Djali i ish-presidentit francez Miteran flet për Shqipërinë: Përshtypjet e mia dhe muxhahedinët

5 Mars 2017, 16:32Sociale TEMA

Djali i ish-Presidentit të Francës për 14 vite, François Mitterrand, vizitoi këto ditë për herë të parë Shqipërinë. Në një intervistë për “GSH”, Gilbert Mitterrand, i cili ka qenë për dy mandate edhe deputet në parlamentin francez, u shpreh se prej Shqipërisë i kanë mbetur në mendje njerëzit e këndshëm dhe mikpritës. Gilbert Mitterrand erdhi në Tiranë me një mision. Ai është president i fondacionit “France Libertee”, një fondacion ky i themeluar nga nëna e tij, Danielle Mitterrand, para shumë vitesh, dhe që ka si mision mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, e veçanërisht kauzën e muxhahedinëve. Gilbert Mitterrand përgëzon Shqipërinë për strehimin e muxhahedinëve, duke i quajtur ata “miqtë e tij”.

Zoti Mitterrand, kjo është vizita juaj e parë në Shqipëri. Si ju duket vendi?

Po, është hera e parë që vij në Shqipëri dhe më duket një vend mjaft i bukur. Është një kohë e bukur, njerëzit janë të këndshëm, mikpritës. Shoh një popull mendjehapur. Nuk kisha qenë asnjëherë më parë në Shqipëri, por as në vendet e Ballkanit, në anën e detit Adriatik. Ishte një ëndërr për mua.

Cili është qëllimi i vizitës suaj në Tiranë?

Nëna ime, Daniele Mitterrand, ka themeluar fondacionin “France Libertee” dhe unë kam qenë në këshillin administrativ të këtij fondacioni. Kur ajo u nda nga jeta, më kërkoi që të bëhesha president i fondacionit. Dhe që prej pesë vitesh unë jam president i fondacionit. Që prej asaj kohe unë kam ndjekur të gjithë rrugën, betejat e nisura për të drejtat e njeriut si dhe për demokracinë dhe lirinë. Fondacioni ka 30 vite që përpiqet për të drejtat e njeriut, aty ku ato janë të kërcënuara, në të gjithë botën, për burrat, gratë e fëmijët që janë viktima të regjimeve, të obskurantizmit në vende që ende nuk e kanë fituar lirinë. Ne luftojmë në të gjitha kontinentet, për të mbrojtur njerëzit, gratë, fëmijët që janë viktima të tiranisë, por edhe ata që janë viktima të zhvillimit kulturor, historik apo ekonomik. Këtu vlen të përmendim Amerikën Latine, ku njerëzit mund të jenë viktima edhe prej modeleve të ndryshme të mënyrës së të jetuarit, të kulturës, të historisë. Ndaj ata duhen ndihmuar dhe respektuar për atë që ata përfaqësojnë dhe janë. Ata kanë të drejtën të jetojnë.

Ashtu siç ju e thatë, jeni president i fondacionit “France Libertee” që u krijua nga nëna juaj. Pse kjo iniciativë për të mbrojtur të drejtat e muxhahedinëve?

Muxhahedinët dhe të gjithë njerëzit që janë në të njëjtat kushte. Me muxhahedinët dhe popullin e Iranit kemi lidhje që prej 35 vitesh, që kur Franca u dha atyre azil, në korrik 1981. Kur presidenti Mitterrand ishte zgjedhur në krye të shtetit, u dha azil shumë njerëzve nga Irani, viktima të persekucionit dhe të regjimit të Iranit. Qendra e rezistencës së Iranit është vendosur në Paris. Ashtu si gjeneral De Gol, i cili mori azil në Evropë. Ai jetoi në Londër gjatë rezistencës franceze. Pra përsëritet e njëjta histori. François Mitterrand, babai im, i cili është ndarë nga jeta, i mikpriti, dhe në Francë nuk pati problem me këta njerëz, të cilët ishin viktima të regjimit në vendin e tyre. Ndaj ai u përpoq ta ndihmojë këtë rezistencë. Në disa raste apo ngjarje ai ka folur kundër këtyre regjimeve, duke i ndihmuar nga ana tjetër këta njerëz me azil. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në Francë, por edhe në Irak. Kur diçka shkonte keq, nëna ime dhe fondacioni i saj kanë denoncuar dhe kanë ngritur zërin, edhe kur politika franceze, një pjesë e saj mund të ketë bërë marrëveshje me regjimin e Ashrafit për të mos lejuar vendosjen e demokracisë apo për t’i kthyer muxhahedinët në Iran. Bëhet fjalë për kohën kur im atë nuk ka qenë president. Danielle Mitterrand ka denoncuar këto lloj presionesh dhe ka mbrojtur këtë komunitet në të drejtat e tyre për liri e demokraci. Është një histori e gjatë. Gjatë këtyre viteve kanë kaluar shumë beteja e ngjarje tragjike, dhe qëllimi e objektivi i këtij fondacioni ka qenë dhe është mbrojtja e popullit iranian nga goditjet e ndryshme. Në Irak, nga ana tjetër, mbrojtja është shumë e vështirë. E drejta ndërkombëtare nuk është respektuar. Fondacioni jonë ka një rol konsultativ në Kombet e Bashkuara, në Gjenevë, dhe gëzon të drejtën që të ngrejë zërin për çështje të caktuara, siç janë mbrojtja e të drejtave të njeriut, mund të marrë pjesë në mbledhje të ndryshme. Jo vetëm populli iranian është në qendër të vëmendjes së fondacionit, por edhe vende të tjera që kanë të njëjtat probleme. Ne e vlerësojmë si një lajm të mirë faktin që Shqipëria u hapi dyert dhe pranoi të strehojë muxhahedinët. Për fondacionin, Shqipëria bëri një zgjedhje shumë të mirë për të mbrojtur të drejtat e njerëzve. Ndaj unë erdha këtu për nënën time dhe për fondacionin.

Gjatë kësaj vizite, a patët kontakte me komunitetin muxhahedin? A i vizituat ata dhe, si ishte situata e tyre këtu në Shqipëri?

Vizitova vende të ndryshme ku muxhahedinët janë vendosur këtu në Tiranë. Takova shumë njerëz, dëgjova dëshmitë e tyre, historitë e tyre. Është shumë e vështirë t’i tregosh ato histori dhe për ata njerëz, Danielle e François Mitterrand ishin një shpresë në të gjithë kalvarin e jetës dhe historisë së tyre, ishin një dritë shprese për të shpëtuar nga regjimi në vendin e tyre. Takova njerëz të ndryshëm, drekova me ta. Vizitova vendet e ndryshme ku ata janë organizuar për të jetuar dhe për të shpresuar për më tej, ndoshta për t’u rikthyer një ditë në vendin e tyre, në një vend të lirë dhe demokratik. Fondacioni ka si mision të tij, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por edhe ndihmesën për vendosjen e demokracisë dhe lirisë në vende ku ato mungojnë. Fondacioni ynë është një fondacion humanitar. Lidhja jonë me muxhahedinët qëndron në faktin se ata kërkojnë dhe mbrojnë të njëjtat gjëra që mbron edhe fondacioni: të drejtat e njeriut, demokracinë dhe vlerat humanitare. Pra muxhahedinët dhe fondacioni kanë të njëjtin qëllim. Këto vlera janë në zemër të fondacionit dhe të vendit tonë.

A keni lidhje familjare me muxhahedinët apo lidhje, përpara se nëna juaj të mbronte çështjen e tyre?

Jo, unë personalisht jam njohur me ta para dhjetë vjetësh, por nëna ime e ka njohur mjaft mirë Maryam Rajavi, presidenten e qëndresës iraniane. Nëna ime ka qenë shumë e afërt me të dhe kanë qenë mike të ngushta. Unë kam pasur rastin ta takoj Maryam Rajavi në shtëpinë tonë, në fondacion.

A keni pasur takime me autoritetet shqiptare?

Më shumë se një vit më parë u kam shkruar një letër autoriteteve shqiptare. I kam përgëzuar dhe falënderuar për pranimin e të gjithë njerëzve që erdhën nga Irani. Kam takuar delegacionin shqiptar që vjen çdo vit në Paris, në manifestimin e madh që bëhet atje në mbrojtje të iranianëve. Kama pasur takime private gjithashtu. I falënderoj autoritetet shqiptare, por edhe popullin shqiptar gjithashtu, për ndihmën që u kanë dhënë miqve të mi muxhahedinë.

Ju keni qenë deputet i parlamentit francez, dhe për këtë jeni familjar me çështjet politike. Ndaj dua t’ju pyes: çfarë mendoni për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian? A është e gatshme Shqipëria?

Jam shumë-shumë në favor të hapjes së Bashkimit Evropian ndaj vendeve të tjera. Shqipëria ka vendin e saj në Evropë, në këtë strukturë politike të Evropës. Unë jam shumë dakord dhe në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por, nëse Bashkimi Evropian nuk shkon mirë sot, çështja është se institucionet nuk e lejojnë që t’i përgjigjet këtij kapaciteti të zgjerimit. Është një debat i madh i këtyre ditëve: zgjerim apo thellim. Në këtë moment ka më shumë nevojë të thellohemi, të forcohemi, sesa të zgjerohemi. Duhet që politika evropiane të jetë më e fortë. Ky është debati i këtyre ditëve. Jam dakord që ky zgjerim të vijë, por më parë duhet që Evropa të përgatisë institucione të forta.

Kush është Gilbert Mitterrand

Gilbert Mitterrand, djali i François Mitterrand, ish-Presidentit të Francës për 14 vjet, është president i OJQ-së “France Libertee”, që u themelua nga Danielle Mitterrand, ish-zonja e parë e Francës. Gilbert Mitterrand ka qenë edhe deputet i parlamentit francez për dy mandate dhe aktiv në shumë çështje ndërkombëtare. “France Libertee” ka luajtur një rol të rëndësishëm në fushatën ndërkombëtare për sigurinë dhe mbrojtjen e anëtarëve të rezistencës iraniane në kampin e Ashrafit dhe Kampin e Lirisë në Irak, në veçanti në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

4 komente në “Djali i ish-presidentit francez Miteran flet për Shqipërinë: Përshtypjet e mia dhe muxhahedinët”

  1. Emigranti says:

    Faleminderit per fjalet e mira ne drejtim te Shqiperise, por pse nuk ngule kembe dhe te ndikoje ne marrjen e muxhahedineve ne France, ose te merrni disa prej tyre, mbasi jane shume per Shqiperine e vogel e me probleme te shumta.

  2. kuq e zi says:

    ky ishte nje nder per miqte tane amerikane
    ardhja juaj nuk me bind mbase po pergatisni nje pranvere iraniane si ne libi???
    nuk i kemi strehuar per interesat e frances sepse ajo eshte me mike e serbise edhe pse fati deshti qe serbia te kaloi ne kampin tjerter miqte e vjeter zor se i harroni ashtu si po silleni me ramushin

  3. Martin says:

    Franca ishte ajo qe i dha strehe klerikut Iranian (ne kohen e Shahut) qe me vone kreu revolucionin islamik qe e ktheu vendin mbrapa be histori. Muxhahedinet kane Jeter atentate,vrasje dhe krime the tjera qe njerezit e thjeshte e kane perjetuar. Gjithesesi, z.Miterrand(I biri) eshte politikan dhe possible sillet si i tille.

  4. lili says:

    France Liberté edhe Danièle Mitterrand Kane dhane ndihmen e tyre per Kosoven kur askkush nuk e permendte kosoven edhe shtypjen e populli shqiptare.Respekt per kete Zone.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje