Ministrat Bushati e Kodheli i bashkohen grave e vajzave të Shkodrës në 8 Mars: Ky qytet lindi nga sakrifikimi i një gruaje

8 Mars 2017, 16:12Sociale TEMA

Nën kujdesjen e veçantë të Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe me pjesëmarrjen e Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli u organizua në Shkodër një bashkëbisedim me gratë dhe rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë me rastin e 8 Marsit.

Gra të spikatura dhe me kontribut të veçantë në fushën e edukimit, sipërmarrjes, aktiviste të shoqërisë civile dhe artistë të Shkodrës që ishin  pjesë e panelit të diskutimit, sollën eksperiencat dhe rolin e tyre në ndihmë të komunitetit si dhe sfidat me të cilat janë hasur në rrugën e tyre. Ministra Kodheli në fjalën e saj u ndal në bashkëjetesën dhe emancipimin e gruas shkodrane në shekuj, si element shumë të rëndësishme në kulturën dhe traditën e Shkodrës.

Gjatë fjalës së saj Kodheli u ndal në problematikat që hasin gratë, diskriminimin gjinor, dhunën në familje, fenomene të cilat vetëm së bashku me burrat mund t’i luftojmë! Gjithashtu ajo solli për të pranishmet dhe eksperiencën e saj në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes ku shpesh i është vënë epiteti si “grua e hekurt” për faktin që për nga natyra ky është një institucionin mashkullor, por kjo s’mbetet me kaq, po në këtë Ministri, për herë të parë kemi gjenerale.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati duke falënderuar zonjat në panel për rolin dhe kontributin e tyre në jetën e qytetit, ndër të tjera tha “Nga të gjitha qytetet Shkodra është ndër ato pak qytete që ka në themelin e saj legjendën e një gruaje, të Rozafës. Është falë sakrificës së saj që kalaja e Shkodrës qëndron.

Si të thuash që e gjithë zanafilla e këtij qyteti qëndron te gruaja. Nuk është e rastit që shumë prej personaliteteve gra të nderuara shqiptare kanë dalë nga kjo tokë nga ky truall. Personalitete të shumta  kanë dalë nga Shkodra dhe kontributi për kulturën nuk do ishte i  plotë nëse nuk do ishin gratë fisnike Shkodrane. Të luftosh për të drejtat e grave do të thotë të luftosh për të drejtat e njeriut”.

Lufta për të drejtat e grave nuk duhet të jetë vetëm lufta e tyre. Në rrënjët tona gjendet respekti midis gruas dhe burrit, ndaj ja vlen ndonjëherë të kthejmë kokën pas dhe të shohim të kaluarën. Duhet të zgjidhni të bëheni heroina të jetës suaj dhe jo viktima të saj, theksoi Ministri Bushati. Në fund të takimit Ministrat Bushati dhe Kodheli dhuruan lule për të pranishmet në sallë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje