Harito ndan çmimet e Ekselencës në shërbimet publike, QKB fiton vendin e parë

1 Mars 2017, 11:19Hi-Tech TEMA

Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit ka rezultuar si institucioni me performancën më të mirë në dhënien e shërbimeve publike në sportelet e saj për qytetarët. Ndërsa në vendin e dytë është renditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Çmimet e ekselencës në Shërbimet Publike, ka qenë një projekt i organizuar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) në bashkëpunim me Ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike dhe mbështetjen e Agjensisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, në periudhën kohore Shtator 2016 – Dhjetor 2016.

Synimi i projektit ka qenë të kontrollojë dhe vlerësojë mënyrën se si nëpunësit e shtetit japin shërbimet ne sportel për qytetarët. Për këtë qëllim është përdorur metoda e “klientit misterioz”, një person i cili paraqitet në sportelet përkatëse dhe kërkon të marrë shërbime, duke kontrolluar kështu në mënyrë të drjetpërdrejtë se sa efikas është shërbimi, si sillen punonjësit apo sa kohë zgjat marrja e shërbimit.

Projekti ka zgjatur 3 muaj dhe gjatë kësaj kohe janë kontrolluar 6 institucione publike me të gjitha degët e tyre në 12 qytete, që janë qendra qarku.

Në mjediset e Innovation Hub është zhvilluar ceremonia e ndarjes së çmimeve. Duke marrë fjalën në këtë ceremony, ministrja Harito është shprehur: “Në një sistem të pamodernizuar, jo profesional ka vend për të gjithë abuzimet dhe të gjithë korrupsionin e mundshëm. Në momentin që ngre një sistem modern, të dixhitalizuar, të kontrolluar me procedura të qarta me afate të qarta, që në atë moment sistemi përmirëson mënyrën sesi funksionojnë njerëzit. Ky është besimi jonë në të gjithë këtë proces dhe do ta çojmë deri në fund”.

Sipas këtij studimi, vendin e parë të eficiencës në shërbim të qytetarit e ka zënë Qendra e Kombëtare Biznesit, duke u renditur si institucioni i cili është vlerësuar me pikët më të larta, 83 pikë.

“Klienti misterioz” në këtë sportelet e QKB ka konstatuar se punonjësit e këtij institucioni ofrojnë me mirësjellje një shërbim të mirë, në kohë të kënaqshme për qytetarin.

Institucioni i dytë është renditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me dy pikë më pak (81 pikë) se QKB. Ndërkohë, institucioni me pikët më të ulëta (67 pikë) rezulton të jetë Zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP).

Vlerësimi i bërë për institucionet e kontrolluara është fokusuar në pesë dimensione kryesore me përcaktimet e tyre përkatëse të tilla si: Koha e pritjes, ndërveprimi me punonjësin, cilësia e shërbimit, profesionalizmi i nënpunësit dhe ambjenti.

Ministrja Harito u shpreh se ky projekt do të vijojë edhe në të ardhmen dhe se më shumë institucione do të monitorohen për të parë nivelin e ofrimit të shërbimeve publike. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje