Batha, një jetë prej mesfushori

Një jetë prej mesfushori, të dikujt që i duhet të rikuperojë topa, të vrapojë e luftojë, të luajë bujarisht duke sakrifikuar e në fund dhënë topin për atë që bën golin. Te Partizani për shembull flitet shumë për Ekuban, pritjet e Hoxhës, padyshim me meritë, por jo dhe aq për kilometrat e Idriz Bathës, megjithatë vetë Batha dicka të tillë nuk e ndien, për vetë frymën që është krijuar te të kuqtë.

“Jo, të them të drejtën nuk e ndiej shumë këtë punën që nuk më del emri në gazeta, pasi c’është e vërteta edhe nuk ankohem, se dhe ju më keni përgëzuar sa herë kam luajtur mirë, nuk më keni harruar si të thuash, por këtu te Partizani vetvetiu është krijuar një ndjesi që të gjithë i marrin meritat, jo vetëm sulmuesi, kështu e kemi krijuar ambientin, dhe motoja jonë është “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

Kënga e Ligabue është një metaforë futbollistike për jetën, ku duhet të fitosh gjithcka me punë edhe nëse të mungon talenti, por Bathës talenti nuk i mungon, dhe këmbët e mira i ka. Flasin për këtë edhe 4 golat e shënuar në këtë sezon, vecon më të bukurit, por ndërkohë kurrë nuk kënaqet.

“Goli më i bukur është ai kundër Vllaznisë në Shkodër, ishte një gol i vecantë për mua, edhe goli në Vlorë ishte i bukur, por për mua janë ende pak gola.

-I ke vënë vetes ndonjë shifër?

– Shifra jo, por duke u krahasuar me mesfushorët që bëjnë gola në Europë, prapë janë pak.

– Kë ke parasysh për shembull?

– Në të gjithë kampionatet e botës mesfushorët cilësorë bëjnë gola,.

– Batha si Naingolan?

– Është shumë lart, por është një idhull për mua.

Ndeshja e radhës me Lacin që ka ndryshuar fytyrë këtë vit, një nga ato ndeshje ku do të duhen shumë edhe forcë e eksperiencë në mesfushë. Batha këtu theksin e vë te motivimi.

“Është një nga sfidat më të vështira që kemi. Do ta cilësojë më të vështirë edhe se Kukësi, duke patur parasysh që me Kukësin motivimi është në maksimum, ndërsa këto ndeshje që luhen pa tifozë sjellin edhe një si përgjumje për skuadrat. Laci ka nevojë për pikë, po ashtu dhe ne na duhen pikët maksimale në ndjekje të titullit. Do të jetë një ndeshje e vështirë por besoj se do t’ja arrijmë qëllimit për të fituar”.

Besimi i Starovës shfaqet në shifrat e Bathës, ka luajtur 22 ndeshje këtë sezon, në kampionat. Titullar fiks dhe një ndër më të aktivizuarit te Partizani, por për të kuptuar marrëdhënien me trajnerin vlen edhe ndonjë pyetje më shumë.

“Cila është lëvdata që të ka përkëdhelur më shumë sedrën nga Starova?

– Të them të drejtën asnjë lëvdatë kur jemi brenda fushës, kur jemi jashtë jemi shokë, por profesori është gjithmonë shumë kërkues dhe rezervohet për këtë.

Cili është qortimi që të ka prekur më shumë ?

– Për t’u prekur nuk mund të them, por shpesh flasim edhe me tone të larta se jemi trajner dhe shok, por dhe tonet e larta trajnerit i lejohen.

Batha ka dhe dicka tjetër ndryshe nga të tjerët, nuk është vetëm futbollist por edhe tifoz i Partizanit.

“Që i vogël kam qenë me Partizanin, që i vogël shkoja në stadium për ta ndjekur Partizanin, ja arrita qëllimit për t’u bërë edhe futbollist i Partizanit dhe kjo është një ndjenjë edhe më e bukur”.

Por sa e vështirë është të bësh edhe futbollistin edhe tifozin, a ngatërrohen ndjesitë në fushën e blertë?

“Të them të drejtën është pak e vështirë ndonjëherë se duke futur edhe ndjenjën e tifozit të bën të kesh më shumë përgjegjësi, por eshtë edhe e bukur. Unë kur jam në fushë jam më shumë futbollist se tifoz, përpiqem ta lë ndjenjën e tifozllikut, dhe mundohem të përkushtohem te ndeshja me qetësinë e duhur, por sidoqoftë e dua këtë fanellë dhe e ndiej shumë”.

Për këtë arsye askush nuk mund të thotë se Batha nuk luan me shpirt, por a është e njëjta arsye që ndonjëherë është më nervoz sa duhet në fushë?

“Kjo është pjesë e karakterit dhe temperamentit, i kisha dhe në Kavajë dhe në Durrës, por sidoqoftë edhe ndjenja e tifozit më emocionon pak”.

Lufta për titullin është vërtet e paparashikueshme, te Kukësi pretendojnë se janë të denjë për trofeun, ashtu si dhe te Skënderbeu por si e ndiejnë veten te Partizani, në grupin e kuq.

“Jo vetëm te grupi për të jeni të sigurtë se të gjithë njerëzit e Partizanit edhe të gjithë tifozët e kanë parë që Partizani është i denjë për titullin, dhe Kukësi e Skënderbeu e kanë vërtetuar këtë në ndeshjet direkte se sa të fortë jemi”.

Partizani është 4 pikë pas në klasifikim, por Skënderbeu e Kukësi duhet të ruhen, mesazhi i Bathës për ta.

“4 pikë nuk janë shumë, kemi ende ndeshje direkte, mesazhi i vetëm është që ne jemi këtu për titullin kampion”./ Supersport/

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *