmosën Promemorien donin Shqipërinë, Kosovën e Çamërinë më shume se PD-në; së dyti, PD-ja e viteve ‘90 nuk mund të krahasohet me PD-në e sotme. Dr. Berisha firmëtarët e Promemories i quajti karrigethyer e kolltukofagë dhe koha vërtetoi se për disa kishte patur të drejtë. Ata që ikën si karrigethyer u rikthyen në PD sapo iu riofrua karrigia. Por mbetën mjaft që vazhduan jetën e tyre të tërhequr ndershmërisht e me modesti. Lexoni çfarë mbiemrash familjesh historike me kontribute kombëtare e politike, me sakrifica antikomuniste, me kontribute qytetare dhe kulturale, si Dosti, Ypi, Kopliku, Toto, Vrioni, Serreqi, Shehi dhe Konomi, Mezini, Malasi etj. Më gëzon fakti se edhe sot ka përfaqësues të së djathtës historike në PD, por trishtohem kur shikoj sa pak janë, kë kanë në krah dhe çfarë qëndrimesh mbajnë.

Në “intervistë” shprehen disa opinione për zotin Berisha që nuk përputhen me mendimet e mia. Detyrohem të shprehem publikisht. Zotin Berisha e kam takuar për herë të parë në parlamentin e parë pluralist. Si zgjedhje e tij unë emërohem ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e parë demokratike të Shqipërisë. Ky vendim nuk ishte rezultat i njohjes apo miqësisë personale; ne nuk u miqësuam e as nuk u njohëm mirë edhe gjatë kohës së bashkëpunimit; ishim si inde që nuk pajtohen imunologjikisht. Kjo nuk do të thotë aspak se nuk kam bashkëpunuar në respekt të plotë të interesave të shtetit shqiptar brenda kuadrit ligjor, e ndershmërisht në vitet ‘92-96.

Në “intervistë” thuhet se zoti Berisha ka dritëhijet e tij si çdo njeri dhe i ka bërë vend vetes në histori. E refuzoj këtë opinion. Ky është një opinion neutral e oportunist; tingëllon i përshtatshëm për ato që duan të përfitojnë edhe nga drita edhe nga hija e dikujt; as edhe thënia e Gëtes “ku ka shumë dritë, ka edhe hije të forta” nuk ma lëkund refuzimin. Është e vërtetë që për 26 vjet zoti Berisha mbeti figura më e pranishme e tranzicionit; është gjithashtu e vërtetë që është histori “suksesi personal”, që të kujton librat e Moravia-s dhe të Malaparte-s, ku përshkruhet Italia postfashiste e mbasluftës. Po, është një histori suksesi kryesisht për interesat e ish-nomenklaturës komuniste, jo për interesat e Shqipërisë së djathtë, antikomuniste, properëndimore, demokratike, ish e burgosur. Ne që vinim nga e djathta historike punën dhe detyrën e kemi bërë me ndershmëri dhe devocion por fatkeqësisht jemi përdorur edhe si “dekor” djathtist, demokratik, properëndimor e qytetar i qeverisjes së asaj kohe.

A kemi bërë gabim që jemi angazhuar?! Unë mendoj se jo. A mund të gjendeshin në atë kohë mundësi dhe alternativa të tjera?! Unë mendoj se po. Unë personalisht uroj që gabimet e mia të kenë sjellë sa me pak konsekuenca. Në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme sigurisht kam kaluar një eksperiencë të vyer politike dhe jetësore, e me një përfitim të madh kulturor, për të cilën falënderoj fatin, por edhe Berishën. Për punën gjykojnë ata që kanë punuar me mua. Sa për të tjera përfitime ose abuzime me postin s’mund të dalë kurrkush që të flasë.

Përgjigjet e pyetjeve në “intervistë” që lidhen me ambasadën amerikane dhe ambasadoren Lino nuk janë dhe nuk mund të jenë të asnjë ministri të Jashtëm. Udhëheqja e PD-së edhe herë të tjera ka gabuar dhe ka vuajtur konsekuencat kur ka menduar se mund të ndërhyjë në qëndrimet e ambasadës amerikane, duke i konsideruar ato si qëndrime personale e subjektive të ambasadorëve. Politika e jashtme e aleatit më të fuqishëm e strategjik të shqiptarëve përpilohet e zbatohet krejt ndryshe. Zoti Basha, që për fatin e tij të mirë ka qenë edhe ministër i Jashtëm, duhet ta dijë mirë këtë gjë. SHBA-të e duan Shqipërinë dhe Kosovën edhe sepse interesat amerikanë ne rajon fatmirësisht përputhen me aspiratat tona. Është gabim ta zbresim këtë marrëdhënie bilaterale në lojën e partive shqiptare e aq më keq, në emra të përveçëm.

E kuptoj që lexues të këtij shkrimi, me të drejte, por për arsye që nuk varen nga unë, mund të mendojnë gabimisht se kam dëshirë të përfshihem mediatikisht në polemikat e ditës. Kjo nuk është e vërtetë; por më duhet të sqaroj se miratoj dhe mbështes me optimizëm përpjekjet demokratike të të gjithë faktorëve elektoralë për të siguruar më së fundmi zgjedhje të lira e të ndershme. Kalvari zgjedhor i demokracisë në Shqipëri është i hershem dhe gjithëpërfshirës. Votuesi shqiptar është i lodhur, i mërzitur, i zemëruar me keqpërdorimin zgjedhor. Në një kryeqytet të një vendi ish-komunist, në fasadën e një godine në qendër të tij lexohet një thënie e Mark Twain-it, e që iu ka mbijetuar shumë fushatave zgjedhore: “Sikur zgjedhjet të ndryshonin gjë, do t’i kishin ndaluar; zgjedhjet nuk ndryshojnë asgjë”.

Uroj që votuesi shqiptar të mos mendojë kështu. Por në të vërtetë nuk duhet të befasohemi shumë, nëse në një të ardhme të afërt procesi dhe rezultati i votimit do të ngjasojë me romanin me titull në anglisht “Seeing”, të nobelistit Jose Saramago, ku kutitë e votimit papritmas u gjetën me fletë të bardha. Mund të ndodhë edhe më keq se kaq; parti populiste ose fundamentaliste të ndryshojnë orientimin properëndimor të vendit tonë. Nëse do të bëhet kaq keq e do të jemi ende këtu për të votuar, ne votuesit që nuk tundohemi nga paraja e drogës do ta hedhim fletën e votimit të bardhe dhe do të rilexojmë esenë e famshme të Jean Paul Sartre-it, që titullohet “Zgjedhjet, një kurth për budallenjtë”.

Heshtja ime e gjatë dhe fleta e bardhë e votimit më sjell në mendje një barsoletë sovjetike.

Një i pakënaqur i regjimit shpërndante fletushka rreth Kremlinit. Kur agjentët e policisë sekrete e arrestuan, panë se fletushkat ishin të bardha e nuk ishte asgjë e shkruar në to. Por kjo gjë nuk është se i ngushëlloi. Edhe kështu mesazhi përcillej: “Epo, të gjithë e dinë çfarë nuk shkon dhe është keq; përse duhet shkruar?”.

Edhe unë po kërkoj ndjesë për gjërat e ditura të këtij shkrimi.

REMOTE_ADDR:[]

8 komente në “Alfred Serreqi: Unë e Berisha jemi inde që nuk pajtohen imunologjikisht”

  1. Roni says:

    Nje shkrim brilant i nje intelektuali te vertete.

  2. Fran Çukaj says:

    Te heshtesh ose jo , eshte zgjedhje e gjithsekujt . Por , te heshtesh kur ke diçka me vlere per te thene , ky nuk eshte nje qendrim i lavderueshem social . Une besoj se ju , zotni Serreqi , keni shume gjere me vlere per t’i thene . Thojini ato !

  3. Fran Çukaj says:

    Te flasesh ose jo , eshte nje zgjedhje individuale . Por , kur ke gjera me vlere per te thene , nuk eshte e lavderueshme heshtja . Une besoj se ju , z. minister , keni gjera me vlere per te thene . Thuajini ato !

  4. Kellira says:

    Fred Serreqi ti do mbahesh mend si katoliku qe kerkoi te futej ne Konferencen Islamike.
    Me properendimor se kaq nuk ka ku te shkoje.
    Ke te drejte ne nje pike: Saliu iu perdori per dekor. Une do te shtoja se iu trajtoi edhe si trapa se me trapa se ju te vetedeklaruarit te djathte nuk ka.

  5. demokrati says:

    Nuk jam dakort me Alfred Serreqin qe: “E po te gjithe e dine çfare nuk shkon dhe eshte keq; perse duhet shkruar”? Alfred Sqerreqi ngelet enigme, po edhe mua s’me duhet ta di qe nga “çimkat” e vitit 1992 e deri tek largimi nga qeveria e pushtuar. Po, eshte e vertete qe njerezit e dine çfare nuk shkon se kane 25 vjet qe e heqin ne kurriz, jo Serreqi, e dine edhe qe eshte keq, por nuk eshte ne doren e tyre ta rregullojne apo bejne mire, por Serreqi kerkon (s’e degjon njeri) qe njerezit te heshtin si ai dhe s’duhet shkruar. Zoti Serreqi ! Njerezit duhet te ulurasin forte per padrejtesite qe u behen e jo me te shkruajne ne kete palo demokraci qe u premtuat ju dhe ndertuat ju me Sali Berishen dhe konet e tij antishqiptare. Profesoret qe te urojne apo ngushellojn ty, jane pjese e jotja dhe si ti. Une kam shoket e mi, patjeter afersisht si vetja. Mund te jeme edhe me i keq se ty, por s’i kam bere keq as mizave.

  6. Alfons says:

    Ti kellira duhet te jesh i djathte i tipit Fahri Balliu apo Frrok Cupi, sa per emrat e mesiperm jane realisht te djathte po kane nje problem jane Zoteri ne nje vend kellirash

  7. pokeristi says:

    Z.Sereqi!
    Demokracia eshte kulture e vecante brenda kultures se pergjitheshme.Ju jini egzakt nje demokrat i mirefillte.Saliu e ka humbur te drejten per t’u quajtur zoteri.Ai me plot gojen quhet Diktator.Eshte pak kondradiktore ,qe ju me nje ane konfirmoni se ai ju mori per dekor te djathte,nga ana tjeter ju falenderoni fatin dhe Saline per emerimin tuaj,si. minister i jashtem !…Ju jini shqipetar i ndershem dhe si i tille doni te shperbleni nderin te pakten me mirenjohje.Dakort.Por ai ju beri ” nder dekor “, nuk meriton asgje,per te mos thene mosmirenjohje.

  8. vang says:

    HESHTJA,INDIFERENCA dhe perpjekja per te qene ”ne rregull”,per te mos qene borxheli ,nuk eshte VIRTUT……Njeriu matet me ate qe ben pee vendin dhe popullin e tije.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *