Kuvendi dy javë afat për Vetting-un, më 9 Mars ONM dorëzon listën e kandidatëve

2 Mars 2017, 08:49Politika TEMA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit pritet t’i dorëzojë Kuvendit më datë 9 mars listën e kandidatëve për 27 vendet vakante të Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit, institucione që do të kryejnë procesin e Vetingut, shkruan ‘Panorama’.

Sipas afateve të vendosura në Kushtetutën e re, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili drejtohet nga Genoveva Ruiz Calavera, ka në dispozicion 14 ditë për të verifikuar listën e kandidatëve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e organeve të vetingut.

Më datë 17 shkurt institucioni i Avokatit të Popullit i ka dorëzuar ONM-së listën me 29 kandidatë, të cilët plotësojnë kriteret ligjore, po ashtu dhe listën me 163 kandidatë të vetofruar, të cilët nuk i përmbushnin të gjitha kriteret e ligjit për “rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Sipas një përllogaritjeje të afateve të vendosura në Kushtetutë, më datë 9 mars ONM do të dorëzojë listën e kandidatëve dhe rekomandimet për secilin prej tyre në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

POLITIKA

Pikërisht në këtë fazë, procesi i vetingut mbetet sërish në duart e politikës. Në Kushtetutën e vendit është parashikuar një afat prej 3 ditësh që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, t’u kërkojë grupeve parlamentare të dorëzojnë kandidaturat për të qenë pjesë e dy komisioneve ad hoc.

Sipas parashikimeve të ligjit, grupet parlamentare të maxhorancës dhe opozitës do të dërgojnë për votim listën 18 deputetë, të cilët do të ndahen në mënyrë të barabartë. Pra, në komisionin e parë ad hoc do të jenë 12 anëtarë, nga të cilët 6 i ka maxhoranca dhe 6 opozita. Kurse në komisionin e dytë ad hoc do të jenë në total 6 anëtarë, me ndarjen e barabartë 3 me 3.

Duke parë situatën e tensionuar politike dhe mungesën e dialogut mes palëve, procesi i vetingut mund të ngecë në këtë pikë. Nuk dihet nëse opozita do të dërgojë deputetët e saj për të qenë pjesë e komisioneve ad hoc. Në rast se e djathta nuk jep kandidatët e saj, atëherë i gjithë procesi mbetet pezull. Pa ndarjen e barabartë të komisioneve ad hoc nuk mund të bëhet procesi i seleksionimit dhe i votimit të anëtarëve të vetingut.

PROCESI

Në rast se opozita i përgjigjet thirrjes për të dorëzuar kandidatët e saj, atëherë kreu i Kuvendit njofton seancën e radhës për të votuar përbërjen e komisioneve ad hoc. Këto komisione do të kenë një afat prej 30 ditësh për të organizuar seancat dëgjimore me kandidatët për komisionet e vetingut dhe më pas votimin e tyre.

Procesi i votimit të kandidatëve pritet të bëhet në mënyrë të fshehtë. Çdo anëtar duhet të votojë me detyrim për një kandidat dhe në fund listohen kandidatët që marrin më shumë vota. Nëse ky proces do të ecë, atëherë llogaritet të zhvillohet rreth 21 prillit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje