Fushata qesharake dhe me tone antisemite nga Tirana, kundër Sorosit

1 Mars 2017, 11:35Blog TEMA

Shpifjet dhe teoritë e komplotit në Tiranë kundër investitorit George Soros janë të neveritshme dhe tregojnë se në çfarë bataku ka hyrë politika shqiptare.

Nga Enver Robelli

Dikur ishte një fantazmë tjetër që qarkullonte nëpër Europë – fantazma e komunizmit. Thuhej se pas saj qëndronte judaizmi botëror dhe hebreu Karl Marx, i cili synonte të shkatërronte kombet dhe në vend të tyre të etablonte klasën punëtore. Lideri nazist Adolf Hitler kishte ndërmend para së gjithash «dy soje» hebrenjsh në fushatën e tij vrastare: tregtarin pasanik dhe teoricienin komunist. Ata, sipas Hitlerit, duhej zhdukur si insektet. Nga ky këndvështrim racist hebreu nuk ka atdhe dhe ka një qëllim: të sundojë botën.

Kësisoj, pak a shumë, sot përshkruhet edhe George Sorosi, një financier i famshëm amerikan me origjinë hebraike. Popullsitë në mbarë Europën Lindore e kanë zbuluar fajtorin kujdestar: është Sorosi, i cili synon të rrëzojë qeveritë dhe të dëmtojë unitetin kombëtar. Ish-kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski propagandon hapur se pas protestave të opozitës në Maqedoni qëndron Sorosi. Natyrisht Gruevski është demokrat i pastër si loti, ai nuk është i përzier në asnjë aferë korruptive, regjimi i tij nuk ka përgjuar 20 mijë qytetarë, nuk ka shtypur mediat, nuk ka inskenuar incidente ndëretnike. Fajtor është Sorosi, i cili përkrah disa organizata joqeveritare, të cilat angazhohen për një model tjetër shtetëror – liberal, funksional, të pakorruptuar, tolerant, transparent.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban është përbetuar se në vitin 2017 do ta dëbojë nga vendi Fondacionin për Shoqëri të Hapur të Sorosit. Fushata kundër pasanikut hebraik kanë zhvilluar edhe mediat e ndyra serbe. Gjithkund – nga Hungaria në Serbi e deri në Maqedoni – mbretëron logjika e njëjtë: Sorosi po paguan «mercenarët vendas» për të zgjeruar ndikimin e tij. Kjo fushatë me tone antisemite ka filluar t’i përngjajë gjuetisë së shtrigave, të cilën po e zhvillon regjimi i Rexhep Taip Erdoanit kundër lëvizjes së Fetullah Gylenit (ndonëse Gülen dhe Soros nuk mund të krahasohen).

Me angazhimin e tij për të drejtat e pakicave (për shembull të romëve), për barazi mes burrave dhe grave, për luftimin e diskriminimit të njerëzve me orientime të ndryshme seksuale dhe me kritikën kundër modelit autoritar qeverisës në shumë vende të Europës Lindore, Soros ua ka acaruar nervat shumë sundimtarëve, të cilët falë potencës ekonomike manipulojnë sistemin demokratik dhe kështu sigurojnë pushtetin me dekada.

Në skenën politike dhe publicistike shqiptare deri së fundi as që mund të merrej me mend se do të ketë shpifje nga më të rëndat kundër Sorosit. Natyrisht edhe Sorosi mund dhe duhet të kritikohet me fakte për mënyrën se si i fiton paratë dhe nëse gjithçka me atë rast zhvillohet brenda kufijve të etikës. Por kjo s’është fare temë në Tiranë, ku kanë shpërthyer plot akuza paushalle, me nënton antisemit, kundër Sorosit. I ka ardhur radha edhe Fahri Balliut të dalë në televizion dhe të thotë se ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, e ka sjellë vetë Sorosi, pasi më parë, gjithnjë sipas Balliut, Sorosi e detyroi Papa Benediktin të jap dorëheqje. Askush nuk duhet të kursehet nga kritika, përfshirë edhe diplomaten kroate Vlahutin, por jo me shpifje ordinere. Burri i saj, thotë Balliu, qenkësh shef i Sorosit në Bosnjë. Sipas kësaj mendësie primitive ballkanike gruaja bën atë që i thotë burri, ajo nuk guxon të vendosë vetë për karrierën e saj.

Po të ishte vetëm Fahri Balliu në krye të fushatës kundër Sorosit, do të mund të injorohej lehtë. Por kundër Sorosit janë pozicionuar me shpifje edhe kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili presionin e ambasadorit amerikan në Tiranë për të zbatuar reformën për drejtësi e ka quajtur të ngjashme me tipologjinë e përdorur nga Sorosi, me qëllim për të manipuluar opinionin publik dhe për të zhvlerësuar rolin e institucioneve. Kështu rrotullohen faktet: për zhvlerësimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë akuzohen ambasadori amerikan dhe Sorosi, i cili gjoja qëndron pas tij. Kjo marrëzi i afrohet mjaft propagandës së Radio Tiranës në vitet ’70 kundër «revizionizmit perëndimor» dhe «kolonializmit amerikan».

Ku lulëzon budallallëku e shpifja nuk është larg as Sali Berisha. I kritikuar në vitet ’90 nga gazeta britanike «The Independent» si kreu i një «regjimi gangsterësh» dhe i akuzuar nga organizatat për mbrojtjen e gazetarëve si shtypës i lirisë së fjalës, Berisha vazhdimisht gjen një armik edhe të jashtëm. Sipas tij Sorosi dhe mafia e tij politike na qenkan rrezik madhor për demokracinë shqiptare. Berisha nuk ngurron të shërbehet me klishetë e rëndomta antisemite, kur thotë se Sorosi është një miliarder që ka korruptuar «më shumë se kushdo tjetër mbi tokë» politikanë, personalitete lokale dhe ndërkombëtare, madje paskësh korruptuar edhe individë dhe grupe në institucione serioze ndërkombëtare të vendosura në kryeqytete të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Berlinin. Ja ku arritëm: hebreu që spekulon me para arrin të korruptojë edhe gjermanin në Berlin. S’paskësh ndryshuar bota fare që nga vitet ’30.

I pashmangshëm në debatin për Sorosin është edhe Ilir Meta. Në një paraqitje televizive ai ka deklaruar se «disa media financohen, janë financuar nga George Sorosi». Kjo është me rëndësi të theksohet sidomos nga Ilir Meta, i cili kurrë nuk ka financuar asnjë gazetë, asnjë portal, asnjë televizion, nuk i ka dhënë bakshish asnjë gazetari. Ilir Meta është simbol i pastërtisë politike dhe shërbimit me devotshmëri ndaj shtetit. Çfarë do të bënte Shqipëria pa Ilir Metën. Kur BIRN hulumton pak botën politike dhe biznesore të Metës, atëherë ky përgjigjet: «Është medie e Sorosit». Kur Ilir Meta flet për lirinë e shtypit, kjo tingëllon si kur flet baroni Münchhausen mbi fluturimin e tij mbi një gjyle topi.

Përhapja e klisheve antisemite nga politikanët e Tiranës është në kundërshtim të plotë me rezonin shtetëror të Shqipërisë. Që nga rënia e komunizmit qeveritë shqiptare kanë potencuar faktin se shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë shpëtuar shumë hebrenj dhe kështu kanë treguar solidaritet të pashoq me viktimat më të mëdha të barbarisë naziste. Me sa duket mjafton që politikanëve shqiptarë t’u kanoset ndonjë rrezik nga reforma për drejtësi për të hedhur në shportën e bërllokun rezonin shtetëror, duke fantazuar se Sorosi qëndron pas ambasadorit amerikan, pas ambasadores së BE-së, Sorosi po ashtu është gazetar në degën e BIRN në Tiranë dhe – me një fjalë – pa Sorosin Shqipëria do të ishte vend anëtar i BE-së.

17 komente në “Fushata qesharake dhe me tone antisemite nga Tirana, kundër Sorosit”

  1. Cen Durimmodhi says:

    O toç kuklle! – Ne rastin me te mire.
    O legen! – Ne rastin me te keq. Se lidh semitizmin me Sorros
    Ku ka antisemit me te madh se Sorros. I shpallur si i tille vete nga qeveria e izraelit me kryeminister Rabin ne 1992. Fondacioni i tij eshte “non grata” ne Izrael.

    Le qe kot e shkruaj edhe une se “Zeri i Polullit” sillte frymen e masave. No chance per botim te komentit.

    1. Pa drejtesi nuk jetohet, pa partite, po... says:

      Cen Durimmodhi
      “Zeri i Popullit ” sillte frymen e masave…Cke dashur te thuash me kete? Te cilave masa? Kjo gazete ka genjyer per 46 vjet, sa duhej te kishte ndryshuar dhe emrin! Kur ne vuanim uri, e hanim me tallon e njerzit fitonin 100-210 lek ne dite , nderkohe qe nje buke kushtonte 40-50 lek, kjo gazete shkruante, se ishim te lumtur e me mireqenie fantastike. Kur ne kufijt vriteshin ato shqiptare, qe donin te iknin jashte, shkruante kjo gazete, se ne ishim te lire…..Kjo gazete nuk ka shkruar kurre te verteten e as ka bere vetekritike per rolin mbeshtetes te diktatures komuniste kunder popullit…

  2. pro says:

    ..une nuk do t’i quaja qesharake..,

  3. qytetare says:

    TE GJITHE KUNDERSHTARET E FUQISHEM TE SOROSIT SOT , JANE PIKERISHT ATA POLITIKANE, SI GRUEVSKI ,BERISHA SI DHE SHUME TE TJERE ,QE KANE ABUZUAR ME PUSHTETIN DHE SOT DUHET TE PERGJIGJEN ,SEPSE ZULLUMI ESHTE SHUME I MADH .
    LUFTA E TYRE KUNDER SOROSIT , I JEP SHPRESE PER TE SHPETUAR KOKAT E TYRE . BESOJ QE EUROPA LUFTEN KUNDER KORRUPSIONIT GALAPONT ,QE U INSTALUA NE KOHEN E TYRE , NUK DO TE NDALET .
    BLLOKADA QE PO BEN BERISHA & BASHA, KA VETEM NJE EMER , FRIKA NGA WETINGU .
    SHQIPERINE E SHPETON VETEM POPULLI I BASHKUAR , KUNDER BLLOKADES SE PD -se.

  4. "BOHOTINA" says:

    Shume analize kuptimplote, por disa te vobekt nuk shohin qellimin e analizes e c’ ka fshihet pas saj nga ata qe i jane derdhur si te nekryer Sorosit, por shohin anen empirike. E gjithe peshtyma qe hidhet eshte tek reforma ne drejtesi e gjenden keto marifete qe shpegon Robelli.

  5. kukubeti says:

    Nje pyetje kisha per Berishen dhe qeverine e tij kur ishte ne pushtet.Kush e Solli Sorosin ne Shqiperi .te hapte fondacionin e tij?????Berisha pasi ai ishte ne pushtet ne 1992.Kush e dhe te drejtejn per te ndertuar Fshatin Soros.Me poshte kini artikullin mbi takimin e Soros me Berishen.
    Sa memorie te shkurter kini o popull,jini per gjynah!
    Berisha takon Xhorxh Soros

    19/11/2005 Kryeministri Sali Berisha zhvilloi të premten një takim me themeluesin e Fondacionit SOROS, Xhorxh Soros. Kryeministri Berisha vlerësoi rolin dhe ndihmën që Fondacioni SOROS ka dhënë përgjatë gjithë këtyre viteve në Shqipëri në drejtime të ndryshme.

    Ndërsa Soros vlerësoi programin e qeverisë së re, duke u shprehur se “ky është një fillim shumë i mbarë i punës së qeverisë”. Të dy palët kanë diskutuar për angazhimin e qeverisë shqiptare për “thithjen e trurit” në Shqipëri.

    Berisha tha se synimi i qeverisë shqiptare është rikthimi në vend i njerëzve të arsimuar dhe të kualifikuar jashtë shtetit. Nga ana e tij, Xhorxh Soros shprehu interesin për këtë projekt dhe siguroi Berishën për mbështetjen e tij në këtë drejtim.

    Berisha dhe Soros u ndalën edhe në nismat e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, ndërsa Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka për ndërtimin e një administrate funksionale dhe të pakorruptuar.

  6. lekbibaj says:

    sali plehra nul di ku te fus koken dhe po zbulon armiqt e planetit ,sepse Enveri ku ai ishte komunist fanatik te paktem na zbulont vetem “armiqte;eShqipetise.

  7. lekbibaj says:

    sali plehra nul di ku te fus koken dhe po zbulon armiqt e planetit ,sepse Enveri ku ai ishte komunist fanatik te paktem na zbulont vetem “armiqte;eShqipetise.

  8. tropojani c100 says:

    s’ka te beje me antisemitizem fare sulmi ndaj sorosit,vertete gruevski urban berisha etj kane bere çfare kane bere ne vendet e tyre por kjo nuk e shfajeson sorisin ,kjo çeshtje po kerkon te hetohet si fondacion i “piste” nga vet kongresmene amerikane sepse mendojne qe soris ka ndikim te madh dhe ne ambasadore te usa te akredituar ne vende te ndryshme…keshtu qe ku ka ze…nuk eshte ashtu lehte pa gje…gjithesesi edhe kete robellin ishalla e shohin me sy te mire keta sorrosianet i japin ate qe meriton

  9. demokrati says:

    Ajo thenia e Majakovskit: ju shkoni ku te doni, une do te shkoj ne arken e kursimit, qendron dhe per Sorrosin. Sorrosi ishte nje person dhe u be milardier, Sali Berisha kishte nje shtet te tere dhe e beri fukara. Le te flase kush te doje, por ai ka parate nga puna e tij, ndersa ne akoma torrovitemi me bolet e Sali Berishes, pa lere fahri Balliun qe eshte vetem nje rriqer ne bythe te Berishes si dhe ca te tjere.

  10. Nje shqiptar says:

    Soros, nje emigrant hungarez qe u be i pasur ne saje te aftesive te tij dhe mundesive qe japin SHBA per ti realizuar. Soros per Shqiperine vetem ka shpenzuar per shoqerine civile, duke mbeshtetur idete e demokracise si dhe shume te rinj te talentuar ose jo por qe qe sot pak nga pak po vijne ne pushtet per te miren e vendit. Soros ka harxhuar dhe harxhon miliarda dollare nga xhepi i tij vetem e vetem qe popujt te mos bien nen pushtetin e diktaturave qe , duke kufizuar lirine, pengojne zhvillimin. Ai eshte per tu admiruar ne tere aktivitetin e tij.

  11. CarloBolja-ino says:

    Enver Torobelli ne tentative per ejakulacion te shtirur

  12. Bambi says:

    Deri dje rrinin ne rradhe te benin nje selfie me shoferin e Sorosit, kurse sot qe po fry era Trump ne USA, na e shpallin armik.

    Lexoni te madhin Fan Nol, 100 vjet me pare te njejtat probleme…
    E katërta.Anarkia patriotike: Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.

    Per me teper…
    http://zhvillim.blogspot.ca/2010/12/5-anarkite-e-fan-s-nolit-ne-parlament.html

  13. gjelo says:

    O Enver djali, po ja fute kot ore, per cfare antisemitizmi flet are gomar, eshte e kunderta ajo idiotikja shqipetare, deliri per izraelin si ishte valvitja e flamurit te tyre ne proptesten e 18Shkurtit…

  14. heretiku says:

    Po mire, keta “te indinjuarit” kunder fondacioneve te Sorosit, kunder mediave “te financuara nga Soros”, duhet vetem te shpjegojne se si jane vjedhur qindra miliona dollare nga xhepat e popullit, pse vendi eshte zhytur ne kete llumhane aktuale, kush i beri gjemat e 97-tes, Gerdecin, vjedhjen kolosale te rruges Durres-Kukes, 21 Janarin, kerkesen per vjedhjen e 700 mije eurove me nje fjale goje ( kjo e regjistruar me ze e figure ) e shume e shume pislliqe dhe perversitete te tjera. Fajtor per te gjitha keto eshte Soros, apo primitivizmi, babezia, degjenerimi moral dhe intelektual i nje pjese te mire te klases politike vendase, i gjyqtareve te zvetenuar qe shesin vendime gjyqesore, duke lozur me jeten dhe fatin e qytetareve, i profesoreve te shkollave dhe universiteteve, i mjekeve te paskrupullt, pseudo gazetareve e pseudo analistave dhe opinionistave, nepunesve te administrates etj.? Kete gje ky soj plehrash e di shume mire, se kush jane fajtoret e vertete, prandaj kane filluar kete krra-krra sorrash, per te gjetur nje “armik”. Keta llumra, para se te drejtojne gishtin drejt Sorosit, duhet te pergjigjen per ate qe kane bere vete dhe pasi te jete zgjidhur kjo, le te shohim ne nje moment te dyte edhe aktivitetin e Sorosit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje