Deputeti i LSI Vangjel Tavo: Opozita është në të drejtën e saj për të protestuar, askush nuk duhet ta gjykojë. Policia të rrisë sigurinë në Gjirokastër

9 Mars 2017, 10:56Politika TEMA

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, ka komentuar ngjarjet e fundit politike dhe kryesisht protestën e opozitës në bulevardin përpara Kryeministrisë.

Tavo është shprehur se opozita është në të drejtën e saj edhe askush nuk duhet ta paragjykojë atë.

Ndërkaq, ai ka theksuar përsëri se policia në rrethin e Gjirokastrës  duhet të rrisë sigurinë si edhe të jetë në krah të minoritetit grek. Tavo deklaroi per “Sot” se marrëdhëniet midis LSI dhe PS në Gjirokastër janë të shkëlqyera dhe dita-ditës banorë të ndryshëm i bashkohen LSI, pasi besojnë në filozofinë dhe vizionin e saj politik.

Opozita prej më shumë se dy javësh proteston para Kryeministrisë. Si i shihni kërkesat e saj?

Tranzicioni i gjatë politik shqiptar i më shumë se dy dekadave të fundit ka qenë në shumë raste jo optimist për të ardhmen e vendit, por duhet pranuar që e drejta e protestës të çdo force politike ka qenë gjithmonë e garantuar. Ndaj çdo forcë politike, në opozitë apo mazhorancë ka të drejtën e saj të ndërtojë si e shikon të arsyeshme aksionin e saj politik.

Dhe, këto aksione politike nuk gjykohen nga politikanët, por nga shqiptarët. Janë ata të cilët me votën e tyre, me datën 18 Qershor, do të japin vlerësimin për çdo subjekt politik. Nuk duhet të pyesim se si politika e sheh politikën, por se si shqiptarët e shohin politikën. Unë mund të them me bindje, si deputet i Lëvizja Socialiste për Integrim, që interesi i shqiptarëve, stabiliteti i vendit, dhe e ardhmja evropiane e Shqipërisë përbëjnë aksionin tonë politik, filozofinë tonë partiake, dhe detyrimin tonë ndaj vendit.

Ne jemi përfaqësues të vullnetit të qytetarëve ndaj misioni ynë është t’i shërbejmë shqiptarëve dhe t’i japim shtysë vendit të ecë më shpejtë drejtë anëtarësimit me të drejta të plota në BE. Ndaj dhe çdo opinion i yni nuk mund të jetë ndryshe për të gjitha forcat politike, përveçse, “integrimi, integrimi, integrimi” si e vetmja moto e të gjithë politikës shqiptare.

Pak kohë më parë, ju keni shfaqur kritika të forta mbi disa drejtues të policisë në zonën e Gjirokastrës. Vijoni t’u qëndroni të njëjtave deklarata?

Unë kam patur privilegjin e jashtëzakonshëm, që për mbi njëzetë vjet të përfaqësoj qarkun e Gjirokastrës në Kuvendin e Shqipërisë. Të jem zëri i këtij komuniteti dhe t’i shërbej me pasion të gjithë banorëve të këtij qarku, ka qenë e mbetet misioni dhe përgjegjësia ime. Gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë në legjislativ, unë nuk jam marrë me kritika por me përgjegjësitë që kanë institucionet në hidhje me shqetësimet që kanë banorët e qarkut që unë përfaqësoj. Edhe në këtë rast, unë ngrita një shqetësim pa kritikuar askënd por duke ngritur zërin për zgjidhjen e një problemi që shqetësonte banorët e Dropullit, të cilët ishin të shqetësuar për rastet e shumta të vjedhjeve dhe bastisjeve të shtëpive në këtë zonë. Banorët e Dropullit kërkojnë më shumë siguri dhe rend në mënyrë që të jetojnë më të sigurtë dhe të mbrojtur. Për sigurinë dhe standardin e jetesës së banorëve të Gjirokastrës, Dropullit, Tepelenës, Memaliajt, Libohovës dhe Këlcyrës unë do e ngre zërin gjithmonë, pasi kjo është detyra, përgjegjësia dhe misioni im.

Si janë marrëdhëniet mes PS dhe LSI në Gjirokastër, pasi pak ditë më parë kryebashkiakja që përfaqëson partinë tuaj shkarkoi nga detyra nënkryetarin socialist?

Marrëdhëniet midis LSI dhe PS në Gjirokastër janë të shkëlqyera. Ju kujtoj bashkëpunimin tejet të vyer dhe të rëndësishëm në zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2015, në të cilat PS ofroi një mbështetje tejet të madhe në zgjedhjen e kandidates të ASHE të propozuar nga LSI, znj. Zamira Rami. Si në qeverisjen qendrore ashtu edhe vendore, ne kemi punuar ngushtë dhe me efikasitet. Lëvizjet administrative nuk duhen parë asnjëherë nën optikën e përkatësisë politike pasi do ishte një qasje e gabuar. Bashkia e Gjirokastrës ka bërë një punë të shkëlqyer brenda këtyre pak viteve dhe shfrytëzoj këtë rast të vlerësoj bashkëpunimin profesional dhe në të mirë të qytetit të këshilltarëve të PS dhe LSI në këshillin bashkiak.

A do vijojë LSI të jetë pjesë e këtij koalicioni në zgjedhjet e 18 qershorit dhe kur pritet të ketë një vendim për këtë?

Në vitet e fundit, në politikën shqiptare, fatkeqësisht, përplasjet, kritikat dhe fryma e mosbesimit janë krijuar gjithmonë në mënyrë artificiale nga sajesat apo spekullimet online ose burime jo të besueshme ose aspak serioze, të cilat nuk fokusohen në shqetësimet reale të vendit. Unë e kuptoj që skupet politike tërheqin vëmendje, por mos harrojmë që ato janë vetëm momentale. Cila parti do bëjë koalicion me kë? Dhe spekullimet me formula të ndryshme elektorale nuk kanë asnjë domethënie dhe interes për qytetarin e thjeshtë. Pyetjet që gjithsecili prej nesh duhet të shtrojë në mënyrë të vazhdueshme janë: A është standardi i jetesës së qytetarit sot më i mirë se sa dje, dhe a do jetë më i mirë se nesër?

A do jetë së shpejti Shqipëria anëtare me të drejta të plota në BE, dhe çfarë duhet të bëjmë më shumë për të përmbushur kriteret? Dhe a po i krijojmë rinisë më shumë kushte dhe mundësi punësimi, dhe si mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezin e ri? Këto janë pyetjet që LSI bën çdo ditë dhe përpiqet t’i zgjidhë dhe të kontribuojë. Ne do të shkojmë në zgjedhje me një frymë pozitive, bashkëpunuese dhe me një platformë të qartë që i ofron zgjidhje shqetësimeve reale të qytetarëve, ndaj dhe LSI do arrijë një rezultat spektakolar në zgjedhjet e 18 Qershorit. Prioriteti i LSI janë zgjidhjet dhe jo zgjedhjet.

Pas katër vitesh qeverisje, cilin sektor të qeverisjes gjykoni si më problematikun?

Vështirësitë e mëdha të trashëguara nga e kaluara e bëjnë çdo qeveri të përballet me probleme të caktuara të cilat disa janë kapërcyer e disa të tjera duan kohën e mjaftueshme. Por pavarësisht pengesave, e gjithë politika duhet të fokusohet më shumë tek rinia, kjo kategori e shoqërisë e cila meriton më shumë nga ajo çfarë i është ofruar ndër dekada. Unë dhe çdo anëtar i familjes time politike jemi tejet të ndjeshëm ndaj nevojave të rinisë, sepse LSI është streha e rinisë shqiptare.

Ne ecim përpara me energjinë e gjeneruar nga rinia. LRI i ka dhënë një impuls të ri dhe të fuqishëm mbarë politikës dhe shoqërisë shqiptare. Ndaj nëse ka një listë prioritetesh për politikën dhe çdo qeverisje, kjo listë duhet të nisë me rininë sepse ne i detyrohemi asaj një të ardhme më të mirë, mundësi më të mëdha, kushte më optimale dhe jo më ëndra të ndrydhura por ëndra evropiane. Unë vazhdoj ta them me bindje që rinia shqiptare është me zemër më evropiane sesa vetë të rinjtë e këtij kontinenti, ndaj ajo meriton më shumë shpresë, dinjitet dhe të ardhme më të sigurtë.

Si po ecën procesi i organizimit brenda LSI?

Një ndër atributet e vyera të LSI është mënyra e organizimit dhe demokracia e saj e brendshme. Gjatë muajve të fundit, LSI ka zhvilluar në mënyrë shembullore Konventën Kombëtare, Zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar, Kryesinë e saj, dhe Kryetarët e partive dhe organizatave në mbarë vendin. Në qarkun e Gjirokastrës, kryetarët e LSI në bashkitë po bëjnë një punë të shkëlqyer, dhe dita-ditës banorë të ndryshëm i bashkohen LSI pasi besojnë në filozofinë dhe vizionin tonë politik.

LSI është një forcë politike progresiste dhe evropiane dhe shqiptarët tashmë e kanë të qartë rolin stabilizues që LSI ka patur e do vazhdojë të ketë për vendin. Ne kemi qenë gjithmonë besnikë ndaj shqiptarëve, duke ofruar alternativat tona për një qeverisje të mirë dhe nuk e kemi konsideruar veten asnjëherë arrogantë, por jemi treguar të përulur në shërbim të shqiptarëve. LSI është një forcë që ecën me ritme të shpejta drejt së ardhmes. Ajo ka në fokus të punës së saj vetëm qytetarin dhe qytetari e njeh dhe e beson këtë filozofi tonën. Ndaj edhe do na vlerësojë dhe besojë në zgjedhjet e ardhshme. Me rininë si energjinë dhe forcën rigjeneruese të saj, me një kryetar si Ilir Meta, i cili me profesionalizmin, vizionin dhe atributet e tij si një lektor i politikës shqiptare ka treguar vlera tejet të larta drejtimi dhe shtetarie, dhe me mbështetjen e madhe që kemi nga qytetarët, LSI shkon drejt zgjedhjeve të 18 Qershorit në pritje të një rezultati spektakolar.

2 komente në “Deputeti i LSI Vangjel Tavo: Opozita është në të drejtën e saj për të protestuar, askush nuk duhet ta gjykojë. Policia të rrisë sigurinë në Gjirokastër”

  1. tironci says:

    nga i gjen Likja bq si ty mor ja qj. nga mbini ju ne politike, ju jeni per tu shkuar ne hell.

  2. toni says:

    Mjaft, si shume reklame po i beni gjakprishurve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje