Haxhia: Duro t’i harrojë pikët ndaj Partizanit, Kukësi thyhet në Korçë

7 Mars 2017, 13:39Sport TEMA

Pas fitores me Laçin, që ishte e vetmja për javën e 24-t të Kategorisë Superiore, Partizani ishte i përfaqësuar të dielën në darkë në çdo studio televizive, ku diskutohej për futboll. Drejtori sportiv i Partizanit, Edmond Haxhia, ka qenë i ftuar në “Rubrika Sportive” në RTSH, ku, përveç analizës së ndeshjes me Laçin, ka diskutuar edhe për disa çështje të tjera që i kanë shqetësuar kryeqytetasit në javët e fundit.

Gjatë emisionit, Haxhia pranoi kërkesën që klubi i ka dërguar federatës, për shpalljen “non grata” të shefit të garave, Lysien Nurishmi. Sa i përket betejës për titull kampion, ku tani Partizani është vetëm 2 pikë larg kreut, Haxhia u tregua optimist dhe besonte se të kuqtë shumë shpejt do të ishin të vetëm në krye. Ai pohoi se Kukësi nuk do të mbetet i pathyeshëm, madje parashikimi i drejtorit të kuq është se verilindorët do të munden pas një jave në Korçë.

“Partizani, përpos oshilacioneve që ka treguar në fillim të fazës së tretë, është në rrugën e duhur për të fituar titullin kampion dhe mendoj se në përballjet direkte me rivalët do të shkojmë në pozita të barabarta, ose më lart se ata. Kukësin nuk e shikoj të pathyeshëm, madje mendoj se ata do të munden që në transfertën e radhës, që e kanë në Korçë ndaj Skënderbeut”, u shpreh drejtori sportiv i Partizanit, shkruan Panorama Sport.

Edmond Haxhia dhe Shpëtim Duro njihen si miq në jetën e përditshme, por nga studio e “Rubrika Sportive” drejtori i të kuqve i ka lënë një mesazh të pashpresë ish-trajnerit të Partizanit, i cili të shtunën vjen si kundërshtar nën drejtimin e Flamurtarit. “Vërtet me Duron jemi miq, por ai t’i harrojë pikët ndaj Partizanit. Ndaj nesh nuk ka për të marrë asnjë pikë. Duro pikët t’i marrë në ndeshjet e tjera, pasi kësaj radhe nuk ka shanse”, u shpreh Haxhia për mikun e tij, trajnerin e Flamurtarit, Shpëtim Duro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje