2 mars 1997. Historia e rënies se "Republikës" se Parë të Berishës. Si u vendos Gjendja e Jashtzakonshme dhe u dogj gazeta Koha Jone

2 Mars 2017, 20:14Dossier TEMA

Nga Mero Baze

Revanshi i protestës kishte fokusuar si objektiv të parë qeverinë e Aleksandër Meksit, ndërkohë që koha për t’u rizgjedhur Presidenti përfundonte ligjërisht javën e parë të marsit. Ishte e vështirë të besoje se rënia e qeverisë do të kënaqte protestuesit dhe do të fillonte realisht një zgjidhje politike. Sali Berisha e kishte këtë shumë të qartë. Ai e dinte që protesta kërkonte qendrën e pushtetit dhe qendra e pushtetit ishte ai dhe jo Meksi. Fuqia e protestës e kishte tejkaluar fuqinë e politikës për ta vendosur atë nën kontroll. Dyshimi se shteti fshihte fuqi të tjera të pakonsumuara dhe mungesa e kontakteve kishin ngritur shumë dyshime tek protestuesit dhe kishte humbur një qendër të vetme të komandimit të tyre. Forumi për Demokraci, në të vërtetë, nuk ishte më në krye të protestave, por i nxiste ato me shpresën se dikur, fuqia e tij do ta tejkalonte fuqinë e protestave dhe ai do të merrte legjitimitetin e tyre. Me teza politike racionale, por pa fuqi veprimi, Forumu u kthye në të vërtetë nga një forum udhëheqës, siç pretendonte, në një alibi për protestën.

Partia Socialiste, nga ana e saj, nuk kishte fuqi direkte dhe besueshmërinë e duhur për të negociuar me anarkistët në Vlorë dhe në rrethe të tjera të Jugut. Mungesa e një udhëheqjeje të bashkuar socialiste dhe kriza e dukshme brenda tyre, kishte nxitur radikalë socialistë që ishin vënë në krye të protestave edhe udhëheqës të tjerë të moderuar, që ishin mbyllur në shtëpi me gratë e tyre. Fatos Nanoja ishte ende në burg dhe lajmet për të ishin plot mister. Kishte socialistë që ishin në krye të turmave anarkiste, kishte të tjerë që ishin të shqetësuar në Tiranë për atë që ndodhte në Vlorë, kishte të tjerë madje që nuk e pranonin atë që ndodhte, por e vërteta është se reagim zyrtar kundër asaj që po ndodhte nuk pati. Madje edhe disa ftesa për debat dhe takime ishin pa fryte, pasi në atë parti mungonte vendimmarrja. Sekretari i përgjithshëm, Rexhep Mejdani, i pamësuar shumë me kulisat e partisë ku militonte për gjashtë muaj, nuk kishte fuqinë e duhur ta përfaqësonte partinë. Namik Dokle dhe Servet Pëllumbi, dy socialistë tradicionalë në krye të saj, po ashtu, mund të ngarkoheshin me dyshime nëse hynin në bisedime me Berishën. Kastriot Islami, Arben Malaj dhe Sabit Brokaj ishin më afër frymës radikale. Pandeli Majkoja thuajse ishte i mbyllur në shtëpi dhe dëgjonte lajme. Ilir Meta ishte i dëshpëruari i madh, pasi ky rrënim i Sali Berishës do ta sillte sërish në pushtet rivalin e tij brenda partisë. Por partisë më të madhe opozitare i kishte humbur praktikisht mekanizmi i përfaqësimit politik dhe vendimmarrjes dhe kjo, në ato ditë, nuk ishte pak.

Përballë saj, kishim një parti në pushtet, që ishte plot probleme. Lufta e ftohtë mes kryeministrit Aleksandër Meksi dhe presidentit Sali Berisha po jepte frytet e veta. Kryeministri ishte paralizuar tërësisht dhe nuk komunikonte me shërbimin sekret, i cili ishte në krye të operacioneve për vendosjen e rendit. Ministri i Rendit, si suksesin më të madh që kishte arritur para se të bëhej ministër, shënonte botimin e tri librave me poezi dhe prozë. Ai ishte thuajse i paorientuar me krizën dhe ia kishte besuar drejtimin e saj gjeneralit Agim Shehu, një profesionist i aftë, por me një besueshmëri të ulët publike. Ai që mund të përkufizohej si klan i kryeministrit, po ashtu ishte jashtë luftimit. Në këto kushte, më 1 mars, presidenti Berisha vendosi ta rrëzonte kabinetin e tij. Në mungesë të plotë komunikimi me kryeministrin, ai u konsultua me grupin parlamentar të PD-së dhe vendosën t’i kërkojnë dorëheqje në bllok kabinetit. Në mbrëmjen e 1 marsit, ai thirri kabinetin e kryeministrit në Presidencë dhe ai dha një intervistë të shkurtër direkt në TVSh, ku njoftoi dorëheqjen e tyre, që ua komunikoi edhe ministrave që prisnin në sallën përbri. Kryeministri nuk u pa aty. Ai në të vërtetë po ndiqte lajmet nga zyra dhe ishte i bindur se shkaktar i krizës ishte Sali Berisha. Kishte nisur kështu një betejë e re për marrjen e përgjegjësive për atë që ndodhi. Pas njoftimit për rënien e qeverisë, sytë e të gjithëve u drejtuan nga Vlora. Problemi ishte se si do të pritej ky lajm atje. Dhe aty ndihej paqartësi për vlerat e aktit të Berishës. Pati një vlerësim sipërfaqësor, por rëndësia kaloi te kërkesa të tjera, gati pa lidhje, me dorëheqjen e kryeministrit. Dukej qartë se ishte fjala për të mos u ndalur para asgjëje.

Paralelisht me këtë akt, Berisha kishte thirrur në mesditën e 1 marsit tre drejtues të lartë socialistë dhe u kishte kërkuar atyre të ofronin një kandidaturë për president. Rexhep Mejdani nuk kishte pranuar dhe në të vërtetë kishin ikur nga takimi pa ndonjë opsion të tyre. Të gjitha shtigjet po mbylleshin dhe po çonin drejt rizgjedhjes së Berishës brenda afatit kushtetues. Ai kishte marrë mandatin për t’u zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike qysh më 27 shkurt. Nga 95 anëtarët e Këshillit Kombëtar të pranishëm në mbledhje, 90 votuan pro kandidaturës së Berishës, kurse pesë abstenuan.

Shqetësimi kaloi përtej kufijve. Nga Kosova, Ibrahim Rugova komentoi zhvillimet dhe dha opsionin e tij racional. Rugova kërkoi një qeveri me bazë të gjerë, një mision ndërkombëtar financiar për të bërë ekspertizën e fajdeve dhe, më pas, një kredi të fortë financiare për të dalë nga situata. Ishin rekomandimet më racionale që ndonjë udhëheqës politik dha në ato ditë. Por Rugova ishte larg shkaqeve të vërteta të krizës. Ai e gjykoi atë si krizë financiare dhe administrative. Në të vërtetë, siç u provua dhe më vonë, nuk kërkoheshin vetëm paratë, por taksa që Sali Berisha duhej të paguante për gjithë deformimet politike që kishin ndodhur. Duhej një çmim politik dhe ai ishte pushteti defektoz që kishin ndërtuar Partia Demokratike dhe Sali Berisha. Funksionimi i këtij pushteti me një qendër, rivaliteti i heshtur mes institucioneve dhe lufta e ftohtë, mungesa e transparencës dhe mungesa e garës reale politike brenda PD-së, e kishin brejtur nga brenda pushtetin e saj dhe ai u pa se nuk mund të rezistonte dot as nga një goditje prej provincës.

Ndërkohë, gjendja në Shqipëri, sidomos në Jug, po dilte tërësisht jashtë kontrollit.

Pas Vlorës, natën mes të premtes e të shtunës dhe vrasjes të së paku 9 personave, anarkia sundoi edhe në Sarandë e në Himarë.

Radio-Tirana njoftoi në mesditën e 2 marsit se në Sarandë ishte marrë një stacion i policisë dhe 400 armë. Atje ishte hapur burgu dhe u ishte vënë zjarri disa institucioneve publike e shtetërore. Gjendje e ngjashme ishte edhe në Himarë. Kurse në Vlorë ishin djegur ndërtesat e bankave. Popullsia po largohej nga Vlora për shkak të gjendjes së rrezikshme.

Në Tepelenë, rreth orës 16.00 pasdite, sipas njoftimit të policisë, një grup qytetarësh kishin sulmuar komisariatin e qytetit duke shkatërruar dyer dhe dritare dhe kishin liruar të ndaluarit dhe të arrestuarit që gjendeshin aty. Më pas, turma u ishte drejtuar ndërtesave të Gjykatës dhe Prokurorisë dhe i kishte shkatërruar. Në fund i kishte ardhur radha Brigadës së ushtrisë, ku thuajse nuk ishte bërë fare rezistencë dhe njerëzit ishin armatosur. Pas kësaj kishin filluar të shtënat nga periferia e qytetit dhe patrullimet e njerëzve të armatosur në qytet.

Shenjat e para të trazirave po i afroheshin edhe Fierit e Lushnjës. Policia po shtonte njoftimet për njerëz me armë, që depërtonin nga Vlora deri në Qafën e Koshovicës apo në segmentin Fier-Lushnjë. Më 2 mars, njerëz të armatosur sulmuan Divizionin e Fierit në Qafën e Koshovicës dhe rrëmbyen andej gjithë municionet. Sipas policisë, sulmuesit ishin nga Vlora, por më pas pati një njoftim dramatik se komandanti i Divizionit ishte i rrethuar dhe po rezistonte me shkëmbim zjarri ndaj agresorëve. Policia i shkoi në ndihmë komandantit të Divizionit, tërheqja e të cilit u bë rreth orës 20. 00 të mbrëmjes.

Ndërsa në Tiranë, një ditë më parë, më 1 mars, pati një përleshje mes forcave të rendit dhe demonstruesve. Forumi për Demokraci kishte njoftuar mitingun e tij te fusha “Ali Demi” në Tiranë dhe, siç po ndodhte rëndom kohët e fundit, policia nuk i lejoi dhe njoftoi anulimin e tij. Mitingu filloi rreth orës 14.00 në fushën “Ali Demi”. Neritan Ceka dhe Skënder Gjinushi i dhanë tonin mitingut, duke folur për përmbysje të Berishës. Turma u bë entuziaste dhe militante. Fatos Lubonja, që zinte vend në tribunë mes liderëve të së majtës, në emër të Forumit për Demokraci, dukej se shikonte me mosbesim dhe pezëm rolin e tij të ri, ndërsa një ish-operativ i Sigurimit në kohën që ishte në burg iu hodh në krahë i gëzuar dhe e përqafoi ngaqë e shikonte në tribunë. Dilemat për shkallën deri ku e kaluara po ndikonte tek e ardhmja e pasigurt e vendit, ishin shtuar, por askush nuk kishte fuqi të ndalte asgjë.

Pas mitingut, njerëzit u drejtuan për në Qytetin Studenti, duke kaluar nëpër lagjen periferike të kryeqytetit, në kodrën e Qytetit Studenti. E gjithë rruga ishte një sagë përleshjesh me policinë duke përdorur gurët dhe duke shkundur në njëfarë mënyre lagjet e kryeqytetit, që ende nuk e kishin ndjerë valën e trazirave që po afrohej. Hyrja e tyre në Qytetin Studenti u shoqërua me tension dhe disa xhama të thyer, sidomos te posta e Qytetit Studenti. U improvizua sërish një tribunë mitingu në sheshin “Demokracia”, ku demonstruesve iu bashkuan dhe shumë studentë.

Protesta dukej se e rriti ndjeshëm tensionin në Tiranë. E vetmja fotografi që na solli policia në redaksinë e gazetës Albania, ishte një foto e ambasadores së ShBA-ve,  Mariza Lino, e hipur në tarracën e një pallati me rojet e sigurimit të saj, që vrojtonin protestën dhe përplasjen me policinë. Paranoja se ShBA-të po qëndronin pas inkurajimit të protestave, ishte kthyer në linjë zyrtare.

Dorëheqja e Aleksandër Meksit nuk kishte qetësuar asgjë. Për më tepër, këmbëngulja publike e pavend e Berishës dhe e grupit parlamentar të PD-së, se dhe qeveria e re do të krijohej po nga PD-ja, shërbente si shkak për ta acaruar situatën.

Grupi parlamentar i PD-së e kishte pranuar dorëheqjen si një zgjidhje të çastit, ndërsa pritej që dorëheqja të zyrtarizohej në një seancë të Kuvendit të Shqipërisë.

Rexhep Mejdani, sekretar i përgjithshëm i PS-së, tha se kjo parti nuk lëvizte nga opsioni i krijimit të një qeverie teknike dhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja. Me këtë qëndrim ishte edhe Neritan Ceka me Skënder Gjinushin. Kurse kryetari i Partisë Republikane, Sabri Godo, e quajti gjendjen më të re “luftë civile”. Ai kërkoi dorëheqjen e qeverisë, që do ta çonte vendin në zgjedhjet e reja brenda shtatorit, shtyrjen e zgjedhjes së presidentit për 30 ditë, ndërrimin e drejtuesve të RTV-së etj.

Brenda Partisë Demokratike, grupe të pakënaqura me Sali Berishën, filluan të ndiheshin më shumë. Por, më shumë se kushdo tjetër, ngritën zërin ish-zëvendëskryeministri Bashkim Kopliku dhe ministri i Jashtëm Alfred Serreqi.

Ndërkohë, zëdhënësi i studentëve të Vlorës i dërgoi një ultimatum Berishës, nëpërmjet të cilit kërkohej që deri në orën 17.00 të përmbusheshin të gjitha kërkesat nga peticioni i tyre. “Përndryshe”, kërcënonte zëdhënësi, “forcat e armatosura të Vlorës, deri në orën 20.00, do të sulmojnë Tiranën”. Lajmi ishte sa qesharak, aq dhe i hidhur, pasi, megjithëse askush nuk besonte te kërcënimet patetike, të gjithë besonin atë që shihej qartë: pafuqinë e veprimeve politike për ta zgjidhur krizën.

Situata po precipitonte nga ora në orë dhe zërat për gjendje të jashtëzakonshme po fitonin legjitimitet. Duke u gdhirë 3 marsi, Kuvendi miratoi hyrjen në fuqi të gjendjes së jashtëzakonshme përmes një ligji që do të kishte fuqi vepruese deri në një vendim të ri të Kuvendit.

Debatet në Kuvend për Gjendjen e Jashtëzakonshme ishin të zbehta. Tek tuk vrehej një farë rezistence nga grupi i ish ministrave të kabinetit të Aleksandër Meksit për të kapur gabime kryesisht teknike në formulimet e grupit në pushtet afër Berishës, por nuk kishte nj debat serioz dhe thelbësor. Teksa ndiqja debatin në lozhën e medies në Kuvend, shifja qartë fytyrat e lodhura dhe të hutuara të shumicës së deputeteve “intelektualë” që Sali Berisha kishte çuar në Kuvend në emër të vlerave intelektuale. Aty diskutohej për lirinë e qytetarëve, lirin e medies dhe po sanksionohej me ligj kufizimi i tyre dhe thuajse nuk kishte asnjë debat. I vetmi debat gjysmë teknik ishte propozimi i Jozefina Topallit për kufizimin e lirisë së medies dhe propozimit të Sali Berishës. Diferenca ishte se tek propozimi “liberal” i Topallit nuk caktohej se si do të bllokohej një gazetë, kurse tek propozimi i kryeministrit ishte e qartë pasi duhet të bllokohej qysh në shtypshkronjë. Kompetenca i mbetej Shtabit lokal të Gjendjes së Jashtëzakonshme.

 

Vendimi kufizonte disa të drejta e liri të qytetarëve, ndërsa Forcat e Armatosura, Ushtria, Policia dhe ato të Shërbimit Informativ Kombëtar (ShIK) merrnin kompetenca të reja për të rivendosur rendin e sigurinë publike dhe funksionimin e institucioneve shtetërore e publike. Në krye të shtabit të gjendjes së jashtëzakonshme ishte emëruar shefi i ShIK-ut Bashkim Gazidede dhe çdo shtab në çdo qytet ishte nën komandën e tij.

Vendimi ndalonte tubimet publike, politike, sportive, sindikale e kulturore, mësimin në shkolla e në universitete, tubimin më shumë se nga katër persona, botimin pa leje të gazetave, qarkullimin pa lejen speciale të qytetarëve prej orës 20.00 deri në orën 07.00 etj.

Në çdo shtab lokal, përfaqësuesi i qeverisë ishte njëkohësisht një lloj kryetari i shtabit lokal te gjendjes së jashtëzakonshme.

Me ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme u vendosën postblloqe në hyrjet e qyteteve, si edhe në hyrjet e institucioneve zyrtare, ku qytetarët u nënshtroheshin kontrolleve. Forcat e rendit u autorizuan nëpërmjet këtij ligji të përdornin armët për të mposhtur çfarëdo rezistence apo mosbindjeje.

Liderët e partive politike, madje dhe ish-aleatë të PD-së, shfaqën pakënaqësi të ndryshme për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sabri Godo, kryetar i Partisë Republikane të Shqipërisë, deklaroi se do të mjaftonte një vendosje e gjendjes së jashtëzakonshme në një pjesë të Shqipërisë. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Rexhep Meidani, tha se Partia Socialiste ka propozuar zgjidhje politike në vend të zgjidhjeve ushtarake. “Ne jemi kategorikisht kundër zgjidhjeve ushtarake, por ndërkohë i bëjmë thirrje popullit të ruajë gjakftohtësinë dhe qetësinë në kuadrin e kësaj situate të re të vendosur dhe të mos bëhet pre e provokacioneve të ndryshme”.

Sali Berisha iu drejtua me një mesazh popullit të Shqipërisë, në të cilin arsyetoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Një rebelim komunist i armatosur, i organizuar nga ish-komunistët shqiptarë dhe ish-policia sekrete e shqiptarëve në bashkëpunim me agjencitë e huaja të zbulimit, ka shpërthyer në Vlorë dhe në disa zona përreth. Janë dhunuar ligji, rendi kushtetues, jeta e qytetarëve, institucionet dhe integriteti territorial i vendit, duke krijuar kushtet për të zhytur Shqipërinë në një luftë civile. Këto grupe terroriste, pasi dogjën, dhunuan institucionet shtetërore në një seri qytetesh, pasi terrorizuan popullsinë e Vlorës duke djegur e vrarë, u janë vërsulur aktualisht qyteteve të Jugut për të marrë pushtetin me forcën e armëve. Objekt i sulmeve të tyre kanë qenë njerëzit e pafajshëm, bashkitë dhe komisariatet. Janë thyer burgjet dhe janë armatosur vrasës dhe kriminelë ordinerë, janë thyer bankat dhe janë grabitur me qindra milionë lekë, janë sulmuar shtëpitë e qytetarëve dhe dyqanet e tregtarëve me qëllimin e qartë të terrorizimit të popullsisë, bllokimit dhe marrjes së pushtetit me dhunë”.

Por ndërsa në sallën e Kuvendit po miratohej ligji por gjendjen e jashtëzakonëshme, në redaksinë më të ashpër opozitare në vend ishte shfaqur “tymi mbi çati”. Një grup “paramilitar’ kishte shkuar rreth orës 23 të mbrëmjes, në redaksinë e gazetës Koha Jonë dhe kishte bërë masakër. Nëse marrim deklaratat e botuesit të gazetës Nikoll Lesi dhe i rakordojmë me kronologjinë e seancës plenare mund të shikojmë qartë se sulmi mbi gazetën është bërë sapo është ridiskutuar neni 4 i ligjit të Gjendjes së Jashtëzakonshëm që autorizonte kontrollin mbi medien e shkruar para se të botohej. Në seancë ka pas anatemime të qarta për gazetën Koha Jonë dhe një Tv lokal në Vlorë.

Unë e mora vesh të nesërmen në mëngjes. Kisha dal si zakonisht rreth orës dhjet në Rogner dhe mora vesh lajmin nga gazetarë të huaj. I vetmi zyrtar i policisë që njihja mirë në Tiranë ishte Sali Shehu. E mora në telefon dhe ai për fat ishte duke hyrë në Rogner, ndërsa fliste me mua. Ishte bashkë me Vajdin Lamen. Në atë kohë shef i krimeve në Komisariatin Nr.2 në Tiranë. Edhe ai po fliste me dikë në telefon.

-Kanë djegur gazetën i thashë. Di gjë kush e ka bërë.

-Jo më tha. Ja Vajdini po flet me Nikollën, po ajo nuk është në komisariatin tonë.

E pyeta dhe privatisht nëse dinte gjë, por realisht mu duk se nuk dinte. Për më tepër kishte dhe raporte personale me Nikoll Lesin dhe dukej i besueshëm në distancën që kishte nga ngjarja.

Jam përpjekur disa herë të kuptoj realisht kush e dogji gazetën. Cili segment i shtetit ishte aq i zellshëm sa për ti bërë “dhuratë” Berishës, ditën që do të zgjidhej president një djegie gazete? Me Berishën atë ditë nuk flitej. Ai kishte ‘dasmën’ e tij Në orën 10 paradite niste seanca e rizgjedhjes së tij president dhe ai ishte i përfshirë në një formalitet që i ngjante më shumë funeralit se sa festës. Dukej se dhe vet ndjehej i ligështuar për atë që po bënte. Donte doemos të shikonte shenja se po bënte gjënë e duhur por nuk shfaqeshin asgjëkund. Kishte disa ditë që artikulonte “pamundësinë kushtetuese” për të lënë vendin pa president, po përsëri nuk ngjiste. Djegia e gazetës kundërshtare të tij ishte tepër. Nikoll Lesi nuk jepte shpjegime të qarta. Fliste për nj tentim atentati ndaj tij në mesnatë, pasi dikush e kishte thirrur në telefon dhe i kishte thënë dil jashtë se po djegin gazetën, por ai i falënderohej gruas dhe zotit që nuk kishte dal jashtë. Natyra e tij rebele dhe shpesh e papërgjegjshme për situata frike, bënin kontrast të madh me këtë kujdes që kishte dëshmuar në mesnatë. Sidoqoftë krimi kishte ndodhur dhe botuesi nuk kishte qenë në vendngjarje, ndaj nuk kemi dëshmi prej tij. I vetmi njeri në vendngjarje është Zamir Dule, një reporter nga Korça i gazetës Koha Jonë, i cili u rrah për vdekje dhe u traumatizua. Si në një film me vrasës profesionist, dëshmitari i vetëm është i gjallë por i papërgjegjshëm për të dëshmuar. Askush nga polica edhe sot pas kaq vitesh nuk po dëshmon për krimin. Gazetarët flasin për një ish punonjës të presidencës komshi me ta që mund të ketë ndjellur “bandën e furgonit të bardhë” ku zakonisht ishin rojet vullnetare të Berishës në presidencë. Të tjerë flisnin për një përzierje mes disa oficerëve të policisë të cilët u përdorën dhe në skena të tjera makabre siç ishte rrahja e politikanëve tek Klubi i Fidelit në fillim të Shkurtit, apo rrahja e gazetarëve të huaj para parlamentit më 28 shkurt, ku mes të tjerësh u goditën dhe reporterë të BBC dhe CNN si dhe shoqërues të tyre, mes të cilëve dhe vëllai i Edi Ramës, Olsi Rama. Në këtë përzierje kishte bodigard zyrtarë të Berishës roje vullnetare të tij, tropojanë të thirrur “nën armë” për shkak të situatës dhe njerëz ordinerë. Në gjithë dëshmitë e tij publike Nikloll Lesi nuk jep asnjë detaj të qartë. Flet vetëm për faktin se rreth orës 23 kur gazeta ishte mbyllur dh epo vendosej titulli faqes së parë, ata kanë hyrë në redaksi kanë qëlluar me kondak pushkësh Zamir Dulen dhe kanë bërë masakrën. I vetmi detaj interesant që jep Nikoll Lesi është fakti që Zamir Dule u çua pastaj në komisariatin Nr.3 në Tiranë dhe kjo mund të ishte një bazë e mirë për hetimin. Por megjithëse Nikoll Lesi ishte për dy mandate deputet i së majtës, nuk arriti ta zbardh atë që ndodhi. Ngjarja u arkivua si një njollë e zezë për lirinë e medies dhe i kushtoi jo pak Sali Berishës. Dy muaj më pas në maj të vitit 1997, ai u shpall një nga dhjet armiqtë e shtypit në botë, krahas Fidel Kastros apo presidentit Koresë së Veriut. Botuesi i gazetës tentoi dhjet vite më pas në vitin 2007 të rihapte debatin por nuk ja doli. I dëshpëruar shiti gazetën tek ish ortaku i tij Frangaj, me shpresë s ky i fundit për shkak ët miqësisë së re me Berishën mund të merrte dëmshpërblimin për atë që i kishin bërë njëri tjetrit dhjet vite më parë. Ai në fakt e mori “shpërblimin”, por  jo në emër të gazetës. Gazeta Koha Jonë dhe djegia e saj mbetën një krim i pandëshkuar.

Marre nga libri “Viti 97”. Prapaskenat e nje krize qe rrenoi shtetin

1 komente në “2 mars 1997. Historia e rënies se “Republikës” se Parë të Berishës. Si u vendos Gjendja e Jashtzakonshme dhe u dogj gazeta Koha Jone”

  1. Albania says:

    Shqiptaret e kane memorjen e shkurter harrojne shpejt, keshtu dhe saliu tall bythen me to.. nikoll lehesi e harroi drurin e trimave te sales dhe eshte kthyer dhe i puth bythen atije gjithashtu dhe mejdani qe eshte kthyer ne nje njeri langaraq dhe shume e shume te tjere qe hanin dru si gomari ne duhan tek lokal8 i fidelit nga bozhibozuket e pd dhe prap jane kthyer dhe i sherbejne kriminelit sali..Shqiptaret jane populli me pa integritet qe per nje thes miell shet dhe vehten..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje