Andi Koçi, ky guximtar i çmendur

3 Mars 2017, 11:13Sport TEMA

Nga Ervin Baku

Andi Koçi është një gjyqtar futbolli. Gjyqtar i mirë futbolli. Së fundi edhe gjyqtar i FIFA-s. Dhe i bën nder stemës së qeverisë botërore të futbollit. Të dielën e kaluar Koçi ishte në Kukës. Për të gjykuar një ndër ndeshjet vitrinë të kampionatit tonë të futbollit, Kukësi-Partizani. Zakonisht ulemi dhe shkruajmë për të kritikuar gjyqtarët. Shpeshherë me të drejtë. Për gabimet e tyre njerëzore dhe jo-njerëzore.

Rrallëherë gabojmë edhe ne gazetarët. Në gjykimet tona për gjykimet e tyre. U ula këtë herë për të lavdëruar performancën e fundit të Koçit. Për të evidentuar edhe guximin e çmendur të tij. Ishte një risi shumë e bukur. Që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ai vetë po e po, por edhe nga kolegët e tij. “Çfarë bëri ai”, do pyesni ju? Gjithçka duhet futur në kontekstin e duhur. Nuk po gjykonte ndeshjen Memaliaj-Gramshi, me gjithë respektin maksimal për këto skuadra.

Kukësi-Partizani ishte ndeshja kryesore e javës së 23-të të Kategorisë Superiore. Luanin dy nga tre pretendentët për titullin kampion. Ishte një ndeshje shumë e bukur. Bukurinë e së cilës nuk e prishën dot as gurët e hedhur nga jashtë stadiumit në drejtim të tifozëve të Partizanit, as thyerja e stolave nga këta të fundit.

Gjytari Andi Koçi ka një meritë të jashtëzakonshme në bukurine dhe spektaklin e kësaj sfide. Ai gjykoi në mënyrë të drejtë dhe perfekte ndeshjen. Deri këtu nuk ka asgjë të veçantë. Sepse bëri vetëm detyrën. Por, ai me një guxim të çmendur lejoi një lojë të fortë dhe burrërore. Në një balancë si të ndarë me thikë për të dyja skuadrat dhe një fair-play të admirueshëm.

Komplimenta të sinqertë Andi Koçi! Kjo performancë kërkon shumë inteligjencë. Pa folur për zotësinë në gjykim. Për të gjithë ata/o që e kanë ndjekur ndeshjen, të jepej përshtypja që kishim të bënim me një sfidë të kampionatit anglez. Për mua, kampionati më i bukur në botë. Pra shijuam një ndeshje “angleze” në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.

Të gjithë ata/o që duan futbollin e bukur dhe të vërtetë, e shijuan. Pa mërzitjen e rënies pafund të bilbilit. Ose siç themi në zhargonin sportive, “e bëri lojën bilbil”. Çfarë tregoi kjo performancë e fundit e gjyqtarit Andi Koçi? Që ne kemi gjyqtarë shumë të mirë në kampionatin shqiptar. Po po, shumë të mirë. Shumë më të mirë se vetë niveli i kampionatit

. Që kur duan, na lënë me “gojë hapur”. Për mirë. Pse e them këtë? Ne nuk prodhojmë një futboll shumë të shpejtë. Me kombinacione pafund dhe me veprime spektakolare. Gjyqtarët kanë mundësi t’i menaxhojnë shkëlqyeshëm ndeshjet. Kampionati kombëtar i futbollit ka hyrë në një fazë shumë interesante. Tri skuadra luftojnë për titullin kampion. Dhe të paktën katër të tjera luftojnë për të qëndruar në elitë.

Çdo javë, performanca e gjyqtarëve do të shikohet me lupë. Është në nderin e tyre të bëjnë më të mirën, me sa më pak gabime. Qofshin këta edhe njerëzorë. Që në fund çdo skuadër të marrë atë që ka dhënë. Atë që meriton. Shqipëria ka shumë gjyqtarë futbolli. Por sot, kampionati shqiptar ka shumë nevojë për më shumë Andi Koçë dhe më shumë Lorenc Jeminë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje