Një çadër e vogël

8 Mars 2017, 08:48Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

E vogël jo vetëm si masë protestuesish. Sepse edhe ata janë pak. E vogël për nga argumentet që po jep me kalimin e ditëve, për bllokimin e jetës politike, të reformës në drejtësi dhe të zgjedhjeve të ardhshme. Që nga 18 shkurti, kur mijëra demokratë u derdhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Lulzim Basha ka parë sesi rrethi atyre që mbështesin çdo ditë kërkesat e opozitës, ka ardhur duke u ngushtuar. Tashmë jemi mësuar me pamjen e pak qindra burrave, grave e të rinjve që duken sikur janë duke u sorollatur në ndonjë qendër tregëtare, më shumë sesa në një grumbullim politik që kërkon të sjellë një Republikë të Re! Prej ditësh aty ka më shumë gazetarë, operatorë dhe funksionarë lokalë të PD, sesa manifestues. Një detaj që flet jo pak për peshën reale që nisma e 18 shkurtit ka sot në ambjentin shqiptar. Protestë burokratike ka, frymë popullore jo!

Prej 17 ditësh çadra e bulevardit vijon të mbajë lart vëmendjen mediatike dhe debatin politik. Në këtë prizëm ajo është padyshim një sukses i opozitës, krahasuar me katërvjeçarin hibrid dhe pa pigment pas vitit 2013. Por kur këtij suksesi kërkon t’i shtosh edhe disa objektiva të tjerë dukshëm më të “rëndë”, punët ndryshojnë. Duhet përkrahje popullore shumë e madhe sesa kufinjtë fizikë të një çadre, duhet frymë popullore që të trondisë qeverisjen, por duhen edhe argumenta e logjikë e fortë politike, për të justifikuar qeverinë teknike, mosvotimin e Vetingut dhe braktisjen e Parlamentit, ku të kanë çuar votat e përkrahësve të tu!

Lulzim Basha, siç po shihet rregullisht prej 18 shkurtit, e ka gjithnjë e më të vështirë të flasë e të mos bërtasë, të logjikojë e të mos hedhë në ajër fraza patetike, t’i përballë e të mos i përvidhet fakteve dhe realitetit, të argumentojë politikisht e të mos bëjë kërcënime emocionale që sfidojnë Ramën, Metën, ambasadorët, Mogerinin, europarlamentarët, zëdhënësat e Brukselit dhe gjithkënd tjetër që ndodhet brenda kufinjve të kësaj liste. Trajektorja e një partie politike qëndrore ka zbritur gradualisht nga podiumi i rolit sublim që ka një forcë politike e madhe, tek një deklamim ultimativ dhe banal kërkesash që nuk lenë asnjë hapësirë për dialog. Ndërkohë që dialogu, e jo dhuna, është mjeti i vetëm legal i një shoqërie demokratike.

Basha po ecën me devizën “sa më keq, aq më mirë”, kjo tashmë është e qartë. Është ajo pika e moskthimit, e cila ka tunduar më shumë se një herë partitë politike shqiptare në 26 vjetët e fundit, sipas të cilës duke e nxjerrë veten jashtë sistemit, duke thyer e shkelur çdo parim dhe standart të sjelljes politike dhe përgjegjshmërisë ndaj votuesve, kërkon të arrish objektivat duke hedhur në erë të gjitha urat që të lidhin me shtetin, kundërshtarët politikë dhe partnerët ndërkombëtarë. Prej këtej vijmë në situatën ku deri dje PD (si të gjitha partitë e tjera), duartrokiste edhe deklaratën më të vogël përgëzuese që vinte nga ndonjë zyrtar anonim i Brukselit, kurse sot zëdhënësen e Komisionit Europian e quan “hiç”, kurse shefen e politikës së jashtme të Unionit e konsideron sa një pastruese rrugësh.

Spostimi i qëllimshëm në skajin më të largët të arsyes dhe logjikës politike e institucionale, refuzimi insistues për të mos dëgjuar askënd dhe asgjë, është një kumar i rrezikshëm për një parti politike të përmasave të PD. Vetingu dogji afatin e parë kohor në Kuvend, kryesisht për shkak të mungesës së opozitës në komisionet ad hoc. Në prag janë zgjedhja e presidentit dhe fushata elektorale. Duket një axhendë që vështirë se do të kalohet e gjitha me një logjikë të thjeshtë refuzimi të panegociueshëm.

Basha thotë se ka vendosur ta ndryshojë sistemin jo nga brenda, por nga jashtë, përmes frymës popullore. Të shohim se ku do t’i dalë ky bast. Ndërkohë që e ka humbur qysh tani betejën e Vetingut në sytë e opinionit publik, sido që të shkojë fati i protestës. Rama po gjen në duart e tij një dhuratë të papritur në këtë prag zgjedhjesh: kartën e reformës në drejtësi, të sabotuar nga bojkoti i kundërshtarit. Ishte çadra dhe taktika e saj e gabuar që ja dha atij këtë mundësi të artë, për të evituar bilancin katërvjeçar me jo pak njolla gri. Tërheqja me dhunë e temës së reformës në drejtësi, në territorin e fushatës elektorale, është gabimi më i rëndë që mund të bënte opozita sot. E cila, megjithëse përbetohet se nuk do të ketë fare zgjedhje, vështirë se e beson edhe vetë atë që thotë. (Javanews.al)

4 komente në “Një çadër e vogël”

  1. Minotauri says:

    Cadra e Opozites eshte vogwluar
    se Opozitaret e Se Majtes ska si vijne te Berisha,
    teksa Opozitaret Sezonale: Cunat e Lirise se Trotuareve si Minzhozet, Blendet dhe Cilet qe himnizojne Pashkon, nuk guxojne dot kaq sa shkruajne..
    .Dhjetori i Studenteve ezhte mpakur tek nje Cader, por se mos Pozita eshte me e madhe, minzhoz?!
    Rama, Balla, kane mbetur…
    Tahirit i ka ikur zeri, Erjonit i a ka lodhud shtatin keneta, teksa Majko, aha, po respekton Heshtjen e socialisteve reale…

  2. Kuja!. says:

    Ej mblidheni rradaken!. Fshati qe eshte dukur per njezete e ca vjet nuk ka nevoje per kallauz. Keta rrjepspublikaret e “ardhshem ” jane ne misionin qe ata e dine por dhe ne e kuptojme.
    Prandaj o Minxhoz xhani perse e trajton si ligji te semurin psiqik qe vret e vret e ne te mendojme se kur do i kthehet fiqiri.
    O analista!. Ky vend per alternative qeverisese ka tragjikomedine e radhes qe pret ta rivere ne jete çadra!.

  3. Astronauti says:

    Tani qe analistet e leshit po e kuptojne qe era e Vettingut po e shkul cadren, po ja rrasin Lulit :). Lul ja fute vetes i thone. Vettingu do votohet por dhe zgjedhjet do i humbasesh! Dhe minjte analiste e ndjejne rrezikun, po e leshojne cadren.

  4. lorenci says:

    O Skender, gjithnje me ngjyre o burre, si nuk nderrove nje here, sigurisht ti i ben hysmet shprblimit qe te japin , por njeriu ka edhe pak burreri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje