S'ka vendim për Haradinajn, shtyhet për në 6 prill, AAK: Duan ta mënjanojnë politikisht

2 Mars 2017, 10:06Rajoni TEMA

Vendimin për kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte është shtyrë për në 6 prill nga Gjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Avokatët thonë që nëse gjykata hedh poshtë kërkesën serbe, Haradinaj do të jetë i lirë dhe Serbia nuk ka mundësi apelimi, ndërsa në një rast të kundërt, vendimin përfundimtar për ekstradim apo jo do ta merrte qeveria franceze, përkatësisht ministri francez i drejtësisë.

Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Ndalimi i Haradinaj nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij. Ky është rasti i dytë që Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi sot se, shtyrja edhe për një muaj e mbajtjes së Ramush Haradinajt në Francë, është abuzim me drejtësinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi sot se, shtyrja edhe për një muaj e mbajtjes së Ramush Haradinajt në Francë, është abuzim me drejtësinë.

Vendimi është i palogjikshëm dhe krejtësisht i pakuptueshëm. Është e habitshme se si autoritetet gjyqësore të Francës, janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të Millosheviçit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, thuhet nw deklaratw.

AAK, vijohet më tej, dyshon se shtyrja e vendimit për lirimin e Haradinajt, është përpjekje e drejtpërdrejtë për mënjanimin politik të tij.

“Ne jemi të bindur se Haradinaj do të lirohet, sepse të ashtuquajturat dëshmi të Serbisë kundër tij, janë trillime dhe shpifje ordinere, por autoritetet franceze duhet ta kuptojnë se drejtësia e vonuar është padrejtësi dhe ato po e vonojnë drejtësinë në rastin Haradinaj”, përfundon deklarata e AAK, partisë së drejtuar nga Haradinaj.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje