Xhafaj: S’ka kthim prapa për vetingun

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kryetari i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj u shpreh se vonesat në miratimin e ligjit të vetingut do të shkaktojnë pasoja fatale për drejtësinë.

“Nëse procesi i vetingut nuk kryhet në kohë do të krijonte pasoja direkte në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, KLGJ dhe KLP, pasi këto institucione kanë një afat të limituar nga Kushtetuta. Prandaj është i rëndësishëm vetingu. Por unë besoj se do të bëhet në kohë”, ka thënë Xhafaj.

Xhafaj për mediet shtoi se  procesi i zhvilluar nga Avokati i Popullit, hartimi i listave të kandidatëve për komisionet e vetingut, është një procedurë administrative.

“Vendimi i djeshëm i Kuvendit synon t’i japë procesit ligjshmëri në çdo hap. Në këtë moment nuk mund të ketë kthim mbrapa dhe procesi do vazhdojë në Kuvend në zbatim të ligjit”, ka thënë Xhafaj.

Xhafaj me medien:

Fatmir Xhafaj – Siç është bërë e njohur, Kuvendi, në seancën e djeshme ka vendosur kthimin  e dosjeve të kandidatëve që kanë shprehur interesin për të  kandiduar për institucionet e rivlerësimit përsëri tek Avokati i Popullit me  dy qëllime : për riplotësim të dokumentacionit  për kandidatët që tashmë janë në listën e kandidatëve që do  të vlerësohen  për këto institucione  dhe rihapjen e thirrjes  për paraqitjen e shprehjes së interesit  nga aplikantë të rinj  për  pozicionet e  tre niveleve të strukturave të vetingut.

Cilat janë  rrethanat dhe shkaqet që e çuan Kuvendin në këtë vendimmarrje?

Paraqitja e një dokumentacioni të shumtë  nga  një numër i madh aplikantësh, si edhe periudha 7-ditore brenda së cilës Avokati i Popullit  duhej të përfundonte procesin,  jo pak, por për rreth 191 kandidatë dhe të nxirrte listën e kandidatëve  që  plotësojnë kriteret formale ne  gjykojmë se ka krijuar disa vështirësi, ndoshta pamundësi për  të përmbushur me shumë rigorozitet të gjitha rregullimet  që  parashikohen në Kushtetutë, në ligjin kuadër që rregullon procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve  dhe prokurorëve, si edhe në veçanti në Kodin e  Procedurave Administrative.

ONM, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, në rekomandimin  që ka paraqitur lidhur me vlerësimin  që i ka  bërë këtij procesi  dhe listës së kandidatëve, ka pranuar se komisioni i ngritur pranë Avokatit të Popullit, thuhet, “ishte i detyruar të kontrollonte aplikimet përkundrejt kritereve shumë të rrepta, duke ndjekur një qasje të  natyrës thjesht formale. Kriteret shumë të rrepta ligjore mund të zbuteshin, thotë rekomandimi, nga një qasje e arsyeshme  e ndjekur  nga ky komision”. ONM e mbështeti  këtë qasje mbi arsyetimin se kriteret e vendosura  përmes njohjes së vetëdeklarimeve, nëse ishte e përshtatshme, mund të ndiqeshin. Nga  164 aplikantë në listën “b”, 85, pra në listën që nuk plotësojnë kriteret formale të paraqitur nga Avokati i Popullit, sipas ONM-së, 85 rezultojnë të vlerësuar me rekomandim negativ dhe 79 nuk vlerësohen me rekomandim nga ONM-ja, por që janë të mundshëm për të  qenë në  listën e  personave  që plotësojnë kriteret formale. Duke theksuar, sipas rekomandimit te ONM se, “një  numër i madh i aplikantëve  në grupin e fundit, pra në grupin e këtyre 79-ve që vlerësohen pozitivisht, duhet të kenë  të paktën në dokumente përvojë të përshtatshme profesionale, por ata nuk paraqitën vetëm disa nga certifikatat e nevojshme”.

Procesi i zhvilluar nga Avokati i Popullit është një  procedurë e mirëfilltë administrative. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Dhe Kodi i Procedurave Administratuive, si një  ligj i rëndësishëm për këtë proces që  zbatohet kryesisht në këtë fazë të procesit, ka parashikuar rregulla të shumta, të cilat për shkak të kohës së kufizuar, por edhe numrit të madh të aplikantëve, rezultojnë jo të zbatuara plotësisht.

Pas shpalljes së listës nga Avokati i Popullit dhe deri më sot, pranë institucionit të Avokatit të Popullit, pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por edhe pranë Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, janë paraqitur ankesa të shumta nga kandidatët që nuk janë përfshirë  në listën  e personave  që plotësojnë  kriteret formale lidhur me procedurën  e ndjekur dhe kryesisht me pamundësinë objektive që aplikantët kanë  pasur për paraqitjen në kohë të  të  gjithë dokumentacionit përkatës. Një fakt  të tillë e pranon edhe vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në rekomandimin zyrtar të tij.

Kodi i Procedurave Administrative nuk e ka mbyllur mundësinë për një rihapje të një  procesi të mbyllur administrativ, përkundrazi, ashtu si në rregullat procedurale të  gjykimit civil dhe penal edhe  në procedurat administrative njihet rishikimi i një veprimi administrativ. Sipas nenit 144 të këtij  kodi, rishikimi  është mjeti ligjor administrativ me anë të së cilit  kërkohet anulimi apo ndryshimi i një akti administrativ, kundër të  cilit ankimi  nuk është më i pranueshëm për shkak të  kalimit të afatit të parashikuar nga ky kod.

Të gjitha  rrethanat e reja të krijuara apo provat e reja  me shkresë, të cilat evidentohet si në ankesa ose dokumentacionin  që kanë paraqitur aplikantët pranë Avokatit të Popullit, ashtu edhe në vlerësimin e vëzhguesve ndërkombëtar, siç citova më sipër, të cilët nuk kanë dhënë rekomandim negativ për 79 kandidatë, përkundrazi, por kanë vlerësuar mundësinë e tyre potenciale  për t’u përfshirë  në listat  e atyre që plotësojnë kriteret formale për vlerësim më pas në  procesin për  të përzgjedhur, imponuan aplikimin e rishikimit edhe në respektim  të parashikimeve ligjore të Kodit të Procedurave Administrative.

Në një situatë të tillë, përderisa ONM, pra, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ekspertët, vëzhguesit ndërkombëtar, pranuan se numri i madh i aplikantëve dhe i dokumentacionit të  paraqitur prej tyre e ka  vënë në vështirësi institucionin e Avokatit të Popullit, që  brenda një afati shumë të  shkurtër të arrijë të evidentojë   me objektivitetin e plotë të gjithë listën  e kandidatëve që plotësojnë  kriteret formale. Meqenëse  është konfirmuar edhe nga ONM, se  nga verifikimi i plotë i dokumentacionit për 164 aplikantët e mbetur, 79 prej tyre vlerësohen si kandidatë potencial për t’u përfshirë në listën për votim  nga Kuvendi, duke vlerësuar rolin e e institucionit të Avokatit të Popullit në këtë proces administrativ të zhvilluar prej tij në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga Kodi i Procedurave Administrative, me synimin që po ky institucion të kryejë me rigorozitet, sipas rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të gjitha fazat që procesi administrativ të konsiderohet i përmbyllur ligjërisht dhe cilësisht, duke evituar kështu edhe implikimin politik të Kuvendit në këtë proces tërësisht të natyrës administrative dhe me qëllim që Kuvendi i Shqipërisë, si organ i ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji, për të përmbyllur me sukses procesin e ngritjes së komisioneve parlamentare për verifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve sa më cilësorë për organet e vetingut të jenë në lartësinë e funksionit të tij për të garantuar një proces të drejtë, transparent, objektiv dhe të besueshëm para publikut,

Kuvendi vendosi rihapjen e procesit të vlerësimit të kandidatëve që nuk ishin përfshirë në listën që plotësonte kriteret formale për institucionet e rivlerësimit për riplotësim të dokumentacionit prej tyre, si dhe rihapjen e thirrjes për paraqitjen e shprehjes së interesit nga aplikantët e rinj për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit.

Ky vendim i Kuvendit të Shqipërisë, i marrë në seancën e djeshme plenare, synon t’i japë këtij procesi, së pari, ligjshmëri në çdo hap të këtij procesi të rëndësishëm; së dyti, transparencë maksimale në të gjitha fazat e tij; së treti, barazi, përfshirje të të gjithë aplikantëve potencialë për kandidatë në strukturat e vetingut; së katërti, konkurrueshmëri reale të kandidatëve konkurrues në këtë proces dhe, së pesti, mundësi përzgjedhjeje sa më të mirë për shprehjen reale të vullnetit politik dhe institucional nga ligjvënësit në fazat e mëtejshme që atyre u njeh detyrim Kushtetuta dhe ligji.

Kjo e gjitha me synimin për të pasur një përzgjedhje që garanton cilësi sa më të lartë në përbërjen e komisioneve të vetingut, roli i të cilave mbetet thelbësor për procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Jam i hapur për pyetjet tuaja.

Gazetare – Zoti Xhafaj, në sajë të këtyre procedurave, i bie që vetingu do të nisë të zbatohet pas zgjedhjeve në qoftë se zbatohen të gjitha afatet ligjore?

 Fatmir Xhafaj – Më falni, nëse zgjedhjet janë pas dy javësh, i bie pas zgjedhjeve. Unë nuk di që zgjedhjet të jenë pas dy javësh.

 Gazetare – Votimi i komisioneve.

Fatmir Xhafaj – Kjo ishte përgjigjja ime.

Gazetar – Zoti Xhafaj…

Gazetare – Të lutem!

Fatmir Xhafaj – Me radhë, se unë do t’ju përgjigjem të gjithëve nga një pyetje secilit, por me radhë!

 Gazetare – Meqenëse jemi te pyetjet…

Fatmir Xhafaj – Jo, a ka mundësi që në qoftë se keni një pyetje…

 Gazetar – Po.

Fatmir Xhafaj – Ju lutem, pyetjen tuaj!

 Gazetare – Për ta sqaruar pak, cilat do të jenë afatet që do të respektohen…?

Fatmir Xhafaj – Afatet i ka bërë të qarta Kuvendi: shtatë ditë nga dita e paraqitjes së dosjeve pranë Avokatit të Popullit rihapet procesi dhe të gjithë ata aplikantë që kanë disa, siç thuhet edhe në rekomandimin e ONM-së, certifikata ose disa dokumente të paplotësuara apo jo të sjella në formën e kërkuar nga ligji, pra në qoftë se është kërkuar një gjë e noterizuar dhe nuk është e noterizuar, ata kanë mundësi që në harkun e shtatë ditëve ta çojnë të noterizuar  dhe të mbetet për t’u vlerësuar pastaj nga Avokati i Popullit në një afat të arsyeshëm dhe nga ONM-ja për t’ia kaluar pastaj Kuvendit. E gjitha kjo në vlerësimin tim mund të mbarojë në një afat dyjavor nëse ecet me ritme normale.

 (Ndërhyrje pa mikrofon.)

 Gazetar – A mund të bëj një pyetje, në qoftë se është e mundur?

Fatmir Xhafaj – Unë jam këtu vetëm për pyetje prej jush, por do të preferoja të krijonit mundësin, se e shoh që keni të gjithë pyetje që t’ju respektoj secilit …

 Gazetar – Pyetja e parë: çfarë do të ndodhë me institucionet aktuale të drejtësisë, organin e akuzës, Këshillin e Lartë i Drejtësisë që po u mbaron mandati dhe reforma në drejtësi ka mbetur në vend?

Pyetja e dytë: a duhet t’i jepte këto argumentime apo justifikime Komisioni i Verifikimit, që duhet të ishte ngritur mbrëmë në bazë të axhendës së thirrur nga Kryetari i Kuvendit dhe kërkesës që ai u kishte adresuar kryetarëve të grupeve parlamentare për të propozuar tre kandidatë për komisionin e parë, atë të verifikimit?

Këto ishin pyetjet e mia.

 Fatmir Xhafaj – Faleminderit!

Po e filloj nga kjo e dyta, meqenëse lidhet edhe me arsyen për të cilën unë kam dalë para jush në këtë bashkëbisedim. Nëse do të ngrihej Komisioni i Verifikimit do të konsideronim që kishte filluar procesi i shqyrtimit nga Kuvendi dhe meqenëse ne e konsiderojmë që ka nevojë që faza e parë e këtij procesi, që është një proces i natyrës administrative, të përmbyllej në këtë vlerësim, duke respektuar edhe rekomandimet e ONM-së, por duke respektuar edhe kërkesat që ka ligji dhe Kodi i Procedurave Administrative, u çmua e arsyeshme që të mbyllej kjo fazë e parë e procesit dhe pas tij procesi të vazhdohet me hapat që i përkasin Kuvendit, sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Në këtë moment nuk mund të ketë më kthim pas, por procesi do të vazhdojë në Kuvend sipas kërkesave që parashikon ligji.

Lidhur me reformën në drejtësi, unë ndaj të njëjtin shqetësim që buron nga pyetja juaj që, nëse procesi i vetingut nuk do të kryhet në kohë, do të krijonte pasoja të drejtpërdrejta për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja qeverisëse të sistemit të drejtësisë, e kam fjalën këtu për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për shkak se organet aktuale që i kryejnë këto funksione kanë një afat të limituar nga Kushtetuta. Kjo është arsyeja që konsiderohet tejet i rëndësishëm procesi i vetingut, edhe për shkak të rëndësisë që ai ka në vetvete, si  një proces që do të bëjë skanimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të republikës lidhur me mundësinë e tyre për ushtrimin e mëtejshëm të këtij funksioni, të funksioneve të tyre në dhënien e drejtësisë, por edhe për shkak të rëndësisë që ka kjo fazë e procesit, për fazat e mëtejshme të reformës në drejtësi.

Unë shpresoj që procesi i vetingut të ecë normalisht dhe t’u hapet rruga shumë shpejt strukturave të reja qeverisëse të gjyqësorit dhe të prokurorisë, procesi për ngritjen e të cilave, siç jeni në dijeni ka filluar dhe është në fazën e vlerësimit të kandidaturave sipas parashikimeve të ligjit përkatës.

 Gazetar – Vendimi i Kuvendit dje pati edhe disa argumente kundër. Ju folët për dhënien e mundësisë të barazisë të kandidatëve, por ndërkohë ka edhe një argument që është i pabarabartë, pasi disa kandidatë kanë më shumë kohë se disa të tjerë për të paraqitur dokumentet e tyre. Pra, doja një përgjigje tuajën për këtë. A është kjo kalim kompetencash nga komisioni ad hoc me 6 anëtarë tek Avokati i Popullit dhe vendimi i Kuvendit mbi cilën bazë ligjore i shtyn palët?

Fatmir Xhafaj – E para, kompetencat e komisionit ad hoc nuk janë kompetenca të natyrës administrative, janë kompetenca që i parasheh ligji, nuk janë kompetenca të verifikimit ose të plotësimit të dosjeve apo të plotësimit të kritereve formale në vetvete, pra të përgatitjes të aplikantëve, por janë kompetenca të vlerësimit të kandidatëve. Këtë kompetencë të vlerësimit komisioni ad hoc, i cili ende nuk është krijuar nuk mundet t’ia kalojë një organi tjetër aq më pak Avokatit të Popullit që nuk e parasheh ligji për një funksion të tillë.

Për sa i përket pyetjes tjetër, a janë në pabarazi, përkundrazi ne kërkojmë të vendosim barazi të të gjithë atyre që kanë dashur të aplikojnë, por për arsye të kohës së shkurtër, distancës, sepse ju e dini që një pjesë mund të jenë edhe jashtë shtetit dhe kanë aplikuar një pjesë e mirë e kandidatëve është një shifër shumë e lartë, janë djem dhe vajza, burra dhe gra që janë jashtë shtetit, janë duke punuar, duke u shkolluar apo duke u kualifikuar jashtë shtetit dhe kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e këtyre proceseve. Koha e shkurtër, një pjesë e tyre të paktën sa  jam unë në dijeni nga ankesat ose më saktë nga pretendimet që ata kanë sjellë nuk i ka mundësuar ata për të plotësuar të gjitha dokumentet e nevojshme. Kjo rihapje u jep mundësinë edhe këtyre që t’i sjellin dokumentet se i kanë pothuajse gati dhe u jep mundësinë edhe atyre që kanë një dokument jo në formën e kërkuar nga ligji , e cila mund të ketë qenë shkak për t’i eliminuar apo që u ka munguar një dokument i plotë që gjithashtu mund të ketë qenë shkak për t’i eliminuar, t’i plotësojnë në harkun e 7 ditëve.  Pra, është një mundësi e re pikërisht për të garantuar barazueshmëri dhe konkurrueshmëri të të gjithëve në këtë proces.

 Gazetar – Zoti Xhafaj, komisioni ad hoc pas të gjitha procedurave që mund të ndiqte Avokati i Popullit, vlerësimi, rivlerësimi tek ONM-ja të kandidatëve të rinj, gjithsesi ky komision nuk mund të ngrihet pa pjesëmarrjen dhe kandidaturat e opozitës, të cilat ia njeh ligji dhe Kushtetuta. Përveçse kryetar i Komisionit të Ligjeve ju jeni edhe politikan, a mendoni se do të nisin…

Fatmir Xhafaj – Unë se jam politikan jam edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Gazetar – A mendoni se është e udhës të nisin negociatën me opozitën në mënyrë që ajo t’i rikthehet procesit për ngritjen e këtyre komisioneve?

Fatmir Xhafaj – Së pari, më duhet të them që Kushtetuta është vullnet i sovranit dhe vullneti i sovranit popull i mëshiruar në Kushtetutë dhe në interesin e lartë të popullit për reformën në drejtësi nuk diskutohet, ai vetëm zbatohet. Unë mendoj që nuk mund të negociohet zbatimi i Kushtetutës as brenda maxhorancës, as brenda opozitës dhe as midis maxhorancës dhe opozitës, për më tepër që edhe sikur të mos e kishin votuar ata kanë detyrimin të respektojnë Kushtetutën e vendit të tyre, sepse janë parti kushtetuese, por për më tepër që këto forca politike, të gjitha kanë votuar aneksin kushtetues që parashikon rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra vetingun. Ligji përkatës nga vet PD është dërguar edhe në Kushtetuese për gjykim kushtetues, është dërguar edhe në Venecia për një opinion të ri të Komisionit të Venecias dhe e ka kaluar pozitivisht gjithë këtë test që do të thotë se normat kushtetuese të mëshiruara në aneksin e Kushtetutës lidhur me procesin e vetingut dhe ligji i vetingut që ka kaluar provën dhe vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese pas kësaj kanë vetëm një gjë : të zbatohen.

 Gazetar – Zoti Xhafaj, ju përmendët Kodin e Procedurës Administrative, por nuk përmendët Kushtetutën gjatë shpjegimit për vendimin e djeshëm. Doja t’ju pyesja sa e respekton Kushtetutën vendimi i djeshëm? Gjithashtu, ne kemi mësuar se gjatë bisedimeve brenda maxhorancës dje ka qarkulluar në tryezë edhe ideja për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një interpretim. Nuk e di nëse mund të na e shpjegoni se përse nuk u ndoq ky opsion?

E dyta, brenda interpretimeve kushtetuese nëse Partia Demokratike, opozita nuk vjen në parlament, a mendoni se ka hapësira Kushtetuta për të gjetur një rrugë, një zhbllokim nëse mund ta quajmë të tillë?

Fatmir Xhafaj – Faleminderit!

Për këtë të fundit ta dhashë përgjigjen besoj pak më lart.

Gazetar – Nëse mund të na e sqaroni pak më qartë.

Fatmir Xhafaj – Po, përgjigjen e dhashë pak më lart. Mund të jetë jo shumë e qartë për ju, por besoj se kjo është përgjigjja ime: Kushtetuta është bërë për t’u zbatuar, sepse është vullnet i popullit.

Për sa i përket kushtetutshmërisë së aktit më duhet të them se nuk ka asnjë cenim të pozitës kushtetuese të Avokatit të Popullit, të rolit që Kushtetuta i ka dhënë këtij institucioni në këtë fazë. Kushtetuta nuk është një dokument, i cili përcakton në detaje mënyrën se si veprojnë organet në zbatimin e normave të saj. Edhe Kuvendi kur t’i vijë radha do të zbatojë Kushtetutën, detyrimin që i ka dhënë Kushtetuta për aq sa është e mundur sipas Rregullores së Kuvendit. Pra, edhe te rasti i funksionimit të komisioneve ad hoc për ngritjen, formimin dhe funksionimin e tyre do të jemi të detyruar t’i referohemi Rregullores, sepse rregullat që ka Rregullorja nuk mund t’i ngrinim në nivel kushtetues. Edhe në këtë rast ky është një proces administrativ dhe ky kthim është bërë për këtë aspekt të këtij procesi dhe jo për aspektin kushtetues. Nëse do t’ia hiqnim këtë rol Avokatit të Popullit dhe do t’ia jepnim një institucioni tjetër, në këtë fazë të procesit, do të thoshim se kemi një devijim  nga norma dhe nga detyrimi kushtetues, por po flasim për një proces administrativ për një procedurë administrative të një organi që në këtë proces ka këtë funksion administrativ.

Për sa i përket çështjes së burimeve tuaj të jashtme dhe të brendshme,  është e drejta juaj si medie dhe e respektoj gjithmonë atë. Unë po flas për thelbin e pyetjes dhe jo për formën se nga ju ka ardhur juve burimi dhe cili është burimi juaj, por për faktin a mund të shkohet në Gjykatën Kushtetuese. Edhe sikur të duam kjo do të ishte gjëja më antikushtetuese në këto momente, sepse nuk e pranon Kushtetuta dhe ligji i Gjykatës Kushtetuese për të bërë një kërkesë të tillë. Një kërkesë e tillë do të ishte jokushtetuese dhe e papranueshme nga Gjykata Kushtetuese, sepse askush nuk legjitimohet për ta bërë një kërkesë të  tillë.

 Gazetare –  Zoti Xhafaj,  para disa ditësh opozita iu përgjigj kushteve që kishte vendosur maxhoranca për të dialoguar në lidhje me kërkesat që opozita ka bërë edhe për të kapërcyer situatën e krijuar. Kushti i fundit, në përgjigje të opozitës ishte: respektimi i reformës në drejtësi sipas përcaktimeve kushtetuese të  datës 22 korrik. Kur opozita e thotë këtë gjë, do të thotë se gjatë kësaj kohe ka pasur devijimeve sipas gjykimit tuaj në zbatimin e  Kushtetutës për reformën në drejtësi, sepse lidhet edhe me procesin që kreu dje vetë Kuvendi?

Fatmir Xhafaj – Tani duhet të pyesni opozitën: a ka lexim tjetër të kushtetutës nga ai që duhet të kemi të gjithë bashkë, apo jo? Nëse bëhet fjalë për procesin e vetingut, dhe po qëndroj te ky proces, atëherë procesi i vetingut është  i shprehur qartë me një sërë normash kushtetuese në aneksin kushtetues. Kjo është shumë e qartë për ju dhe për të gjithë, jo vetëm për profesionistët, por edhe për publikun e gjerë, fakti që procesi i vetingut është i shprehur në një sërë normash kushtetuese. Ky ka qenë qëllimi që u ndërtua një aneks i posaçëm në Kushtetutë për vetingun,  sepse Zoti na ruajt sikur të kishim vënë vetëm një nen në Kushtetutë dhe sot, mot dhe për 20 vjet me këtë se çfarë po ndodh nuk do të kishte proces vetingu në Shqipëri. Fati deshi, vizioni ka qenë i qartë, por edhe mbështetja e Venecias ka qenë gjithashtu shumë e qartë në faktin se ishte e nevojshme dhe e justifikueshme hartimi i një aneksi të posaçëm në Kushtetutë për  këtë proces për të pasur një proces më të qartë, për të pasur një proces sa më të besueshëm dhe sa më të qëndrueshëm në kohë. Është një përjashtim nga rregullat normale të shkrimit të një Kushtetute fakti që është vënë një aneks, por është bërë pikërisht për të mbrojtur kushtetutshmërinë në këtë proces, i cili është i qartë në normat kushtetuese.

Ligji i vetingut e sqaroi më tej në detaje mënyrën se si do të procedohet për këto norma kushtetuese. Ky ligj iu nënshtrua një gjykimi kushtetues nga Gjykata Kushtetuese, e cila e gjeti edhe në mbështetje të opinionit të Komisionit të Venecias, në përputhje me normën kushtetuese dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për këtë rregullim të veçantë dhe tejet të rëndësishëm. Nga ky moment nuk mund të këtë gjë tjetër veçse zbatim të Kushtetutës dhe të ligjit të dalë në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës dhe të gjetur nga Gjykata  Kushtetuese si i pajtueshëm me normat kushtetuese. Kështu, edhe nëse maxhoranca apo opozita do të donin ta ndryshonin këtë gjë nuk do të mund ta bënin dot për sa kohë që ky ligj e ka kaluar një test të gjykimit kushtetues dhe nuk ka rrugë tjetër veçse të  zbatohet. Gjykimet e ndryshme pastaj dhe përdorimi që i bëhet kësaj në funksion të nevojave dhe qasjeve të ndryshme, që kemi në këtë proces ne dhe opozita, në funksion të qëllimeve elektorale kjo është një gjë krejt tjetër dhe nuk ka lidhje as me Kushtetutën, as me ligjin e vetingut dhe as me qëllimin dhe dëshirën e mirë të njerëzve për domosdoshmërinë e kryerjes së këtij procesi.

Natyrisht, secila palë do të bëjë zgjedhjen e vetë, por, në vlerësimin tim, të mos votosh sot për ngritjen e komisioneve apo të pengosh procesin e vetingut, do të thotë pengosh zbatimin e Kushtetutës së vendit tënd, do të thotë t’i biesh ndesh vullnetit dhe interesit të lartë të shqiptarëve për reformën në drejtësi dhe posaçërisht për vetingun.

 Gazetar – Zoti Xhafaj, ju përsërisni vazhdimisht: “zbatohet, zbatohet”. Çfarë ndodh nëse nuk do të zbatohet? Për këtë vazhdojmë të pyesim të gjithë.

Fatmir Xhafaj – Së pari, unë besoj se do të zbatohet dhe të presim kur të vijnë hapat e radhës që të japim gjykimin e radhës. Jemi në këtë fazë të procesit. Unë besoj se do të zbatohet, por, e thashë, për forcat politike, të cilat nuk do të përfshihen në këtë, natyrisht, do të ketë një gjykim popullor dhe gjykimi, ju e dini që jepet më 18 qershor.

 Gazetare – Një rishikim të mundshëm të ligjit në qoftë se opozita vazhdon të bojkotojë për aq kohë sa nuk keni një mekanizëm zhbllokues?

Fatmir Xhafaj – Më fal, unë sapo fola dhe thashë se është Kushtetuta dhe ligji është në përputhje me Kushtetutën. Ju thoni “ndrysho Kushtetutën, ndrysho ligjin”, një ligj që ka marrë gjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbështetjen e Komisionit të Venecias.

 Gazetare  – Zoti Xhafaj, pse nuk e rikthyet edhe një herë procesin te Presidenti, por e kaluat sërish tek Avokati i Popullit?

Fatmir Xhafaj – Ju këshilloj të hapni Kushtetutën dhe ligjin për vetingun! Kushtetuta ka parashikuar se, kur funksionet nuk i ushtron Presidenti dhe Presidenti nuk i ushtroi jo një herë, por dy herë, procesi i kalon Avokatit të Popullit. Ky proces është në kryerje nga Avokati i Popullit, nuk është proces që nis nga e para. Pra, është një proces për plotësim, jo një proces nga e para, që t’i kalonte Presidentit të Republikës.

 Persone – Pra, nuk e kemi vetingun në pikën zero, le të themi, në këto momente?

Fatmir Xhafaj – Vetingu ka filluar. Procesi ka filluar, është bërë hapi i parë. Ne sot kemi 191 aplikantë, kemi 29 kandidatë të mundshëm, sipas Avokatit të Popullit, të cilët plotësojnë kriteret formale, kemi edhe 79, që e kanë kaluar testin e vlerësimit dhe presim që me plotësimin e dokumentacioneve të nevojshme, një pjesë apo të gjithë këta, të jenë kandidatë të mundshëm për të kaluar në fazën tjetër, që është ngritja e komisioneve të vetingut.

Pyetja e fundit?

Faleminderit!

 Person – Zoti Xhafaj, opozita ka vendosur të mos i sjellë tri anëtarët e saj në komisionin e verifikimit, që është pika e parë e fillimit konkret të procesit të vetingut nga institucioni ligjvënës, Parlamenti i Shqipërisë.

Në seancën e radhës së jashtëzakonshme për ngritjen e komisionit të verifikimit, ju do ta kryeni këtë proces? Pra, do ta krijoni komisionin e verifikimit për t’i hapur rrugë hapave të tjerë?

 Fatmir Xhafaj – Faleminderit!

 Person – Çfarë pasojash do të ketë kjo për institucionet, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë? Dua të di pasojat konkrete.

Fatmir Xhafaj – Faleminderit për pyetjen tuaj të katërt apo të pestë!

Gjithsesi, po ju them se ju e dini që dje në rendin e ditës ishte ngritja e komisionit, apo jo?

Person – Po.

 Fatmir Xhafaj – Kjo, meqenëse kishte një ndryshim për rendin e ditës, nuk u zbatua, sepse u vendos rihapja apo riplotësimi i dokumenteve nga aplikantët.

Pa dyshim, ky rend dite nuk u përjashtua. Ky rend dite besoj se do të jetë në seancën e ardhshme të Kuvendit. Pra, në pikat e rendit të ditës të seancës së posaçme, që do të ketë Kuvendi, pas paraqitjes së dokumentacionit të ri të sjellë nga Avokati i Popullit, do të jenë pikërisht këto dy gjëra, që ishin parashikuar për dje : miratimi i vendimit për rregulloren e funksionimit të komisioneve që ngre Kuvendi për përzgjedhjen e strukturave të vetingut dhe, e dyta, paraqitja dhe miratimi i kandidaturave nga grupet parlamentare të shumicës së maxhorancës dhe të opozitës për ngritjen e komisionit ad hoc të verifikimit të kandidaturave, si komisioni i parë ad hoc që ngrihet nga Kuvendi.

Besoj se Kuvendi do ta ushtrojë detyrën e vetë me përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore. Faleminderit !

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Xhafaj: S’ka kthim prapa për vetingun”

  1. andromeda says:

    Në fakt kthimi i djeshëm nga parlamenti ishte një kthim prapa, aspak shenjë e mirë.

  2. Brahoo says:

    Ja dhe Taku tjeter;ska kthim thot.

    Kthim nuk ka se nuk ka as fillim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *