Rrëfimi special i Agollit: Këpucët e futbollit i vishja me çorape leshi

3 Mars 2017, 16:40Sport TEMA

Secili zgjedh një fushë të caktuar të jetës për t’iu dedikuar. Ndoshta talenti nuk shfaqet që në ditën e parë të nisjes së një angazhimi, mirëpo edhe në rastin kur mungon, puna dhe përkushtimi bëhen disa herë më të vlefshëm sesa diçka e lindur dhe e paushqyer.

Gjithashtu, ekzistojnë edhe rastet kur talenti, përkushtimi, puna e palodhur dhe serioziteti e devotshmëria e bëjnë një njeri të arrijë majat. Mirëpo, edhe pse Ansi Agolli e ka arritur diçka të tillë, kapiteni i Kombëtares ruan ende staturën e një futbollisti të thjeshtë, të një njeriu pozitiv, të një miku që di t’i vlerësojë njerëzit që ka pranë vetes.

Mbrojtësi i Karabakut në kampionatin azer vjen në një rrëfim special për “Panorama Sport”. Nga hapat e para në fushën e futbollit, te fëmijëria dhe sakrificat me miqtë e tij, deri te dëshirat dhe planet e parealizuara në karrierë me skuadrën e Karabakut. Mbrojtësi 34-vjeçar rrëfen vështirësitë e nisjes në karrierën e tij.

Duke treguar përditshmërinë e tij, Agolli lë të kuptohet se të jesh i aftë për të luajtur në nivele maksimale edhe në moshën 34-vjeçare nuk është vetëm dhuratë. “Ditën e ndeshjes vrapoj rreth 11-12 kilometra. Në ditë stërvitjeje normale, vrapoj rreth 7 të tilla, ndërsa kur jam pushim rreth 5 kilometra”, zbulon ndër të tjera Agolli.

Futbollisti fjalëpak dhe i palodhur në fushën e lojës e ka të vështirë ta imagjinojë veten jashtë këtij sporti, mirëpo kur e kthen veten pas në kohë, rrëfen se mund të kishte një profesion tejet fitimprurës në ditët e sotme…

Kush t’i ka blerë këpucët e para të futbollit?

Babai. Ishin prej atyre që prodhoheshin në Shqipëri në atë periudhë. Mbaj mend që më rrinin të mëdha, sepse në atë kohë nuk kishte numra për fëmijë. I vishja me çorape leshi të trasha dhe, sipër tyre, getat e stërvitjes, në mënyrë që këmba t’i afrohej numrit të këpucës.

Sa e keni numrin e këmbës?

Si jeni ndier kur keni veshur për herë të parë fanellën e Tiranës?

Kurorëzimi i ëndrrës sime të parë, për të cilën kisha shumë vite që punoja për ta arritur. Njeri me fat që vesha atë fanellë dhe shumë krenar që dola nga një akademi brenda trojeve shqipfolëse.

Po për fanellën e Kombëtares?

Natën që e mora vesh, nuk e besoja, isha si në një ëndërr. Por, të nesërmen kuptova që më priste një punë e madhe, pasi të veshësh fanellën e Kombëtares nuk i ndodh çdokujt dhe është një rrugë e vështirë. Më e vështirë pastaj është ta mbash atë pozicion dhe të japësh kontributin sa herë që të jepet shansi, sepse është vërtet i tillë.

Mund të na rrëfeni një histori interesante kur keni qenë fëmijë?

Nuk di të them nëse është më interesantja apo jo, por po kujtoj një të tillë. Kur isha pjesë e paratërinjve të Tiranës, mbaj mend që udhëtonim tre shokë në një biçikletë nga zona te restorant “Durrësi” deri te fushat e Ali Demit. Për këdo që e njeh kryeqytetin, e kupton se për sa rrugë bëhet fjalë…

Cilët janë 3 miqtë tuaj më të mirë në futboll?

Ervin Bulku, Isli Hidi, Admir Teli, Andi Lila etj… Më duket se e kalova treshin (qesh…). Me Bulkun dhe Hidin kam raporte më të lidhura, pasi njihemi që në moshë të vogël.

Kush është trajneri që ju ka ndihmuar më shumë?

Trajnerët e viteve të para në karrierë. Më konkretisht Sulejman Mema, Sulejman Starova e Luan Zengla. Një vend të veçantë, gjithashtu, ka edhe trajneri im aktual Gurbanov. Më ka ndihmuar që të hedh një hap akoma më cilësor në karrierë. Po ashtu, është trajneri që kam punuar më gjatë deri tani, 7 vjet.

Cila është makina që keni mbajtur më gjatë?

Kjo që kam tani. E kam prej rreth gjashtë vitesh.

Çfarë modeli është?

Një “Mercedes B Class, 200”.

Jeni përfshirë ndonjëherë në sherr në tunel?

Jo, asnjëherë! E mbaj inatin përbrenda dhe nuk e kaloj te të tjerët.

Cili ka qenë gabimi më i madh që keni bërë në karrierë?

Nuk mendoj se kam bërë gabime. Edhe kur gjërat s’më kanë shkuar ashtu siç kam dashur unë, mendoj se më kanë ndihmuar të bëhem njeriu dhe futbollisti që jam sot. Nëse do të kthehesha pas në kohë, do ta bëja çdo gjë njësoj.

Cila është skuadra më e fortë me të cilën jeni përballur?

Spanja e kësaj here. Na e morën topin dhe na e paralizuan lojën.

Po stadiumi më i nxehtë ku keni luajtur?

“Signal Iduna Park” i Dortmundit. Por edhe stadiumi i Sëlltikut në Gllasgou.

Pse diskutohet kaq shumë shiriti i kapitenit në Kombëtare, ndërkohë që kapiteni jeni ju?

Në skuadër nuk ka diskutime të tilla dhe ato vijnë vetëm nga jashtë. Me sa mbaj mend, nuk po ndodh vetëm tani, por sa herë që rezultatet e ekipit nuk janë pozitive. Sinqerisht më duken gjëra të kota e nuk më shqetësojnë. Për mua, e rëndësishme është skuadra, për të cilën punoj me kokën ulur që të jap maksimumin në fushën e lojës duke ndihmuar shokët e mi sa herë që të më jepet mundësia.

Sipas jush, çfarë duhet për ta mbajtur shiritin?

Mendoj se shiritin e kapitenit nuk ta jep dëshira apo pamja fizike, gjatësia apo gjerësia, por eksperienca që ke ndër vite, kontributi për ekipin sa herë që trajneri të jep shansin dhe ruajtja e marrëdhënieve të mira me shokët e skuadrës, me stafin dhe çdo njeri që punon për skuadrën. Në fund është trajneri që i mat këto tregues dhe vendos për gjithçka. Me dekada, në Kombëtaren tonë kështu ka funksionuar, si për paraardhësit e mi, si për mua. E kështu besoj që do funksionojë edhe për pasardhësin tim. Është një hierarki që sheshon konfliktet dhe krijon një mjedis të shëndoshë në ekip.

Nëse do të ishte në dorën tuaj, kujt do t’ia linit shiritin?

Siç e thashë më lart, është hierarkia që vendos, sigurisht me pëlqimin e trajnerit. Nuk më takon mua të vendos, por cilido që të jetë vendimi, unë do ta mbështes, pa diskutim.

A keni ndonjë peng në këto 34 vite jetë?

Për fat të keq, po! Mosprania afër babait tim, në momentin kur ai ndërroi jetë…

Jeni i pasur apo i varfër?

Ndihem shumë i pasur, pasi pasuria ime është familja, miqtë dhe vendi im!

Çfarë nuk duroni dot?

Egoizmi i tepruar. Kjo, pasi besoj se të çon në delir.

Çfarë pëlqeni më shumë?

Futbollin! Pasioni që kam për të nuk ka shteruar kurrë e më jep shtysë të stërvitem akoma më shumë.

Nëse nuk do të ishit sportist, çfarë profesioni mendoni se do kishit ushtruar në jetë?

Vështirë se mund ta imagjinoj veten time pa futbollin, por kur kam qenë në moshë të vogël, shisja paketa cigaresh, të famshmet “DS”. Jo vetëm kaq, por edhe llamba e çorape. Ato pak të ardhura i çoja në shtëpi. Me pak fjalë, tregtar… Mbase, sot mund të kisha një biznes timin.

Sa orë flini zakonisht?

Të paktën 7 orë. Është shumë i rëndësishëm për rikuperimin fizik.

Sa kilometra vrap në ditë përshkoni zakonisht?

Varet nga dita. Kur kam ndeshje, rreth 11-12 kilometra. Në ditë stërvitjeje normale vrapoj rreth 7 të tilla, ndërsa kur jam pushim rreth 5 kilometra.

Pesë kilometra vrapim në ditë pushimi?

Po, shkoj në palestër dhe stërvitem.

Mes kapitenëve që keni pasur në ekipin kombëtar, për nga karakteri jeni më pranë Tares, Hasit, Lalës apo Canës?

E kam të vështirë ta përcaktoj. Secili nga këta emra të mëdhenj ka karakterin e tij të veçantë dhe nuk kanë pasur ngjashmëri me njëri-tjetrin. Kështu mendoj se është edhe për mua. Nuk kam një shembull që e ndjek apo dua t’i ngjasoj. Thjesht jam vetvetja, përpiqem gjithnjë të bëj gjënë që mendoj se është e drejtë dhe mundohem të përcjell pozitivitet në grup.

Cila është ëndrra juaj që ende nuk ju është realizuar?

Ëndrra më e madhe që ende nuk kam realizuar është të marr pjesë në grupet e Ligës së Kampioneve me Karabakun. I kemi shkuar disa herë afër. Ku i dihet, ndoshta vitin tjetër…

Deri ku mund të mbërrijë Shqipëria në këto eliminatore?

Ajo varet nga ne. Me ne kuptoj lojtarët bashkë me stafin. Është e rëndësishme t’i marrim ndeshjet me radhë e pastaj objektivi final do të jetë më i qartë.

Sa shanse kemi me Italinë dhe a keni ndonjë ide si mund të ndalet ajo?

Kundër Italisë duhet të bësh ndeshjen perfekte, pa gabime, me personalitetin dhe mentalitetin e duhur! Gjithashtu duhet grintë. Secili në këtë ndeshje duhet të nxjerrë luanin që ka përbrenda. Kemi përballë një superskuadër që nuk gabon kollaj e që të godet në gabimin më të vogël tëndin.

Çfarë synimi ju ka mbetur pa realizuar në Azerbajxhan?

Siç e thashë, të luajmë në grupet e Champions-it! Do të ishte diçka fantastike për klubin dhe tifozët. Por, në fillim, duhet të fitojmë kampionatin, ku deri tani jemi në rrugë të mbarë.

Cilat janë objektivat tuaja personale për këtë vit?

Objektivi im lidhet me skuadrën. E kam të qartë që detyra ime është të stërvitem fort dhe t’i ndihmoj shokët e ekipit për të arritur objektivin e përbashkët, i cili është titulli kampion për të katërtin vit radhazi.

Cili është ushqimi juaj i preferuar kur vini në Shqipëri?

Byreku që bën nëna ime, mami Lira.

Po në Azerbajxhan, çfarë ushqimi ju pëlqen më shumë?

Është një supë që quhet Borsh. Është fantastike./ Panorama Sport/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje