Vëllai i Dritëroit: Historia e patreguar e ndarjes së tij me gruan ruse dhe djalin 7-vjeç

2 Mars 2017, 09:13Politika TEMA

Tajar Agolli, vëllai më i vogël i Dritëroit, ende nuk e ka marrë veten nga dhimbja që i ka shkaktuar ndarja nga jeta e shkrimtarit të njohur.

Inxhinier elektrik në profesion, më i disiplinuar në regjim dhe shëndet, pasi shërbeu gjithë jetën në ushtri, Tajari ka të fiksuar shumë mirë në mendje vitet e fëmijërisë, ku Dritëroin e shihte më të madh, më të burrëruar dhe më të mençur.

Ai tregon për Panoramen, dobësinë që babai kishte ndaj Dritëroit, të cilin e merrte dhe në zijafete burrash, por edhe shqetësimet që kanë pasur herë pas here, për shkak se babai kishte qenë kryeplak para Çlirimit, gjë që do të nxiste jo pak herë letrat anonime.

Si ka qenë fëmijëria juaj në fshatin e lindjes, Menkulas?

Unë dhe Dritëroi kemi qenë gjithmonë bashkë, nuk jemi ndarë. Dritëroi ishte pak më i avancuar se unë, më shtatlartë, por më i dobët dhe më i zgjuar. Ishim pak a shumë si dy vëllezër binjakë. Kemi pasur marrëdhënie shumë të mira mes nesh, Dritëroi kishte dhe shumë humor. Ai më thoshte: E di ti pse u thonë disa burrave… filani i Hamidesë apo Nazmijes, emrat nuk janë realë.

I thonë sepse gruaja është më e fortë dhe më e mençur se burri. Babai e merrte me vete Dritëroin kudo që shkonte, në zijafete, në mbledhje me burra dhe ai ndërhynte në biseda. Më kujtohet që ndonjëherë kishin ndonjë xhelozi. Ne kishim një kalë shumë të mirë me të cilin lëvizte Dritëroi, ai kujdesej shumë për të. Unë i thosha: Ma lër edhe mua ndonjëherë t’i hipi kalit! Sepse unë bëja dhe gara dhe isha kalorës i mirë, por Dritëroi nuk prishte qejf asnjëherë, ishte shumë tolerant.

Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me babain?

Kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Babai, e thashë, merrte gjithmonë Dritëroin me vete kudo që shkonte. Unë kisha njëlloj xhelozie dhe i kërkoja të më merrte edhe mua, jo vetëm Dritëroin. Dritëroi ishte dhe shumë punëtor për punët e fshatit, por shoqërimi i babait nga Dritëroi i shërbeu atij edhe për të mësuar dhe për të marrë kurajë para shumë burrave.

Atje ai mësoi edhe të këndojë. Madje, kur mësoi të këndonte këngët partizane, sa herë kalonin formacionet partizane, e merrnin Dritëroin që të këndonte këngët partizane. Në fshat ne kishim edhe një gazetë muri dhe kush kishte ndonjë njoftim për të bërë, e shkruante dhe e vendoste aty. Dritëroi filloi të shkruante që në atë kohë me humor për ndonjë vjedhje që bëhej në fshat.

Në ç’kohë ka qenë kjo?

Para Luftës dhe pas saj. Ne ishim fshat i madh, 400 burra dhe të rinj iu bashkuan Luftës.

Kur u shpërngulët nga Menkulasi?

Ne ishim një familje në gjendje të mirë ekonomike, kishim 40 hektarë tokë, pyll dhe mulli, me mullixhinj të punësuar. Por kur xhaxhallarët shkuan partizanë, babai nuk po i punonte dot më tokat dhe mullirin. Babai u shpërngul nga Menkulasi në një fshat tjetër afër qytetit, në Rrëmbec. Atje kishte shumë tokë dhe pak njerëz. Por arsyeja më e madhe pse u shpërngul babai nga fshati isha unë dhe motra.

Ai donte që ne të shkonim në shkollë sepse Dritëroi e kishte nis rrugën e tij. Nga aty, ne shkuam në Sukth, por edhe atje nuk na lanë rehat. Ishte një skraparlli, një kapter i cili foli keq për babain dhe na hoqën nga shtëpia e na futën në një barakë. Ne qëndruam në barakë derisa u sqarua statusi i familjes sonë.

Për çfarë e akuzonin babain?

Ky kapteri kishte bërë një letër, duke thënë se babai kishte ardhur në Sukth që të bëhej kulak, sepse kishte qenë familje e pasur në Menkulas dhe kishte qenë dhe kryeplak. Në fakt, babai kishte qenë kryeplak, por edhe kryetar këshilli antifashist nacionalçlirimtar. Por kur donin të të dëmtonin, i përmendnin babait detyrën e tij si kryeplak. Për Ballin Kombëtar, babai ishte kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar, për partizanët shihej si kryeplak.

Babain e arrestuan dhe e çuan në një burg në Korçë. Kur u çlirua burgu nga partizanët, babai u kthye në fshat. Ai foli me komandantin e batalionit “Devolli”, Fuat Babanin, “Si të bëj, të vij partizan apo të rri në fshat?”. Fuati i tha “Rri në fshat si kryetar këshilli, sepse do të kesh mbrojtjen tonë”. Por Dritëroin, e shkuara e babait si kryeplak, nuk e ka dëmtuar.

Ka ndikuar negativisht në aktivitetin e Dritëroit fakti që babai kishte qenë kryeplak, sepse kujtojmë që kryeplaku ishte një strukturë administrative e kohës së para komunizmit, e cila u zëvendësua me këshillin?

Mua më ka nxjerrë probleme ky fakt kur doja të pranohesha në parti dhe Dritëroit në një rast. Një i afërmi ynë shkroi një letër anonime për në Komitetin e Partisë, ku shkruante se Dritëroi ndihmon të deklasuarit.

Gjatë kohës që Dritëroi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve?

Po, kur ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Komitetit të Partisë së Tiranës. E thirrën në Komitetin e Partisë dhe ia lexoi Xhelil Gjoni letrën që kishte mbërritur atje. “Ç’thotë Dritëroi për këtë letër?”, pyeti Xhelil Gjoni në mbledhjen e Komitetit të Partisë së Tiranës. “Vetëm një gjë kam,¬ tha Dritëroi,¬ kush do të më bënte pjesë të tij, ai marangozi i deklasuar me 4 klasë shkollë, apo klasa jonë që më bëri të bëhem ky që jam sot?!”. “Ulu, ulu!”, i tha Xhelili dhe kështu kaloi ky moment i letrës. Ishte koha e Ramiz Alisë, kur lufta e klasave ishte zbutur dhe kishte udhëzime që të afroheshin njerëzit, edhe pse të prekur pak në biografi. Por Dritëroi ishte i vërtetë, madje edhe Enver Hoxhës ia ka thënë troç siç e mendonte kur e ka pyetur.

Çfarë e ka pyetur Enver Hoxha?

Ishte dhënë një udhëzim që në shkollë të lartë të shkonte vetëm një fëmijë për familje. Anastas Kondo, që mbulonte Kulturën, ishte thirrur nga Enver Hoxha për të raportuar për çështjet e kulturës dhe artit. Anastasi mori me vete Dritëroin. Në atë kohë Dritëroi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Anastasi nisi të raportonte për problematikat. Kur mbërriti te pika që lidhjen me të drejtat e studimit për shkollat e larta, Enveri i tha: “Këtu ndalu! Si është opinioni për këtë udhëzim?”. “Çka?¬ i tha Anastasi.¬ Ka mendime si pozitive, ashtu edhe negative. Po shkrimtari ynë çfarë mendimi ka,¬ pyeti Enveri Dritëroin.¬

Vetëm një gjë kam unë¬ i tha Dritëroi¬ sikur vëllezërit Frashëri të mos kishin bërë shkollë, a do mburreshim ne me ta?,¬ Enveri tha,¬ Të hiqet ai udhëzim menjëherë!”. Dritëroi ishte realist në ato që thoshte dhe për këtë vlerësohej. Më vjen mua një ditë një oficer i aviacionit, me mbiemër Lleshi, nga Veriu. Më takon dhe më thotë: “Vajza vetëm matematikën kishte 8 dhe i ka dalë shkolla e lartë për Matematikë. Të lutem fol pak me vëllain se mos i ndërrohet e drejta e studimit”. Ndërhyri Dritëroi dhe ia ndërruan degën, nga Matematikë në një degë tjetër, sepse lëndët e tjera i kishte 10.

Kush e ka ndihmuar Dritëroin për të shkuar në shkollë?

Ka qenë Kahraman Ylli. Kur ishte në gjimnaz në Gjirokastër, Dritëroi ishte në grupin e letrarëve të rinj bashkë me Ismail Kadarenë. Kahramani e veçoi në një aktivitet letrar dhe i tha se ti duhet të shkosh të studiosh për Letërsi. Dritëroi kishte dëshirë të studionte për zooveteriner, pasi i pëlqenin punët e fshatit. Kahramani e bindi që të shkonte për Letërsi.

Si u përjetua në familje ikja e Dritëroit për studime në Shën Petërburg?

Prindërit ishin shumë dakord dhe të kënaqur madje, sepse me Bashkimin Sovjetik ne kishim shumë miqësi.

Ishte dikush që e mbështeti që ai të shkonte për studime në Shën Petërburg?

Kahraman Ylli, ai ka merita të mëdha për dhënien e mundësisë Dritëroit që të ecte përpara. Edhe Dritëroi e ka përmendur këtë dhe ia dinte për nder.

Gjatë viteve që ishte në Shën Petërburg, vinte në Shqipëri?

Në 5 vjet që studioi atje erdhi vetëm një herë. Por me mua shkëmbente letra. Më shkruante për jetën atje dhe më porosiste se isha në një moshë që duhet të krijoja familjen dhe më thoshte se duhet të kisha shumë kujdes kur të zgjidhja njeriun e jetës. Në atë kohë, Dritëroi ishte dashuruar me Ninën dhe ai më fliste si vëllai i madh.

Si u mësua nga ju lidhja me Ninën?

Dritëroi më tha mua se dashuroj një vajzë ruse, është për gjuhë të huaja në Anglisht, kishte qenë në shtëpi të saj. Dritëroi erdhi në korrik në Shqipëri dhe Nina do të vinte në shtator bashkë me djalin. Dritëroi përgatiti terrenin në familje, u foli prindërve për këtë martesë. Bëmë regjistrimin në shtëpinë time, në Kinostudio, ku banonim në një dhomë e kuzhinë. Erdhi Nina bashkë me djalin, i cili ishte një bardhosh i bukur. Dritëroi punonte te “Zëri i Popullit” dhe shkonte nga Kinostudioja deri në gazetë me një biçikletë ruse “Riga”, që e kishte sjellë prej andej. Në një dhomë e kuzhinë jetonim të gjithë bashkë, babai, unë, motra me një fëmijë dhe në dhomën e gjumit Dritëroi me Ninën dhe djalin. Babai ishte pak i ashpër për këtë lidhje, por Dritëroi e zbuti sepse ai e dëgjonte shumë. Nina ishte shumë e lidhur me të motrën, shkëmbenin shumë letra mes tyre. Kur u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, Nina fliste me nënë Hatixhenë për Krushovin me një lloj simpatie. Dhe nënë Hatixheja një moment i thotë: “Krushovi… Krushovi ç’më flet për atë që ma ka kokën kaq të madhe?!”. Kjo nuk i pëlqeu shumë Ninës, e cila nuk shprehu gjë, por ne e kuptonim simpatinë që ajo kishte për udhëheqësin sovjetik.

Çfarë ndodhi me bashkëshorten ruse të Dritëroit, Ninën. Pse u largua nga Shqipëria?

Nina u largua e fundit nga të gjitha ruset që ishin martuar me shqiptarë, apo punonin në Shqipëri. Edhe vëllai i Mehmet Shehut ishte martuar me ruse, por Nina nuk kishte lidhje me të. Shumica e tyre u përzunë nga Shqipëria, ndërsa Nina nuk u përzu. Nina tha unë do të iki nga Shqipëria për ta lënë Dritëroin të qetë të krijojë dhe prodhojë letërsi sepse ia njihte talentin.

Ajo e ndiente se mund të bëhej pengesë për të ardhmen e Dritëroit?

Po, po, e kishte frikën se mund ta sulmonin Dritëroin me shpifje, sepse kishin filluar t’i shikonin me sy tjetër rusët që ishin në Shqipëri.

Si u përjetua në familjen tuaj kjo ndarje?

Unë në atë kohë isha në plazh me bashkëshorten time, Vajdenë, dhe nënën. Më lajmëron Dritëroi dhe më thotë se Nina do të ikë, bëj si të bësh dhe hajde në Tiranë. U nisëm dhe shkuam në Tiranë. Me xhipin e Ambasadës Çeke, e cila kryente të gjitha procedurat për shtetasit rusë, u nisëm për në Rinas. Sapo mbërritëm në Vorë, Nina u bë pishman dhe tha do të kthehem. Dritëroi i tha që: “Ti je nisur në rrugën tënde. Nuk do të rri unë që të të dëgjoj ty për Krushovin vazhdimisht”. Kishin mes tyre ca fërkime të kësaj natyre. Nina kishte një simpati për Krushovin, këtë e shprehte, por nuk ishte agjente siç dolën më vonë shumë rusë dhe ruse.

Si ka qenë momenti i ndarjes?

Nina iku për në avion bashkë me djalin 7 vjeç. Ishte një moment shumë i rëndë. Dritëroi filloi të nxirrte lot. Nuk e mbajti dot veten. Unë nuk e kisha parë ndonjëherë Dritëroin të qante. Qau për djalin, se për Ninën duket se ishte thyer dashuria mes tyre. Një herë kur e kanë pyetur, ka thënë se më vinte keq për Ninën se “Më donte shumë, prandaj dhe u martova”. Prandaj ma përsëriste vazhdimisht këtë, që vendimi për të gjetur njeriun e jetës duhet të jetë shumë i matur dhe i pjekur. Dritëroi kishte mbetur vetëm tani dhe kërkoi që prindërit të shkonin të jetonin me të, sepse Dritëroi kishte dalë më vete me shtëpi.

Kishte më komunikim me Ninën?

Jo, me Dritëroin asnjë komunikim. Por Nina dërgonte letra te motra ime, por me shumë kujdes sepse mund të të akuzonin për spiunazh. Me letrat çonte edhe ndonjë dhuratë të vogël.

Si u rivendosën lidhjet përsëri me Ninën?

Sebep u bë Sadija, për hir të djalit. Ajo gërmoi se ku janë e ku s’janë të dhënat dhe i gjeti adresën Ninës, foli edhe me Ninën dhe arritën që të takoheshin përsëri në Shën Petërburg. Kur shkoi herën e parë në Shën Petërburg, Dritëroi takoi djalin e më pas takoi ish¬gruan e tij në shtëpinë e saj. Ajo ishte shumë e prekur dhe duket se ishte bërë pishman që ishte martuar me një tjetër. Dritëroi nuk kishte ndonjë pishman sepse kishte krijuar familjen e tij dhe ishte i lumtur me gruan dhe fëmijët.

3 komente në “Vëllai i Dritëroit: Historia e patreguar e ndarjes së tij me gruan ruse dhe djalin 7-vjeç”

  1. Kryqi says:

    Bardh e zi,tregim plot hipokrizi
    Driteroi besnik i nenes parti
    Gruas i vu drune me gjthe femije.
    DONIT ME PER BELULIN
    Nina iku vete,nuk iku vete e perzute ju
    delenxhite e sistemit qe nuk u bete kurre njerez

  2. Creasy says:

    Nina… Zonje grua qe me shume eshte debuar prej tij. Per pervoje personale te gjitheve u dha nje mundesi zgjedhje edhe pse me pasoja. Po nje person qe shkruan per dashurine dhe nuk mbron te veten cfare autori na qenka.
    Respekt per te gjithe ata nenshtetas qe qendruan dhe luftuan per te mbrojtur dashurine e tyre

  3. pokeristi says:

    Z.Agolli!
    O Tajar…
    I ndershem si Driteroi
    Gjithmone fahatar
    Te jesh krenar
    Me mall e respekt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje